Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sport

PSE KOSOVA ËSHTË E FORTË NË XHUDO?

nga Arben Dedja

“Supozoni t’ia masni dikujt forcën me njësi. Ta zëmë se kam përballë vetes një person që vlen dhjetë njësi, kurse forca ime, më e vogël, vlen shtatë. Kësisoj, nëse personi më shtyn me gjithë forcën, me siguri do të iki praptas dhe do të rrëzohem, pavarësisht forcës sime.

Ndodh, sepse po përballem me të me krejt forcën time, duke iu kundërvënë forcës me forcë. Por sikur, në vend që t’i kundërvihem, ta lë kundërshtarin që ta çlirojë forcën e tij teksa unë tërhiqem mbrapsht bash në momentin kulmor të shtyrjes, i kujdesshëm, ama, për të ruajtur ekuilibrin, ai do ta humbasë drejtpeshimin. Në pozitën e re kundërshtari do të bëhet i lëndueshëm, jo nga forca ime fizike, por saje pozicionit të rrezikuar: do të mund të përdorë vetëm tri njësi force, nga dhjetë që kish në dispozicion. Kurse unë, duke ruajtur baraspeshën, i zotëroj të plota shtatë njësitë e mia.

Gjendem kësisoj në avantazh dhe mund të fitoj duke përdorur vetëm gjysmën e forcës që zotëroj, pra tri njësi e gjysmë kundër tri njësive të mbetura të tij.”

(Jigorō Kanō, “Konsiderata mbi implikimet luftarake të epjes”, nga një ligjëratë e mbajtur në Universitetin e Kalifornisë, 1932).

Ja, erdhi edhe një olimpiadë tjetër dhe, ndërkohë që Shqipëria i sheh me dylbi, Kosova përsëri filloi të fitojë medalje. Si gjithmonë, në xhudo. Ndaj sot po dua t’i përgjigjem pyetjes: “Pse Kosova është e fortë në xhudo?” Para do vitesh, jam përpjekur t’i përgjigjem një tjetër pyetjeje “sportive”: “Pse themi që futbolli është metaforë e jetës?” Nuk e di, por kur ndjek sport mendja m’u vika në punë si ai trupi i kalitur në fushën e blertë (ose, kësaj radhe, mbi tatami), ndërkohë që jam thjesht i plandosur në divan.

Pse, pra, Kosova është e fortë në xhudo? Më thonë që merita e kësaj performance duhet kërkuar në palestrën e vogël të lagjes “Asllan Çesma” të Pejës. Prej aty ka vite që dalin një grup atletësh të jashtëzakonshëm, stërvitur nga një prej xhudistëve më të fortë të botës, që në olimpiadën e Barcelonës të vitit 1992 ishte i akredituar për medaljen e artë në peshën e tij. Por, atë vit kyç të rezistencës qytetare kosovare në Jugosllavinë e gjakosur, Kosova i tërhoqi atletët e saj nga skuadra olimpike jugosllave dhe ëndrra e Driton Kukës – ky është emri i kampionit – u tret (vetëm për momentin). Sot kjo ëndërr i është projektuar katërçiptazi tek atletët (dhe sidomos atletet) që stërvit.

Mirëpo vetëm kaq sikur s’më bind. Ndoshta arsyet duhen kërkuar më thellë, në përbërjen shpirtërore, në ndërgjegjen, në vetë mënyrën e të qenit të njerëzve që popullojnë atë truall të patjetërsueshëm e të vogëlith me emrin Kosovë dhe që i afron ata njëfarësoj me xhudon. Se xhudoja (柔道, jūdō, që do të thotë: “rruga e epshmërisë”) është po, sport luftarak, por në radhë të parë është filozofi jete. Dhe nuk është aspak metodë sulmi, por, më tepër, një metodë mbrojtjeje vetjake.

Përgjigjen do të rrekem ta jap, si gjithmonë, duke e thjeshtuar temën deri në kockë (apo deri në palcë?), me arsyetimin bërë fill të hollë logjik: pak për përtaci e pak për çmërzitje.

*

Atemi, garami, hikkomi, ippon, kuzushi, matte, otoshi, shintai, waza-ari… Terma që nuk më thonë asgjë, por që i njohin e i përdorin miliona praktikues të xhudos nëpër botë. Terma japonezë, atdheu i xhudos, ku u kristalizuan rregullat e para, aty nga vitet 1880-1882. Atëbotë Japonia përpiqej të dilte nga një periudhë e errët vetëizolimi, pas rrëzimit të shogunatit dhe restaurimit të pushtetit perandorak. Sapo ishte aprovuar kushtetuta e parë në vend dhe shtypi e gazetat ishin liberalizuar sipas modelit perëndimor.

Gati njëkohësisht, në anën tjetër të rruzullit, Kosova hynte fuqishëm në axhendën e kancelarive perëndimore. Me Lidhjen e Prizrenit u ish kundërvënë zbatimit të vendimeve të traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit; ishin vetë shqiptarët tani që e administronin vilajetin: organizohej mbrojtja e armatosur e trojeve shqiptare që, me një të rënë të lapsit u kish kaluar fqinjve, mblidheshin ndihma për muhaxhirët (pothuaj tërësisht shqiptarë etnikë) të shpërngulur forcërisht nga territoret rrotull, bashkërendohej rregulli i brendshëm (krimet binin në mënyrë drastike), mbarështohej ekonomia (vërehej rritje ekonomike)…

Thonë se Jigorō Kanō, kur vendosi rregullat e xhudos në vitet që përmendëm, u mbështet te jujutsu, arti mbrojtës japonez që daton qysh prej shekullit XVI dhe që bazohet në dy ligje kryesore: 1) ekuilibri mbi terrenin e ndeshjes dhe 2) i ashtuquajturi “parim i epshmërisë” përballë forcës së kundërshtarit, për të nxjerrë nga ai një avantazh me minimumin e forcës. Historia që rrëfehet është kjo. Shirobei Akiyama, mjek, kish vite që studionte mënyra dyluftimi për të gjetur sekretin e të qenit i pamposhtur. Të gjitha metodat që kish zhvilluar, ama, tejet të dhunshme, më në fund dështonin, sepse dikush tjetër shpikte një metodë edhe më të dhunshme se e tija. Ishte dimër, binte shumë dëborë. Në dritare, Akiyama meditonte, teksa vinte re si ngarkoheshin, në fillim me pah e pastaj me flokë gjithnjë e me të rëndë dëbore, degët e mimozës, të qarrit, të qershisë… gjer thyheshin, nën peshën e papërballueshme. Pastaj, për një çast, vështrimi i Akiyamas ra mbi një pemë që gjendej e vetme pranë një pellgu me ujë. Ishte një shelg lotues. E pra, dëbora grumbullohej avash-avash mbi degët e shelgut, por pastaj vinte një çast dhe degët fap! përkuleshin dhe e rrëzonin dëborën krejt. Skena përsëritej. Prapë degët e shelgut lotues vepronin po njëlloj dhe… nuk thyheshin. Atë çast Akiyama e kuptoi që meditimit të tij i kish ardhur fundi. Epshmëria ishte sekreti i të dalit fitues nga një dyluftim.

*

Ju ftoj në një ushtrim mendor. Në paragrafin pasardhës do të flas për xhudon. Por juve, ju lutem, në një cep të mendjes mbani Kosovën, gjithnjë Kosovën.

Prania e vazhdueshme e kundërshtarit mbi tatami bën që të zhvillohet një prirje e veçantë për të qenë gati për çdo alarm, duke stërvitur vazhdimisht vëmendjen, ndjenjën e vëzhgimit, duke u mësuar si merret shpejt një vendim, për të krijuar një avantazh në pikën më të dobët të pozicionit të kundërshtarit. Xhudoku (atleti i xhudos) duhet të dijë t’i matë mirë energjitë e veta, por edhe ato të kundërshtarit, për t’i kanalizuar në një përudhje frytdhënëse. Qëllimi i xhudos nuk është shkatërrimi i kundërshtarit, por “përvetësimi i energjisë së tij”, duke e mundur me zotësi, jo me forcë. Kush epet, pra, i kapërcen provat, rreziqet; kush është rigid, i sertë, vjen një çast e mundet, thyhet. Herët a vonë do t’i bjerë të ndeshet me hundëleshin e radhës. Të epesh që të fitosh, pra,[1] duke përdorur forcën e kundërshtarit për të neutralizuar sulmin dhe, shkurt, për të shmangur ose kufizuar dhunën e konfliktit. Hapi i parë që duhet bërë për t’i nxënë dhe administruar pasojat praktike të kësaj cilësie është të mos e mohosh konfliktin, të mos kesh frikë t’ia hysh. Dhuna duhet ushtruar vetëm kur bëhet e domosdoshme; çekuilibri i prodhuar nga shmangia e forcës agresive ka rol pedagogjik dhe mbrojtës. I rrëfejnë kundërshtarit, në mënyrën më të mirësjellë të mundshme, që sulmi i tij është i kotë dhe i dëmshëm e mund t’i kthehet kundër. Nxjerrja jashtë luftimi e kundërshtarit nuk nënkupton eliminim të tij. Mirësjellja, epja, mosashpërsia, janë virtyti luftarak më i stërhollë. Teknikë, por edhe ideologji për t’u përballur me konfliktin. Praktikimi i mirësjelljes, ama, nuk do të thotë shmangie e konfliktit. Përkundrazi, do të thotë ta pranosh e ta normalizosh atë. Teknika kryesore e xhudos (por nuk është vetëm teknikë, është nocion, përmban brenda një ide për botën) konsiston në shndërrimin e një konflikti, kur është e mundur, në energji pozitive; jo po ta shmangësh fare, por, në qoftë i paevitueshëm, ta bësh sa më të shkurtër e më pak të dëmshëm. Kulmi i epjes pastaj është të fitosh pa luftuar fare.

Kështu Kosova, e banuar prej mijëra vitesh nga një popullsi që ish mbrujtur dalëngadalë nën etninë shqiptare, është kristalizuar tashmë në thelbin e ndërgjegjes ballkanike. Ç’kish për t’u gërryer nga toka e këmbëve dhe kujtesa e brezave, me vrasje, djegie, shpërngulje, ikje, prapë rikthime dhe asnjëherë hupje është kryer tashmë, molekulat e elementëve janë dendësuar për një diamant të ri, është arritur ai ekuilibër i përgjithmonshëm që me reziliencë, lindshmëri, doke të transmetuara gojarisht në breza e rekuperonte vazhdimisht atë çka mund të përthithnin plasaritjet e kohës. Mua më duket se çdo kosovar e ka këtë vetëdije të thellë për vendndodhjen e tij në kohë dhe hapësirë, të qenët me këmbët të ngulura fort në përditshmëri, por edhe në histori e në modernitet, mbi tokën e rimur të vendit të vet konkret ose imagjinar, mbi këtë truall në trajtë rombi thuaj të përsosur, me skajet plot maja të larta (e gjithë vija kufitare e Kosovës shtrihet në kuotë), teksa brenda rombit shpalosen kodra, kullota, zabele, lugina, male më të ulët, si për t’i dhënë jetës një shans më shumë në riprodhimin e saj. Nga ana hipsometrike rrafshnaltë (dhe, në fakt, 80% e territorit ka një lartësi mbi nivelin e detit 300-1000 metra), me një rrjet hidrografik autokton, që përsërit kufijtë natyrorë (aq është e vërtetë, sa ekziston një përputhshmëri gati e plotë mes ujëmbledhësit hidrografik dhe kufijve administrativo-politikë të Kosovës). Kjo, pra është përmasa e duhur, atomi i pandashëm Kosovë si entitet: më tepër se kaq ky vend nuk zhbëhet. Kështu, teksa koha kalonte, dalëngadalë kosovarët mësuan t’ia njohin thelbin truallit të tyre, të kapen aty me thonj e ta mbajnë thellë vetes gjakimin për të si plumb të shkrirë, t’ia dinë mëngët lumore, thepat shkëmborë, shpatet e qyet, trallisjen, legjendat, varret, varfërinë, pasurinë, zënkat, ngadhënjimet, lutjet, plagët, ëndrrat….

Kjo vetëdije për vendin e tyre ngjan me rugovizmin – rezistencën paqësore të filozofit Ibrahim Rugova[2], që kombi i vet nuk e la vetëm në pritjen e tij të heshtur për momentin e Kosovës. Bashkë e nyjëtuan filozofinë e jo-dhunës, argumentin politik përballë dilemës së terrorit serb: si të tërhiqemi, si të reagojmë, si ta tejkalojmë murtajën duke mos u dorëzuar pa kushte? Përgjigja erdhi si vetëpërmbajtje dhe si jo-agresion ndaj botës së kaosit, deri në fitoren e largët, por të sigurt. Kosova, si çdo komb i qytetëruar, nuk e refuzoi konfliktin. E pranoi atë si përbërës të pashmangshëm (të dobishëm?) të kompleksitetit të jetës dhe të bashkëjetesës. E pranoi dhe praktikoi sipas një bashkësie rregullash, në përmasën e saj më njerëzore e jo shkatërrimtare. Falë kësaj vetëdijeje, them, që Kosova është (dhe do të jetë) e fortë në xhudo.[3]

*

Hiç! Shënime të shkartisura të dikujt që nuk ka qenë kurrë në Japoni. As në Kosovë.

(c) 2024 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


[1] Krejt e kundërta e idesë së “popullit të paepur shqiptar”.

[2] Nuk do të habitesha aspak po të gjendej një lidhje midis Dr. Rugovës dhe xhudos, por nuk ia njoh mirë biografinë.

[3] Dhe nuk më habit fakti që medaljet në xhudo Kosova po i merr nga çikat, se gruaja, më duket mua, është akoma më fort e lidhur me tokën dhe vendin e vet sesa burri.

 

1 Koment

  1. Eshte paksa e tepruar ta quash Kosoven vend te xhudos kur nuk behet fjale per nje levizje masive por per nje trainer me nje grusht atletesh diku ne mes te maleve .Ajo qe eshte fantastike eshte rendimenti jashtezakonisht i larte i prodhimit nga ana e trainerit te 6-7 atleteve te nivelit te larte nga nje pool aq e vogel.Nje talent i nivelit te larte olimpik eshte e pakta 1 ne 1000 ushtrues te atij sporti ne mos me teper.Ky eshte pothuaj 7 per 7 .Koha do ta tregoje nese eshte aftesi e rralle apo fat i rralle.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin