Lexoj se në zonën e Liqenit Bashplemi në Gjeorgji (Kaukaz) qenka zbuluar tani vonë një tabletë a pllakëz prej bazalti, me një mbishkrim në shtatë rreshta të një sistemi shkrimor të paidentifikueshëm[1]. Mbishkrimi artikulohet në 60 shenja, prej të cilave 39 të ndryshme mes tyre; dhe sipas hulumtuesve, ky skript i ka disa ngjashmëri me format e shkruara të gjuhëve fqinje. “Shumica e simboleve që përdoren atje,” shkruajnë ata, “u ngjajnë skripteve të tjera në Lindjen e Mesme, si dhe atyre në vende gjeografikisht të largëta, si India, Egjipti dhe Iberia Perëndimore.” Mund të jetë fjala për një alfabet, me 39 shenja, disa prej të cilave mund të jenë numra ose shenja pikësimi; dhe që i ngjan më shumë skriptit proto-kartvelian, nga mijëvjeçari i katërt p.e.s., por tek-tuk edhe alfabeteve të fenikishtes, aramaikishtes dhe greqishtes.
Lajmi më tërhoqi vëmendjen, sepse aty lexova edhe për ngjashmëritë mes simboleve të panjohura në tabletë, dhe atyre nga skripte të tjera kaukaziane – të tilla si “Georgian Mrglovani or Albanian alphabets” (citoj nga origjinali), dhe sakaq mendova se kjo nuk do të duhej t’u shpëtonte alternativëve, atyre që prej vitesh rrëfejnë për “alfabetin pellazgjik” dhe alfabetet e tjera të lashta të shqipes; paçka se teksti i identifikon ata të dy si “early Caucasian scripts”; dhe qartazi i referohet Albanisë së Kaukazit, një krahinë gjeografike pa lidhje me Albaninë tonë, që shtrihej dikur në Kaukaz, kryesisht atje ku sot gjendet Azerbaixhani.
Vetë emri i krahinës, Albania, mendohet si vjen nga greqishtja e vjetër Ἀλβανία dhe pastaj latinishtja Albanía, të cilat patën përkthyer keq një emër të armenishtes. Sipas burimeve armene, albanishtja që flitej në këtë rajon, e njohur edhe si gjuha Udi, u pat shkruar me një alfabet të krijuar nga i njëjti Mesrop Mashtots, murg teolog dhe përkthyes armen, që krijoi skriptet për armenishten dhe, për disa historianë, edhe për gjeorgjishten, dikur në shekullin V të e.s. Skripti i albanishtes së Kaukazit mendohej si i humbur, derisa dolën në dritë disa mbishkrime me të, gjatë gërmimeve arkeologjike në vitet 1947-1952. Për t’u mbajtur parasysh se kjo albanishte e Kaukazit, ndryshe nga armenishtja fqinjë, nuk është gjuhë indoeuropiane, por i përket një bashkësie që përfshin tri familjet gjuhësore specifike për zonën e Kaukazit, të njohur ndryshe edhe si bashkësia e gjuhëve ibero-kaukaziane. Pjesa e parë e këtij emri, që i referohet emrit gjeografik Iberia, dhe një entiteti politik të njohur si Mbretëria e Iberisë, një shtet fqinjë i Albanisë së Kaukazit dhe i Armenisë; në thelb pararendëse e Mbretërisë së Gjeorgjisë, në Mesjetë. Historianët mendojnë se, edhe në këtë rast, Iberia e Kaukazit nuk ka ndonjë lidhje me Iberinë Perëndimore ose Gadishullin Iberik (Spanjën); emri i kësaj të fundit nxirret zakonisht nga emri i lumit Ebro (Ibēros në greqishten e vjetër dhe Ibērus në latinishte); vetë termi iberishte i referohet një gjuhe – përndryshe të panjohur – që flitej në gadishull dhe që mund të ketë qenë e afërt me baskishten, një gjuhë jo-indoeuropiane. Për t’u shënuar se ndonjë studiues nuk ka munguar të gjejë lidhje mes baskishtes së Spanjës dhe gjuhëve të Kaukazit (veçanërisht gjeorgjishtes), por kjo nuk është se vendos, automatikisht, ndonjë marrëdhënie të mirëfilltë mes dy Iberive, asaj të Lindjes dhe asaj të Perëndimit.
Një historian sot mund të intrigohej nga homonimia mes Albanisë së Ballkanit dhe Albanisë së Kaukazit, por njëherazi do të mund ta konfirmonte shumë shpejt – edhe po të mos e kish ditur – se mes këtyre dy vendeve, dy popujve dhe dy gjuhëve nuk ka ndonjë lidhje të denjë për vëmendje. Emri Albania, për krahinën buzë Adriatikut, ka filluar të përdoret relativisht vonë; sidoqë mendohet se rrjedh prej emrit Albanoi me të cilin quheshin banorët e atjeshëm në burimet bizantine; këtë e kanë lidhur me fisin ilir të albanoi-ve dhe qendrën e tyre Albanopolis, të përmendur nga Ptolemeu i Aleksandrisë, në shekullin II të erës sonë. Shih për këtë më gjerë te një artikull tani së fundi nga Aurel Plasari (Plasari, Aurel (2020). “The Albanians in attestations from late antiquity until the early Middle Ages“. Albanian Studies. 2. Academy of Sciences of Albania.)
Në çdo rast, shumë gjuhë të Europës vazhdojnë ta quajnë vendin Albania dhe banorin Albanian, albanais, etj., në një kohë që shqipja ka adoptuar tashmë etnonimin tjetër, shqiptar, dhe emrin e vendit Shqipëri, çfarë krijon ndonjëherë pështjellim në përkthimet; meqë kuptimisht shqiptar dhe albanese (p.sh.) nuk përkojnë – për ç’arsye shqipja librore vazhdon të përdorë edhe emrat arbër, arbëresh, arbëror dhe Arbëri, për t’iu referuar një periudhe historike kur emrat shqiptar dhe Shqipëri ende nuk kishin hyrë në gjuhë dhe në kulturë.
Nëse për italianin Albania e Kaukazit dhe Albania e Ballkanit janë homonime, kjo nuk i bën dy fjalët homonime edhe për ne që flasim shqip, paçka se jemi të vetëdijshëm që ato janë të tilla në shumë gjuhë europiane. Përndryshe, do të gabojmë siç ka bërë përkthyesi shqip i romanit Baudolino të Umberto Ecos, në një hartë që gjendet në libër ku Albania e Kaukazit është “përkthyer” si Shqipëria. Këtë lapsus kurioz ma pat sinjalizuar dikur Artan Shkreli, i cili më dërgoi edhe hartën nga versioni shqip i romanit. Natyrisht ka një Albania në Kaukaz, siç ka një Albania në Ballkan; por kjo nuk do të thotë se duhet të ketë një Shqipëri në Kaukaz, thjesht ngaqë ka një Shqipëri në Ballkan.
Lajthitja logjike që bëjmë, kur ngatërrojmë dy Albanitë, është tipike për mendimin albanologjik alternativ, i cili tani ka gjetur vend në portalet, televizionet dhe rrjetet sociale; mendim i cili i përdor koincidencat e thjeshta, mekanike, si pikënisje për hipoteza të prejardhjes dhe të origjinës. Ka njerëz të paditur, amatorë dhe me intelekt aq të kufizuar, sa të mos jenë në gjendje as të dallojnë caqet natyrale të mendjes së tyre, që nuk arrijnë ta rrokin parimin elementar të arbitraritetit të shenjës gjuhësore, dhe që përkimet formale në fjalë mes gjuhëve të ndryshme i shohin detyrimisht si prova shkëmbimesh gjuhësore (zakonisht me drejtimin nga shqipja drejt gjuhëve të tjera).
Ky përkim i pat frymëzuar disa historianë që ta përsiatnin hipotezën e prejardhjes së shqiptarëve modernë nga Albania e Kaukazit; hipoteza, e mbështetur mbi homoniminë, gjeti një farë jehone në qarqet nacionaliste të fqinjëve grekë dhe serbë, ku u përdor për të delegjitimuar praninë e shqiptarëve në Ballkan, si një popull të paktën po aq hershëm këtu sa edhe grekët, dhe gjithsesi shumë më i hershëm se sllavët (serbët dhe bullgarët). Thonë se sot e kësaj dite ndesh serbë dhe grekë, por jo vetëm, që i besojnë ende këtij shpjegimi, që ka marrë tani status folklorik, ndoshta ngaqë zuri vend mirë në vizionin nacionalist-mitik grekomadh dhe pastaj serbomadh për Ballkanin post-otoman, ku nuk mbetej vend për shqiptarët.
Këtu do të shfaqen pastaj edhe ata autorë të tjerë, edhe ata përgjithësisht joseriozë por jo detyrimisht shovinistë, që praninë e “albanëve” në Kaukaz dhe gjetiu në Lindje deri në Afganistan duan të shpjegojnë me ushtarët që luftuan në fushatat e Aleksandrit të Madh, duke ia ndërruar kahun lëvizjes – meqë këtë herë paskëshin qenë ilirët ose popuj të tjerë të hershëm të Ballkanit të lashtë që u zhvendosën nga Perëndimi në Lindje.
Mbase ia vlen të përmendet, në këtë kontekst, edhe hipoteza e fundit, e mbështetur nga artikulli aq i përfolur i revistës “Science”, sipas së cilës kishte një indoeuropianishte të përbashkët që flitej diku në Jug të Kaukazit diçka si 8000 vjet më parë, prej së cilës degët e shqipes, greqishtes, armenishtes dhe të gjuhëve anatolike u shkëputën më herët, për të filluar zhvendosjen drejt Perëndimit. Pa u futur në diskutim rreth soliditetit të kësaj hipoteze dhe pritjes së saj nga indoeuropianistika, vetëm dua të vë në dukje se të paktën forma e saj narrative zë në gojë edhe Kaukazin edhe armenishten (dhe Armeninë); çfarë në një farë mënyre – që do ta quaja formulaike – risjell në vëmendje Albaninë e Kaukazit dhe marrëdhëniet e saj me armenët nga njëra anë dhe grekët nga ana tjetër, dhe këtë zhvendosje të stërgjyshërve të shqiptarëve nga Kaukazi atje ku gjenden sot. Këto konjektura natyrisht dështojnë, ngaqë nuk marrin parasysh kronologjinë, edhe absolute edhe relative; por megjithatë jo pa arritur të përcjellin më parë një lloj fataliteti. Një arsye më tepër pse njeriu mund të thotë budallallëqe edhe kur është duke shqiptuar, pa e ditur as vetë, të vërteta.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.
[1] Ramaz SHENGELIA, Levan GORDEZIANI, Nikoloz TUSHABRAMISHVILI, Nodar POPORADZE, Othar ZOURABICHVILI DISCOVERY OF UNKNOWN SCRIPT SIGNS IN GEORGIA: THE BASHPLEMI LAKE TABLET, Journal of Ancient History and Archeology, no. 11-3, 2024.
Harta: Albania e Kaukazit, by User:Vacio – Own work, CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=5712311