Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

NJË ZË I QETË, POR I PRERË PËR LIRINË

Një zë i qetë, por i prerë për lirinë: prapa skenave të tryezës së rrumbullakët historike të Presidentit Jimmy Carter në Shqipëri më 1993

nga John Quanrud

Pak njerëz e mbajnë mend që vetëm dy vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ish-Presidenti amerikan Jimmy Carter, së bashku me bashkëshorten e tij, Rosalynn Carter, e vizitoi Tiranën. Më kujtohet çudia e miqve të mi shqiptarë në vitin 1993 me rutinën e përditshme të stërvitjes së ish-Presidentit. Herët në mëngjes, Carter-i 68-vjeçar shihej duke vrapuar nëpër rrugët e kryeqytetit, me agjentët e shërbimit sekret pas tij, duke përshëndetur herë pas here qytetarët e habitur, ndërsa kalonte me shpejtësi pranë tyre.

Një ndër qëllimet kryesore të vizitës së tij në Shqipëri ishte për të adresuar një çështje kritike: Si do ta mbronte ky shtet i sapodemokratizuar lirinë fetare pas dekadash ateizmi të imponuar?

Roli i Carter-it në formësimin e lirisë fetare të Shqipërisë gjatë atyre viteve të hershme të tranzicionit mbetet një kapitull pak i njohur për rrugëtimin e jashtëzakonshëm të vendit nga persekutimi fetar në pluralizëm.

Gjatë viteve të paspresidencës, Carter-i do të vazhdonte të mbronte globalisht demokracinë dhe të drejtat e njeriut përmes Qendrës “Carter”, duke fituar për këtë Çmimin Nobel për Paqen më 2002, për punën e tij disadekadëshe në përparimin e paqes dhe të dinjitetit njerëzor[1]—një trashëgimí që ngjalli homazhe mbarëbotërore pas vdekjes së tij më 29 dhjetor 2024, në moshën 100-vjeçare.

Në përputhje me këtë angazhim ndaj vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, Carter-i organizoi përmes Ambasadës Amerikane në Tiranë më 1 shtator 1993 një tryezë të rrumbullakët për diskutimin e “Lirisë fetare në Shqipëri”, në Pallatin e Kongreseve. Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe krerët e komuniteteve tradicionale fetare të vendit. Si sekretar i përgjithshëm i VUSH-it (Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, e themeluar fillimisht nga rev. Gjerasim Qiriazi më 1892), edhe unë u ftova për të përfaqësuar komunitetin protestant, i cili në atë kohë po rritej.

Takimi u zhvillua në një kohë kritike, pasi një vit më parë, qeveria kishte tentuar të miratonte një ligj që do t’u jepte të drejtën e plotë të lirisë fetare vetëm katër komuniteteve – atij mysliman, katolik, ortodoks dhe bektashian, dhe do t’i detyronte të gjitha grupet e tjera fetare të vepronin nën autoritetin e përfaqësuesve të emëruar nga shteti pikërisht nga këto komunitete.[2]

Në të njëjtin vit, qeveria kishte refuzuar pa shpjegim aplikimin e VUSH-it për të marrë status ligjor[3], ndërkohë që kishte miratuar aplikime të ngjashme të pakicave të tjera fetare, të cilat nuk kishin rrënjë dyqindvjeçare ndër shqiptarët, ashtu siç kishte bashkësia protestante-ungjillore.[4] Kishat ungjillore gjithashtu po përballeshin me pengesa sistematike, veçanërisht në sigurimin e lejeve të ndërtimit nga bashkitë vendore. Zyrtarët qeveritarë shpesh i përligjnin këto kufizime duke përmendur harmoninë fetare shekullore të Shqipërisë—duke sugjeruar që kishat protestante mund ta prishnin këtë ekuilibër tradicional.

Ne kishim përgatitur një dosje informuese për Carter-in duke ia shpjeguar këto shqetësime me hollësi. Në tryezën e rrumbullakët unë paraqita një përmbledhje të sfidave me të cilat po përballej komuniteti protestant i Shqipërisë. Kur përfundova prezantimin tim, Carter-i iu drejtua Sekretarit të Shtetit për Marrëdhëniet me Fenë dhe kërkoi përgjigjen e tij. Zyrtari e shikoi drejt në sy ish-Presidentin dhe i tha: “Zoti President, ju lutem mos ma merr për keq, por Shqipëria ka një histori të ndërlikuar. Ju keni ardhur vetëm dje. Nuk ka mundësi ta kuptoni situatën tonë në një kohë kaq të shkurtër.” Me qetësi, Carter-i ia bëri shumë të qartë që të drejtat e njeriut dhe liritë fetare janë thelbësore për progresin demokratik, veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtimin e grupeve minoritare.

Detajet e asaj që ndodhi pas atij takimi mbeten private, por vitin e ardhshëm, në shkurt 1995, qeveria shqiptare i dha VUSH-it njohjen zyrtare.[5] Rëndësia më e gjerë e këtij vendimi do të shpalosej gjatë dekadës që do të vijonte. Në 2011, VUSH-i u njoh zyrtarisht si një nga pesë komunitetet tradicionale fetare të Shqipërisë, duke zënë vendin e vet krahas komuniteteve myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashiane.[6] Ky përparim, nga mohimi i statusit ligjor në një komunitet fetar tradicional, pasqyron udhëtimin e gjatë të Shqipërisë drejt pluralizmit të vërtetë fetar nëpër ato vite vendimtare të tranzicionit.

Gatishmëria e Carter-it për të ngritur pyetje të vështira përmes kanaleve zyrtare rreth lirisë fetare gjatë vizitës së tij të vitit 1993 në Shqipëri forcoi dialogun e vazhdueshëm për të drejtat fetare të pakicave në demokracinë e re shqiptare.

*Fotografia zyrtare e Jimmy Carter nga The Carter Center(domen publik). Fotografitë e John Quanrud dhe të ftesës zyrtare nga Ambasada Amerikane janë botuar me leje nga autori. Fotografia e Presidentit Carter në Tiranë me Rosalynn është përdorur me leje nga Chris Burnett, i cili shfaqet gjithashtu në fotografi. Burnett-i ishte misionar skocez dhe përfaqësues i kishës baptiste ungjillore në Tiranë në vitet 90-të.

© 2025 John Quanrud. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] https://www.cartercenter.org/resources/pdfs/news/carter_center_news/Jan2003.pdf.
[2]“Projektligj për komunitete fetare”, me 36 nene, tetor 1992. Shih edhe: Human Rights Watch, Human Rights Watch World Report 1993 – Albania, 1 January 1993, https://www.refworld.org/reference/annualreport/hrw/1993/en/35339 [lexuar më 4 janar 2025].
[3]“Albania Restricts Protestants”. Orthodox Outlook. vol. VI, no. 6 (ca. 1992-93); “Albania delays restrictive law”. Baptist Times, November 19, 1992.
[4] Dokumenti i parë ligjor shqiptar që miratoi protestantizmin në Shqipëri, ishte “Statuti legal i komuniteteve fetare”, ligji nr. 432, datë 05.06.1923, në qarkoren nr. 12359, 24.06.1923, 542, në të cilin theksohej “çdo degë e Krishtenizmës, si Katolikizma, Orthodhokizma, Protestanizma si edhe të gjitha degat e çdo feje tjetër, mund të organizohet në nji shoqjat fetare indipendente njana prej tjetrës”. Shih Hosaflook, David. Lëvizja Protestante te shqiptarët, 1816–1908. Tiranë: ISSHP, 2021.
[5] Bashkësia Fetare shoqata “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” u regjistrua si person juridik me vendimin nr. 73, datë 23.02.1995, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
[6] Ligji nr. 10 394, datë 10.3.2011, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkësisë Fetare ‘Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë’ për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, botuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë nr. 34, datë 7.4.2011, http://www.legjislacioni.gov.al/?q=node/355 (2 janar 2015). Ligji u bazua në vendimin nr. 902, të Këshillit të Ministrave, të datës 10 nëntor 2010, ku rekomandohej marrëveshja.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin