Këto radhë i shkrova pas debatit rreth të ashtuquajturës “e re letrare”, i nxitur nga reflektimet e Ardian Vehbiut, i cili nga ana e tij merrte shkas prej një statusi të Arti Lushit për pyetjen që u bëhet shpesh autorëve letrarë “Ç’të re sjell kjo vepër?”. Është një pyetje që rishfaqet herë pas here me këmbëngulje pothuaj rituale. E trajtuar shpesh si një banalitet ose si një provokim i pasjellshëm, kjo pyetje kërkon një qasje të kujdesshme. Çështja nuk qëndron aq tek formulimi i saj, sesa te konteksti në të cilin përdoret dhe te subjekti të cilit i drejtohet.
Këtu na duhet të bëjmë që në fillim një dallim themelor, që zakonisht anashkalohet. Në shkencë, pyetjet për risinë, për “të renë” janë të ligjshme dhe të domosdoshme. Një tekst shkencor, qoftë edhe një kumtesë modeste, e përligj ekzistencën e vet pikërisht falë kontributit të ri që duhet të sjellë në formë hipoteze, metode, interpretimi apo materiali empirik. Nëse nuk e përmban këtë risi, informativiteti i tekstit bie ndjeshëm duke u reduktuar në një riprodhim dijesh tashmë të njohura.
Tekste të tilla janë ndeshur në të kaluar, por ndeshen edhe sot rëndom në hapësirën e studimeve shqiptare. Përbëjnë raste të skajshme disa organizime veprimtarish nderuese ndaj figurave të shquara të shkencës së gjuhësisë, letërsisë, historisë, arkeologjisë etj., ku kumtuesit përsërisin në formë të shkurtuar (konspekti) dhe në ligjëratë të zhdrejtë çka ka thënë vetë studiuesi i nderuar. Temat formulohen pak a shumë në një mënyrë të tillë: “Filan Fisteku për ndarjen dialektore të shqipes”, “Huazimet sllave në veprën e Filan Fistekut”, “Vështrimi i Akë Cilit ndaj veprës së Filan Fistekut” etj. etj. Tema të tilla kanë një shkallë të ulët informativiteti. Kumtesa të këtij lloji janë vërtet tekste, por dështojnë së qeni kontribute.
Parë në këtë vështrim, pyetja “Ç’të re sjell kjo vepër?” përligjet si një kërkesë për përmbushjen e kritereve shkencore.
Por thelbi i diskutimit të hapur nuk ka të bëjë me këtë lloj krijimtarie. Ka të bëjë me ato raste kur pyetja “Ç’të re ka sjellë autori me këtë vepër?” i drejtohet një shkrimtari ose poeti. Dhe këtu situata ndryshon kryekëput.
Pyetja në vetvete është e përligjur dhe nuk mund të penalizohet. Por në rast se i drejtohet një autori të veprës letrare, atëherë kërkojmë që autori nga krijues të shndërrohet në kritik të veprës së vet.
Vepra letrare nuk përfaqëson një produkt që synon të shtojë në mënyrë të verifikueshme njohuri të reja, por është akt krijues, që u nënshtrohet logjikave të tjera më pak të formalizueshme. Letërsia nuk ndjek ndonjë parim sipas të cilit të deklarohet më parë risia. Një roman apo poezi nuk “shpall” teza apo teori shkencore, por krijon përvojë estetike, në të cilën, çka mund të perceptohet vijimisht si “risi”, është zakonisht përfundim i një gërshetimi të ndërlikuar elementesh stilistike, figurative dhe narrative.
Alternimi në dy role të ndryshme për të njëjtën gjë, si autor dhe si kritik i veprës së krijuar, është një detyrë e vështirë për shkrimtarin. Kjo vlen edhe për rastet kur një shkrimtar është njëkohësisht edhe studiues. Ka mjaft raste kur një shkencëtar harton një studim dhe po ai vepron në rolin e shkrimtarit duke shkruar një roman ose një poemë (khs. Umberto Eco-n, Dhimitër Shuteriqin, Rexhep Qosen etj.). Mund të shkruajë madje një artikull gazete dhe të jetë në rolin e publicistit. Por rolet në secilin prej këtyre rasteve janë të ndara. Nuk mund t’i kërkohet shkrimtarit të veprës letrare të bëjë një analizë të veprës së vet në kuptimin që të shndërrohet në kritik. Është diçka e pakëshillueshme si objektivisht ashtu edhe subjektivisht.
Kërkesa që autori të nyjëtojë risinë e veprës së vet krijon keqkuptim, meqenëse parakupton që ai të marrë një rol që nuk i përket. I kërkohet, me një fjalë, të kalojë nga pozita e krijuesit në atë të kritikut. Kemi të bëjmë me dy regjistra të ndryshëm. Autori e prodhon tekstin si akt krijues, ndërsa kritiku prodhon një tekst mbi tekstin, duke e vendosur veprën në raport me traditën, me veprat e tjera, si dhe me kontekstin historik e kulturor. Kjo është një punë që kërkon perspektivë hermeneutike, një perspektivë që autori, për vetë natyrën e përfshirjes së tij në procesin krijues, nuk e zotëron.
Nga përvoja ime modeste, kuptoj që ka disa gjëra atje jashtë që kërkojnë të studiohen me metoda shkencore, si për shembull marrëdhëniet gramatikore midis gjymtyrëve të fjalisë, ndërrimet fonetike historike dhe të sotme, etimologjia shkencore e fjalëve; por janë edhe disa gjëra të tjera si rregëtima e shpirtit, një psherëtimë mbrëmësore, një dënesë kafshe të vetmuar, që nuk do të mund t’i trajtoja si psikolog, si biolog, apo ambientalist dhe prandaj reagoj me mënyrën time, me metaforat që më lindin në mendje. Janë përjetime të cilat, sado të mundohem t’i analizoj shkencërisht, nuk do të arrij ta formuloj saktë atë që kam shprehur me vetë fjalët e krijimit. Nëse dikush pas kësaj më pyet çfarë kam dashur të shpreh me këtë poezi apo me atë tregim, nuk e di se si do t’i përgjigjem.
Vështirësitë e shkrimtarit për t’iu përgjigjur pyetjes, përtej së qeni psikologjike, janë sidomos strukturore. Ai ndodhet “brenda” veprës së vet dhe nuk mund ta shohë atë së jashtmi me mënyrën që e bën kritiku. Edhe sikur të përpiqet ta bëjë këtë, do të përfundojë në përgjithësime ose në formulime që do të dështonin para një analize të ftohtë.
Një vështrim tjetër që duhet theksuar është natyra e paparashikueshme e risisë në letërsi. Ndryshe nga shkenca, ku risia është shpesh objektiv i vetëdijshëm dhe i nyjëtuar qartë, në krijimin letrar risia shfaqet si efekt i mëvonshëm, i identifikueshëm vetëm përmes leximit dhe interpretimit. Me fjalë të tjera, risia në letërsi është në një masë të madhe prapavështruese (retrospektive). Ajo njihet si e tillë pasi vepra është vendosur në një rrjet marrëdhëniesh ndërtekstore dhe pasi ka përmbushur pritshmëritë e lexuesve.
Kjo çon në përfundimin e rëndësishëm që jo çdo vepër e mirë është domosdoshmërisht risi në kuptimin e rreptë të fjalës. Ka vepra që vërtiten brenda një tradite duke e miratuar, zbukuruar ose rikonfirmuar, pa mëtuar përmbysjen e saj. Vlera e tyre qëndron pikërisht në këtë përpunim të brendshëm. Mendimi se çdo tekst duhet të “sjellë diçka të re” duket më shumë si produkt i një ideologjie përparimtare, sesa kriter i qëndrueshëm estetik.
Në këtë kuadër, roli i kritikës bëhet vendimtar. Vetëm kritiku ose bashkësia interpretuese mund ta vlerësojë nëse dhe në ç’masë një vepër sjell risi, duke e vendosur atë në kontekstin e duhur. Kur kjo detyrë i delegohet autorit, kemi të bëjmë me një zhvendosje të padrejtë dhe teorikisht problematike të përgjegjësisë shpjeguese.
Madje, mund të argumentohet se këmbëngulja për t’ia drejtuar këtë pyetje autorit është shenjë e një dobësie më të thellë, simptomë e mungesës së një kritike funksionale. Në mungesë të saj, autori detyrohet të mbushë një zbrazëti që nuk është e vetja, duke sajuar shpesh përgjigje të improvizuara që nuk i shërbejnë as veprës, as debatit letrar.
Prandaj nuk jemi për refuzimin e pyetjes si të tillë, por për riadresimin e saj të saktë. “Ç’të re sjell kjo vepër?” është pyetje e vlefshme, por vetëm kur i drejtohet atij që ka kompetencën për t’iu përgjigjur, kritikës dhe lexuesit të informuar. Kur i drejtohet autorit, kjo pyetje krijon një situatë të stisur, ku kërkohet një analizë që nuk mund të bëhet në mënyrë të besueshme nga vetë autori.
Çështja, pra, nuk qëndron tek vetë pyetja, por tek prirja për të kërkuar përgjigje të menjëhershme, të thjeshta dhe të standardizuara për një dukuri që nuk mund të thjeshtëzohet. Letërsia si produkt nuk mund të reduktohet në një listë risish të matshme, por duhet parë si një hapësirë ku vlerat, përfshirë edhe risinë, marrin trajtë dhe dalin në pah përmes një procesi të ndërlikuar interpretimi. Ky proces, për fatin e keq të atyre që kërkojnë formula të gatshme, nuk mund të zëvendësohet me përgjigje të shkurtra nëpër veprimtari promovimi.
(c) 2026 Aristotel Spiro. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.