Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime

MIK NË DY KOPJE


Shkrimi më poshtë duhej të ishte pjesë e një tjetri që pata nxjerrë ditë më parë, Filozofi në plazh; por vendosa pastaj ta nxjerr më vete.

Mes elementeve të peizazhit, ndërtesave, lokaleve dhe vendësve vetë, pushuesve këtu u ndodh të përballen edhe me një qen të zi, që nuk i përket kujt, dhe që e kalon ditën me ecejake përgjatë bregut. E patëm quajtur “Lago” që vjet; dhe u gëzuam kur e pamë sërish – mbase edhe ai u gëzua kur na pa. Nuk di çfarë na frymëzoi për këtë emër, Lago; ishte shoqja ime që e zgjodhi, dhe mua gjithnjë më është dukur si një formë kompromisi mes Lango dhe Langua; por emri mbeti dhe me kohë u mësuam me të.

Natyrisht, Lagon e njohin të gjithë ata që kalojnë sado pak ditë këtu; por me këtë emër, Lago, e quajmë vetëm ne të dy. Të tjerët mbase përdorin edhe ata emra që ia kanë vënë për ndonjë arsye çfarëdo. Edhe pse deskriptori i tipit “ai qeni i zi që vjen rrotull në plazh” do të mjaftonte, prania e “Lagos” do ta kërkojë, herët a vonë, emrin. Emri shërben edhe si leje-kalimi për një eksperiencë më intime; që nga momenti kur qeni bëhet “Lago”, ai fiton edhe një qytetari më cilësore në vetëdijen tonë të mjedisit.

Dhe kjo nuk ka të bëjë me atë që familje dhe pushues të ndryshëm i vënë qenit emra të ndryshëm: askush prej tyre nuk pretendon që qeni të njihet me këtë emër edhe nga të tjerët, të tretët; sepse ai qen, në fakt, nuk i përket askujt. Përkundrazi, nëse maçoku që kemi në shtëpi quhet Burger, do t’ua prezantojmë edhe vizitorëve me këtë emër; dhe do të habiteshim, sikur këta të zgjidhnin ndonjë emër tjetër për të. Prandaj edhe kjo Lago, që përdorim për t’iu referuar qenit në plazh – por jo për ta thirrur – është emërtim më intim, më privat, se ai tjetri, i maçokut, që ka edhe vlerë publike. Ose, për ta thënë ndryshe, Burger është zgjatim më esencial i maçokut tonë, se ç’është Lago për qenin e plazhit.

Lagon e sheh gjithë kohën duke shkuar diku. Freskohet me ujë nga burimet e shumta që nga mali derdhen në det dhe ushqehet me çfarë kujtohen t’i japin plazhistët. Ne nuk e kemi prekur as ledhatuar ndonjëherë, megjithëse do të donim shumë; por me siguri vuan nga sëmundje lëkure dhe parazitë (pleshta dhe kushedi ç’dreq tjetër), përveç ndonjë infeksioni zorrësh, tipik për qentë pa zot (edhe pse Lagoja dhëmbët i ka më të bardhë se të mitë). Turistët e huaj, përkundrazi, nuk ngurrojnë që ta prekin dhe të luajnë me të gëzueshëm; disa prej tyre as mund ta përfytyrojnë çfarë suvënirësh bakteriologjikë mund të marrë njeriu nga një qen rrugësh.

Kur të del Lagoja përpara shëtitore dhe të sheh në bebëz të syrit, sikur rreket të të klasifikojë në një nga katër grupet: (1) mik dhe gati për ndërveprim; (2) mik por që i ruhet kontaktit, sepse nuk e ka kuptuar akoma (budallai) që ti e ke xhan; (3) jo-mik (jerk); (4) qorr. E ka përsosur aftësinë për t’u afruar, por vetëm në qoftë se edhe ti i jep shenjat e duhura; përndryshe thjesht “buzëqesh” – mbase i kanë thënë se i ka dhëmbët fotozhenikë. Mbase edhe i dallon ata që i japin për të ngrënë ose që luajnë me të në plazh; por me siguri nuk u vë emra. I mjafton sistemi elementar i shenjave materiale dhe nuk e ndien nevojën për t’i shtuar një sistem tjetër, siç bëjmë ne.

Me shoqen, kemi fantazuar si mund ta marrim Lagon (t’ia “vjedhim” plazhit), ta çojmë te veterineri, ta pastrojmë dhe ta mjekojmë dhe ta vaksinojmë; t’i vëmë një qafore plastike, t’i nxjerrim një pasaportë dhe ta marrim me vete në Brooklyn. Me gjasë, nuk do të jemi të vetmit që e kemi menduar. Më rrallë kemi pyetur veten nëse ky Lago, i “domestikuar” dhe i “pasaportizuar”, do të ishte vallë më i lumtur, se heroi i tanishëm i plazhit, me vrapin e tij si një lloj fluturimi kinematik, dhe miqësitë e tij të shumta e të shumëllojshme, reale dhe imagjinare, me njerëzit që takon. Ndoshta më e mira është që të mos marrim vendime për të, dhe të mjaftohemi me aktin, edhe pse pak arrogant, të pagëzimit të tij me një emër privat.

Këtë vit Lagoja gjithsesi na befasoi. Filloi të na dalë aq shpesh përpara, sa nuk po arrinim dot ta merrnim me mend se ku e gjente gjithë atë fuqi, për të ardhur rrotull pa pushim. Pastaj një ditë e kuptuam se në plazh qarkullonin të paktën dy Lago, kushedi binjakë, çun dhe gocë; dhe se Lagoja që endej këndej nga ana jonë e plazhit ishte goca, ndërsa çuni kish preferuar nahijen tjetër, ose edhe ullishtën. Natyrisht, edhe emrin Lago e ndamë më dysh, dhe filluam ta përdorim me të dy. Kur e shohim tani mikun tonë mistik që të vrapojë buzë ujit, gjithnjë i fokusuar në atë gjënë enigmatike që aq na bën kuriozë, por edhe gati për të filluar ndërveprimin me këdo që ia var sado pak, jo vetëm e kemi të vështirë që të dallojmë se kush është, por edhe na mungon dëshira: Lagoja është Lago dhe mbetet Lago, paçka se manifestohet në dy forma.

Sot ishte dita e fundit për ne në plazh; më qëlloi që të zbrisja i pari në rërë, të rrija pak vetëm në çadër dhe pastaj të futesha në det. Kur u ktheva, në çadër kish mbërritur edhe shoqja ime, dhe ashtu mora vesh se poshtë shezlongut tonë kish ardhur të flinte një mysafir i rrallë: Lagoja (në versionin gocë). U pamë, u deshëm, u përshëndetëm, por pa u prekur. Lagoja vazhdoi gjumin e vet dhe ne punët tona. Nuk mund ta dimë se çfarë mund ta kish shtyrë të vinte të flinte aty – ne nuk i kemi dhënë ndonjëherë të hajë, jo për gjë tjetër, por sepse zakonisht nuk marrim ushqime në plazh. Besoj se nuk i bëjmë dëm kujt, po të lejohem të supozoj se ky gjumë – disa-orësh – ishte mënyra e Lagos për t’u ndarë me ne.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin