Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Psikiatri

ÇMENDURIA SI KURË

Pavijoni nr. 6 i Çehovit pleks idetë dhe vizionin humanist që autori rus përligj në gjithë krijimtarinë e tij letrare me natyrë realiste-kritike. Aura e luftës ndaj padrejtësive sociale dhe shfrytëzimit njerëzor e mbështjell edhe këtë novelë filozofiko-refleksive, ku shoqëria e burokratizuar vegjeton në katatoninë që ka krijuar vetë. Siparin e novelës Çehovi e hap me përshkrimin karakteristik të ndërtesës së vogël të spitalit, diku në një qytezë provinciale ruse, ku pullazi është i ndërtuar prej teneqeje – në këtë godinë të dorës së dytë ku shërohen njerëz, qëndron impozant Nikita[1], rojtari i pavijonit, njeri me fytyrë të vrazhdë që rregullin e koncepton si rrahje të njerëzve, një gdhe i gatshëm për aminin e urdhërdhënësve. Dysheme e përlyer, erë e rëndë lakrash, tymi, amoniaku, dhomat me shtretërit e tyre, ku qëndrojnë pesë të çmendur, rrethuar me dritaret e shëmtuara me shebeqe. Mes të çmendurve, çifuti Mojsejk, të cilit i është djegur punëtoria e kapeleve, është më i privilegjuari, ngase lejohet të dalë kohë pas kohe për lëmoshë, që më pas kopekët a bukën e fituar t’ia kontrollojë Nikita. Rrëfimi çehovian bartet te 33-vjeçari Ivan Dmitriç Gromori, i rënë nga vakti – dikur fisnik ankandës, bir i një nëpunësi autoritar në zë, që humb vëllanë nga tifoja. Kur i burgosin të atin për falsifikim dhe shpërdorim, ngelet me të ëmën, njihet me skamjen, punon mësues, ku s’pajtohet assesi me kolegë e nxënës; pastaj përmbarues, ku s’bëhet dot pjesë e travajeve kriminalo-korruptive, ndaj është i predestinuar për Pavijonin nr. 6 për të gjetur shërim…

Shndërrimi trandës i Ivan Gromorit është përshkrim, me forcë të madhe artistike realiste, i psikologjisë kolektive të kohës, gjegjësisht i kontrasteve shoqërore nën thundrën e hierarkisë snobiste që udhëhiqte, siç e shohim te “Revizori” i Gogolit. Gromori shfaqet si prototip i njeriut që do të përmbysë gjithë jetën me kotësitë dhe marrëzitë e saj, megjithëse e di se s’mund ta bëjë dot këtë. Ndaj, frika dhe dorëzimi, dobësia dhe mbetja në vetmi bëjnë që të përfundojë brenda mureve groteske të Pavijonit, mbase pse ka kryer krim? Dobësimi i kujtesës së tij, frika konstante se po përndiqet nga dikush, sikur shkojnë në sinkron me vrasjen e një të moshuare dhe një vocërraku, kufomat e të cilëve i pa i tronditur. A do të ishte i zoti të vriste Gromori? Ky njeri skofiar, delikat dhe i njerëzishëm, i cili përherë e ndiente nevojën të kishte njerëz afër, por s’kishte dot kënd, s’kishte shoqëri – a do të mund të kryente një krim të këtillë soji? Çehovi, veç shkrimtar i angazhuar për progresin, qytetar aktiv, ka një personalitet që shkrihet organikisht me veprën letrare. Ky harmonizim njeri-artist te Çehovi manifestohet me përsiatjet mbi njeriun si entitet dhe pozitën e tij në shoqëri. A është njeriu apriori gjallesë dekonstruktive që shtypet nga mekanizmat arbitrarë që i krijon grigja e tij? A mund të gjallosh dot si shpirt humanist mes kolektivit dehumanist?

Pavijoni s’do mend që është ndër shëmtitë e kësaj qyteze që përvijon inercionin shoqëror. Doktor Andrea Jefimiçi është, si të thuash, kronikan i kësaj shoqërie të kalbur provinciale, që izolon njerëz të cilët i shpall të çmendur, i rreh, i keqtrajton, megjithëse e ka gojën plot barazi e drejtësi. Te Jefimiçi, autori krijon njeriun humanist që në krye të herës s’pati denjuar ta vazhdojë shkollën për prift e në përgjithësi, në raport me fenë, ka qëndrim neutral, megjithëse as mjekësinë s’e honepsi edhe aq. Andrea Jefimiçi, si njeri i devotshëm, me parime etiko-sociale, parimor, altruist, ndihmoi shumë njerëz, gjersa u neverit prej tyre ngase brenda portave të kësaj qyteze provinciale mortaliteti vazhdonte, sëmundjet dhe shtimi i të sëmurëve po ashtu; si njeri që denjon të lexojë me mjaft kërshëri, Jefimiçi deklamon se “në këtë botë s’ka kurrgjë të mirë, e cila në zanafillën e vet nuk përmban edhe ndyesi.” I përcaktuar për Pavijonin famëkeq, doktor Andrea transferohet atje – vëzhgimi i këtij mjedisi të mjerë bën që doktori të zhytet në përsiatje dhe krizë ekzistenciale; ky Pavijon i shëmtuar ekziston në një qytezë, ku kryetari dhe këshilltarët e tij janë mikroborgjezë gjysmanalfabetë. Kjo hapësirë mbytëse duhet mbyllur një orë e më parë, por meqenëse këto çmendi ekzistojnë, dikush duhet t’i mbushë…

Pavijonin nr. 6 jeta është tejet monotone. Semjon Llazariçi, rrojtori, një tip i dehur e me qeshje histerike, vjen një herë në dy muaj. Nikita, mbikëqyrësi, është gjithçka shohin të ngujuarit. Lajmi i përhapur për ardhjen e një mjeku ishte tronditës – doktor Andrean Nikita e pret me ceremonialitet burokratik. Pasi i dha ca kopekë çifutit të Pavijonit, hasi në një të çmendur fisnik brenda atij gjirizi – ky njeri po i ngjallte përherë e më tepër interes: Ivan Dmitriç Gromori. Dialogët midis tyre janë atipikë për ambientin, ngase ngërthejnë përsiatje mbi çështje universale, filozofike, intelektuale; Ivani i mllefosur me fatin e vet shpeshherë i vërsulet këtij njeriu zyrtar, këtij doktori që bën pjesë në fundërrinën e këtij sistemi. – Me qindra të sëmurë po shëtisin në liri sepse mosdija juej nuk është në gjendje të dallojë kush është i sëmurë e kush i shëndoshë, pse unë dhe këta të mjerë të heqim keq për të gjithë të tjerët? Ju, ndihmësi juaj, tanë fundërrina e spitalit tuej qëndroni në pikëpamje të pakrahasueshme më poshtë se na, atëherë, pse na po heqim keq e ju jo?,[2] hakërrehet ai kundrejt doktorit. Bisedat mes tyre e qendërzojnë problemin e njeriut në univers dhe raportin e tij me tjetrin që amplifikohet në shoqëri, duke e kufizuar atë, siç deklamon doktori, prej kriminelëve, të sëmurëve shpirtërorë dhe, në përgjithësi, prej njerëzve të papëlqyeshëm, ndaj s’ke si të ngadhënjesh kundër saj.

Botëkuptimet autoriale janë simetrike me përsiatjet e personazheve në këtë novelë, viktima të shoqërisë së retarduar, që e vazhdon statuskuonë brenda rrethit vicioz prej të cilit s’denjon të dalë. Letërsia e Çehovit është krejtësisht e vendosur drejt progresit – aty skaliten përpjekjet e njeriut për dinjitet, lufta frontale kundër oficialitetit borgjez dhe natyrës violente të aparatit shtetëror dhe përgjithësisht institucioneve të tij. Kjo letërsi nuk lexohet pa i kuptuar interesat shoqërorë, që janë maksima e autorit rus që do të shkruante “në qoftë se jam shkrimtar, duhet të jetoj mes popullit”. Por kur shoqëria ka degraduar dhe normat obskurantiste janë bërë standard, atëherë është detyrë e intelektualëve si Çehovi, me ndërgjegje të lartë artistike, t’u bëjnë opozitën regjimeve dehumaniste, duke mobilizuar e duke protestuar.

Çehovi letërsinë e shihte si përgjegjësi shoqërore, jo trill subjektiv imagjinativ. Narrativat zulmëmëdha, varietetet e ndryshme të falsitetit dhe zbukurimeve oborrtare Çehovi i mënjanon si të padenja e të dëmshme për letërsinë e angazhuar. Parimet e artit të tij realist gjurmojnë të vërtetën dhe në qendër kanë njeriun i cili po deprimohej nga çmenduria kolektive, aq sa në Pavijonin nr. 6 thirrej përvajshëm “moti nuk kam jetuar si njeri!”.

Novela presupozon kritikën si reagim ndaj realitetit faktik rus të fundshekullit të 19-të, depërton në indin e kaosit social, snobizmit provincial dhe degradimit të sistemit shëndetësor. Mjeku i rrethit, Eugjen Hobotovi, dhe drejtori i postës, Mihail Averjaniçi, e personifikojnë funksionarin burokrat që operon në kushtet e ngurta dhe pasqyrojnë apatinë e këtyre sistemeve, duke përfshirë mjekësinë si butafori institucionale. Janë po këta dy funksionarë që e shpallin të çmendur doktor Andrean, mikun e tyre, pse ky sillej çuditshëm, përtej konvencioneve, duke qëndruar si tepër pranë pacientëve. Ndaj ky duhet të shtrohet së shpejti po aty, me ta, shkaku i avarisë… “Jam ligështuar shpirtërisht”, klith Andrea. “Të marrët nisin e më konsiderojnë si të çmendur”, janë zhgënjime karakteristike të personazheve, ku Çehovi i mëshon idesë se përbuzja e kotësive të kësaj bote është thesari më i madh për njeriun në këtë jetë, i cili qetësinë dhe kënaqësinë s’duhet t’i kërkojë jashtë, ngase ato janë brenda tij.

Kritika e mprehtë e Çehovit trupëzon diferencat etiko-morale midis njerëzve “të shëndoshë” dhe “të sëmurë” që variojnë nga statuset klasore. Forca dhe ndikimi në masë, këto antinomi, pleksen përbrenda institucionit psikiatrik, ku shpërfaqen tipat e precizuar arbitrarisht “normalë” dhe “anormalë” në shoqërinë pa ideale. “Shoqnija s’ka ideal dhe çon një jetë të pangjyrë e të pakuptim, tue thye monotoninë e saj me tirani, me shfrenime brutale dhe hipokrizi; erëcekët janë të ngopun e të veshun, kurse të ndershmit ushqehen me mbeturina; janë të nevojshme shkollat, nji gazetë e vyeshme e vendit, teatri, ligjëratat, bashkimi i inteligjencës; asht e nevojshme që shoqnija ta njofi vedin dhe të tmerrohet e të neveritet prej vetvehtes.” Formulime të tilla shënjojnë protestën kundrejt realitetit, marrin nuancat e një zhgënjimi kozmik për çorientimin shoqëror, neglizhencën institucionale meskine dhe dështimin sistematik human. Pavijoni nr. 6 është apoteoza e idealeve të Çehovit për gjurmimin e vlerave dhe kuptimin e jetës, sado që barra e rëndë sizifiane e saj peshon mbi supe në botën kaotike. Siç thotë Friedrich Dürrenmatt, po qe shoqëria e ndërtuar mbi gënjeshtra e sfrutime, është mundim i kotë të jesh i devotshëm – kjo maksimë e përbën letërsinë idealiste, që mëton ndryshimin rrënjësor përmes demaskimit të pasojave dehumanizuese dhe diferencave shoqërore. Nuk mund të ketë progres shoqëror pa ndryshime të dukshme. Pavijoni i Çehovit është kritikë ndaj sistemeve institucionale dhe apatisë etiko-morale përbrenda sistemit regresiv; ky peizazh paraqet absurditetin dhe kotësinë në ndërmarrjet njerëzore, individuale, për ndryshimin.

Përfundimi i Andreas në Pavijon tok me Ivanin, brenda qerthullit, është kuptimplotë. Fundi tragjik i doktorit altruist, i rrahur nga Nikita, i privuar nga çdo liri, i mënjanuar e i shtypur për vdekje nga thundra hierarkike ekzistuese është një metaforë e fuqishme për vakuumin shoqëror dhe brutalitetin asfiksues të grigjës kundrejt individëve plëngprishës. Për ta krijuar një mjedis me diversitet, drejtësi e liri mendimi, përkujdesje shëndetësore, duhet transformuar struktura shoqërore në përgjithësi – kjo është deviza e kësaj novele dhe përgjithësisht e letërsisë opozitare progresive. Derisa njeriu ndien boshllëk shpirtëror dhe është mosbesues ndaj sistemit sipër tij – që krijon stimujt e pasivitetit akut dhe konvencionalitetit, duke i sëmurë mendërisht pjesëtarët, për t’i shëruar pastaj – do të qëndrojë në zgrip të izolimit dhe dëshpërimit me klithjet ekspresioniste që kthehen çdoherë mbrapsht…

 

© 2025 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Google Gemini.


[1] Elton John ironizon kur emrin mashkullor rus Nikita e shndërron në femër në këngën e tij të famshme kundrejt zymtësisë që solli lufta dhe natyrës së rëndë sllave që sikur manifestohet te ky emër. https://www.youtube.com/watch?v=a90IFN42zDw

[2] Anton Çehov, Novela, përkthyer prej origjinalit rusisht nga Aleksandar Jelikiqi dhe Ahmet Kelmendi, sipërmarrja gazetare-botuese Rilindja, Prishtinë, 1963, citimet janë nga ky botim.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading