Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim

RILEXIME

Ka pasë qarkulluar një batutë, që qesëndiste snobët dhe poseurs, si ca që nuk janë kurrë gati të pranojnë se po lexojnë, bie fjala Proustin apo Shekspirin; por gjithnjë të thonë se janë duke i rilexuar.

Të rrëfesh se po rilexon një vepër, nënkupton disa gjëra: se e ke lexuar atë vepër më herët, dhe ajo është trupëzuar tashmë në vetëdijen tënde letrare; se jo vetëm e ke lexuar, por edhe e mban mend që e ke lexuar dhe po i rikthehesh, për të rijetuar një eksperiencë ose për të zbuluar një thellësi të re; i bindur se vepra e mirë nuk shterohet nga leximet e njëpasnjëshme.

Si me thënë që rileximi e bën të përsëritshme të papërsëritshmen, duke edhe të kulturuar.

Kushdo që e ka një bibliotekë në shtëpi, e ka të ndarë në të paktën dy seksione: libra që i ka lexuar, dhe libra që ende nuk i ka lexuar. Të pranojmë edhe që seksioni i parë përmban libra që i zoti i ka edhe rilexuar.[1] Por dinamika mes këtyre dy seksioneve është e tillë, që të përkufizojë deri edhe qasjen ndaj botës të atij që e mirëmban bibliotekën: Pse i mbajmë librat që tashmë i kemi lexuar, përveçse që t’u kthehemi një ditë sërish? Sa të vetëdijshëm jemi se shumë librave të seksionit të dytë nuk do t’i kthehemi dot kurrë për t’i lexuar?

Kur mendoj për rileximin, kthehem në fëmijëri – një kohë e bekuar kur librin që të kish pëlqyer do ta rilexoje sakaq. Kështu i kam kaluar nëpër duar Çipolinon, Aventurat e Dinpakut, shumë romane të Jules Verne-it, Shpellën e Piratëve të Petro Markos, Të fundmin e Mohikanëve, Udhëtimet e Guliverit, Ajvenhoin. Rileximi ishte edhe homazh i leximit të parë, edhe konfirmim i magjisë së letërsisë.

Kush është marrë pastaj me fëmijë, do ta dijë etjen e këtyre për përsëritjen: fëmija jo vetëm nuk do t’ia dijë, nëse ti po ia lexon me zë a ia rrëfen një histori për të njëzetën herë, por edhe ta kërkon këtë me ngulm.

E megjithatë, libri më i rilexuar të thonë nuk është as Iliada, as Odiseja, por Bibla, një libër që madje ekziston nëpërmjet rileximit; dhe pastaj Kurani – por le ta kufizojmë muhabetin me tekste mirëfilli letrare.

Snobi që të thotë se po rilexon Borges-in ose Don Kishotin, e ka të qartë se, për statusin që kërkon të ketë, të pranonte se thjesht po i lexon këta autorë, do të ishte vetëvrasje – të thuash se po lexon një vepër do të thotë se deri në atë moment nuk e kishe lexuar ende: e pafalshme!

Aq më tepër që për ca libra, si Uliksin e Xhojsit apo Vëllezërit Karamazov ose edhe Infinite Jest të David Foster Wallace-it apo serine Min Kamp të Karl Ove Knausgård-it (mbi 3500 faqe), leximi rrezikon të jetë investim titanik – dhe po të mos i kesh lexuar deri më tash, gjasat janë që nuk do t’i lexosh (dhe as t’i rilexosh).

Për mua rileximi është si ri-pelegrinazhi: e di se për ku je nisur dhe ku do të arrish, por komforti që të jep përsëritja është më terapeutik se shpresa për zbulime të reja dhe përballje të reja me të panjohurën. Më ka ndodhur me romane që përndryshe kanë lënë tek unë gjurmë të mëdha, kur i kam lexuar për herë të parë: Solaris i Stanislaw Lemit, Emri i trëndafilit, i Eco-s, 1984 i Orwell-it.[2]

Edhe virtyti për të harruar ndihmon: ka libra si Panairi i kotësive (Thackerey) që i kam lexuar me ëndje, por që tani i kam harruar krejt; edhe pse nuk kam harruar që i kam lexuar. Por nuk kam ndërmend ta rilexoj; as këtë, as Katedralen e Parisit të Hygoit, as Ringjalljen e Tolstoit dhe as Isola del giorno prima të Umberto Eco-s – shkoj me shpresë se leximet e dikurshme, të këtyre veprave, kanë shkruar diçka të përhershme tek unë.[3]

Çuditërisht, nga Hygoi mbaj mend mirë Vitin ’93, të cilin e kam rilexuar të paktën tre herë; dhe Njeriun që qesh. Dhe këtyre dy veprave doemos u mbaj mend rileximet, jo leximet. Jam i sigurt se të paktën Njeriun që qesh e kam lexuar, herën e parë, pa e kuptuar mirë; njëlloj si Udhëtimet e Guliverit, të cilin e kam shijuar si aventurë përrallore, para se ta shijoja si aventurë filozofike.

Në bibliotekën që më ka mbetur, në Tiranë, librat dikur të rilexuar dhe ri-rilexuar i shquaj lehtë, ngaqë janë fije-fije; disa madje duhet t’i marr në dorë, për t’ua shquar titullin, sepse shpina u është grisur e shkatërruar. Disa rilexime mund të mos jenë të miat. Por libri i rilexuar ka diçka prej shenjti të mrrudhur e të leckosur: shkëlqimin ta ka dhënë ty, që e nderon.[4]

Te një ese nga Oscar Schwartz (Against Rereading), në The Paris Review, dhe që u bë shkas për këto shënime, ndesha – rindesha? – në një thënie të Nabokovit, se “lexuesi i mirë, lexuesi i pjekur, lexuesi aktiv dhe krijues, është rilexues”. Ky rilexues – i sugjeruar nga një mjeshtër i letrave – është edhe e kundërta e lexuesit të apasionuar pas romaneve policore, crime stories, dhe në përgjithësi teksteve të tilla rrëfimore ku padija e lexuesit është çelësi i kënaqësisë që të jep teksti. Në kuptimin që ti bën përpara, faqe pas faqeje, i shtyrë nga kurioziteti intelektual jo nga ëndja estetike, duke kërkuar zgjidhjen e enigmës, jo përmbylljen.

Rilexuesi i Nabokovit përftohet si kundër-imazhi i atij lexuesi që të lutet: “mos ma thuaj si mbaron.”

Kush është apasionuar ndonjëherë, pas një romani të tillë, me rrëfim të organizuar rreth një enigme, do të ketë provuar – shpresoj – ndjesinë e çuditshme se sekreti që tani edhe ai, si lexues, kërkon të zbulojë është aty, i fshehur, edhe pse jo dhe aq mirë, në faqet e fundit të librit; gati-gati mund ta prekësh me dorë, ose ta ndiesh që po të afrohet, teksa pjesa e palexuar e librit vjen e hollohet.

Ka lexues që nuk durojnë dot dhe kapërcejnë; por nuk kam dëgjuar kënd të mburret për këtë. Ne të tjerët, edhe pse të përfshirë nga kurioziteti, durojmë. Dhe ashtu edhe e vonojmë kënaqësinë e zgjidhjes së enigmës. Sepse na pëlqen fort procesi me të cilin rrëfimi i afrohet zgjidhjes; por edhe ngaqë e kemi pranuar një etikë të leximit të këtyre librave, një pakt të heshtur me autorin: mos shko të lexosh fundin. Thou shalt not skip to the end.

E megjithatë – nuk jam i pari, as i fundit, që e kam rilexuar Sherlock Holmes-in e Conan Doyle-it; një nga të parët libra në anglisht, që kam përpirë. E kisha në bibliotekë, libër i paraluftës, libër xhepi për xhepa të vegjël; kur e kam marrë ta lexoj herën e parë, nuk dija mirë anglisht, shumë fjalë nuk i kuptoja, por kaq më mahnitën ato novela – sepse novela ishin – sa njërën prej tyre, “The Sign of the Four”, isha në gjendje t’ua rrëfej, nga fillimi në fund, me hollësi, shokëve të mi të gjimnazit.

Pastaj e kam lexuar Sherlock-un sërish, dhe në gjermanisht; im kushëri pat sjellë në Tiranë një botim luksoz nga Heidelberg-u, ku studionte; dhe unë e përdora për të praktikuar gjermanishten time pasive, muajin para se të jepja provimin pasuniversitar në Tiranë… (por ky ishte edhe një sebep më shumë, për t’iu rikthyer një kënaqësie të dikurshme).

Dhe e bleva sërish, po aq luksoz, por italisht, kur isha në Napoli; dhe më në fund, dy herë në leather bound hard cover në anglisht: me sa duket, është një lloj libri të cilit nuk i rezistoj dot; paçka se kjo nuk ka fare të bëjë me leximin…

Pse i jam kthyer Sherlock Holmes-it, edhe pse bëmat e tij në novelat dhe tregimet gjithnjë më janë kujtuar hap pas hapi? Nuk mund ta them me siguri. Ose më mirë, kur kërkoj ta shpjegoj, më kujtohet një mik imi, që kish blerë disa videokaseta me ndeshjet e Holandës në Kampionatin Botëror të vitit 1974, dhe i shihte herë pas here, natën vonë, pas mesnate, kur të gjithë të tjerët flinin. Thoshte: janë të bukura.[5]

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Flux.


[1] Pierre Bayard, autor i How to Talk About Books You Haven’t Read, do të kish folur këtu edhe për libra që ti nuk i njeh fare, libra që i ke kaluar nëpër duar, libra për të cilët ke dëgjuar dhe libra që i ke lexuar por i ke harruar, e kështu me radhë.

[2] Por më ka ndodhur edhe e kundërta: vepra që më kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme në leximin e parë, kur u jam rikthyer më kanë mërzitur dhe i kam lënë përgjysmë.

[3] Dua të rilexoj Muzgu i perëndive të stepës, tani që Kadareja ka vdekur; eksperienca e autorit dhe heroit të romanit në Moskë më duket me rëndësi kritike, për të kuptuar si mbërritëm nga Princesha Argjiro tek Aksidenti; natyrisht, unë rilexoj shumë gjëra për arsye studimi – por Muzgun do ta ripërjetoj artistikisht, për ta kuptuar sërish.

[4] Qëllon që ndonjë mbresë leximi a rileximi është e rreme – kujtojmë se e mbajmë mend librin, por në fakt na kujtohet filmi (!).

[5] Ndryshe nga një ndeshje futbolli, tashmë e luajtur dhe me rezultat të fiksuar, libri edhe i lexuar e i rilexuar mbetet me rezultatin pezull: madje edhe një romani policor zgjidhja mund t’i vihet në dyshim. I njëjti Pierre Bayard i shënimit 1 e ka diskutuar këtë në disa nga librat e tij – si te Sherlock Holmes Was Wrong, ku e ka rihapur çështjen e The Hound of Baskerville, për të argumentuar se vrasësi, në atë novelë, mbeti gjithsesi i pazbuluar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin