Raporti i kullave me hapësirën urbane dhe banorët e qytetit është i tillë, që numri i atyre që e shohin kullën dhe i japin kuptim dhe vend dhe e përdorin në orientimet e tyre në qytet është shpërpjesëtimisht më i madh se numri i atyre që e përdorin kullën si ndërtesë dhe e përjetojnë nga brenda – në ato raste kur kulla ka vërtet një hapësirë të brendshme të përdorshme, dhe nuk është thjesht suport për një shenjë të vendosur në lartësi.
Ky efekt është edhe më i fortë, kur kulla është e rrethuar nga ndërtesa të ulëta, ose gjendet në një kontekst që e detyron të shquhet nga çfarë e rrethon.
Edhe në Tiranë, ka kulla si Alban Tower që funksionojnë si obeliskë a monumente totemike (nuk po them fallike) të transformimit urban të kryeqytetit, meqë shumica e banorëve që i sheh dhe i njeh dhe i “përdor” vizualisht çdo ditë nuk e ka idenë se si janë nga brenda dhe çfarë strehojnë si ndërtesa.
Këtë rol në jetën e qytetit kulla nis ta luajë që pa u përfunduar, madje tani që pa u ndërtuar – sa kohë që renderimet e saj, ndonjëherë edhe në video, bëhen gjerësisht publike për të informuar banorët dhe reklamuar arritjet e studiove arkitektonike dhe të projektuesve urbanë dhe sugjestionuar votuesit zemërbutë. Renderimet sjellin me vete një efekt “hiperreal”, sa kohë që i referohen të ardhmes; dhe kjo nuk është thjesht e ardhmja e ndërtesës në fjalë, por shenjon edhe mënyrën e avancuar, të stërholluar si do të jetohet në këtë të ardhme. Madje për këtë arsye, renderimet i vendosin ndërtesa të tilla në utopi, duke pasqyruar më shumë një dëshirë – të arkitektit, të planëzuesit urban, të politikanit, të qytetarit vetë – se një realitet ende të parealizuar.
Së bashku me fasadat e lëmuara, qelqin dhe metalin, qiellin kristalin, sheshet e hapëta dhe rrallësinë e përgjithshme, që u japin këtyre imazheve diçka sovjetike; ndoshta për shkak të futurizmit ose përkushtimit zelltar ndaj një vendi që nuk ekziston, ose një u-topie.
Arti futurologjik, nëse mund ta quaj kështu, shpesh u bindet ca precepteve të shtangëta që kushedi askush nuk i ka formuluar dhe as pranuar formalisht; riprodhimet e ndërtesave, të qyteteve me rrokaqiej të ndërkryer, planeve vertikale, bimësive të gërshetuara në ndërtesa dhe ballkone dhe kopshte të varura dhe ujit të kulluar në gjithfarë konfigurimesh duket sikur të thonë: ja si do të jetë bota, kur ti të mos jesh.
Le të kuptohet, këtu, se për politikanin imazhe të tilla janë gjysma, në mos treçereku i punës; sepse çfarë mbetet, ose transformimi i mirëfilltë i kaosit në rregull dhe i planit në strukturë – ose puna prej merimange a blete e ndërtuesit në terren, në kacafytje me elementet, me ligjin, me stakeholders dhe sidomos me paranë që nuk mbërrin… kjo është tepër prozaike, për t’u menduar në të njëjtën hapësirë mendimi me të ardhmen.
Kundër-imazh dhe kundërpeshë e renderimit është ai i kullës duke u ndërtuar; si objekt i përçudshëm, i mbërthyer në vinça dhe skela, duke hedhur shtat në arën e munduar qytetit, në mes të një sheshi ndërtimi sekret, të zhurmshëm, agresiv dhe të pluhurt; që e bën kullën vetë të përjetohet si ndonjë raketë balistike të ngulur përmbys në trupin urban. Një pjesë e mirë e kullave të Tiranës ashtu e kanë filluar jetën, si “ashkël në sy”, hieroglife të së keqes.
Qytetarët mësohen me këto ndërhyrje në peizazhin urban, madje mësohen me to qëkur kullat vetë nuk e kanë marrë formën dhe pamjen e duhur, por janë veç larva betoni veshura me hekur; por kam frikë se të mësuarit, në këtë rast, ka të bëjë me instinktin për ta shpërfillur një gjë të pahijshme, për të mos e parë hiç, ose edhe për ta lexuar si ishte shenjë politike e përkohshme a reklamë e një birre pa alkool ose e vetë ambicies për ta mbushur Tiranën me kulla – përkujtesë e një të përditshmeje në transformim të pandërprerë.
Madje jo vetëm. Kur ndërtimi i një kulle zgjat shumë, ose kur për arsye të ndryshme lihet përgjysmë, atëherë kulla në kantier fillon të stabilizohet, si prani e paftuar, por e domosdoshme në horizont: banorët që kalojnë aty a që e shohin nga larg nuk shpresojnë më se do ta shijojnë një ditë të përfunduar dhe të veshur “nuse”, por e pranojnë në atë formë që ka, monument të përkohshmërisë së ngrirë, lapidar të gjigantizmit urban të pakontrolluar dhe optimizmit të atyre që i vendosin ndërhyrje të tilla në indin urban.
Kështu ndodhi me kullën sot të njohur si Alban Tower, përballë katedrales ortodokse; e cila mbeti e ngritur, por e papërfunduar, për një kohë shumë të gjatë; një karabina ngjyrë tymi, e kapur pezull mes ndërtimit dhe shkatërrimit, fotogram dykuptimësh i një filmi advertorial banal të luajtur së prapthi.
Për shumë vjet në Tiranë ajo ndërtesë e pakryer më pat dhënë ndjesinë e një rritjeje keratinoze, shpuese, në lëkurën urbane, një lythi të cikatrizuar a një rrënjë qimesh në revoltë; duke më bezdisur gati fizikisht sa herë që kaloja andej. Por pastaj kulla njëfarësoj u kompletua, rosaku i vogël i shëmtuar u shndërrua në mjellmë, dhe shumë banorëve të kryeqytetit filloi t’u dukej e bukur. Dhe e bukur, sidomos krahasuar me motrën e saj, Eyes of Tirana, e cila ia ka zënë vendin në galerinë e maktheve arkitektonike; ngaqë është ende e rrjepur, e shkalafitur, me benevrekë të ngritur; por kushedi edhe ngaqë është vërtet e pahijshme për syrin, ose nuk zë vend mirë në ansamblin e qendrës.
Banori i Tiranës e ka të vështirë t’i këqyrë këto tri faza të kullës si pjesë të një procesi që përmbyllet me kompletimin e ndërtesës – dhe shpesh mbetet i kapur në atë ves perceptimi, që e fton t’i shohë momentet si pa lidhje mes tyre: renderimin si një lloj reklame që kërkon të promovojë më shumë një vizion, se një realitet urban; ndërtimin si një monument simbolik, performativ, të tranzicionit – këtij koncepti kyç për të kuptuar zhvillimet në Shqipërinë e pas 1990-ës; dhe kullën tashmë të përfunduar, një obelisk pa histori, që ka qenë gjithnjë atje, element i gjetur ngulur në rrafshinën e përjetimit dhe, gjithsesi, i papërdorshëm. Këto tri faza kanë mes tyre më shumë dallime, se të përbashkëta; dhe ajo e ndërmjetmja, e agonisë, e letargjisë, kur kulla është duke u rritur, e simbolizon më së miri gjendjen e sotme urbane të Tiranës.
© 2025 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.