Disave do t’ju kujtohet, me gjasë, historia e Shkurte Pal Vatës, kësaj vajze 15-vjeçare – ende në moshë të mitur – nga fshati Pecaj i Dukagjinit, të cilën e ka rrëfyer tani vonë Çelo Hoxha këtu. Bashkë me të tjerë të rinj e të reja nga malësia, Shkurta kish “dalë vullnetare” për të punuar në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, në vitin 1967, që përkonte me një periudhë shndërrimesh të mëdha sociale dhe kulturore në Shqipëri, sipas modelit të Revolucionit Kulturor në Kinën e Maos. Vullnetarët nga Dukagjini kishin ardhur të ndërtonin hekurudhën, bashkë me mijëra të rinj të tjerë nga gjithë vendi, si pjesë e një lëvizjeje që përfshinte, mes të tjerash, edhe luftën kundër paragjykimeve fetare dhe “zakoneve prapanike”, shkatërrimin e institucioneve tradicionalisht autoritare në provincë, si kisha dhe patriarkati dhe socializimin e vajzave dhe grave. Ndodhi që u shemb dheu dhe Shkurta u plagos rëndë aksidentalisht, për të vdekur pak ditë më pas; teksa regjimi vendosi që këtë ngjarje ta shndërronte në legjendë frymëzuese dhe vajzën e vrarë ta kanonizonte si shenjtore në kalendarin e ri socialist; u shkua aq larg, sa Shkurtën e pranuan anëtare të PPSH-së, në kundërshtim me çdo rregull, statut dhe bonsens. Ironikisht, meqë Shkurta nuk kish dalë kurrë në fotografi, iu kërkua një piktori që të shkonte në morg dhe t’ia bënte portretin; një portret që pastaj do të shfaqej në gazeta dhe revista dhe tekste shkollore dhe pulla poste dhe kopertina librash dhe pllakate, për të përfunduar deri edhe si ilustrim në kutitë e shkrepëseve standard, dhe njëlloj ironikisht, Shkurta – e pagëzuar kështu me gjasë për të shprehur dëshirën e familjes që të mos i lindnin më vajza dhe t’u vinte më në fund djali i shumëpritur – e pati ajo vetë ymrin të shkurtër. Zallahia propagandistike, që rrethoi dhe shoqëroi shfaqjen e Shkurtës në rrëfimtarinë publike të socializmit në Shqipëri, e vuri theksin te ajo që vdekja e saj “heroike” (nuk kuptohet pse) kish ndodhur në frontin e punës; një model narrativ që ishte përdorur tashmë për një tjetër martir-shenjtor të një viti më parë, Adem Rekën, dhe që do të përdorej më pas për viktima të tjera aksidentesh në punë, të cilat haptazi u shfrytëzuan nga regjimi për synime të religjionit civil; ky model mbështetej mbi punën (“ndërtimin e socializmit”) si vazhduese të luftës (luftës për çlirim, luftës së klasave, luftës në përgjithësi) dhe i vinte theksin vullnetarizmit dhe vetëmohimit të viktimave, të cilat “jepnin edhe jetën” për kauzën dhe për këtë arsye kanonizoheshin.
Sipas INSTAT-it, në regjistrat e gjendjes civile në Shqipëri figurojnë 1186 Shkurte, nga të cilat 145 në Tiranë, 125 në Shkodër, 120 në Kukës, 89 në Durrës, 68 në Has, 53 në Kurbin, 46 në Malësi të Madhe, 38 në Dibër dhe 29 në Tropojë; shpërndarja e emrit përkon me ndarjen dialektore të shqipes në gegërishte dhe në toskërishte. Këtu mbase duhen shtuar edhe 266 Shkurta, nga të cilat pjesa më e madhe dalin në Dibër (66) dhe në Tiranë (38): dhe 41 persona me emrin Shkurtë, prej të cilave më të shumtat në Tropojë dhe në Malësinë e Madhe (për krahasim, në Vlorë ka 130 Mjaftime, ndërsa emrin Sose e kanë 1286 vetë në gjithë Shqipërinë, edhe në Veri edhe në Jug; po përmend vetëm 81 në Shkodër dhe 71 në Vlorë).
Mjaft i përhapur duhet të ketë qenë emri edhe në Kosovë. Sipas një shkrimi të Ardianë Pajazitit në kultplus, ky emër, bashkë me variantet Shkurte, Shkurtesa dhe Shkurtime, u vihej vajzave me shpresë se ashtu do të ndalte vazhda e fëmijëve vajza në një familje. Te një shkrim (pa autor) botuar te Koha.net, me titull Pagëzimi me emrin Shkurta, për ardhjen në jetë të një djali, lexoj se “është e pamundur të gjesh një Shkurtë si vajzë të vetme në familje. Shkurta gjithmonë është një vajzë që ka shumë motra.” Thuhet në artikull: “Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, me titull “Emrat dhe Mbiemrat në Kosovë”, i cili është publikuar në vitin 2017, emri Shkurte është ndër 100 emrat më të përdorur në Kosovë. Në listën prej 100 emrave më të përdorur të të dyja gjinive, sipas këtij raporti, emri Shkurte radhitet i 71-ti.” Te ky shkrim, citohet sociologia Greta Avdyli që vëren se “Emra të tillë si Shkurta, Grisha, Sose, si dhe emri i nënës apo i tezes, në kulturën shqiptare janë vendosur për arsye të besimit se në bazë të këtyre emërimeve do të ndalen edhe lindjet e vajzave në familje, sidomos në rastet kur ka pasur një mori vajzash të lindura paraprakisht. Pra, në këtë rast Shkurta si një shkurtim i vazhdimit të lindjes së vajzave.” Qartazi vihet re se, në raste të tilla, emërvënia si akt e sjell me vete edhe momentin magjik, duke mishëruar dëshirën e familjarëve që të ndalet lindja e vajzave, nëpërmjet një mekanizmi me natyrë analogjike, të llojit nomen omen; në fakt, idenë se emri i dikujt mund t’ia parathotë të ardhmen e gjen në shumë qytetërime, përfshi edhe atë të Greqisë së lashtë (Platoni e ka diskutuar gjerësisht te Kratylus-i, dialogu që i kushtohet i tëri gjuhës dhe ku Sokrati, mes të tjerash, e krahason “punën” e emërvënësit me atë të ligjvënësit (nomothêtes). Ky lloj besimi – sado magjik – i jep rëndësi të posaçmi aktit të emërvënies, meqë ky do të kushtëzojë fatin e emërmarrësit në shoqëri dhe jo vetëm.
Për t’u shtuar, në këtë kontekst, edhe se emra si Shkurte nuk klasifikojnë asgjë; por vetëm sa lajmërojnë një ngërç, një shqetësim ekzistencial të një familjeje që nuk po vijnë fëmijë meshkuj; dhe nga ky këndvështrim, ose të paktën simbolikisht, këta emra jo vetëm që nënkuptojnë dëshirën për të ndalur një vazhdë lindjesh të gjinisë femërore, por edhe i japin personit të emërtuar statusin gjysmak të dikujt që nuk duhej të kish ardhur në jetë, pse i padëshiruar. Edhe pse dëshira e përcjellë nga Shkurte nuk ka të bëjë me të ardhmen e kësaj vajze dhe as me fatin e saj, por zgjedh për objekt një entitet më kompleks, të sekuencës së gjinive në fëmijët e lindur, mangësia e funksionit klasifikues – ose refuzimi për ta përfshirë fëmijën në ndonjë komunitet a traditë – e lë një efekt hije në integrimin social të personit, sidomos në periudhën fillestare. Një Zoje, një Katrinë, një Prendë a një Martë i referohen traditave emërvënëse dhe, më gjerë, onomastike të komunitetit; në një kohë që Shkurte thjesht shënjon një pengesë ose anomali në riprodhimin e familjes dhe, në analizë të fundit, edhe të pronësisë.
Natyrisht, nuk ka emër të përveçëm (first name) që të mos rrëfejë një histori, edhe pse këto histori nuk kanë të njëjtën peshë. Emra si Natasha dhe Sonja flasin me gjasë për një afinitet, në mos pasion, të prindërve (emërvënësve) me letërsinë ruse; emra si Ardian, Teuta dhe Etleva tregojnë vullnetin kulturor për t’i kërkuar rrënjët etnike tek ilirët. Përkundrazi, emra të tjerë kanë natyrë mirëfilli dëshirore – Fatmir mund të përkthehet si “pastë (fëmija) fat të mirë”, ndërsa Edlira i uron metaforikisht fëmijës dëlirësi (në virtyt); dhe këtij grupi të fundit mund t’i përkasin edhe emra si Shkurte, Sose, Mbarime, të cilët vërtet rrëfejnë historinë e një familjeje që shpreson që të ndalet vazhda e vajzave dhe një ditë t’i vijë djali i shumëpritur, por këtë histori nuk është se ta tregojnë ty si përdorues i emrit; marrësi i saj është tjetërkush (drejtpërdrejt fati, ose Zoti) dhe ideja është që fëmija vetë, duke e aktualizuar emrin përditë, të aktualizojë edhe dëshirën a lutjen përkatëse. Në këtë mënyrë, emërvënia e një emri “dëshiror” njëherazi rekruton edhe përdoruesit e emrit në të ardhmen që ta përsëritin dëshirën (si akt ligjërimor) sa herë që të përmendin emrin; duke i vënë, si të thuash, në punë.
Gjithsesi, dhe ndryshe nga raste përjashtimore të mirë-përshkruara, si ky i emrave të tipit Shkurte që kërkojnë fundin e një vazhde ta dëshiruar, emri që i vihet fëmijës – për shkak të kufizimeve dhe të imponimeve gjatë aktit të emërvënies – do të luante një rol klasifikues të brezit të personit emërmbajtës; por edhe të shtresës sociale; dhe këtu duhet pasur parasysh se provinca ka qenë gjithnjë më refraktare ndaj prirjeve të modës se kryeqyteti, por edhe ngaqë trysnitë politike dhe ideologjike në provincë kanë qenë, si rregull, më të forta.
Sërish te faqja e INSTAT-it, shoh se emri Besa, në Shqipëri, ka arritur kulmin e popullaritetit në vitet 1960-1990; periudhë që përkon me rritjen më të shpejtë të popullsisë, por edhe me ndalimin me ligj të institucioneve dhe të praktikave fetare, dhe me rritjen e shpejtë të qyteteve të mëdha. Megjithatë, pas vitit 2000 emri praktikisht nuk po vihet më.[1] Edhe kjo e dhënë, që emri ka dalë nga përdorimi, mund të ndikojë drejtpërdrejt në përdorimin e tij eventual; sepse emërvënësit janë të vetëdijshëm, qoftë edhe thjesht me intuitë, për sa “trendy” është një emër; dhe do të stepen që ta përdorin, nëse duan të konformohen me prirjet e shumicës. Në këtë rast, një fëmijë e vogël me emrin Besa mund të tregojë antikonformizëm, por jo vetëm.
E nisa me të vërtetën logjike – por triviale – se lidhja midis një vajze dhe emrit të saj, p.sh. Besa nuk është e njëjtë si lidhja midis këtij sendi që kam përpara dhe emrit të tij libër; mes shumë të tjerash, kushdo që di shqip do ta quajë këtë send libër, por askush nuk mund t’ia gjejë dikujt emrin pa e ditur këtë më përpara. Këtë lidhje të lirshme mes emrit dhe personit që e mban e ilustrojnë ca vargje të Beatles-ve, nga kënga “Rocky Raccoon”:
His rival, it seems, had broken his dreams
By stealing the girl of his fancy
Her name was Magill, and she called herself Lil
But everyone knew her as Nancy.
Asgjë nuk ka të përbashkët mes këtyre emrave, Magill, Lil dhe Nancy, përveçse ato qëllon që i ka i njëjti personazh – në kuptimin që askush nuk do t’i merrte këto për sinonime. Lidhja mes vajzës në fjalë dhe emrit Lil ose Nancy është një lidhje që nuk i përket gjuhës (në kuptimin saussurean), por është vendosur arbitrarisht, brenda hapësirës së ligjërimit (funksionimit social të gjuhës).
E megjithatë, këta emra – Magill, Lil dhe Nancy – brenda rrafshit narrativ të kësaj ballade, të shpien te një botë e rrëfyer nga një këngëtar popullor i një saloon-i kinematik në Wild West, në një atmosferë tipike të provincës së thellë amerikane, ku nuk mungon as Bibla e Gideon-it, një libër që në Amerikë e gjeje dhe mbase ende e gjen kudo, në dhoma hotelesh, spitale, institute korrektimi dhe shkolla: një trekëndësh dashurie dhe xhelozie, që zgjidhet me kobure. Emrat mbushen me kuptim në rrëfim e sipër, dhe shndërrohen në elemente kyç të atmosferës; duke u sjellë, njëfarësoj, si përemra, por të ankoruar te një molo kulturore fikse. Kritika madje ka gjetur lidhje intertekstuale mes këngës në fjalë dhe artit të Bob Dylan-it, që e pat marrë në sy të mishëronte, duke u dhënë kuptim të ri, klisheve të hatashme të imagjinatës kolektive amerikane.
Ky është edhe emri i përveçëm – një enë e zgavërt, por që vjen e mbushet me kuptim, sapo i bashkëlidhet një individi dhe e shoqëron atë, si etiketë ligjërimore. Ashtu, mbase vërtet nuk dimë asgjë për një grua, nëse dimë që e quajnë Besa; por edhe njëherazi do të zbulojmë, me kohë, se dimë mbase edhe më shumë se ç’kujtonim. Dhe jo ngaqë kujtojmë se një ditë mund të hartohet një fjalor ku të renditen të gjitha “Besat” që kanë jetuar dhe të përshkruhen jetët e tyre; por ngaqë fillojmë të shohim se emri vetë, Besa, nuk trashëgon asgjë nga shoqërimi me qindra Besat që e kanë pasur dhe e kanë; dhe se është gjithnjë i freskët, në dispozicionin tonë, për ta përdorur rishtas me cilindo person që të duam.
© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
[1] Por nuk e kam të qartë nëse kjo faqe jep të dhëna vetëm për personat me emrin Besa që janë akoma gjallë, apo për të gjithë personat e regjistruar në rrjedhë të kohës.
Shume i kendshem ky shkrim, me pelqen. Faleminderit Ardjan! Me vijne ndermend ca emra te cuditshem qe i kam degjuar vite me pare ne Shqiperi. Nje nga shoqet e klases quhej Mjaftuni, nje tjeter Mbaresa dhe nje tjeter Mbarime. Nje grua quhej Asamble. Kam degjuar se ka pasur edhe emer Maocedun, apo sot perdoret akoma Marenglen (Marks, Engels, Lenin) qe per cudi e gjejme edhe si Mariglen. Ka pasur edhe emer vajze Revolucionare! Por ajo qe nuk ma kap truri eshte emri Tragjike. Po si mund te vendoset ky emer per nje femije? Cfare eshte kjo? Cfare dreqin ka dashur prindi te thote me kete emer? Mbase ka dashur te thote se ky emer vjen nga Tragjasi i Vlores?