(me trembëdhjetë lëvizje)
“Madame Bovary c’est moi”
Gustave Flaubert, “Fjala në gjyq”, shkurt 1857
Hyrje
Po lexoja rreth strukturalistëve francezë për të përgatitur shkrimin “Ballina”, që doli te “Peizazhet…”, kur Artur Spanjolli botoi po aty: “Dëshirë dhe kujtesë në Indokinën e viteve 1930. Mbresa dhe shënime për romanin ‘Dashnori’ të Margerit Dyras-it”. Pak ditë më vonë edhe Ardian Vehbiu, në Substack, e cekte problemin me shkrimin “Kthimi i autorit”. Koha për t’u përpjekur, pra, t’i ndriçojmë ca gjëra të teorisë së letërsisë, ndoshta me një mënyrë prej gallofi për t’i parë gjërat. Ja disa fraza nga teksti i Arturit (nënvizimet janë të miat):
“Këtu për shkrimtarët shtrohet një pyetje themelore: Më mirë një përrallë e bukur por herë-herë plot lustër, apo një e vërtetë e sinqertë, dramatike, treguar me art nga një mjeshtre rrëfimi?!
Dua të them. Gati të gjithë shkrimtarët tregojnë “përralla të bukura” apo dramatike në vetën e tretë. Por kur vjen puna të tregojnë të vërtetat e tyre, atëherë aty ato stepen, heshtin, bëjnë një hap prapa. Dhe e dinë fare mirë që sinqeriteti në art, është edhe zholi fitues.
Me këtë roman, shkrimtarja na flet për kurajën që ajo ka për ta rrëfyer jetën e saj siç ka ndodhur vërtet dhe jo siç ajo dëshiron që të dalë. Dyras ka dalë lakuriq në treg. Me shpirtin e saj dhe ky është një akt krejt i vështirë, heroik i rrëfimtares. Një sipërmarrje e cila ka nevojë për emancipim letrar.
[…]
Është sikur njeriu të shesë për pak aspra vetë sekretet e jetës së tij. Por ai e bën këtë në emër të artit të tij rrëfyes. Këtu flitet për emancipim apo për cinizëm letrar?”
Pa të përpiqemi të ngulim aty-këtu ndonjë gur kufiri (apo vetëm ndonjë papërdhok, xhanëm). Katër llafe për tetë pika, siç thotë kënga popullore.
1
Romani i Duras-it është autofiction. Autofiction-i është zhanër letrar, një nga qindra zhanret e historinë e letërsisë, si, ku di unë: romani epistolar, romani historik, romani policesk, hajku, poezia pastorale, cyberpunk-u, twitteratura, tragjedia, reportazhi…
2
Pa dyshim që, po ta konsiderojmë autofiction-in si metodë për të shpikur një rrëfim, kemi të bëjmë me një metodë tejet interesante.
3
Autofiction-i (kujdes: termi është francez dhe jo anglez, siç mund të ngjajë) është i vendosur në prerjen midis një historie të vërtetë nga jeta e autores/autorit dhe një historie të trilluar që eksploron përvojat e përjetuara nga ajo/ai.
4
Nuk është vetëm autofiction-i që merret me sa u përmend në pikën paraardhëse; kemi (të paktën) edhe këto zhanre të tjera konkurrente: non-fiction novel, new journalism, memoir[1], (auto)biografi e romancuar, pseudo(auto)biografi, etj. Kam ndjesinë që përsa i përket raportit midis asaj që është fiksion (trillim) dhe asaj që nuk është fiksion (ose nuk do që të jetë fiksion, ose do që të jetë fiksion, por me mënyrën e vet) idetë janë rrumpallë.
5
Të kthehemi pak tani tek epigrafi në krye të shkrimit (kemi të bëjmë me “peritekst”, apo jo?). Koha të rrëfej një antefakt (ngjarje paraprijëse). Gustave Flaubert-i e botoi romanin e tij “Zonja Bovari” me fashikuj në revistën “Revue de Paris” nga 1 tetori deri më 15 dhjetor 1856. Sapo dolën kapitujt e parë, filluan letrat e protestës (shpesh anonime). Kështu censura u fut në lojë: revistës dhe autorit iu kërkuan ndërhyrje, prerje dhe rishkrime të disa skenave të cilësuara si tepër erotike. “Revue de Paris” u detyrua të përshtatet dhe bëri ca qethje, kurse Flaubert-i, në numrin e 15 dhjetorit botoi një shënim ku dilte hapur ndaj çdo “gjymtimi” të tekstit të vet. Félix Cordoën, prokurori i përgjithshëm, u nxeh dhe e paditi autorin për fyerje të moralit publik dhe fetar. Akuza mbronte tezën që rrëfimi “skandaloz” i autorit, dhe sidomos personazhi i Ema Bovarisë, e orientonte publikun femëror drejt kurorëshkeljes dhe devijimit moral. Gjyqi, më “letrari” në historinë juridike të Francës, u hap më 29 janar të vitit 1857 dhe përfundoi më 7 shkurt, me shpalljen e të pandehurit të pafajshëm. Gjithashtu, shpenzimet gjyqësore iu rimbursuan. Këtu, gjatë fjalës së tij mbrojtëse, Flaubert-i (foli pesë orë të mira) shqiptoi frazën e famshme. Ishte hera e parë që brenda një salle gjyqi vërshonin elemente të narratologjisë. Flaubert-i, pra, përsëri për herë të parë, ishte ai që në mënyrë publike teorizoi ndarjen e autorit nga rrëfimtari, duke shenjuar përfundimisht shthurjen e formave letrare që ekzistonin deri atëbotë, sidomos në gjininë e romanit (romani aventuresk, romani realist, etj.). Me personazhin e Ema Bovarisë Flaubert-i nxorri në pah për herë të parë që një puqje deri atëherë e panjohur e realitetit me imagjinatën çon në lindjen e një trajte të re realiteti. Kështu bëhet i pamundur dallimi midis zërit të rrëfimtarit dhe zërit të personazhit: duket sikur, duke rrëfyer ngjarjen, autori gjendet njëkohësisht brenda kaptinës së personazhit (ia miraton dhe justifikon sjelljet e veprimet), por edhe jashtë. Ky personalitet autorial i ndarë i jep jetë, bile-bile, një zëri të tretë, që nuk i përket as autorit, as rrëfimtarit, por historisë vetë. Shprehet Calvino, njëqind vjet më pas (1958):
“Kemi të bëjmë gjithmonë me një projektim të vetes, që autori e vë në lojë tek shkruan, dhe mund të jetë projektim i një pjese të vërtetë të vetes, sikurse i një pjese të gënjeshtërt të vetes, i një maske.”
6
Duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XX formula “kjo histori është e vërtetë” po i lektis botues e lexues. Tani një roman është roman, apo jo? Dhe romani është një rrëfim trillimtar, apo jo? Fakti që ngjarje e situata që rrëfehen në roman kanë ndodhur vërtet (ose kanë ndodhur në mënyrë shumë të ngjashme me si rrëfehet në roman) nuk ia gërric aspak natyrën trillimtare romanit, apo jo? Dhe kështu nuk ka aspak vend për ekzaltim të çfarëdolloji.
7
Fakti që një person rrëfen me “unë” në një roman, edhe kur thotë “unë, Marguerite Duras” (le që nuk thotë kurrë Marguerite Duras, se emri i vajzës te “Dashnori” nuk përmendet kurrë) kam bërë seks kështu apo ashtu, gjithmonë për trillim e kemi fjalën, apo jo? Dhe fakti që zonja Marguerite Duras kur ishte çupë i ka bërë apo jo realisht ato punëra a nuk është, tekefundit, e papërfillshme? Nëse pastaj lexuesi e lexon romanin (që është botuar si i tillë në një kolanë të caktuar romanesh dhe ka fituar çmime që jepen për romanet) e lexon, pra, si të ishte “një histori e vërtetë”, syleshllëku dhe, do të thosha, edhe një çikë morboziteti e vuajerizmi a nuk i mbetet lexuesit?
8
Që në pështjellimin e krijuar midis “jetës së vërtetë” dhe “trillimit të romanit” Duras-i shfrytëzon rastin, nuk më duket se mund ta vëmë në dyshim. Ama e bën në epitekst. E kemi shpjeguar epitekstin, te shkrimi “Ballina”: është diçka, me përkufizim, jashtë tekstit (dhe jashtë librit, bile), ndonëse pazgjidhshmërisht i lidhur me tekstin. Atëbotë pyetja vjen spontane: po vepra e Duras-it në këtë rast ku është, cila është, se u bëmë lëmsh u bëmë? Është brenda në libër, apo jashtë librit, diku aty te rrethinat (e librit)?
9
Sa më shumë e vras mendjen, mua aq më shumë kategoria “autofiction” më ngjan gjepur: cili ia njeh jetën autorit (dhe këta janë vërtet pak, fare pak, familjarët, po themi[2]) e kupton vetë çfarë buron nga realiteti dhe çfarë është totalisht e trilluar; ata të cilët nuk ia njohin (atë, pra, jetën – dhe janë 99.99% e lexuesve) nuk e dinë dhe shëndet e të mira, bile, teorikisht as që u bëhet vonë, teksa lexojnë romanin: po lexojnë një roman: pikë.
10
E pakënaqur nga skenari i filmit i bazuar mbi romanin (filmi “Dashnori”, me regjisor Jean-Jacques Annaud, doli në sallë më 1992) më 1991 Duras botoi një roman tjetër me të njëjtin subjekt: “Dashnori i Kinës së Veriut” (shqip nga Krenar Hajdëri, Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë 2016). Këtu autorja e ritregon historinë e saj të dashurisë. Ama, për të qenë pedantë, ngjarjet kësaj here “duhet” të jenë akoma më aderente me realitetin real, se ndërkaq Duras kish marrë vesh vdekjen një vit më parë të Huynh Thuy Le (ky është emri i vërtetë i dashnorit të dikurshëm kinez, që, në fakt, ishte vietnamez), pra, vdekjen e të vetmit lexues potencial që teorikisht mund t’ia hidhte poshtë “faktet”. Por rrëfimi në këtë romn të dytë është në vetë të tretë. Apo nuk quhet më autofiction ky?
11
Sipas Roman Jakobson-it, në një vepër letrare ushtrohet “funksioni poetik i ligjërimit”. Për të gjetur tamam ç’është ky “funksion poetik i ligjërimit” dhe sa i vlefshëm është sot përkufizimi i Jakobson-it, natyrisht që mund të diskutohet pa fund. Ama, thjesht fakti që në një vepër përdoren masivisht mjete retorike (figura letrare, flashback-e, krahasime, metafora, e më the e të thashë) e bën këtë vepër fiksionale. Bile, thjesht fakti qe një vepër është rrëfimtare e bën këtë vepër fiksionale. Hm, romanet janë vepra rrëfimtare, pra fiksionale, pavarësisht formulës: “kjo histori është e vërtetë”.
12
Të flasësh për “histori të vërtetë” në letërsi nuk ka kuptim, është, do të thosha, naive, për ne që jetojmë pas Flaubert-it dhe pas strukuralistëve. Të gjitha historitë e romaneve janë të vërteta në çastin kur lexohen dhe janë njëkohësisht “të pavërteta” në raport me realitetin që, gjithsesi, e shkërbejnë. Letërsia ka si premisë një kapërcim të detyruar nga realiteti-real në një para-realitet ku të gjitha gjërat, bile edhe vetë personazhet “që kanë ekzistuar realisht” jetojnë një objektivitet të ri. I ashtuquajturi realitet është i pariprodhueshëm në letërsi dhe nuk mund të tejbartet në faqen e shkruar; ama, mund të ripunohet, me rregulla të reja dhe kufinj të përcaktuar. Autori duhet të jetë i pari që t’i respektojë ato (teksa përpiqet t’u japë dërrmën). Kështu, fusha e lojës është një fushë krejt tjetër, që vetëm sa për sy e faqe pasqyron realitetin, nëse me realitet kuptojmë shumësinë e gjërave reale. Por, ama, mundet edhe të mos e pasqyrojë (letërsia fantastiko-shkencore).
13
Shkrimtari nuk punon diçka si ai zejtari që, ta zëmë, bën një palë këpucë. Shkrimtari punon brenda diçkaje: një konflikti, një lëmshi, një plage, një zëri që e përndjek pa i lënë rrugëdalje. Letërsia është bash kjo padije e thellë në orvatjen për t’u orientuar në një vis që është trualli i psikës, i mendjes, i bukurisë që nuk e njohim për të tillë. Do të thotë që duhet të shkelësh aty ku të dhemb më shumë, ose ku nuk kupton asgjë, dhe të strukesh aq sa për të gjetur, brenda kaosit, një të vërtetë të përkohshme, të brishtë, por prapë më reale se realiteti.
(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me
[1] Ndjesë që po i lë termat në gjuhën ku janë lentuar. Nuk dua të fus hundët duke i përkthyer: këto punë i dinë studiuesit e letërsisë në hapësirën shqipfolëse.
[2] Në këtë rast ndihem i privilegjuar, meqë mua nuk më lexojnë familjarët.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.