Ballinë, e thotë fjala, është faqja ballore e kopertinës së librit. Por kopertina e mbështjell librin krejt, sepse, siç e dimë, e mbulon edhe nga pas. Pa përmendur që, nganjëherë, çështje klasi, kopertina përthyhet anash në të ashtuquajturat “veshë” të kopertinës. I përparmi, ai i anës së ballinës, përmban zakonisht një tekst përmbledhës të librit ose thjesht i citon një paragraf; kurse te veshi i prapmë ka zakonisht një biografi të shkurtër të autorit. Kemi edhe të pasmen e kopertinës (në italisht quhet: quarta di copertina) e cila përmban edhe ajo një tekst të shkurtër, rreth 200-250 fjalë janë: një shënim i thukët kritik (anonim) i veprës – i shkruar zakonisht nga editori, nga ndonjë kritik i afërt i shtëpisë botuese, por mund të jetë edhe një paragraf i shkëputur nga parathënia (po qe se libri ka parathënie) ose një përmbledhje gjykimesh të spikatura nga kritika (më tepër kjo vërehet te botimet e arealit anglosakson).
Gjithnjë më kanë intriguar kopertinat, si atëherë kur besimi në to nuk më ka tradhtuar, si kur kam mbetur i zhgënjyer më pas nga libri. Bile, në këtë rast të dytë, më ka intriguar më fort: e kam parë zhgjëndrrën si fitore të kopertinës mbi mua. Në epokën tonë, që po bëhet dalëngadalë epoka e librit elektronik, e e-book-ut, kur ky i fundit mund të ketë dhjetë, njëzet përparësi në krahasim me librin e shtypur, përparësi këto që sa vijnë e thellohen me teknologjinë që bën përpara dhe veç i sofistikon dispozitivët elektronikë për lexim, librit të shtypur i ka mbetur në dorë një as i fortë, i vetmi ndoshta që e-book-u nuk do ta ketë dot kurrë: kopertina, ky karton i fortë dhe ngjyrashumë që mbështjell si zhguall tekstin.
Në mesin e viteve tetëdhjetë Gérard Genette botonte një ese, “Seuils” [Pragje], në italisht ka edhe nëntitull: “Rrethinat e tekstit”. Le ta përmbledhim shkurt. Vepra letrare, arsyeton Genette, përbëhet nga teksti, që është, në thelb, një varg pak a shumë i gjatë formulimesh fjalësore të pajisura me kuptim. Mirëpo përpara syve të lexuesve një tekst nuk vjen kurrë lakuriq: ai mbështetet nga një sërë materialesh “shtesë”, që e shoqërojnë atë përpara, gjatë dhe pas shpërndarjes. Dhe me pragje Genette kupton kufinjtë, zonat e tranzicionit që ndajnë tekstin nga kon-teksti, të brendshmen nga e jashtmja e tekstit; pikëkalimet nga ku lexuesit hyjnë në tekst. Pragjet janë funksion i atyre që Genette i quan paratekste. Paratekstet s’janë pjesë e tekstit, por ama e bëjnë atë të përftueshëm për lexuesit. Genette i ndan paratekstet në: peritekste, kur elementet gjenden fizikisht rrotull tekstit si, për shembull, emri i autorit, titulli i librit (nganjëherë ka edhe nëntitull, më rrallë edhe mbititull), titujt e kapitujve, dedikimet, epigrafet, parathënia (ose pasthënia), ilustrimet, shënimet, por dhe ballina/kopertina, zgjedhjet tipografike…; dhe epitekste, kur elementet gjenden fizikisht larg tekstit si, për shembull, intervistat e autorit, bashkëbisedimet, çdo formë komunikimi publik ose privat (sot rrjetet sociale) që ka lidhje me librin, recensionet…
Kemi edhe paratekste faktualë (realë), kur elementet nuk janë eksplicitë, por përbëjnë fakte, ekzistenca e të cilave, nëse njihet nga lexuesit/publiku, e komenton në njëfarë mënyre tekstin (për shembull, identiteti i autorit, mosha, gjinia, biografia, prestigji i tij). Edhe këto, na thotë Genette, përbëjnë pragje nëpërmjet të cilave çdo përvojë leximi – me hir a me pahir – është e detyruar të kalojë.
Pra, ta përmbledhim: peritekst + epitekst = paratekst → libër. Thotë Genette: “Fati i mbramë i paratekstit është të mbërrijë, herët ose vonë, tekstin e vet për t’u bërë me të libër”.
Më në veçanti, në ato që Genette i cilëson si peritekste editorialë, hyjnë paratekstet që varen drejtpërsëdrejti nga botuesi: ballina/kopertina, frontespici, formati (hard cover, libër xhepi…), kolana ku libri bën pjesë, kompozimi tipografik e deri lloji i letrës së përdorur, etj.
Por nga gjithë këto të korra, le të përqendrohemi pak sot, siç mund ta keni kuptuar, te ballina. Vetëm diku aty nga viti 1820, në Francë, kopertina filloi të marrë atë rol kryesor që e ka edhe sot e gjithë ditën në kuadrin e periteksteve editorialë. Deri atëbotë kopertinat e librave ishin me kapak të fortë dhe pa asnjë shkrim ose figurë përsipër: kryerolin ndër peritekstet editorialë e luante frontespici. Tek analizon katër faqet e kopertinës, Genette thekson se e pasmja e kopertinës dhe veshët janë suporte jetëshkurtër, që “përmbajnë mesazhe paratekstuale të menduara si kalimtare, që harrohen menjëherë pasi bëjnë efektin […] Tërësia e këtyre elementëve periferikë paradoksalisht ka për efekt ta sprapsë kopertinën përbrenda tekstit”. Ka një lidhje tejet të ngushtë pra, ballina/kopertina me tekstin, na thotë, në analizë të fundit, Genette. Dhe, do të shtoja, teksa e pasmja e kopertinës dhe veshët janë kalimtarë në mendjen tonë, ballina jo: unë ua mbaj mend hollësisht ballinën të gjithë librave me të cilët jam dashuruar.
“Die Verwandlung” [Metamorfoza] është tregimi më i njohur (dhe më i gjatë, rreth 70 faqe) i Franz Kafka-s, ndër të paktit botuar qysh në gjallje të autorit, pra me miratimin e tij. Së pari tregimi doli në numrin e tetorit 1915 të së përmuajshmes letrare “Die Weißen Blätter”, kurse si libër më vete (pra me ballinë/kopertinë) menjëherë më pas, dhjetor 1915 (ndonëse ballina mban të shënuar vitin 1916). “Metamorfoza” rrëfen historinë e Gregor Samsa-s, një shitës shëtitës, që një mëngjes të bukur gdhihet i shndërruar në insekt. Brumbull? Kacabu? Kafka nuk e thotë kurrë haptazi, vetëm sa e përshkruan në vija të trasha. Vladimir Nabokov-i ama, që përveçse shkrimtar, eseist, kritik letrar dhe dramaturg ishte edhe një lepidopterist i njohur ndërkombëtarisht, shpreh bindjen se, në fakt, kemi të bëjmë me një insekt të rendit Coleoptera, një rend insektesh ky i ndarë në 24 superfamilje dhe 235 familje, me një total prej 350.000 llojesh, rendi më i madh ndër gjithë organizmat e gjallë të rruzullit, përfshi edhe bimët.
Gjithë pjesa tjetër e historisë së tregimit është tërësisht realiste: apartamenti mikroborgjez ku zhvillohet ngjarja, reagimi i familjarëve dhe i pak personazheve të tjerë ndaj kësaj hataje, etj.
Dihet ç’merakli dhe pedant ishte Kafka sa i përket punës editoriale me veprat e veta, aq sa në shtrat të vdekjes i kërkoi Max Brod-it, që “Kështjellën” dhe “Procesin” t’ia digjte, se versionet e atij momenti, sipas tij, nuk mund të quheshin definitive (por ne i jemi për jetë mirënjohës Brod-it që s’ia dëgjoi llafin dhe na fali gjithë atë bukuri). Ja ç’i shkruante Kafka botuesit të tij Kurt Wolff më 25 tetor 1915, pikërisht mbi ballinën e “Metamorfozës” (përkthimin këtu, por edhe kur kam cituar Genette-in më sipër, e kam nga italishtja):
“I përnderuari Zotëri,
më shkruat tash së fundi që Ottomar Starke do të vizatojë ballinën e “Metamorfozës”. Gjë që më shkaktoi një tromaksje të lehtë, të tepruar ndoshta, meqenëse e njoh këtë artist kryesisht nga ilustrimet e tij te “Napoleon” [ble me novela nga Carl Sternheim]. M’u fanit në mend se, duke qenë ilustrator Starke, me gjasë, do të dojë të vizatojë insektin. Këtë jo, ju lutem, jo! Nuk se po dua t’i vë gardh lirisë së tij krijuese, por meqë tekstin tim e njoh vetë më mirë, po ju lutem vetëm që ta lini insektin rehat. Nuk ka pse të vizatohet. E as të tregohet, ashtu larg e larg. Nëse një qëllim i tillë nuk ka ekzistuar dhe kërkesa ime, si rrjedhojë, qenkërka qesharake, aq më mirë. Gjithsesi, do t’ju isha shumë mirënjohës po qe se e kumtoni dhe ma mbështesni kërkesën. Nëse lejohem të bëj një propozim për ilustrimin, do të zgjidhja skena të këtilla: prindërit dhe prokurori përpara derës së mbyllur ose, më mirë akoma, prindërit dhe e motra brenda dhomës së ndriçuar, me derën të hapur që sheh nga dhoma kundruall, e zhytur në terr.”
Pra ishte i qartë qëndrimi i Kafka-s sa i përket imazhit të ballinës: jo insekt, as Gregor, dukja e të cilit ose duhej të mbetej e padepërtueshme (dera e mbyllur), ose, e shumta, veç sa të evokohej (derë e hapur në terr). Tani unë vajta e kontrollova në rrjet për imazhe ballinash të “Metamorfozës” në gjuhë nga më të ndryshmet, përfshi edhe shqipen, dhe, mund të them, me nuhatje kjo, që në 80% të rasteve insekti është që ç’ke me të i pranishëm. Letra e autorit drejtuar Kurt Wolff-it (që, siç shihet në fotografinë këtu më poshtë, ia dëgjoi fjalën) me kalimin e viteve ka rënë në vesh të shurdhët, ndonëse unë jam më tepër partizan i injorancës së botuesve për ekzistencën e saj.
Kopertina (ballina, në veçanti) është një element i rëndësishëm i librit dhe duhet trajtuar me dashuri e me dorashka. Vendimin për kopertinën e merr stafi i shtëpisë botuese, me autorin si konsulent. Nga përvoja ime (dhe në emër të bukurisë që unë mëtoj në gjërat) në ballinë duhet shmangur me çmos çdo shenjë reference me titullin, me personazhin kryesor, me vetë ngjarjen, sidomos kur kjo ngjarje është botërisht e njohur edhe nga ata që nuk e kanë lexuar (akoma/kurrë) librin. Përndryshe kemi të bëjmë thjesht me pleonazëm. Ndaj më ngjajnë të shëmtuara ballina të tilla si: “Bretkosat” e Aristofanit me një bretkosë të vizatuar; “Katedralja e Parisit” e Hygosë me Notre Dame-n të stilizuar; “Manastiri i Parmës” i Stendalit me harqe e porta të një manastiri mesjetar. Ballinat më të shëmtuara në absolut pastaj janë ato që përcjellin filmat e mbështetur mbi librin në fjalë. Sa për të ndejtur te Stendali: botime nga dy shtëpi botuese shqiptare të romanit “E kuqja dhe e zeza”: të dyja me fotograma të filmit përkatës shfaqur dikur nga televizioni shtetëror. Këtu mundi më i madh ishte mospërsëritja e të njëjtës fotogramë. I lumtë shtëpisë botuese që e botoi e dyta! Por: shkalla zero e fantazisë.
Sipas meje ballinat duhet të evokojnë, të intrigojnë dhe kaq; pra, t’u ngjajnë pak atyre videoklipeve muzikorë që, në dukje, i rrinë larg kuptimit të këngës që ilustrojnë. Më vijnë ndërmend videoklipet e “Sledgehammer” të Peter Gabriel (1987), regjia Stephen R. Johnson, dhe “Good Vibrations” të The Beach Boys (1966), regjia Brian Wilson, lideri i grupit, që ishte gjithashtu edhe autori, producenti dhe arranxhuesi i këngës. “I’m not sure [‘Sledgehammer’] would have been as big a hit … without the video,” pat deklaruar Peter Gabriel për “Rolling Stone”. Të dyja këngët rrëfejnë për një rënie në dashuri (apo tërheqje seksuale). Në videoklipin e parë, kamera përqendrohet obsesivisht bash mbi fytyrën e protagonistit (këngëtarit), gjithë nojma e grimasa të panatyrshme, dhe gjëkundi se shohim ndonjë partnere të shfaqet (veç dy pulave të therura e të rrjepura, dhe imazhe të tjera absurde kësisoj). Në videoklipin e dytë, xhiruar në repartin e zjarrfikësve pranë ndërtesës së Capitol Records të Los Angeles-it, kemi vetëm pjesëtarët e Beach Boys-ave që hiqen si zjarrfikësa. Një vajzë e pashme dhe avdalle shfaqet herë pas here duke u ushtruar me top basketbolli (palleggiare) – ndoshta i vetmi referim dashuror i videoklipit – ndër të tjera krejt halldupçe, aq sa ngjan krejt ironike kjo në qytetin e Lakers-ave.
Realizimi i një balline është art i hollë. Më 2022 nxorra, me shtëpinë botuese “Pika pa sipërfaqe”, librin “Biblioteka futuriste”. Libri përmban tekste të konceptuar si paratekste për të pasme kopertinash. Puna është se bëhet fjalë për kopertina librash imagjinarë, të pashkruar kurrë. Ka nga të gjitha llojet: romane historikë, policeskë, fantastiko-shkencorë, ese, antologji poetike, përkthime nga letërsia e huaj… Ajo që ëndërroj të bëj në një botim të dytë (nëse do të ketë ndonjëherë një botim të dytë) është ilustrimi i ballinave të këtyre “librave”. Më duhet fillimisht të shpik një logo të shtëpisë (së rremë) botuese që i nxjerrkësh si simite këto libra (emrin e shtëpisë botuese e kam: “Buka pa sufllaqe”). Pastaj më duhet të ulem e t’i mendoj e vizatoj me kujdes ballinat e këtyre librave imagjinarë. Ushtrim i mirë, si i asaj vajzës me topin e basketbollit te videoklipi i Brian Wilson.
(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Leonardo.ai
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.