(Ky varg intervistash me autor gazetarin Eno Shkëmbi dhe bashkëpunëtor gazetarin Artan Dokuzi është publikuar më parë në gazetën “Start”, një media jo më e pranishme në hapësirën online. Intervistat e kanë pikënisjen në fund të 2012-ës dhe kanë vijuar përgjatë vitit 2013. Qëllimi ishte të sillej një kolanë idesh e refleksionesh nga njerëz kryesisht të botës kulturore e publicistike, në një kohë kur televizionet transmetonin përditë me një cekësi të padurueshme ngjarjet në kuadër të jubileut të 100-të pavarësisë. U synua të zgjohej sadopak te lexuesi mendimi kritik, duke zmbrapsur kësisoj pirgun e lajmeve të ditës, të cilat s’të japin kurrfarë kuptimi për të shkuarën dhe asnjë ravijëzim të së ardhmes. Nisur nga kompleksiteti i pyetjeve, intervistat u realizuan përmes komunikimeve me email. Të intervistuarit janë orientuar drejt përgjigjeve sintetike, por nuk janë kufizuar aspak kur kanë dashur t’i shtjellojnë temat në mënyrën e tyre, ndonjëherë edhe pak akademike. Arsyeja pse po i risjell këto intervista te “Peizazhet e Fjalës”, më shumë se sa për qëllime arkivore, është fakti që kjo kolanë mund të rilexohet gjithmonë si aktuale, meqë pyetësori mund të shihet edhe si një libërth a manual idesh, në tema mes të cilave janë vërtitur shpesh mospajtues njerëzit e mendimit dhe opinion-bërjes në Shqipëri. Le të shërbejë ky ripublikim për të krijuar një agorë të vogël mes lexuesve të “Peizazheve” përmes pyetjeve për të cilat askush nuk ka thjesht dhe vetëm një përgjigje. Eno Shkëmbi.)
Përgjigjet Artan Fuga:
1-Patriot, nacionalist apo kozmopolit?
Janë tre fjalë shumë të qarta, por që kërkojnë të futesh brenda disa kufijve që përcakton përkufizimi i tyre. Unë nuk ndodhem as te patriot, as te nacionalist, as te kozmopolit. Kozmopolit do të thotë: Të mos ruash një identitet kombëtar; nacionalist e kuptoj me një terminologji që vendos interesin e kombit të vet kundër interesave të kombeve të tjera. Jam patriot, por jo një patriot në kuptimin e të qenit i mbyllur në kulturën time. Do të zgjidhja patriot në kuptimin që i takoj kombit shqiptar. Ndihem mirë brenda këtij kombi, është qenia ime atje, ndihem i integruar, kam ndjesinë e të qenit në shtëpinë time, në atdheun tim, por i hapur ndaj kulturave të tjera, në bashkëveprim me kulturat e tjera. Mbi të gjitha jo nacionalist, në kuptimin e një etnocentrizmi që të errësojë vlerat që kanë kombet e tjera.
2- Majtas apo djathtas?
Për mua nuk ka rëndësi shumë, majtas apo djathtas. Për mua ka rëndësi që në kontekstin e caktuar të kontribuoj që forcat politike të kenë një ekuilibër që çon në ndarje pushtetesh, dhe një demokraci më të zgjeruar se ajo që është, në interes të qytetarit. Pra, herë kam votuar majtas herë kam votuar djathtas, nuk jam i përcaktuar sepse edhe majtas edhe djathtas, është shumë e vështirë të ndash në shoqërinë shqiptare. Ka vlera të cilat më shumë më vijnë nga e djathta, ka vlera të cilat më shumë më vijnë nga e majta.
3- Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?
Kërkoj kohë për të arsyetuar dhe marrë gjithmonë në shqyrtim anët negative dhe anët pozitive. Por gjëja e parë që bëj menjëherë është: marr kohë, në mënyrë që të jem i shkëputur nga ndjesitë e çastit dhe nga përjetimet e momentit.
4- Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar?
“Logjika” e Hegelit, mund të shtoja dhe “Kritika e arsyes së kulluar” të Emanuel Kantit, ku kam kuptuar se si funksionon arsyeja njerëzore; çfarë është shkenca; çfarë është dija; çfarë është kultura. Do të vazhdoja me librin “Neo-Pragmatizmi”, të filozofit të njohur neo- pragmatist Amerikan Richard Rorty . Ndoshta që ka ndikuar shumë është edhe Marshall McLuhan “Si të kuptojmë median”. Këtë hierarki do të vija: Hegeli, Kanti, Rorty, McLuhan.
5- Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?
Në 100 vite shtet për mua kanë ndryshuar shumë gjëra. Nuk dua t’i numëroj. Kemi një tërësi dhe një unitet, territorial, gjuhësor, historik, psikologjik dhe ndjesinë e dëshirës për të jetuar të pavarur, që 100 vjet më përpara jo doemos të gjithë shqiptarët e kanë pasur. Një shoqëri shqiptare që është më shumë perëndimore se sa lindore, që ndofta 100 vjet përpara mund të mos ketë qenë. E treta kemi lindjen e qytetarit, 100 vjet përpara kishim shtetas por jo qytetar. Qytetar në kuptimin e njeriut që ka koshiencën e institucioneve ku jeton dhe kërkon të bashkëveprojë me to.
6- A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?
Po, por krizën unë nuk e kuptoj si një gjë negative. Kriza për mua është kontekst ku një model shoqëror, ekonomik, kulturor, institucional ka arritur në pikën ku nuk jep dot më shumë potenciale zhvillimi. Kjo krizë e shkruar brenda krizës botërore, financiare, institucionale, ballkanike, evropiane, është shans i paparë që ne të rimendojmë shoqërinë për të ecur më tutje. Kriza për mua është në modelin ekonomik, ne do ta kalojmë atë në qoftë se ekonomia shqiptare fillon prodhon. Në modelin institucional, në do ta kalojmë atë nëse ndërtojmë një shtet ligjor. Në momentin kulturor, në qoftë se ne kulturën e lidhim me integrimin e njeriut përmes punës në shoqëri.
7- Jepni tre këshilla, si mund të bëhet ky vend?
Sigurisht këtu duhet të jesh modest. Të japësh këshilla për vendin është një gjë që nuk më shkon për shtat, sepse e ndjej veten shumë të paaftë. Po meqenëse po ma kërkoni po e them.
- Prioritet i markës shqiptare në prodhim dhe në shërbim.
- Shtet ligjor, jo shtet partiak apo multi-partiak.
- Integrim i fuqishëm evropian që do ta modernizonte shumë vendin.
8- A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon ?
Sigurisht ka shumë nga këta, shumë personazhe historikë, shumë burra shteti, njerëz të kulturës, të artit. Një të vetëm nuk besoj se e kam. Në momente të caktuara kam pasur ndikime nga figura të ndryshme të kulturës dhe të traditës shqiptare, po nëse do të veçoja ndonjë, do të veçoja Ismail Qemalin.
9- Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotëm politikë?
Sipas meje Zogu ishte aq monark sa mund të jetë një monark që nuk e ka trashëguar monarkinë, po bëhet mbret. Sa mbret mund të jetë një mbret jo i trashëguar por i zgjedhur, sa mbret mund të bëhet një njeri brenda 10-15 vjetëve. Mendoj se monarkia shqiptare as nuk ishte traditë, as nuk krijoi dot traditë, as nuk mund ta krijonte atë. Ajo që dua të them është se unë e kuptoj ose më duket sikur e kuptoj se përse Zogu gjeti zgjidhjen e kalimit nga Republika në Monarki për atë kohë.
