Libri Në mbrojtje të arsyes albanologjike – Kundër fallxhorëve të historisë së gjuhës shqipe, i sapobotuar nga Botimet M&B, është një përmbledhje studimesh dhe esesh, nga gjuhëtarë të shqipes që kanë dalë në mbrojtje të albanologjisë, në kundërvënie me përpjekjet sistematike të një grushti amatorësh, sharlatanësh dhe demagogësh për ta rrëzuar ngrehinën e kësaj dijeje dhe për të zhvlerësuar punën dhe arritjet e vyera e disa brezave albanologësh, gjatë këtyre gati dy shekujve të fundit.
Publiku në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë i është ekspozuar një fushate – jo fare të pabashkërenduar – për t’i sjellë në vëmendje të së gjithëve çështjet e historisë dhe të origjinës së gjuhës shqipe, të etimologjisë, të raportit të fjalëve vendëse me huazimet dhe të tjera si këto, që zakonisht trajtohen në revista e monografi mirëfilli shkencore dhe konferenca e tubime të tjera specialistësh të ngushtë.
Disa njerëz, ndonjëherë me qëllime të mira por më shpesh jo, kanë kapur ekranet e televizioneve komerciale, portalet dhe mediat sociale, për të kritikuar ashpër albanologjinë, traditën e saj në Shqipëri dhe gjetiu, dhe institucionet përfshi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e cila paska lejuar – sipas tyre – që temat madhore të kombëtarizmit shqiptar, si vjetërsia e shqipes dhe origjina e saj, të trajtohen në mënyrë anti-kombëtare.
Objekt i sulmeve të tyre ka qenë veçanërisht Eqrem Çabej dhe pasuesit e tij, të cilëve iu dashka faturuar stanjacioni i sotëm në albanologjinë shqipe dhe imazhi i shtrembër i historisë së gjuhës, i cili e nxirrka këtë në inferioritet të papranueshëm, kundrejt gjuhëve fqinje.
Shumë nga këta pseudo-albanologë (të njohur edhe si turbo-albanologë ose thjesht turbologë), kanë përveshur mëngët për të prodhuar dhe reklamuar etimologjitë e tyre të fjalëve të shqipes dhe për të etimologjizuar fjalë të gjuhëve të tjera nëpërmjet shqipes, me metoda artizanale dhe rezultate komike; paçka se punën dhe performancën e tyre, ndoshta për shkak edhe të efektit të tyre argëtues ndaj publikut, e kanë mirëpritur televizionet kombëtare dhe media të tjera, pa pyetur për dëmin që i kanë sjellë kështu shoqërisë dhe kulturës.
Pseudo-albanologjia sot ka publikun e vet dhe vendin e vet në vetëdijen kolektive kombëtare; narrativat e saj për primatin e shqipes ndaj gjuhëve të tjera dhe si gjuhë kyçe brenda familjes indoeuropiane dhe më tej kanë mikluar sedrën e një mase të madhe njerëzish, të cilët befas zbuluan se kishin pasur nevojë të ngushëlloheshin me histori dhe namatisje të tilla.
Të ndodhur përballë kësaj fushate, një grup studiuesish të shqipes u angazhuan që, nëpërmjet revistës kulturore online “Peizazhe të fjalës” të drejtuar nga autori i këtyre radhëve, por edhe ndonjë programi televiziv si ADN-ja në RTSh, që të dilnin fort në mbrojtje të pozicioneve shkencore të albanologjisë dhe të traditës së saj, gjithë duke denoncuar thelbin e kalbur të qasjeve alternative pseudo-albanologjike, me natyrë joshkencore në rastin më të mirë dhe anti-shkencore në rastin më të keq.
Me ndihmën dhe mbështetjen e Fondacionit Fan Noli, revista “Peizazhe të fjalës”, për gati një vit e gjysmë, u shndërrua në një tribunë të mendimit albanologjik për publikun e gjerë, në përpjekje jo vetëm për të kundërshtuar mllefin dhe toksicitetin pseudo-albanologjik, por edhe për t’i ofruar publikut, në trajtë të kuptueshme, arritjet më të mira të traditës albanologjike deri më sot.
Esetë dhe studimet nga Bardhyl Demiraj, Dhori Qiriazi, Aristotel Spiro, Mimoza Kore, Edon Qesari, Enkeleida Kapia dhe Marek Majer do të ndihmojnë lexuesin për t’u orientuar, përballë kritikave kaotike anti-albanologjike prej amatorëve; Ardian Vehbiu, që mbajti peshën kryesore në këtë ndërmarrje, edhe si autor edhe si bashkërendues dhe redaktor, vjen në këtë vëllim me një ese në trajtë ditari, meqë shkrimet e tij janë organizuar dhe do të dalin, këto ditë, si vëllim më vete (Përrallëtarët e gjuhës shqipe, Naimi).
Libri hapet me një shkrim të shkurtër, por thelbësor për nga rëndësia, të Eqrem Çabejt, i cili e ruan aktualitetin; njëlloj siç e ruan ai autor vendin e nderit në albanologjinë e këtyre 100 vjetëve të fundit. Nuk është rastësi, që pseudo-albanologët janë kujdesur ta mbajnë Çabejn në shënjestër, dhe ta rrëzojnë punën e tij si historian i gjuhës shqipe dhe veçanërisht si etimolog; prej Çabejt e ka pësuar edhe nxënësi i tij Kolec Topalli, autor i fjalorit etimologjik më të ri të shqipes. Edhe pse amatorë në fushë të gjuhësisë, detraktorët e kanë kuptuar, megjithatë, se vepra e Çabej mbetet guri i themelit i përpjekjes albanologjike, të paktën ndër shqiptarët.
Natyrisht, disa nga rezultatet e punës së këtij dijetari sot nuk qëndrojnë më, ngaqë dija historike-krahasuese ka evoluuar dhe ndërkohë kanë dalë në dritë zbulime, dokumente dhe metodologji të reja, të cilat ai vetë do t’i kish përqafuar. Por ajo çfarë trashëgon nga Çabej albanologjia shqipe është metoda shkencore e analizës kritike, e cila i sjell me vete edhe mundësitë vetë-korrigjuese; dhe që, të paktën në kulturën shqiptare, u tregua vendimtare për ta nxjerrë gjuhësinë historike nga ideologjia dhe subjektivizmi, dhe për ta përfshirë në hapësirën e dijes së shëndoshë racionale moderne dhe bashkëkohore. Ashtu mund ta përfytyroj, në parim, një ndjekës besnik të Çabejt që tani të mos pajtohet me një numër të madh të zgjidhjeve dhe të pozicioneve të tij; njëlloj siç nuk pajtohej Çabej me shumë rezultate e përfundime të mësuesit të tij, Joklit. Këtë nuk arrijnë dhe nuk do të arrijnë kurrë ta kuptojnë turbologët, gjë që i bën të padenjë për t’u marrë seriozisht si kundërshtarë në tryezat e debateve.
Në këtë vëllim, Bardhyl Demiraj përfaqësohet me disa ese solide, ku parashtrohet më një anë gjendja e sotme e studimeve në fushë të gjuhës dhe të origjinës shqiptare; dhe më anë tjetër, parimet dhe metoda e etimologjisë si shkencë, përballë alkimisë që vjen prej pseudo-albanologëve. Aristotel Spiron e shqetëson rreziku ideologjik i diskursit alternativ për shqipen, pjesë e një diskursi të gjerë, përjashtues, me trajta dhe tone fashiste dhe raciste, shpesh duke i huazuar nga autorë të komprometuar të së shkuarës; Edon Qesari ndalet në aspektet metodologjike të gjuhësisë si dije “historike” dhe pastaj, së bashku me Enkelejda Kapinë dhe Marek Majerin, shpjegojnë qasjen e deritashme dhe qasjen e duhur ndaj artikullit të botuar në revistën “Science”, të cilin pseudo-albanologët e përshëndetën si fëmijë, pa e kuptuar (fare). Dhori Q. Qirjazi ndalet me hollësi në marrëdhëniet e teorisë pellazgjike dhe përplasjeve ideologjike greko-shqiptare, gjatë shekullit XIX dhe më pas. Teorisë pellazgjike i kushton një ese edhe Mimoza Kore, për të vazhduar pastaj me hedhjen poshtë kategorike, siç bën edhe B. Demiraj në një ese të vetën, të pretendimit pseudo-albanologjik për Çabejn si etimolog ksenofil dhe si të prirur për të gjetur vend e pa vend huazime në shqipen. Ardian Vehbiu, në “ditarin” e vet, rrëfen disa episode të përplasjeve me detraktorët e albanologjisë dhe folk-etimologët, për t’u ndalur pastaj në një refleksion më të gjerë, rreth përgjegjësisë që mbajnë elitat kulturore shqiptare, përballë dukurisë së përhapjes aq virulente të teorive dhe hipotezave pseudologjike të cilat janë, në masë të madhe, të pambrojtshme.
