Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Udhëtime

ALBANIAN KITSCH

Edhe ChatGPT do të kish shkruar gjëra më tërheqëse, po të vinte dhe të vizitonte sot Shqipërinë.

Herë pas here në gazetat dhe në revistat anembanë botës del ndonjë artikull a reportazh për Shqipërinë dhe shqiptarët, i cili pastaj përfundon i përkthyer dhe i botuar në mediat shqip. Arsyeja pse ata që i ndërmarrin këto gjeste editoriale mendojnë se gjërat që, të themi, një gazetar britanik kërkon t’ua rrëfejë lexuesve të vet në Edinburgh, mund të kenë interes për dikë në Tiranë apo në Prizren nuk është gjithnjë e qartë, dhe aq më pak kur tekstet e përkthyera janë banale, sipërfaqësore dhe të mbytura në pasaktësi.

Rastësisht më doli përpara, online, një artikull i Ian Thomson, botuar në revistën The Spectator, me titull “Albania has long lived in Italy’s shadow”, i përkthyer nga gazeta Liberale, si “Si e njoha Shqipërinë në regjimin e Enver Hoxhës, vendi ballkanas që jeton prej kohësh nën ‘hijen’ e Italisë” (botuar, kushedi pse, në rubrikën “polemikë”). E lexova dhe m’u duk shembull tipik i një lloj produkti gazetarie të dorës së tretë, prej të cilit mediat shqip tashmë mund t’ia lejojnë vetes që të çlirohen – sepse nuk i sjell lexuesit asgjë të vlefshme, veç humorit aksidental.

Si çdo kontribut tjetër travelogjik pa pretendime, artikulli fillon me informacione stereotipike për Shqipërinë dhe shqiptarët – që nga origjina e këtyre “from the most ancient of European peoples, the Illyrians”, te sundimtari i parë i Shqipërisë, “the glorified Muslim chieftain King Zog”; me të dhëna anësore por pikante për Enver Hoxhën (“Muslim-born Ottoman dandy figure”). Autori i kthehet pastaj një vizite të tij të hershme në Shqipërinë e vitit 1988, me një grup turistësh – njërit prej të cilëve ia paskëshin rruar mjekrën në kufi, “as beards were synonymous with Greek Orthodoxy”, prandaj edhe nuk lejoheshin të hynin në territorin kombëtar.

I kthyer në Shqipëri tani së fundi, Ian Thomson viziton Bajram Curri-n (“some 30 miles west of the Serbian border”; me sa duket, nuk është përditësuar me ndryshimet që kanë ndodhur në hartën politike të Ballkanit). Gjatë këtij inkursioni, udhëtarëve u del përpara një “refuge tower” pjesërisht e rrënuar; me ç’rast përmendet Ismail Kadareja dhe kanuni – “Albania’s ancient tribal constitution known as the Kanun which the Illyrians codified.” Në fakt, kodifikimin e Kanunit e ka bërë Shtjefën Gjeçovi – por mbase Thomson-i a shoqëruesit e tij do të jenë ngatërruar duke i marrë Shtjefnat dhe Gjeçovët për fise ilire.

Muhabeti kthehet tek Enver Hoxha, që u rrek ta çrrënjoste Kanunin; bashkë me të shoqen, “they are believed to have owned 25 refrigerators, 28 colour television sets and 19 telephone lines” (Enver Hoxha me 25 frigoriferë – ja titulli për një film horror). Edhe një diçka tjetër për Enverin: “was known for his love of Norman Wisdom films” (në fakt jo; këta filma na pëlqenin neve në Shqipëri, si dikur edhe britanikëve që i financonin dhe i prodhonin).

Udhëtimi përfundon në Shirokë, ku autorit i ofruan një darkë krapi, të shoqëruar me “milk curds and maize braid”, dhe ku i shërbeu një kamerier “me mjekër.” Perdja.