Sa komunist ishte Enver Hoxha? Aq komunist sa mund të ishte në një Shqipëri rurale, në një ekonomi të pazhvilluar, në kushte sociale dhe ekonomike ku komunizmi ishte pothuajse në utopi. Në kushtet e një shteti diktatorial, ku shteti diktatorial dhe komunizmi sipas tërë aspiratave komuniste nuk kanë asnjë gjë të përbashkët.
Sa demokratik janë liderët e sotëm politikë? Janë demokratikë në kuptimin që detyrohen t’u nënshtrohen institucioneve të shprehjes së lirë, opinionit të lirë, të pluri-partitizmit, të rotacionit të pushtetit. Në mendimin tim sot janë duke aplikuar një demokraci të nivelit më të ulët, demokracisë së opinionit. Në demokracinë e opinionit të gjithë qytetarët kanë të drejtë të flasin, por nuk marrin pjesë në vendimarrje.
10- Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?
Të dyja. Jemi në një demokraci të opinionit, një pluralizëm politik me disa të drejta të kufizuara të qytetarëve, me një liri shprehjeje që është e fazës post-komuniste. Por jo në kuptimin që jemi në një shoqëri që akoma vazhdon të mbetet komuniste.
11- Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?
Oksidentalë, patjetër. Orientalizmi është një kulturë që shqiptarët nuk e kanë prekur dot. Kanë ndonjë influencë nga pesë shekuj sundim otoman, por nuk i kanë bazat, nuk i kanë elementet e një kulture orientale e cila është një tjetër gjë. Që fillon me kulturën e botës turko-otomane, arabo-islame, hindu, kinezo-konfucianiste. Shqiptarët janë larg kësaj, më afër janë një pragmatizmi evropian.
12- Nga ndryshon një qytetar shqiptar, nga një qytetar evropian?
Mendoj se një qytetar shqiptar ka më pak të drejta politike, ekonomike dhe sociale, nga një qytetar evropian, të tjerat janë njësoj.
13- “Besa e Shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?
Besa në kuptimin e kanunit, po është një vlerë e tejkaluar. Besa si një institucion që organizon shoqërinë dhe që zëvendëson ligjin e shkruajtur, avokatinë, institucionet, delegimin e pushtetit, kjo besë është e tipit kanunor, në kohën e vet ka pasur vlerën e vet, sot nuk është. Në qoftë se besa ka kuptimin e një prirjeje për të mbajtur fjalën apo për të qenë besnik i mikut apo i mikeshës, i shokut apo i shoqes, i burrit apo i gruas, i fëmijës apo i fëmijëve, i besimit politik etj, kjo s’është vlerë e tejkaluar, por në botën e sotme jo vetëm shqiptare, ka shqetësim. Pra unë ndaj besën në dy, besën kanunore që është e tejkaluar, besa si një vlerë morale në kuptimin e të qëndruarit të fjalës që sa më shumë të jetë e mundur është mirë.
14- Tirana, metropol apo fshat urban?
Është një përqendrim urban, larg të qenit një metropol i vërtetë, që nënkupton një infrastrukturë, një organizim të caktuar. Fshat nuk është. Është një përqendrim ekonomik, demografik më shumë urban.
15- Çfarë është kombi për ju?
Kombi është dëshira e njerëzve që në një kulturë, në një traditë, në një kujtesë, në një gjuhë, vullneti i tyre për të jetuar bashkarisht. Për të ndërtuar një kulturë institucionale, që fillon me mënyrën se si përjeton ngjarjet e jetës së përditshme deri në organizimin e shtetit.Çfarë është kombi shqiptar për mua? Është ndarja e një kujtese të përbashkët, dhe të qenit në vullnetin për t’i përkitur atij.
16- Çfarë është familja për ju?
Familja për mua është: Së pari vendi ku unë shpreh intimitetin tim. Së dyti, është streha ime psikologjike. Së treti, është solidariteti më i lartë që unë kam me pjesëtarët e familjes time, në të mirë e në të keq, derisa siç thotë fjala “vdekja të na ndajë”. Është vendi i lumturisë intime dhe një privatësie e ndërtuar në vite dhe që nuk e ndërroj me asgjë.
17- Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?
Mund të jenë shumë vende. Këtu më vjen ndërmend një gjë: ndodhem në një moment, në malësi të larta midis Francës dhe Gjermanisë, në një ditë pushimi. Shkoj në një pllajë me borë, pyll i dendur dhe ka një qetësi absolute. Qëndroj atje, kur dëgjoj një tingëllimë në vesh, që bënte si një mizë në veshët e mi dhe ktheja kokën për të parë çfarë ishte kjo. Kur nuk gjeja asgjë që ta bënte atë zhurmë, kuptoj që qetësia ishte aq e madhe sa unë dëgjoja zhurmën që bënin veshët e mi. Në atë vend kuptova që shqisat tona kanë një energji që në qytetin e zhurmshëm ne nuk e dëgjojmë, çka do të thotë se zhurmat e jashtme na pengojnë të dëgjojmë zhurmat tona, kurse qetësia absolute fillon atje ku ne dëgjojmë zhurmat e trupit tonë.
18- A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?
Në momentin kur kam marrë titujt shkencorë dhe akademikë në institucionet evropiane, në Francë dhe në momentet kur kam pasur kënaqësinë të jap mësime në salla, në amfiteatro me 600 apo më shumë studentë.
19- Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?
Absolutisht asgjë. Nuk jam pishman për asgjë. Jo sepse mendoj se çdo gjë më kanë shkuar vaj, përkundrazi, por defektet, dramat, gjërat negative janë pjesë e jetës, nuk mund të evitohen.Nga kjo pikëpamje jetoj jetën time më të mirë të mundshme, sikundër çdo njeri. Ata që pendohen për jetën e tyre unë nuk i kam shumë qejf, sepse janë në një psikopatologji që i gabon.
20- Cilat janë sot sfidat e gazetarit?
Sfida e gazetarit sot është që të jetë gazetar në kushtet e komunikimit digjital, konvergjent, online. Të tillë gazetarë në Shqipëri nuk kemi, në Ballkan nuk kemi, ka shumë pak në Evropë. Në jetojmë sot botën e teknologjisë digjitale ndërkohë që gazetari në praktikën e vet është akoma në kohën e teknologjive të Gutenbergut. Pra sfida e gazetarit sot është të jetë në të njëjtin ritëm me mundësitë teknologjike të komunikimit dhe në rolin të tij në një hapësirë publike digjitale, ose në siberhapësirën publike.
Intervistoi Eno Shkëmbi, gazeta “Start”, 2012-2013. Imazhi në kopertinë është krijuar me Ideogram.
Per publikun ripublikohen gjera me rendesi historike ( psh nje pamflet i Shinasi Rames i 2016 ku flet per shpopullimin- i pari qe shkroi dy rreshta-) , jo intervista politikisht korrekte, qe per shkak te hipokrizise se politikisht korrektes, do jene aktuale aq sa do sundoje politikisht korrektja.
Perndryshe publiku percepton se ripublikimi , me shume i sherben autorit sesa publikut, ne rast se nuk ka funksionin e shplarjes se trurit ( nje autor marksist ripublikohet ne 1975 ne Shqiperi, 15 vjet pasi u publikua- e ca eshte kjo?-).
Po hajt se ka per te tere.
Nuk është ide e keqe. Kam edhe unë një ide për ty: gjeje pamfletin e Shinasiut, merri leje gazetës ose sajtit që e ka botuar, merri leje Shinasiut vetë, bëje gati për botim te ne (në formatin MS Word), mundësisht shoqëroje edhe me një hyrje ku të shpjegosh pse duhet ribotuar, dhe dërgoje në adresën peizazhe@gmail.com. Si thua?