Gjatë një bisede të shpenguar, një “komshi” çadre në plazh me interesa albanologjike më shpjegoi se “arbëreshët (e Italisë) janë shqiptarët e vërtetë.” Nuk ishte e para herë që ma thonë këtë dhe as do të jetë e fundit: mite të tilla tashmë riprodhohen pa fré, në kuptimin që nuk ka çfarë t’i kundërshtojë; dhe aq më pak kultura reflekse (tek e fundit, ça të keqe ka?)
Jetojmë në kohët kur shumë shqiptarë obsesionohen me të shkuarën dhe bëjnë të tyret gjithfarë informacionesh dhe bindjesh dhe hipotezash të pasakta, shpesh të rreme. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, i përdorin këto pseudo-dije si premisa për të ngritur arsyetime dhe për të hyrë në debate.
Deluzioni i shqiptarëve të vërtetë, edhe pavarësisht nga arbëreshët, parakupton se ka shqiptarë “të vërtetë” dhe “të pavërtetë” – këta të fundit nënprodukt i ndonjë aksidenti historik, ende të ndreqshëm. Ideja këtu është se cilësia e identitetit tonë etnik (nuk po e quaj “kombëtar”) ka ardhur duke u prishur deri në jetërsim; dhe se ne të sotmit, që e quajmë veten “shqiptarë”, jemi, në fakt, viktima të një rënieje, me konotacione biblike – meqë edhe ne dikur kemi mëkatuar, duke u larguar nga vetvetja. Ose thelbi i vetvetes…
Arbëreshët, që në narrativën kombëtariste janë ata “shqiptarë” që u larguan nga “Shqipëria” për t’i shpëtuar “turkut”, dhe gjetën strehë në brigjet përbri, i shtojnë një element të ri identitetit të “shqiptarëve të vërtetë” – sepse këta e lanë atdheun e tyre para se ky të pushtohej prej Perandorisë Osmane dhe të fillonte islamizimi, ose konvertimi i një pjese të shqiptarëve në Islam. Sipas kësaj narrative, që i sheh arbëreshët si “shqiptarë të vërtetë”, atëherë kalimi i shqiptarëve të tjerë nga të vërtetë në të pavërtetë i detyrohet shekujve të kaluar nën sundimin osman; kohë gjatë së cilës ndodhën gjëra të tilla si konvertimi në Islam, hyrja e “turqizmave” në shqipe dhe adoptimi i një kulture “orientale”.
Perspektiva sipas së cilës “rënia” e shqiptarit nga vërtetësia në pavërtetësi i detyrohet kontaminimit me Islam, është e krishterë folklorike naive, edhe kur nuk duket e tillë. Ndonëse jo gjithnjë, këmbëngulja për “shqiptarë të vërtetë”, nënkupton një dëshirë, një aspiratë në mos vullnet, për t’u kthyer tek “e vërteta” nëpërmjet konvertimit a braktisjes masive të Islamit prej shqiptarëve, operacion që tingëllon si të jetë projektuar në makthe kryqtarësh të Mesjetës.[1]
Për arbrit e periudhës para-osmane historianët nuk dinë shumë; përtej kronikave të skënderbejadës dhe të përpjekjeve të tjera për të penguar vërshimin osman drejt Perëndimit dhe disa pemëve gjenealogjike të familjeve feudale. Dihet edhe se shqiptarët e sotëm janë vazhdues të atyre arbërve, njëlloj si janë vazhdues të atyre arbërve arbëreshët e Italisë dhe arbërorët e Greqisë, ose arvanitët. Të tri këto degë kanë pësuar ndryshime, pas shekujve XIV-XVI, por për mungesë kontaktesh, kanë ndryshuar në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.[2]
Arbëreshët në Itali e kultivojnë, prej të paktën dy shekujsh, mitin se ata janë vazhdues besnikë të arbërve që u larguan nga trojet e tyre në Ballkan, për t’u vendosur në Itali; duke e lidhur identitetin e tyre etnik me “Motin e madh”, “Skënderbeun” dhe epopenë e luftërave kundër “qenit turk”. Nuk ka ndonjë arsye të merret kjo legjendë si dëshmi e së vërtetës historike. Historianët dhe gjuhëtarët që janë marrë me këtë punë kanë vënë dukje se pjesa më e madhe e arbëreshëve vijnë nga troje të Shqipërisë së Jugut dhe të Çamërisë, që nuk e përjetuan nga afër skënderbejadën; se shumë syresh e kanë kapërcyer detin për arsye ekonomike (që mund të kenë pasur lidhje me pushtimin osman, por jo patjetër); se shumë nga arbëreshët kanë mërguar në Itali nga Moreja (Peloponezi), jo nga trojet që jemi mësuar t’i këqyrim sot si “shqiptare”.
Një pjesë e arbëreshëve me kohë u asimiluan në popullsitë vendëse; një pjesë tjetër e ruajti identitetin etnik që kish sjellë nga Ballkani. Kjo ruajtje, që disa e shohin si virtyt heroik, me gjasë ka të bëjë me shumë me identitetin fetar të arbëreshëve, në masë të madhe katolikë të ritit bizantin, ndryshe nga popullsitë “italiane” në fqinjësi me ta. Unë besoj që Kisha, si institucioni më autoritar dhe i veneruar në komunitetet arbëreshe, luajti rol vendimtar në kultivimin e identitetit dhe të mitit “arbëresh”, edhe ngaqë ky identitet i përveçëm i shërbente mbijetesës së kishës vetë. Në çdo rast, arbëreshët e sotëm janë një kombinim i ruajtjes dhe i risisë; këtë e dëshmojnë edhe të folmet e tyre, edhe zakonet, edhe folklori, edhe institucionet. Dallojnë prej shqiptarëve të Ballkanit jo vetëm ngaqë kanë ruajtur gjëra që shqiptarët e Ballkanit i kanë ndryshuar; por edhe ngaqë kanë ndryshuar gjëra që shqiptarët e Ballkanit i kanë ruajtur. Për ta thënë me një kakofoni, shqiptarët dhe arbëreshët kanë ndryshuar ndryshe.
Më tej, të thuash që “arbëreshët janë shqiptarët e vërtetë”, parakupton se arbëreshët janë shqiptarë, gjë që nuk mund të merret si e mirëqenë, madje që ka nevojë për t’u sqaruar me kujdes. Është dëshmuar që arbrit e Ballkanit para-osman filluan të quajnë veten “shqiptarë” dikur gjatë shekullit XVIII, për arsye që ende nuk janë kthjelluar mirë. Arbëneshët e Dalmacisë, që u larguan nga Kraja për të themeluar një ngulim afër Zarës (Arbanasi) dikur në fillim të shekullit XVIII, nuk e njihnin fjalën “shqiptar”; dhe aq më pak e njihnin atë fjalë arbëreshët e Italisë dhe arvanitët.[3] Nga kjo perspektivë, arbëreshët e Italisë dhe arvanitët janë arbër jo shqiptarë; sepse identiteti shqiptar, që i bashkëlidhet emrit etnik shqiptar, u kristalizua gati dy shekuj pas largimit të tyre, si pasojë rrethanash dhe shndërrimesh historike, demografike dhe kulturore, në të cilat arbëreshët dhe arvanitët nuk morën pjesë.[4] Disa shqetësohen kur ua thua këtë; por kjo u vjen nga mendjengushtësia.
Çështjen këtu e ndërlikon një konflikt mes ekzonimit Albanese, Albanais, Albanian dhe endonimit shqiptar. Shumë gjuhë dhe kultura europiane i njohin edhe shqiptarët, edhe arbrit, si Albanesi; arbëreshët e Italisë quhen, prej italianëve Albanesi, me të njëjtin emër si ne të Ballkanit. Etnonimi shqiptar, që ne përdorim për t’u identifikuar si popull, nuk njihet jashtë shqipes (me ndonjë përjashtim që nuk ngre peshë në diskutimin e këtushëm). Ndodh rëndom që kur përkthehen tekste nga italishtja, por edhe nga gjuhë të tjera, fjalë si Albanese, Albanian etj. të përkthehen automatikisht si “shqiptar” – madje edhe kur flitet për arbrit e Mesjetës dhe arbëreshët e Italisë. Ashtu, emrin e gazetës së njohur të De Radës, “L’Albanese d’Italia”, të themeluar në 1848, e sheh rëndom të përkthyer si “Shqiptari i Italisë”. Kjo pasaktësi shpesh nuk bën dëm; por në kontekste diskursesh historike dhe identitare, mund të bëhet shkas për rrafshime të panevojshme dhe të mbështetë mite të pavërteta.
Për ta mbyllur, miti i arbëreshëve si “shqiptarët e vërtetë” nuk ka bazë: (1) sepse vetë koncepti i shqiptarit të vërtetë nuk ka kuptim as historik, as sociologjik, as kulturor; (2) sepse supozimi që shqiptarët “e vërtetë” (të pastër, të mirëfilltë) i gjen në të shkuarën është i pambrojtshëm; (3) sepse ideja e “rënies” (biblike) të shqiptarëve, për shkak të kontaminimit osman/islamik i përket folklorit të krishterë; (4) sepse arbëreshët e sotëm dhe shqiptarët janë vazhdime të etnisë së Arbrit në Mesjetë, por që kanë ndjekur rrugë të ndryshme historike, duke ndryshuar ndryshe; (5) sepse identiteti “shqiptar”, i shprehur nëpërmjet etnonimit shqiptar, u përftua në arbrit e Ballkanit të paktën dy shekuj pas emigrimit të arbëreshëve, dhe nuk ka asnjë gjurmë të tij në ngulimet e këtyre të fundit; (6) sepse identiteti kombëtar i çdo populli nuk themelohet vetëm mbi çfarë është ruajtur nga e shkuara, por edhe mbi çfarë është adoptuar si risi, në rrjedhë të shekujve.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
[1] Nuk e kam fjalën për konvertimin e lirë personal, familjar ose edhe të një komuniteti si shprehje elementare e lirisë së besimit; por de-konvertimin e frymëzuar ideologjikisht, nga bindja se kthimi në fenë e të parëve do të sjellë ndonjë lloj “shelbimi” madhor; ose nga predikimi i këtij shndërrimi për oportunitet politik, si një reformë e domosdoshme, në rrugën e shqiptarit drejt Europës.
[2] Para se të fillonte emigrimi masiv drejt Greqisë së Jugut dhe ishujve, dhe pastaj Italisë së Jugut, arbrit ishin formuar tashmë si popull; por duke zgjeruar territorin e tyre, ata edhe përjetuan një dobësim dhe deri edhe zhdukje të komunikimit mes tyre. Arbri që jetonte, të themi, në Peloponez nuk do të komunikonte më me arbrin që jetonte në rrafshin e Dukagjinit. Le të mbajmë parasysh se në atë kohë – në shekujt XI-XIV, nuk kishte as shtet të konsoliduar të Arbrit, as institucione të njësuara, as shkollë shqipe (po e quaj kështu për lehtësi) dhe as kishë që të përdorte shqipen si gjuhë liturgjike, siç nuk ishte as shkrim dhe as kulturë që të qarkullonte nga një vis në tjetrin; mungonin pikërisht ata faktorë që sot garantojnë njësimin identitar të shqiptarëve, kudo ku jetojnë në Ballkan. Kujtesa historike përdorte rrugë të tjera, shpesh të pakuptueshme për ne sot. Sa për të sjellë një shembull, Cikli i Kreshnikëve nuk ruan gjurmë të viteve të Skënderbeut dhe të luftërave kundër osmanëve. Për arsye të ngjashme, më duket e pagjasë që arbrit në Peloponez të kishin dëgjuar masivisht për çfarë po ndodhte në Arbëri në vitet 1444-1478. Mund të supozohet se edhe gjuha që flisnin arbrit aso kohe ishte e ndarë në dialekte që filluan të mos komunikonin mes tyre, çfarë krijoi truall të përshtatshëm për diferencime ndonjëherë të mëdha; madje edhe sikur të mos ketë bazë modeli i Stadtmüller-it, për eksplozionin demografik të arbërve në Mesjetë.
[3] Shih për këtë edhe studimin tim EMRI I SHQIPTARËVE NË ALBANIA VENETA – Peizazhe të fjalës
[4] Këtu dhe gjetiu i referohem, për natyrën e ndërrimit të etnonimit, monografisë Shqiptar dhe shqa: histori popujsh përmes dy emrave etnikë, të Bardhyl Demirajt (Naimi, Tiranë 2014). Megjithatë, për këtë ka literaturë të gjerë, me kontribute të vyera nga Çabej te Myderrizi, Sedaj, Ismaili, Shaban Demiraj dhe Bardhyl Demiraj. Lexoni edhe këtu:
Shqipi i Da Lecce-s
Edhe një herë për etnonimin “shqiptar” dhe fjalën “shqip”
Vendbanimet shqiptare në mesjetën e hershme
Emri i shqiptarëve në Albania Veneta
Cili shqiptar?
Për një synopsis të literaturës:
Rreth emrit shqiptar
Arsye-ja e largimit nga Arbëria e arbërorve, të periudhës së Skënderbeut,
përsëritet si fenomen largimi; ndërsa 500 vjetë më parë thuhet se ishte largimi prej pushtimit otoman, sot do jetë ndonji arsye që largohen nga Shqipëria e shqipeve, pra vetëm shfaqja e arsyes së largimit ndryshon. Sipas periudhave, kemi arsyet e largimit fizik, si fillim ndryshimi, pamvarsishtë se ku ndodhet gjuha e folur e subjektit/popull ndryshon. Ndryshimi nuk ndalon së ndryshuari. Gjuha ndryshon. Njerzit ndryshojnë. E vetmja gjë që s’ndryshon është premisa e ndryshimit ngelet për gjithnji në ndryshim. Ndryshimi është i përhershëm, gjithkundë e gjithkënd, mbi/nën çdo gjë. E vërteta është ndryshim.
Mendoj se sè pari , kur hap nje debat i tille mbi ” shqiptaret e vertete” , duhet sqaruar se çfare eshte kombi dhe identiteti kombetar , cilat jane tiparet e kombit dhe elementet e percaktimit te identitetit kombetar dhe a eshte identiteti diçka esencialisht i pandryshuar ?
Rendom flitet per ” shpirtin e kombit”. A ka nje ” shpirt kombetar” ? Gjithashtu ne narrativat kombetariste i meshohet konceptit te ” gjakut ” ( jemi gjak shqiptar; gjaku i shprishur i Arberit etj.)
Identiteti kombetar eshte vetedije, ndjesi mbi perkatesine e perbashket me nje komb dhe perfshin te tashmen dhe te shkuaren e imagjinuar, te ruajtur ne kujtese dhe narrativat( orale dhe e shkruara)
Kjo vetedije ( subjektive)mbi perkatesine ngrihet mbi elemente objektive si gjuha, historia, feja, kultura, tradita e perbashket.
Me pelqen shume percaktimi B. Andersen se ” Kombet jane komunitete te imagjinuara”. Gjuha dhe sidomos ajo e shkruar, shtypshkrimi, behet mbartes dhe ushqyes i narrativave, kujtimeve, historise dhe krijimit te kombit te imagjinuar.
Fakti qe gjuha shqipe- shenja e identitetit kombetar- nuk u shkrua, eshte mekati me i madh dhe shkaku i zgjimit tone te vonet kombetar dhe dobesise se ndjenjes kombetare deri ne shpalljen e Pavaresise 1912.
Ne kete kendveshtrim, arbereshet pasi u larguan, ruajten gjuhen dhe kujtesen por nuk perjetuan te njejtin proçes historik me arberit e mbetur te cilet luftuan kunder turkut( Skenderbeu) u konvertuan ne islam ( nje pjese), vazhduan me kryengritjet sporadike dhe sidomos Rilindjen kombetare , si proçes i zgjimit kombetar.
Arbereshet vinin nga Peloponezi ( Morea) por edhe nga Himara dhe shteti arberor i Skenderbeut. Nderkohe nje nga vatrat e Rilindjes ishin pikerisht arbereshet. Madje ata evokuan te paret mitin e Motit te madh dhe Skenderbeun. A ishin ata mè ” shqiptare” se shqiptaret e Arberise ne shek. 17? Elita e arberesheve deri diku, po, ishte ” me shqiptare” se arberit qe po ndryshonin fene dhe emrin.
Nga ana tjeter Rilindja jone, sikurse thekson A. Fuga, me shume ishte nje proçes virtual, letrar. Popullsia ishte analfabete dhe krahinat te izoluara dhe ne keto kushte procesi formesimit te kombit/ vetedijes kombetare mbeti nje proces i pa strukturuar dhe koaguluar ne te gjitha shtresat e popullsise.
Madje Fuga thote se Rilindasit e strukturuan kombin mbi gjuhen si shenje identitare dhe jo mbi diçka spirituale. Prandaj shqiptaret kane nje ndjenje kombetare te dobet, me shume pragmatiste sesa idealiste dhe spirituale.
Diskursin e ” shqiptareve te vertete” me teper e yshtin intelektualet katolike ( laike e fetare) dhe komentuesit ( ne rrjetet sociale dhe forume- Forumi shqiptar psh vite me pare ndezi nje debat te gjate).
Arbereshet e Italise , ndryshe nga arvanitet, ruajten kujtesen e memedheut , gjuhen dhe traditat por nuk u ” inxhineruan” ne te njejtat proçese hisorike per pese shekuj sikurse shqiptret postarberore. ( 1400- 1900)
Arvanitasit e Greqise ruajten gjuhen deri diku por besimi i njejte ortodoks me greket dhe narrativat greke mbi kulturen dhe historine, u fshihu kujtimet dhe kontaktet me pjesen tjeter te etnise arberore/ shqiptare. Per pasoje ata humben dhe vetedijen mbi identitetin e tyre etnik te dallueshem nga greket. Edhe pse me gjuhe te dallueshme nga greket, pjesmarrja bashke me ta ne te njejtin proçes historik dhe besimi njejte, ndikuan ne krijimin e identitetit te tyre grek .
Me krijimin e shtetit komb, shteti permes propagandes, shkolles, gazetave ngulit narrativen mbi kombin dhe formeson me tej identitetin kombetar .
Shqiptari i shek 21 me shqiptarin e vitit 1700 , 1878 apo 1912 nuk eshte i njejte. E megjithate disa konstante te ndryshueshme i bejne te njejte ne sensin e identitetit kombetar. Nje doze esencializmi eshte e pashmangshme.
Shkruan:
Nuk bindem. Gjuhën e ruajtën sepse nuk kishin si ta çmësonin – gjuhën e ruan analfabetizmi dhe izolimi. Sot që këto nuk veprojnë më, gjuha po bjerret me shpejtësi, me gjithë përpjekjet e elitave.
Kujtesën? Je i sigurt që e ruajtën? Nuk kam parë prova për këtë. Kujtesa edhe mbillet, edhe kultivohet – elitat kanë luajtur një rol këtu, kisha gjithashtu.
Folklori që përmban dëshmi të “Motit të madh” më duket i sajuar më pas, produkt i një forme ossianizmi. Dhe më duket kështu, sepse kam lexuar edhe Arshi Pipën, edhe Shuteriqin, edhe ndonjë autor tjetër që e shpjegon këtë.
Kujtesa historike e arbëreshëve është po aq e imagjinuar sa edhe identiteti i tyre kombëtar (gjithnjë sipas Henderson-it).
Them se ky qëndrim, që i admiron arbëreshët se “kanë ruajtur këtë dhe atë”, nuk është racional por emocional. Disa intelektualë të tyre meritojnë të admirohen – sepse i kanë parë gjërat qartë.
Por të mos harrojmë se arbëreshët e Italisë mbeten bizantinë; dhe nuk e them këtë me kuptim keqësues, por vetëm për të treguar se nuk mund të shpjegohen jashtë kontekstit kulturor të Bizantit.
Nuk më duket korrekte që, në këtë nivel diskutimi, t’i quajmë arbëreshët “shqiptarë”. Kur filloi të përdoret etnonimi “shqiptar”, arbëreshët ishin larguar tashmë.