Teksa revista “Peizazhe të fjalës” ishte angazhuar tashmë prej muajsh në përpjekjen për t’u bërë ballë sulmeve prej pseudo-albanologëve, u nis një lëvizje kolektive në Tiranë dhe gjetiu, për të nënshkruar një peticion, i cili i bënte thirrje Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, Agjencisë për Media dhe Informim, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), për të mos lejuar që mediat të shndërrohen në tribunë dhe megafon të informacionit jo-shkencor dhe teorive të konspiracionit lidhur me gjuhën shqipe, historinë e saj dhe albanologjinë.
Edhe pse gjeti mirëkuptim dhe përkrahje nga shumë studiues, punonjës të mediave, studentë dhe qytetarë të tjerë, peticioni nuk trajtoi një aspekt thelbësor të dukurisë pseudo-albanologjike – dhe pikërisht faktin që përgjegjësia për suksesin e asaj ndërmarrjeje të tillë populiste, por të nivelit të ulët shkencor u binte jo vetëm mediave dhe operatorëve televizivë që u hapnin vend këtyre personazheve shpesh folklorike dhe akuzave të tyre tejet toksike ndaj institucioneve; por edhe një mase relativisht të madhe intelektualësh, ideologësh dhe publicistësh, të cilët i kishin toleruar, dhe vazhdojnë t’i tolerojnë pseudo-albanologët, me pretekstin se pretendimet e tyre i vlejnë, qoftë edhe vetëm për nga patosi, çështjes kombëtare. Për fat të keq, të tillë ishin edhe një pjesë e nënshkruesve të peticionit; mes të cilëve gjeje edhe gazetarë televizivë, që deri dje i ftonin pseudologët në emisionet e tyre! Për këtë arsye, siç e shpjegon në “ditarin” e vet, autori i këtyre radhëve – një nga zërat më aktivë në debatin me albanologët alternativë dhe më të angazhuar në çmontimin e miteve që këta përcillnin me narrativat e tyre – refuzoi ta nënshkruante peticionin.
Studimet dhe esetë e përmbledhura në këtë vëllim janë edhe provë se, kur krijohen mjedisi dhe rrethanat e duhura, edhe albanologjia – fushë tradicionalisht abstrakte dhe teknike – është në gjendje t’i flasë lexuesit të gjerë, nga faqet e një reviste intelektuale, por jo akademike dhe as të specializuar. Të botuara në “Peizazhe të fjalës”, këto kontribute u ndoqën me interes të madh nga lexuesit online; tani, të mbledhura në një vëllim dhe në një kontekst të ri më të përshtatshëm për lexuesin serioz, janë gati të fillojnë një jetë të dytë, në duart e studiuesve, studentëve, intelektualëve, publicistëve dhe të gjithë atyre që interesohen për historinë e gjuhës shqipe.
Falënderoj, me këtë rast, fondacionin “Fan Noli”, që e mbështeti revistën në këtë ndërmarrje; mikun dhe kolegun Naim Zoto që e kuptoi ndoshta i pari nevojën për këtë lloj komunikimi me lexuesin dhe rëndësinë e tij; të gjithë kolegët që dërguan shkrime në revistën “Peizazhe të fjalës” dhe e mbajtën gjallë debatin, për të treguar që albanologjia nuk është as dije e vdekur, as liturgji, por përpjekje e gjallë dhe e përditësueshme, në gjendje të përfitojë nga arritjet botërore dhe me perspektiva të qarta se çfarë mund e duhet bërë për shqipen; Elona Pirën, që mbikëqyri dora-dorës procesin e përpunimit, të redaktimit dhe të botimit të shkrimeve në revistë dhe lajmërimit të tyre në mediat sociale; dhe të gjithë ata lexues që kontribuuan me komentet e tyre në diskutim a që i bashkëndanë këto materiale në faqet e tyre.
Shpresoj gjithashtu që botime të tilla të shërbejnë, sado pak, për të mbyllur hendekun mes dijes, ashtu siç bëhet dhe botohet në mjedise të specializuara, dhe dijes që i jepet publikut të interesuar, por të paspecializuar. Konflikti i sotëm me pseudo-albanologët është edhe luftë për ta bindur lexuesit dhe publikun në përgjithësi se cilave zëra u duhet besuar. Kohët janë të tilla, që fitorja e dijes së mirëfilltë, akademisë dhe racionalizmit nuk është aspak e garantuar; çfarë na bën të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi.
Ardian Vehbiu
Tiranë, 5 tetor 2024
(Parathënia e vëllimit)