Një arsye pse i solla në anglisht citatet, është se shqipëruesi i artikullit e ka lëshuar pak dorën me licencën krijuese. “The glorified Muslim chieftain King Zog” vjen në shqip si “prijësi i lavdëruar mysliman, Mbreti Zog”, ndërsa cilësimi “Muslim-born Ottoman dandy figure” për Enver Hoxhën del si “një figurë osmane me origjinë myslimane” (ç’të jetë vallë kjo krijesë?); “Serbian border” thjeshtohet, për hir të korrektesës hermeneutike, në “kufiri”; “refuge tower”, që në shqip do të ishte kullë ngujimi, jepet si “kullë”, çfarë e bën pastaj të çuditshëm pohimin që pason, se “vështirë se ndonjë nga këto kulla ka mbijetuar në Shqipëri”. Nga ana tjetër, edhe në versionin shqip pohohet se Kanunin e kanë kodifikuar ilirët.

Por kam parë artikuj të përkthyer edhe më keq; të paktën shqetësimi kryesor, me këtë botim, nuk po më duket përkthimi.

Mbetet enigmatike, për mua, pse shumë nga këta gazetarë që vijnë në Shqipëri, madje edhe për herë të dytë dhe të tretë, vazhdojnë të ripërtypin tema dhe argumente të lodhura. Sa për kodifikimin e Kanunit prej ilirëve, myslimanët që dalin atje ku s’e pandeh, apo Enver Hoxhën “Ottoman dandy” me 25 frigoriferë dhe 19 linja telefonike (më i frikshëm se bajlozi), nuk po dua të përsërit veten; dhe as të ndalem te mjekra e burrave si “sinonimike me ortodoksinë greke”, apo te kufiri serb afër Bajram Currit dhe te qesëndisja prej snobi për filmat e Pitkinit që i pëlqekëshin Enverit.

Pyetja që dua të bëj është: ku i ka gjetur gazetari budallallëqe të tilla? Dhe njëherazi, të hamendësoj një përgjigje – ia kanë thënë. Sepse në artikull unë pashë dhe rinjoha menynë bajate, të plastifikuar, të të gjitha atyre gjërave që shumë bashkatdhetarë të mi mendojnë se u duhen thënë vizitorëve që vijnë në Shqipëri dhe ngulin këmbë që t’ua thonë me çdo kusht.

Dhe po të qëndrojë hamendësimi im, i bie që komunikimi elementar mes gazetarit dhe mikpritësve të tij të ketë dështuar bujshëm. Tanët kanë dashur ta bindin mikun se shqiptarët janë “të lashtë, më të lashtët”, se deri edhe Kanunin “ua kanë kodifikuar ilirët”, dhe se kjo do t’i ndihmojë lexuesit e tij të shpjegojnë – në analizë të fundit – edhe mizoritë e “bandave shqiptare që kanë kapur tregun e kokainës në Britaninë e Madhe”. Mysafiri, nga ana e vet, u rrëfen lexuesve të The Spectator se shqiptarët kodet mund t’i kenë të lashta, por shijet pak të vjetruara – siç e shpjegon lektisja pas Norman Wisdom-it; edhe pse tani të paktën mjekrat mund t’i lënë t’u rriten lirisht, qoftë edhe për t’i shkelur syrin Patrikanës së Stambollit.

Një tjetër enigmë është titulli i artikullit: “Shqipëria ka jetuar gjatë nën hijen e Italisë”; meqë në tekst Italia përmendet shkurt, me Musolinin që “përzuri” mbretin Zog, dhe pastaj për një reagim të çastit të kryeministres Meloni, ndaj një vendimi të një gjykate europiane, për qendrat e trajtimit të azil-kërkuesve në Gjadër. Madje, po të mjaftohesh me informacionin që sillet atje, mund të fillosh të besosh se britanikët, falë Edith Durhamit dhe Pitkinit, paskan pasur ndikim më të madh kulturor ndaj shqiptarëve…

Shqiptarë dhe “të huaj” – ky lloj kontakti, edhe tani që kanë kaluar tridhjetë e kusur vjet pas hapjes së Shqipërisë, mbetet toksik, dhe nuk është asnjëherë e lehtë të dallosh çfarë vërejnë vërtet të huajt që vizitojnë vendin, çfarë duan tanët që ata të vërejnë, dhe si e zgjedhin tanët informacionin për të huajt, në bazë të ideve – ndonjëherë halucinante – që kanë për pritjet e vizitorëve. Imazhi për Shqipërinë, që del nga artikuj si ky për të cilin shkrova, nuk më duket se ka ndonjë lidhje me realitetin; vjen më tepër si kombinim pritjesh të dyanshme, të aromatizuara me bullshit patetik guidash turistike. Janë po ato informacione, gjysmë të sajuara e gjysmë të vjetruara, që qarkullojnë e ripërtypen ndërsjellazi mes gazetarëve, vendësve që bien në kontakt me gazetarët dhe artikujve vetë, përfshi edhe përkthimin.

Një mister më vete është se çfarë e ka motivuar botimin, në një gazetë shqip, të një artikulli që qartazi është menduar për lexuesin britanik të The Spectator; nuk jemi më në epokën kur ngazëlleheshim si qenushët, sa herë që shtypi i huaj i zinte në gojë Shqipërinë dhe shqiptarët, qoftë edhe për lëvduar potencialin turistik dhe lashtësinë karakteristike. Në të vërtetë, lexuesit shqip këto shënime të plogëta nuk i thonë asgjë, përveçse i përforcojnë imazhin për përfytyrimin që kanë – me gjasë – “ata andej” për ne, përfshi edhe kuriozitetet për Pitkinin dhe mjekrat e ndaluara të ortodoksëve. Ky lloj ligjërimi, që e ka humbur lidhjen me realitetin, vetëm sa e mban të hapur hendekun e moskuptimit.

E kuptoj që ka gazetarë që vijnë për të shkruar reportazhe për Shqipërinë sepse u pëlqen kuzhina (“krapi me gjizë qumështi”); siç e kuptoj që fajin për këtë katastrofë të komunikimit e kemi ne vetë dhe bindjet tona të trashëguara, për broçkullat që i duhen thënë Tjetrit. Këto bindje kanë ngjizur tani, dora-dorës, një narrativë viskoze, parazitare, të cilën e përsëritim edhe ne edhe ata, si të ishte fjala për ndonjë ritual vullnetmirë të mikpritjes; dhe ku nuk dallohet dot më se çfarë është jona dhe çfarë është e atyre. Tek e fundit, vetëm një gjë nuk mund të vihet më në diskutim – që kjo narrativë tashmë ka triumfuar përballë bonsensit dhe inteligjencës.

Ka kaq shumë për të zbuluar në Shqipëri – jo për ilirët e lashtë, mbretin Zog dhe osmanin Hoxha “me origjinë myslimane”, por për të renë që krijohet rishtas çdo ditë në hapësirat e dinamizmit urban, të informalitetit dhe të shndërrimit social; në luftë, shpesh të dëshpëruar, me zbrazjen e periferive, braktisjen e vendit nga brezi i ri dhe ndikimin në mos pushtetin e krimit të organizuar ndaj jetës ekonomike dhe ndonjëherë edhe politike. Por kjo, për t’u realizuar, do të kërkonte gazetarë dhe publicistë që frymëzohen nga pasioni për të zbuluar çfarë ka mbetur deri tani e fshehtë për botën, dhe jo për të numëruar televizorët e çiftit Hoxha dhe për të shijuar “gjizën e qumështit” në Shirokë. Mbase një pasion i ngjashëm do t’u hynte në punë edhe atyre që i zgjedhin shkrime të tilla, për t’ia rikthyer publikut në Shqipëri, duke u dhënë funksionin e pasqyrës, që nuk e kanë dhe nuk mund ta kenë.

© Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Fatkeqesisht menyra se si shumica e shqiptareve vete e rrefejne historine e vendit perngjan ose me nje narrative lineare plot virilitet,stoicizem duke i rezistuar Tjetrit qe kerkon ti mohoje te drejten e ekzistences (kryesisht narrative turbonacionaliste me elemente te pseudohistorise ose historise me ngarkese te thelle ideologjike si ajo e epokes se diktatures),ose si nje oaz oriental(kryesisht e paraqitur nga te rinj liberale te mbrujtur me kompleksin e te qenit nje komb periferik ne historine e Europes) ku ofrohen kunderti te tilla te pavendosura ne kontekstin material-historik qe i japin nje tipar skizofrenik,te padepertueshem dhe misterioz imazhit te shqiptarit(pastaj kjo transpozohet ne kinematografine boterore si per shembull ne rastin e filmit Taken).Rralle gjen perpjekje per te pasqyruar kontradiktat e verteta ne trupin social-kulturor qe ta bejne te kuptueshem statusin e shoqerise shqiptare ne kendveshtrimin e tjetrit.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin