Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

TEKNIKA TË ZOMBIFIKIMIT

Zombifikimi është manifakturim i porositur zombie-sh, nëpërmjet zhvdekjes së ndërmarrë dhe të sanksionuar zyrtarisht.

Edhe pse i kundërvihet ringjalljes së mirëfilltë, zhvdekja synon një ringjallje minimale ose të kufizuar të subjektit, për synime rekrutimi.

Zombifikimi fillon me zhvdekjen, për të vazhduar më pas me trajnimin e të zhvdekurit dhe mobilizimin e tij në fushëbetejën mitologjike publike.

Teknikat e zombifikimit varen nga statusi i subjektit të shënjestruar për rekrutim.

Nëse ky subjekt ka vdekur tashmë, atëherë ai duhet rikuperuar nga dheu, nëpërmjet zhvarrimit.

Zhvarrimi presupozon ekzistencën e varrit; dhe mundësisht të mbetjeve organike të subjektit për t’u rekrutuar.

Këto mbetje organike zakonisht eshtra të përziera me dhé, por me radioaktivitet kulturor ndonjëherë çudibërës, do të shërbejnë si hallka për ankorimin rishtas të mitit.

Autoriteti që mbikëqyr procesin e zhvarrimit është i njëjtë me atë që do ta rekrutojë të zhvdekurin, ose që e ka rekrutuar tashmë.

Sekreti i zombifikimit qëndron, këtë herë, në faktin që i zhvdekuri varroset për së dyti, në një varr zyrtar brenda një tempulli jo-konfesional, ose që do të shërbejë si embrion a gur themeli i një tempulli të ardhshëm gjithnjë jo-konfesional.

Procesi i zhvarrim-rivarrimit është edhe koha kur autoriteti zombifikues e përvetëson të zhvdekurin, duke i dhënë “bekimin”.

Teknika e dytë e zombifikimit zbatohet ndaj atyre subjekteve që ende nuk kanë vdekur, çfarë do të thotë që nuk mund të zhvarrosen dhe as të rivarrosen, sepse ende nuk janë varrosur.

Kjo teknikë e dytë nuk mund të zbatohet, bash për këtë arsye, para varrimit simbolik të subjektit që do të rekrutohet.

Varrimi simbolik, gjithnjë i skriptuar dhe i bashkërenduar nga autoriteti zombifikues, konsiston në monumentalizimin e subjektit – ose shndërrimin e tij në statujë, nëpërmjet një procesi kalcifikues-gurëzues të narrativës së tij identitare.

Si pasojë e monumentalizimit, subjekti vetë dyzohet – në subjektin real që lihet të vazhdojë jetën e vet edhe pse tashmë duke iu ekspozuar rrezikut real të vegjetimit; dhe në subjektin simbolik, abstrakt, hieroglifik, të cilit i jepen, me vendim të posaçëm, atributet e një statuje në kopshtet e diskursit publik.

Kjo statujë e ngritur jo në hapësirë, por në kohë, do të rekrutohet pastaj si zombie, duke u rreshtuar në fushëbetejat që i interesojnë autoritetit zombifikues.

Forca e saj dhe paprekshmëria e saj kanë të bëjnë me lokalizimin e saj në histori, jo në realitet.

Varrimi simbolik, që është i nevojshëm për monumentalizimin, realizohet i tëri nëpërmjet një funeralizimi publik të subjektit – narrativa e të cilit tashmë konsiderohet si e përmbyllur në kohë dhe e amshuar në gjeologjinë kulturore.

Pas këtij monumentalizimi, subjekti real nuk lejohet më që të interferojë me veprimtarinë publike të monumentit përkatës.

Teknika e tretë e zombifikimit është nëpërmjet mumifikimit a balsamimit të një subjekti që sapo ka vdekur, por që i gëzonte tiparet dhe privilegjet e shenjtërimit që për së gjalli.

Synimi i mumifikimit është që ta ruajë praninë e këtij të porsa-vdekuri në jetën publike, duke e zëvendësuar atë me një simulakër.

Ndonjëherë dhe përjashtimisht, procesi i mumifikimit fillon që kur subjekti është gjallë, me kusht që ky të bjerë dakord me plastifikimin e figurës së tij publike, nëpërmjet operacioneve masive të lifting-ut në mass mediat.

Nëpërmjet këtyre ndërhyrjeve ndonjëherë masive, subjektit ia zëvendësojnë organet dhe shqisat me kopje të tyre memetike; çka do të thotë se subjektit, kushedi ende i gjallë, por tashmë i mumifikuar, do t’i duhet të imitojë – në jetën publike dhe në veprimtarinë e vet kulturore – imazhin e tij zyrtarisht të konfirmuar dhe të sanksionuar nga autoriteti zombifikues.

Ky imitim i një imazhi publik, ose rimodelimi në kohë dhe në hapësirë i subjektit real në bazë të mitit tanimë zyrtarisht të sanksionuar për të, synon të arrijë një efekt të ngjashëm me zhvarrimin – në rrethanat kur subjekti ende nuk ka vdekur.

Teknika e katërt e zombifikimit zbatohet ndaj atyre subjekteve që kujtoheshin si të vdekur dhe të harruar dhe që deri më tash ashtu edhe ishin trajtuar – por që tani zbulohen se paskëshin qenë çuditërisht gjallë.

Në raste krejt të veçanta, kjo teknikë zbatohet edhe ndaj atyre subjekteve të tjera, që duhej të kishin vdekur tashmë, sepse ishin harruar.

Subjekte të tilla, edhe pse ende gjallë e ndonjëherë shëndoshë, ri-kthehen në vëmendjen e jetës publike me kusht që të pranojnë të sillen efektivisht si të zhvdekur; në fakt, rikthyesit kanë nevojë për zombie-t e tyre dhe jo për ata vetë.

Të katër këto teknika zombifikimi synojnë përftimin dhe mirëmbajtjen e një legjioni të zhvdekurish, i cili do t’i shërbejë autoritetit zombifikues.

Ngjyrat zyrtare të këtij legjioni janë e bardha dhe e zeza.

Sikurse e përcaktojnë dhe e lypin protokollet kulturore nekrofilike, të zhvdekurit do të aktivizohen kryesisht në funksione ceremoniale ose në rituale të ripërtëritjes së krenarisë publike.

Po ashtu dhe me statut, të gjithë të zhvdekurit do të njohin autoritetin zombifikues si ekzekutorin e vetëm publik të porosive dhe të amaneteve që mund të kenë lënë, por edhe e sidomos të porosive dhe të amaneteve që mund t’i kishin lënë dhe, në rastin specifik të së zhvdekurve ende të gjallë, të amaneteve që do të kishin lënë.

Nga ana e vet, autoriteti zombifikues u garanton të zhvdekurve të njëjtën mirëmbajtje prioritare që gëzon çdo monument tjetër i kulturës zyrtare.

Si komponente integrale dhe strategjike e mirë-administrimit të thesarit kulturor nga shteti, zombifikimi rregullohet dhe mbrohet me ligj.

© 2016-2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

2 Komente

  1. Hahaha më bëri te qesh, sepse ky model është shpjegues i shumë fenomeneve ne sferen publike shqiptare. Gjetje dhe shpjegim shume i mire. Respekt

  2. Ca zombieve të albanologjisë iu lipset edhe peticion për t’i zhvdekur…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin