Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Udhëtime

VETJA E RRËFYER E UDHËTARIT

Deri relativisht vonë, aq sa edhe unë e kam jetuar e përjetuar, çdo udhëtim i denjë për këtë emër do të përmbyllej me një rrëfim a përshkrim – udhëtari do t’u tregonte të afërmve e shokëve se ku kish qenë, kë kish takuar, çfarë kish parë, si kish lëvizur nga një vend në tjetrin e kështu me radhë. Ky lloj komunikimi kish edhe zhanrin e vet – travelogun, shënimet e udhëtimit dhe tekste të tjera të ngjashme.

Tani që e mendoj, vetë udhëtimi, i përfytyruar si një lakore që nis dhe përfundon te shtëpia jote, e kërkonte rrëfimin për t’u kompletuar; madje udhëtari, duke u rrëfyer të tjerëve se ku kish qenë, çfarë kish bërë e çfarë kish parë, i jepte një strukturë narrative edhe eksperiencës së vet, duke e bërë më të pranueshme për sistemin tretës të kujtimeve. Në të njëjtën kohë, të tjerët që e dëgjonin rrëfimin udhëtonin edhe ata, në një farë mënyre, me imagjinatë, dhe ashtu përjetimi i një individi bëhej – njëfarësoj – përjetim i grupit.

I përkas një brezi që udhëtimin e pat menduar gjithnjë si diçka speciale – madje edhe atë të thjeshtin, brenda Shqipërisë, nga Tirana në Durrës, në Shkodër a në Vlorë. Rrugët nuk ishin të mira, autobusët të rrallë dhe të ngadalshëm, dhe pak ishin ata që udhëtonin për qejf, me përjashtim të atyre që shkonin në plazh. Në vitet 1980 i pata kaluar shpesh pushimet në Himarë, dhe për Himarën u kam treguar – dhe vazhdoj t’u tregoj – të gjithë atyre që nuk ishin me mua atje. Është pjesë e jetës sime që nuk mbijeton dot, pa u rrëfyer, madje edhe pas kaq shumë vjetësh.

Por shtysën për t’ia dhënë udhëtimin tjetrit e kam ndier veçanërisht të fortë kur shkova për herë të parë në Romë; në një kohë kur dalja jashtë Shqipërie ishte ende një privilegj i lakmuar. Nuk kish moment të jetës sime atë vit, që nuk e përpunoja sakaq mendërisht për ta rrëfyer; në një kuptim, po i jetoja ato muaj si korrespondenti i shoqërisë sime në Tiranë; duke mbledhur vëzhgime dhe përshtypje me misionin për t’ua përcjellë pastaj të tjerëve. Një udhëtim jashtë e kishim dëshiruar të gjithë; dhe tani që mua më ish dhënë mundësia, doja ta ndaja me ata që këtë mundësi nuk e kishin.

Çuditërisht, çfarë ka mbetur tek unë nga ajo periudhë, dhe që nuk është pak, mbijeton në formën e rrëfimeve që i kisha bërë tashmë gati dhe që, me siguri, ua kisha “performuar” të mive; deri edhe eksperienca të pashlyeshme, si koncertet e Pink Floyd dhe të Sting-ut, i kujtoj sot e kësaj dite ashtu siç i kam rrëfyer. Udhëtimi im i parë në Itali dhe koha që kalova atje, tani nuk ndahen dot, në kujtesën time, nga fjalët e rrëfimit; si me thënë, ekzistojnë në formën narrative që kanë marrë, kur ua kam përcjellë të tjerëve.

Në vitet 1980 kishim aparate fotografike dhe bënim foto, madje edhe kur udhëtonim; fotot e Romës do t’i kem akoma gjëkundi, si dëshmi edhe ato të çfarë kam përjetuar atëherë, por që nuk i lidh dot me narrativën që prej vitesh kam përpunuar e mirëmbaj për atë periudhë. Fotot janë dokumente, provojnë diçka, por nuk më japin çfarë dëshiron. Përndryshe, nuk ka nevojë të shoh foto të Koloseut ose të Altare della Patria, për t’u siguruar se kam qenë vërtet në Romë; dhe asnjë foto nuk ma jep ndjesinë e gurëve të nxehtë të Centro Storico, në qershor e në korrik, poshtë shputave të këpucëve të mia, teksa u vija edhe një herë rrotull vendeve aq të dashura, si shkallaret në Piazza di Spagna dhe hapësirat në Piazza del Popolo.

Jam gjendur tani shpesh në situata kur rrëfimet e një udhëtimi t’i zëvendësojnë fotot; në albume, në ekrane, ndonjëherë edhe të projektuara në mur. Shqipja ka një veçori kurioze, që foljen tregoj e përdor edhe për “show”, edhe për “tell”: ti pret që tjetri të të tregojë për një udhëtim që ka bërë, duke ta rrëfyer; por ai tjetri thjesht të tregon fotot që ka nxjerrë. Si rregull, ato foto nuk të thonë asgjë – njëlloj mund edhe të të kish shitur bileta. Mund të jenë tejet domethënëse për ata që i kanë nxjerrë dhe për personat që “dalin” aty, por nuk e zëvendësojnë dot rrëfimin e një udhëtimi, ku rrëfyesi e vë intelektin në punë, për ta bërë eksperiencën e vet të përjetueshme edhe për ty.

Fotografimi obsesiv, i gjithçka dhe i gjithkujt, ndonjëherë edhe duke e zëvendësuar përvojën e pandërmjetme, shënjon rrëgjimin e udhëtimit në turizëm. Siç e kanë thënë e stërthënë, ai vizitor që fotografon një pikturë të Rembrandt-it në muze, e bën për të provuar se ka qenë atje, “në afërsi” fizike me atë relike të religjionit kulturor, duke marrë pjesë në një konsum statusi; pa çka se mua, të tretit, ajo foto nuk më thotë asgjë më tepër se fjalët “kam qenë atje”, të dala nga goja e të fotografuarit (ndonjëherë edhe e fotografuesit vetë). Fotoja vërtet përcjell një eksperiencë tënden, por kjo eksperiencë është e tillë që nuk bashkëndahet dot (shared). E shumta, mund të ndahet informacioni që ti ke qenë atje, por kaq nuk mjafton.

Dhe këtu nuk dua të flas për videot, që janë diçka midis një regjistrimi dasme me të cilin të torturojnë ndonjëherë kur shkon për vizitë te ndonjë i afërm, dhe një prove të mundshme krimi. Nuk e vë në dyshim që një video-artist mundet ta japë me mjeshtëri të rrallë eksperiencën e vet të udhëtimit, por njeriut talenti për të nxjerrë dhe edituar video nuk i vjen aq natyrshëm sa zotësia për të rrëfyer me gojë. Ose ndoshta tani duhet të them nuk i vinte, meqë teknologjitë e reja – celulari, rrjetet sociale, memet – po i lënë gjithnjë e më pak vend të rrëfyerit me gojë (ose me shkrim).

Ashtu ndodh pastaj që të gjendesh në mjedise ku rrëfehet për udhëtimet, dhe të dëgjosh atje vetëm përshkrime tavolinash, pjatash e menysh, dhe të kujtohesh për një shaka të vjetër, me një italiane që sapo ish kthyer nga një udhëtim në Greqi, dhe shoqja e e vet e pyeste: “Che avete mangiato in Grecia?” E megjithatë, unë sot do të preferoja një përshkrim të rrëfyer të një kukureci a të një tave dheu, ndaj fotografisë përkatëse – sepse përshkrimi do të më ndillte dëshirën për ta provuar, ndërsa fotoja më shumë dëshirën për ta porositur…

Udhëtari mund të jetë vërtet ai që udhëton, por vetja e udhëtarit ka nevojë të rrëfehet. Jo thjesht për çfarë është parë, përjetuar a provuar – por edhe për ta ri-integruar, në bashkësi, dikë që ka pasur, për ca kohë, eksperienca të tjera, të ndryshme, të rralla. Fotot, videot, sendet e blera, dhuratat, nuk mjaftojnë për ta mbyllur zgavrën e largimit. Madje edhe i njëjti përshkrim udhëtimi do të më tingëllonte ndryshe në gojën e një të afërmi, dhe ndryshe në gojën e një të panjohuri.

Kam qenë vetëm 12 vjeç, kur tim atë e dërguan për një specializim disamujor në Paris – në atë Paris që unë tashmë e njihja, sado pak, nga “Gavroshi” i Hygoit dhe fotot e kullës Eiffel në revistat e ilustruara. Duke ma ditur mendjen, më pat dërguar që ditët e para një hartë të vogël të qytetit, nga ato që u japin falas klientëve në hotelet, dhe që i ilustrojnë monumentet me vizatime të thjeshta. Tek ajo hartë, e palosshme, kam gjetur Place de la Concorde, Notre-Dame-in, Les Invalides, L’Arc de triomphe, La Madeleine, bazilikën Sacré-Coeur, kopshtin Tuileries… dhe kam përfytyruar veten duke shëtitur, nga një vend në tjetrin. Te një hartë tjetër, e metrosë, i pata projektuar zhvendosjet e mia. Në letrat, im atë më rrëfente – ashtu si mundej – për çfarë kish parë; dhe unë pastaj i përsëritja shëtitjet e tij. Midis letrave, hartave turistike dhe vizatimeve të mia, mori formë një Paris që sot e kësaj dite e ruaj në mendje, si kujtim të çmuar e magjik. Ky Paris më pat shoqëruar, skenografi, në leximet e mia të shumta të Balzac-ut e të Hugo-it; dhe pastaj kur e vizitova vërtet qytetin. E pata megjithatë të vështirë të pajtoj imazhin aq të kultivuar të kishës La Madeleine, që e kisha ruajtur edhe në një pullë poste, me kishën vetë, ku shkuam një natë 40 vjet më vonë, për të dëgjuar Requiem-in e Fauré-së… (requiem-in për Parisin që vate e shkoi).

Tani që e mendoj sërish, krejt Parisi për mua është qytet i rrëfyer – në romane, në revista, në letrat e tim eti dhe tani edhe në eksperiencën time prej vizitori. Çfarë mbase shpjegon edhe pse isha aq imun, gjatë vizitës sime të vetme, ndaj së ashtuquajturës sindromë e Parisit (“Paris syndrome”), që prek shumë turistë japonezë, të cilët ndihen thellësisht të zhgënjyer kur konstatojnë se realiteti i qytetit nuk përkon me pritjet e tyre dhe idealizimin e qytetit, si vatër e bukurisë romantike. Për mua – që flas gjysmë me shaka – kjo sindromë, sado e rrallë qoftë, nuk është pa lidhje me atë që viktimat u kanë besuar shumë fotografive.

Shkrova ndoshta gjatë, për të provuar – por sa ia dola? – që udhëtimi nuk është udhëtim, po të mos përmbyllet me një rrëfim, meqë vetëm fjala e narrativës e shndërron udhëtimin tënd në udhëtim edhe për mua, duke i dhënë atë virtyt interpersonal, që e dallon edhe nga turizmi i rëndomtë, edhe nga pelegrinazhi – ky i fundit i parë si udhëtim i projektuar brenda vetes, dhe i rrëfyer në trajtë monologu të brendshëm. Kjo mbase do të ndihmojë që të kuptohet pse, në një epokë si e sotmja me mundësi gjithfarësh për të udhëtuar, eksperienca e bashkëndarë e udhëtimit po vjen duke u rralluar e shkërmoqur; duke humbur në kaosin e fotove-kartolina, selfie-ve, pjatave në restorante, beach bar-eve dhe cocktail-eve, plaçkave ekzotike dhe realiteteve “autentike” të inskenuara. Çfarë fitojmë në eksperiencën për vete, po e humbim në eksperiencën për tjetrin.

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin