Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

RRUGË DREJT DRITËS

Mbi ekspozitën “Road” të Arkond Canaj në Galerinë Babel në Paris

Si mësimdhënëse përballë një tabele të zezë, ndiej një lidhje të thellë me historinë e këtij mjeti të thjeshtë, që shkon përtej funksionit të tij praktik. Kur James Pillans shpiku tabelën e zezë për herë të parë, ndoshta nuk e kishte menduar se ajo do të bëhej telajo e parë moderne, një hapësirë për shprehjen e ideve dhe të mendimit në zhvillim. Në thelb, tabela e zezë është një pasqyrë e së kundërtës të fletës së bardhë të poetit, një kundërpeshë ku fjalët, idetë dhe konceptet formohen si mbi një skenë të errët.

Tabela e zezë është vendi ku çdo gjë fillon si e papërpunuar dhe formohet nga një vijë e bardhë, sikur çdo fjalë të jetë një akt krijimi. Çdo mendim që shkruhet me shkumës është i përkohshëm, i destinuar të fshihet. Por, pikërisht në këtë përkohësi gjendet thelbi i frymëzimit: asgjë nuk është e përhershme, dhe çdo gjë mund të ripërtërihet. Ndryshe nga faqja e bardhë e letërsisë, e cila shpesh kërkon mund metafizik dhe ankth vetjak për t’u mbushur, tabela e zezë pret guximin për të hedhur idetë pa frikë, duke e ditur se mund të korrigjohen, fshihen, e pastaj të rindërtohen.

© Arkond Canaj

Çdo shenjë mbi tabelë është një akt i vogël i historisë personale dhe kolektive. Aty ku mësimet e djeshme janë fshirë për të lënë vendin atyre të sotmeve, ndodh një cikël që na kujton se gjithçka në jetë është për t’u ribërë. Edhe ne si njerëz, në njëfarë mënyre, jemi si ajo vija e bardhë mbi sipërfaqen e zezë – gjithmonë në proces ndryshimi, gjithmonë në ndërtim të vetvetes, për t’u rishkruar dhe për të lënë gjurmën tonë të përkohshme në telajon e madhe të përbashkët.

Puna e Arkond Canaj dallohet për aftësinë e tij për të rikrijuar dialogun midis materialit dhe formës në artin abstrakt. Duke zgjedhur bitumin si materialin e tij kryesor, ky artist rimendon një substancë që zakonisht lidhet me infrastrukturën moderne, si rrugët, duke e vendosur atë në një gjuhë artistike thellësisht personale. Bitumi, i trashë dhe i zi, që formon thelbin e veprave të tij, shndërrohet këtu në një sipërfaqe të përshtatshme për soditje, ku shikuesi ftohet të zhytet në një thellësi të pamatshme, sikur sipëfaqja të ishte një lëng veshtullor.

Përdorimi i bitumit evokon një kontrast të fortë midis organikes dhe artificiales, mes njeriut dhe natyrës. Është një material i mirënjohur dhe i domosdoshëm në botën moderne dhe ndërtimin urban. Megjithatë, A.Canaj arrin ta përdorë për të shprehur nocione abstrakte si misterin, pafundësinë apo të panjohurën. E zeza e telajove të tij nuk është një mungesë ngjyre, por një prani e fuqishme që kap dhe tërheq vëmendjen e shikuesit. Kjo e zezë, kaq e thellë dhe e kudondodhur, evokon një humnerë, një lloj zbrazëtie që na nxit të pyesim për atë që qëndron përtej dukjes.

Në këtë kuptim, vepra e Arkond Canaj lidhet me një linjë artistësh që kanë ditur të eksplorojnë ngjyrën e zezë dhe domethëniet e saj. Pierre Soulages, një nga mjeshtrat e mëdhenj të artit abstrakt, kishte eksploruar më parë këtë thellësi, duke luajtur me materien dhe dritën në “të zezën-dritë”. Në të njëjtën mënyrë, A.Canaj përdor dendësinë e bitumit për të krijuar tekstura që kapin jo vetëm dritën, por edhe imagjinatën e atyre që i shohin. Sidoqoftë, përfshirja e një vije të bardhë në kompozimet e tij ofron një ndërprerje radikale, një kontrast mahnitës që tërheq menjëherë vëmendjen.

© Arkond Canaj

Kjo vijë që paraqitet si një brez, shpesh i perceptuar si një element i thjeshtë, shpejt shndërrohet në një çelës qendror për interpretimin e veprës së A. Canaj. Futja e tij në një mjedis kaq të errët dhe të strukturuar evokon disa metafora të mundshme. Nga pikëpamja estetike, lejon krijimin e një tensioni vizual që gjallëron gjithë kompozimin. Kjo vijë e drejtë bie në kontrast me trashësinë e parregullt të bitumit, duke krijuar një dikotomi midis pastërtisë dhe ashpërsisë, elementit natyror dhe ndërtimit (njerëzor).

Në një plan më simbolik, ky brez i bardhë mund të interpretohet si një rrugë, një shteg për t’u ndjekur në mes të kaosit dhe errësirës. Ai gjithashtu mund të sugjerojë një kufi, një vijë për t’u kaluar ose respektuar. Në kontekstin e historisë shqiptare, ku la damkë izolimi dhe lufta e klasave, kjo vijë e bardhë mund të shihet edhe si një plagë, një kujtesë për ndarjet e thella që kanë shënuar vendin dhe banorët e tij. Është një ndërprerje në telajo, një kalim mes dy botëve, një urë midis të shkuarës dhe të tashmes.

Lidhja midis këtij brezi të bardhë dhe rrugëve që Canaj ndoshta ka përshkuar në fëmijëri, e forcon këtë interpretim. Rrugët, simbol i udhëtimit, largimit dhe zbulimit, janë gjithnjë të pranishme në jetën moderne, por ato ngjallin edhe kujtime personale për artistin. Duke i rikrijuar ato në artin e tij, ai na fton të rimendojmë marrëdhënien tonë me lëvizjen, me zhvendosjen dhe me udhët që ndjekim në jetë. Vijat e bardha të rrugëve shndërrohen këtu në metafora të trajektoreve të jetës, të vendimeve të marra apo për t’u marrë, të drejtimeve për t’u ndjekur.

Resonanca e artit abstrakt të A. Canaj me kulturën shqiptare është po aq e rëndësishme. Si artist me origjinë nga Vlora, në bregdetin shqiptar, ai frymëzohet shumë nga peizazhi detar dhe nga përvojat e jetuara në zemër të ndryshimeve që ka përjetuar vendi. Shqipëria, e cila ka kaluar përmes transformimeve të shumta gjatë shekullit XX, nga diktatura komuniste deri tek hapja e vendit ndaj botës, është një terren i pasur për një reflektim artistik mbi modernitetin, traditën, kujtesën dhe identitetin. Duke integruar materiale të papërpunuara dhe forma të pastra, artisti shpreh, përmes veprave të tij, këtë tension të vazhdueshëm midis të vjetrës dhe të resë, midis asaj që mbetet dhe asaj që ndryshon.

Kështu, telajot e A. Canaj janë njëkohësisht sipërfaqe për t’u eksploruar dhe vende të kujtesës. Bitumi shndërrohet në një metaforë të rrugës, të udhëtimit dhe të transformimit, ndërsa brezi i bardhë simbolizon kalimet mes epokave të ndryshme, mes gjendjeve të ndryshme të qenies. Shikuesi, përballë këtij abstraksioni të dendur, po aq të prekshëm, ftohet të projektojë interpretimet e tij dhe të lejohet të udhëhiqet nga emocioni i papërpunuar që del nga këto vepra.

Në përfundim, arti i Arkond Canaj është shumë më tepër sesa një ushtrim formal mbi materialin dhe ngjyrën. Përmes përdorimit inovativ të bitumit dhe të brezit të bardhë, Canaj arrin të krijojë një art abstrakt thellësisht të rrënjosur në kohën e tij, duke lënë një hapësirë të madhe për interpretim dhe reflektim individual.


R O A D S
Arkond Canaj
5-20 tetor, 2024
Galerie BABEL 
15 rue Guénégaud 75006 Paris/ France
Kurator Rezart Jasa


© 2024 Alketa Spahiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë © Arkond Canaj.

Shkruani një Koment

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin