Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antikitet

RRETH PËRBËRËSIT ILIR TË DYNDJES DORIKE

Gjatë epokës së Bronzit të vonë, rreth shekullit XII p.e.s., ndodhi dyndja e madhe e bartësve të kulturës së fushave me urna (vazo në të cilat vendosej hiri i të vdekurve), njohur ndryshe si kultura e Lausitz-it, që u shtri në drejtim të perëndimit dhe jugut të Evropës, duke shkaktuar një valë të tërë lëvizjesh etno-demografike në kontinent, posaçërisht në Ballkan, nga të cilat më shumë është folur për atë që njihet si “dyndje dorike” – ardhja në Greqi e fiseve dore nga troje ende të pasaktësuara nga veriu.

Ardhja e këtyre fiseve u shoqërua me rrënimin e qytetërimit miken, që ishte zhvilluar në Greqi midis shekujve XVII dhe XII p.e.s. Pjesa më e madhe e të dhënave që kemi për këtë dyndje vjen nga burimet e shkruara të lashtësisë kurse njoftimi i parë mbi fiset që morën pjesë në dyndjen dorike vjen nga poeti spartan i shekullit VII p.e.s., Tyrtaeus, sipas të cilit ato fise ishin: hyllejtë (Ὑλλέίς), pamfilët (Πάμφυλοι) dhe dymanët (Δυμάνες). Këtë e kanë pohuar edhe autorë të tjerë të lashtë, duke përfshirë Herodotin1 në shekullin V p.e.s. dhe autorë të tjerë deri në kohën tonë2,3.

Një numër relativisht i madh të dhënash arkeologjike lidhur me përhapjen në Greqi të elementëve të reja kulturore si varrimi në dhomëza të ndërtuara me gurë, përdorimi i hekurit, shfaqja e fibulave prej bronzi, etj., tregojnë se dyndja dorike ndodhi rreth vitit 1100 p.e.s., d.m.th.., disa shekuj pas ardhjes së fiseve të tjera greke.

Edhe pse ka një marrëveshje thuajse të plotë midis dijetarëve se dorët arritën në Greqi nga veriu, kur vjen puna për t’i vënë gishtin vendit nga i cili ata erdhën në trojet e tyre historike, ne sot jemi thuajse po aq larg për të dhënë një përgjigje të saktë sa ishim edhe dy shekuj më parë, kur lindi teoria e dyndjes dorike. Megjithatë, disa të dhëna nga burimet e shkruara të lashtësisë duket se kanë hedhur një farë drite mbi këtë çështje.

Së pari, sot pranohet përgjithësisht si e vërtetë historike e dhëna e autorëve të lashtë grekë se hyllejtë, një nga 3 fiset që morën pjesë në dyndjen dorike, ishin me prejardhje ilire. Të dhënat e po atyre autorëve na sigurojnë se fisi i hyllejve ka banuar në Iliri dhe fis tjetër me këtë emër, të paktën në Greqi, nuk ka patur. Kështu, në shekullin IV p.e.s. Pseudo Skylaksi4 i lokalizoi hyllejtë në brigjet ilire të Adriatikut e, po ashtu, edhe Apolloni i Rodosit5 në shekullin III p.e.s., kur bën fjalë për hyllejtë dhe vendin e tyre në Detin Kronian (Deti Adriatik). Në brigjet ilire i vendos ilirët edhe Stefan Bizatini, në shekullin VI të erës sonë, që i përkufizon hyllejtë si “Popull që gjendet në Iliri (ἔϑνος Ίλλυρικόν)6.

Burimet historike të mjaftueshme që vijnë nga autorë grekë për përkatësinë etnike ilire të fisit të hyllejve dhe për lokalizimin e hyllejve në Iliri, kanë gjetur mbështetje nga një numër i konsiderueshëm të dhënash gjuhësore që lidhin dialektin dorik të greqishtes me gjuhën shqipe dhe me mesapishten.

Ndonëse studime serioze në këtë fushë nuk janë bërë, në Fjalorin e greqishtes së lashtë të Hesikut të hartuar në shekullin VI të erës sonë, dalin disa fjalë që autori i saktëson si fjalë të dialektit dorik. Ato nuk janë shpjeguar as me greqishten as me ndonjë gjuhë tjetër, por kryesisht me gjuhët e atij që ka filluar të njihet si grupi i gjuhëve albanoide, që përfshin shqipen, ilirishten dhe mesapishten. Në dimë se këto fjalë nuk janë dialektizma por doricizma, fjalë përjashtimisht të dialektit dorik. Rrjedhimisht, ato janë ose të trashëguara ose të huazuara nga gjuhë të tjera. Nëse ato janë huazime, ne duam të dimë se nga dhe kur janë huazuar. Nëse janë të trashëguara, logjikisht kjo mbështet njoftimin e burimeve të lashta greke për fisin ilir të hyllejve si pjesëmarrës në dyndjen dorike.

Ndryshimi i theksuar në të folurit e dorëve, e posaçërisht të nënfisit elean, në krahasim me dialektet e tjera të greqishtes së lashtë, ka qenë i njohur që në lashtësi, siç mund të vihet re në Fjalorin e Hesikut ku ai thotë: “eleanët, si dhe karianët (një popull jogrek i Azisë së Vogël), janë barbarofonë”7, që do të thotë se flasin një gjuhë të huaj, fakt që ka bërë disa gjuhëtarë të vënë në pikëpyetje pozicionin e pranuar të dialektit elean ndër dialektet e tjerë dorikë8.

Nga vitet 30-të të shekullit të kaluar, gjuhëtari gjerman Albrecht von Blumenthal (1889-1945) kishte vënë re se dialekti dorik ndryshonte nga të tjerët si në fjalëformim dhe në fonologji. Kështu, psh., në dialektin dorik, ashtu si në ilirisht, në shqip dhe mesapisht, aspiratet e zëshme proto-indo-evropeane bh, dh, gh, dhanë mbylltoret (stops) e zëshme b, d, g, ndërkohë që në dialektet e tjera të greqishtes së lashtë janë pasqyruar si ph, th, dhe kh. Edhe vetëm ky fakt, po të mbahet parasysh se ndryshimet në pasqyrimin e ndalomave të zëshme në gjuhët indoevropiane ndodhwn, rreth 6000 deri 4000 vjet më parë, kur filloi shkëputja e popujve indoevropianë nga trungu i tyre i përbashkët flet, flet qartë për udhë të veçanta të zhvillimit të dialektit elean, në njerën anë, dhe dialekteve të tjera të greqishtes, në anën tjetër.

Në Fjalorin e Hesikut (Hesichy Alexandrini Lexicon, 1867) dalin një numër fjalësh dorike që që mungojnë në dialektet e tjerë dhe gjuhëtarët i kanë shpjeguar me shqipen ose mesapishten, ose dhe me të dyja. Më poshtë po rendis disa prej tyre:

Δίζα (diza) – Δίζα αϊξ Λάχωνες 9. Kështu quajnë lakonët dhinë. Grekët e quanin dhinë αἰγάδες (aigades). Fjala diza është lidhur me fjalën shqipe dhi/dhia por me që dorishtja u zhvillua shumë shekuj para daljes së shqipes ajo përfaqëson një fjalë të trashëguar në shqip nga ilirishtja. Nga i njëjti burim indoevropian *h₂eyǵ- duket se ka dalë edhe gjermanishtja Ziege ‘dhija’.

βρά ἀδελφοί, ὑπὸ Ἰλλυρίων10 (bra quhen vëllezërit në ilirisht). Fjalë e dialektit dorik të Elisit në veri-lindje të Peloponezit, të cilin Hesiku e ka përkthyer në greqisht si ἀδελφοί (vëllezërit). Edhe në këtë rast indo-europeanishtja bh e *bhrā́ter-, është pasqyruar në dorisht si b- dhe jo ph (φ) që do të pritej të pasqyrohej në greqisht.

Deo (Δηώ – Δημήτηρ)11. Kjo ishte një fjalë që përdornin për Demetrën, perëndinë e tokës dhe prodhimit bujqësor, banorët dorë të qytetit Eleusis dhe të rajonit të Elisit në veri-perëndim të Peloponezit. Në Greqi Demetra adhurohej si Nëna Tokë. Dorët këtë perëndi e quanin edhe Dāmā́tēr. Ndër fiset e tjera greke, vetëm nënfisi beotian i eolëve dhe vetëm fillimisht e ka quajtur atë Damatēr (Δαμάτηρ)14. Meqë fjala greke për Nënën Tokë është Ge meter (Γη µτηρ) ose thjesht Gaia (Γαῖα), dhe me që g-ja ballore në atë gjuhë nuk mund të japë d-, në vitin 1881, Dr. Fligler parashtroi idenë se Deo mund të shpjegohej me shqipen dheu12. Ka shumë të ngjarë që nga e njëjta rrënjë të ketë dalë edhe emri i hyjnisë mesape Damatura13. Përbërësi i parë, Da- i emrave Deo, Damater (Δαμάτηρ), si dhe i hyjnisë Damatura e mesapëve14 ilirë, që dolën në jug të Italisë afërsisht në kohën e dyndjes dorike, është lidhur nga gjuhëtarët me fjalën shqipe dhé(u). Për këto arsye, Julius Pokorny (1887-1970) autori i veprës ende themelore të indoeuropianistikës, Indogermanisches etymologisches Wörterbuch15 shprehej: “Është e qartë se Demeter (Δημήτηρ) – “Nëna Tokë” – ka dalë në bazë të rregullave fonetike të ilirishtes dhe shqipes përmes kalimit normal për shqipen: ĝh->d>dh)”15. Kohët e fundit, edhe filologu britanik Martin West (1937-2015) theksonte se Damater afrohej me fjalë mund të jetë me prejardhje ilire dhe, rrjedhimisht, nga rrënja indoevropiane *dhĝh(e)m- ‘dheu’14.

Faktet gjuhësore dhe historike të sjella në këtë shkrim duket se mbështesin vërtetësinë e pohimeve të autorëve të lashtë grekë se hyllejtë, një nga tre fiset që morën pjesë në formimin e dorëve dhe dialektit të tyre ishin ilirë.

(c) 2025 Nelson Çabej. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ilustrimi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Referimet

  1. Herodotus Histories V, 68.
  2. Kiechle, F. (1963). Lakonien und Sparta – Untersuchungen zur ethnischen Struktur und zur politischen Entwicklung Lakoniens und Spartas bis zum Ende der archäischen Zeit. München- Berlin, f. 116.
  3. Günther, H.F.K. (1965). Lebensgeschichte der Spartaner. Internet: http://ëëë.thule-seminar.org/herkunft_sparta_guenther.htm.
  4. Pseudo Scylax Periplous, §22.
  5. Apollonius of Rhodius Argonautica, §4.522.
  6. Stephani Byzantii Ethnica vol. IV. Ed. 2016. Walter de Gruyter GmbH, Berlin/Boston.
  7. Hesichy Alexandrini Lexicon, 1867. Red. M. Schmidt. Jena, F. Ritschel, f. 290.
  8. Bartoněk, A. (2011). Chrestomathy of Ancient Greek dialect inscriptions. Brno: Masarykova univerzita, 229-236.
  9. Hesychius, Vep. përm, f. 419.
  10. Hesychius, Po aty, f. 318.
  11. Hesychius, Po aty, f. 394.
  12. Fligler, (1881). Neuere Beiträge zur alt-italischen Ethnologie. In Mittheilungen der Anthropologischen Gesellschaft in Wien XII. Gerold’s Sohn, Wien, ff. 136-143 (138).
  13. Hesychius, Vep. përm, f. 380.
  14. West, M.L. (2007). Indo-European Poetry and Myth. Oxford Univ. Press, Oxford, f. 176.
  15. Pokorny, J. (1959-1969). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Francke – Bern: “Clearly Δημήτηρ “mother Earth” was shaped according to Illyrian and Albanian Phonetic rules (common Albanian ĝh->d>dh).”

 


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin