GJASHTË VJET MË VONË (PJESA I)

Si një fantazmë që kërkon trup.
W.Burroughs

I.

Pesë minuta më vonë ose pesë minuta më herët mund të fitohet një garë atletike. Pesë minuta më vonë ose pesë minuta më herët mund të mbërrijë një lajmëtar me një lajm për pushimin e luftës dhe fillimin e paqes. Çfarë i përbashkon akoma këto të dyja me kapitalizmin e përbotshëm? Gara sigurisht, dhe lufta. Por më shumë se çdo gjë i përbashkon arsyeja. Po, po, arsyeja, ajo që latinët e quanin animus, arsyeja e trupit. Jo arsyeja në kuptimin e jashtëzakonshëm të logosit, dijes, logjikës, matematikës, e të tjerave. Jo arsyeja që mësohet në universitet, arsyeja që universiteti e mëson.

Ka një diferencë këtu mes këtyre dy mendimeve. Ne mësojmë për metafizikën, por kemi harruar qenien, thotë Heidegger-i. Vazhdimisht bëjmë gjykime të kalbura asertorike, por nuk bëjmë pyetje, duke e rrudhur qenien dhe duke e venitur atë. Duke mos prodhuar shenjues të rinj, duke mos krijuar koncepte. Universitetit i ka humbur tashmë shqetësimi, nuk ka më asnjë mendim provokues dhe cytës. Edhe mendimtarët universitarë që janë më shumë politikë, nuk dinë të tregohen radikalë sa duhet. Për shembull, ndërkohë që në tezgat e rrugëve gjen vazhdimisht libra, si “Mein Kampf” dhe “Mendo dhe bëhu i pasur”, ose “Babai i varfër, babai i pasur”, nuk i shkon askujt mendja të ketë një ripunim, një ripërkthim të veprave të Marksit, nuk po them të Stalinit, kujdes me sfurqet e pishtarët, po them të Marksit.

Një nga ëndrrat tona, atëherë të studentëve të 2018-ës, dhjetoristëve, por dhe janaristëve, shkurtistëve e me radhë, ishte që pedagogët të kishin më dedikim për punën e tyre, jo vetëm të bënin në mënyrë liturgjike leksionet, të përsërisnin vazhdimisht që studentët nuk mësojnë, janë kopjacë, përtojnë të shkojnë te libri universitar e të blejnë libra, se përkthimet e shqiptarëve nuk janë të mira (kujto, Lakan ka ardhur në shqip në mënyrë të shkëlqyer dhe mund të jenë departamente të tëra me psikologë dhe psikiatër që nuk e dinë, ose, dhe më keq, nuk marrin mundimin të sjellin gjë tjetër nga ai), se studentët rrinë te kafja, se studentët përtojnë të shohin filma.

Studentët, tani nuk e di, por dikur ankoheshin se tarifat ishin të shtrenjta, ligji për arsimin e lartë ishte mbytës, pedagogët bënin plagjiaturë, provimet bliheshin, jo vetëm që bliheshin, por ishin edhe të shtrenjta për t’u blerë, që nuk kishte meritokraci në nota. Rektori ankohej se nuk i kishte studentët në klasë. Qeveria empatizohej me protestuesit, por dhe në të njëjtën kohë nuk donte të binte në sy për keq. Në fakt askush nuk donte t’i kishte studentët në klasë, as ata që nuk i binin dot nga Rruga e Durrësit me makinë. Pat dhe zëra që thoshin që leksionet mund të bëheshin oborreve, lëndinave e prerive, se nuk kishte vend për makina në parking.

Tani, gjashtë vite më vonë, jo veç në parking, por as në banka nuk ka vend për nxënës. Nuk është puna të thuash si b-analisti i pëdësë “pse ikin shqiptarët?”, dhe as të duash të krijosh racën hibride të popullit me rrënjë, dhe as të thuash se republika motër e Kosovës “është para nesh” se e ka ndikuar Jugosllavia. Duhet të kuptosh arsyen pse universiteti mërzitet me studentët, pse nuk u jep atyre një arsye për të ndenjur. Nuk mjafton ta bësh universitetin më modern, me portale, me kompjuterë e me projektorë, dhe as të importosh pedagogë të kollarisur shumë të rinj me pantallona të ngushta, flokë me xhel të kthyer në një anë, mjekër të kuruar, që dinë gjithë “Gatopardin” e Lampeduzës përmendësh.

Dispozitivi ka gjithmonë një funksion strategjik konkret dhe brendashkruhet përherë në një marrëdhënie pushtetore.[1]

Nuk mundesh as të thuash që ka të tjerë të migruar e kurbetçinj (model e jomodel) që do të duhej të ishin këtu, atje, në universitet. Përveçse nostalgjik, do të bëhesh dhe i pasinqertë, askush nuk duhet të jetë askund, as me mungesa nuk duhet të funksionojë asgjë, as në bazë të mungesës.

Universiteti ynë funksionon në bazë të mungesës, ashtu si akademia, prandaj edhe turbologë gjithfarësoj, deri edhe hoxhallarë gjithfarësoj, deri edhe pastorë dhe rekrutues politikë kanë sukses. Ata mbushin një vend bosh që e ka krijuar diçka, që në të njëjtën kohë dijes së kalbur tranzicionaliste shqiptare i leverdis ta mbajë ashtu. Juristët tanë kalbin sytë mbi fotokopje, simulakra të librave të skaduar të së drejtës ndërkombëtare, ekonomistëve tanë iu mësohet vetëm një anë e medaljes, jo ekonomia politike marksiste, ajo me gjasme iu mësua boll pesëdhjetë vjet Shqipërisë, edhe Enver Hoxha dominoi si Reali i Madridit futbollin e ekonomisë politike. Gazetarët tanë mësojnë teori komunikimi, jo si të prodhojnë tekst; për të prodhuar tekst, duhet lexuar, nuk lexojnë mo nuk lexojnë, thotë pedagogu borgjez me puro në gojë dhe paf, ta lë kopilin te dera. Nuk është kaq e thjeshtë. Bibliotekat janë bosh, nuk është prapë kaq e thjeshtë. Kafet janë plot. Prapë nuk është kaq e thjeshtë. Edhe auditorët janë plot. Por iu mungon liria. Edhe kur zgjedhja e studentëve është e lirë, ajo është prapë e autoimponuar.

Dispozitivët janë pikërisht ato që në strategjinë fukoldiane zënë vendin e universalëve: jo thjesht kjo apo ajo masë policore, as kjo apo ajo teknologji e pushtetit, dhe as një përgjithësim i përftuar nga abstragimi i tyre. Por, siç thoshte ai në intervistën e vitit 1977, rrjeti (le reseau) që vendoset mes këtyre elementeve.[2]

Të gjithë zgjedhin anglisht si lëndë me zgjedhje, ose fizkulturë, as gjermanisht, as frëngjisht, as ndonjë aftësi tjetër. Nuk duan të mundohen, sepse tashmë mundohen me punë të kota. Detyrat e kursit kopjohen dhe mirë që kopjohen, por ajo që kopjohet a ia vlen dhe a ka lidhje me lëndën, a ka lidhje me dijen ? E drejta e autorit nuk ka të bëjë me tekstin e revistave të modës, që budallalleps më shumë për çdo ditë auditorët. Më kujtohet njëherë, në universitet, që të gjithë kishin ardhur me një material për Kamynë. Atëherë më mori malli për shoqen time të dikurshme, që më kishte vjedhur nga çanta një libër të Volterit. Është në natyrën e njeriut të krijojë, në natyrën e të gjithë njerëzve, nuk ka të privilegjuar, gjenitë nuk ekzistojnë, as poetët nuk ekzistojnë. Me të lindme nuk studiohet më. Por sigurisht që fotokopisteria (që janë ngjitur me fakultetet kur asnjë librari nuk gjen aty afër për be, edhe nëse gjen, e gjen të falimentuar) do të jetë plot kur studentit në shtëpi t’i pikojë çatia e konviktit, ose, edhe më keq, të vijë ta marrë dashnori (i dashuri, burri, konkubina mashkull, si të doni) me makinë me dy kate, si ato autobusët e turistëve në Londër (studentët progresistë të Oxfordit që mendojnë se e majta është çështje identitare dhe afektive e dinë për çfarë e kam fjalën).

Ka dhe më keq, ashtu si protestojnë sot para bashkisë me xhaketë firmato, ashtu vinin me fustane Gucci studentet sharmante, me parfum direkt nga Parisi, për të na folur për jelekëverdhët. Dhe mirë bënin, na larguan të paktën kundërmimin e fotokopjeve, por jo lapustilëve, ato nuk përdoren. Kur studenti Shemshedin pastronte me Ace dyshemenë, kishte nga ata që i kishin hequr nga puna në universitet, por me shumë mundësi e kishin lënë vetë, se nuk bëhen të dyja, dhe Kritika e Arsyes së Kulluar, edhe pyetjet e provimeve që kritikonin Ligjin e Arsimit gjerë e gjatë dhe ne i dëgjonim. Kritikonin dhe shpjegonin nëpërmjet kritikës. Ndoshta ishte e vetmja mënyrë, si dikur në diktaturë[3], për të shpjeguar Frojdin.

“Qysh te Klementi i Aleksandrisë Nocioni shkrihet me atë të providencës, duke marrë kësisoj kuptimin e qeverisjes shëlbuese të botës dhe historisë së njerëzve. E pra, si e përkthyen në shkrimet e tyre etërit latinë këtë term themelor grek? Dispositio.”[4]

Në fakt ligjërimi pushtetor sa vinte e theksohej duke denoncuar, ironikisht, se këta studentët qëndresëtarë, ne domethënë, ishin të çmendur, njerëz me probleme, njerëz forumesh politike, njerëz me interesa, njerëz që do t’i merrnin pronat rektoratit dhe do t’i fusnin në burgun e Spaçit, sorosianë të pafe, njerëz që nuk kanë lexuar Aurel Plasarin, që nuk dinë pellazgjisht, që nuk dinë historitë e librit, librit të shenjtë e kam llafin, si dhe më tha një shok, ka më shumë se një, Bibël, Kuran, dhe, për rektoratin, kushtetuta (mos vizato në mur, o djalë!). Këta barbarë, ndonjëri dhe me mjekër, ndonjëri dhe drogaxhi, ndonjëri dhe i papunë, ndonjëri dhe homoseksual, ndonjëri dhe vajzë, ndonjëri që thoshte sikur të isha vajzë, nuk dinin as latinisht, student mjekësie madje, ajo që ndër latinët është më latinia e gjuhëve. Pushteti është universal dhe riprodhon universalitetin, universiteti është pushteti i parë sot politik dhe njësoj si pushteti riprodhon universalitet. Gënjen dhe gënjehet duke e njëtrajtësuar njeriun në një format, ose kur ky njeri fillon e zhvillon neuroza konvulsive dhe reagon nga ky helm, zhvillon një universalitet të kundërt. Ca trupa janë të sakrifikueshëm. Pushteti di shumë mirë të ndikojë në arsyen e trupit. Nuk është thjesht ajo shprehja e thjesht “përçaj dhe sundo”. Në fakt i bie të jetë, bëji të gjithë njësoj, prodho neuroza, ose dhe kur nuk lindin dot, ndërto imazhin e neurozës, referoju vlerave morale të përcaktuara, dëgjo ezanin dhe kambanat e kishës. Ndërgjegjja e keqe do të fitojë mbi ndërgjegjen, Dualiteti e bardhë / e zezë do të fitojë mbi ngjyrat, për t’u kthyer sërish në një botë pa ngjyra, në një botë pa shokë, në një botë pa buzëqeshje dhe pankarta, në një botë ku bie shi, në një botë pa pikturë dhe poezi.

Kjo nuk është mënyrë e qenies, nuk është as ekzistencë, është njeriu i kidnapuar në qenie. Nuk është Dasein Heideggerian. Nuk pyet më për veten. Është një reduktim i njeriut në qenie njerëzore biologjike, në trup që ka për detyrë vetëm të vdesë, ashtu si myslimanët presin vdekjen, mezi presin vdekjen (Orhan Pamuk), ashtu njëtrajtësohen të gjithë në një formë të re të njeriut fetar. Kjo është biopolitika e vërtetë. Nuk është ndërhyrja e shtetit për ndihmën që u jep transseksualëve, as ndërhyrja e shtetit për të zgjidhur dhunën në familje. Është pamundësimi i eventit me E të madhe nëpërmjet eventeve të vogla. Politika nuk përbën më lajm. Përbën vetëm sondazh.

Një nga protestuesit, jozyrtarë, që foli në protestë, që si gjithmonë ngjalli polemika, le të mos vijë, pse të vijë, ishte edhe kryeministri i sotëm i Kosovës, Albin Kurti që edhe rrezikoi miqësinë (kështu u tha, se kush e tha, s’u mor vesh) me kryeministrin Rama (ky ndërkohë po ngrohte megafonin për të dalë në protestë vetë dhe kjo u pa nga entuziazmi me të cilin shkarkoi më pas gjysmën e qeverisë). Ciniku do të thoshte se ato më pas zunë poste të tjera, po pse, kush do t’i zinte. Protesta studentore e 2018-ës nuk pat lider dhe nuk prodhoi liderë dhe mirë që nuk prodhoi. Nuk kishte as agjitatorë si te protesta e Teatrit, as burra barkiçë në moshë të thyer. Ishin ca veta që dolën në shesh për njëzet mijë lekë më shumë. Ishin ca ngelës që i duhej të mbyllnin muajin duke punuar dhe studiuar tregun e punës.

Me shumë gjasë nuk do të ishte gabim ta përkufizonim fazën ekstreme të zhvillimit kapitalist, në të cilën po jetojmë, si një fazë akumulimi dhe përhapjeje të shpejtë e masive të dispozitivëve. Natyrisht, qëkurse u shfaq homo sapiensi, u shfaqën dhe dispozitivët; por sot, duket sikur nuk ka çast në jetën e njerëzve që të mos jetë i modeluar, i infektuar apo i kontrolluar nga një dispozitiv…Puna nuk është thjesht t’i shkatërrojmë dhe as, siç sugjerojnë disa naivë, të gjejmë si t’i përdorim në mënyrën e duhur. [5]

Në fakt dispozitivi i ligjërimit dështoi në protestë, në pankarta kishte gjithçka, nga memet te feminizmi, Migjeni, Platoni, thumba politikanësh, këngë (Anuloje at ligj!), dhe gjer te pedagogë që shprehnin preferenca ekstreme (një pedagogu ynë thoshte se donte të shihte të famshmen “I would prefer not to” të Melville). Situata ishte e tillë që liturgjia e tregut, e kapitalizmit spontan, e zogut të kurvës në biznes, u pezullua. Dhe gratë dhe vajzat u kthyen të gjitha nga Moza e bllokut në bletë punëtore, folën më shumë, ligjëronin pa frikë, ngrinin zërin, pedagogë e pedagogesha, studentë e studentesha, kujtoj këngën e famshme për L.Nikollën (“mesatarja pesë pik tet’, pesë pik tet’, o ministrja e mamit të vet”, që këndohej nga një vajzë) apo foton epike me Schillerin jeshil (Botime Pika Pa Sipërfaqe) te muret e Ministrisë së Arsimit. Mure që më pas i lyen dhe i pikturon Eljan Tanini. Gjarpinjtë e gjakut, ka pas pasë një libër Adem Demaçi.

Ngjarja që prodhoi njerëzoren, për qeniet e gjalla, përbën faktikisht një lloj frakture e cila riprodhon në njëfarë mënyre thyerjen mes qenies dhe veprimit që oikonomia kishte sjellë te Zoti. Kjo thyerje e veçon qenien e gjallë nga vetvetja dhe nga raporti i vetvetishëm me mjedisin e saj, domethënë me atë që Uexkull-i dhe pas tij, Heidegger-i, e quajnë qarku receptues-shpengues. Këputja apo ndërprerja e këtij raporti, te qeniet e gjalla prodhon mërzinë – domethënë aftësinë për ta pezulluar marrëdhënien e vetvetishme me shpenguesit – dhe Çelnajën, domethënë mundësinë për ta njohur qenien si qenie, për të ndërtuar botë. Mirëpo, kjo mundësi sjell sakaq dhe mundësinë e dispozitivëve, që vërshojnë të popullojnë Çelnajën me instrumente, objekte, gadgets, çikërrima dhe teknologji të llojllojshme.[6]

Vite më vonë, kur shkova në Austri në mënyrë pak klandestine, për të takuar një mikeshën time të viteve të universitetit, u kujtova se kisha harruar laptopin, shpesh e harroja laptopin (kjo u bë si batutë) gjatë viteve të universitetit dhe pasi ajo u largua, në fakt më shumë lexoja se shkruaja, në fakt nuk kishte shumë nevojë të shkruaje, mund të tregoheshe kreativ vetëm në seminare, në leksione jo. Kur pedagogu i jashtëm me ëndrra të mëdha të linte, sigurisht. Ajo, në Salzburg nxori laptopin nga tote bag sikur po nxirrte armën nga këllëfi dhe filloi të qeshte.

Kjo ndodhi e 2023-it koincidoi me daljen e librit të ri (Deltaplang; Logbook) të Idlir Azizajt (Nivik), të cilin e kisha porositur, po e mori im atë ndërkohë që unë isha në Austri duke bërë si komunist-hipi-bohem-aventurier-poet. Falem nderit të dyve.

Nuk e pyeta pse mungoi në 2018. Kishte tetë vjet që mungonte. Ishte një protestë e mungesës. Nuk desh të mungonte as diaspora me thënë të drejtën, shumë dhe morën avionët, disa morën avionët pak më vonë, panë pankartat dhe u ankuan pse nuk kishim thyer ndonjë xham. Ne, në fakt, ishim shumë të rregullt. Shumë heteronomë dhe në përzgjedhjen e titujve. Kundera u bë lexim i detyrueshëm, por kapela e Sabinës ishte e tepërt edhe për ato të Paris Tetës. Megjithatë, përkthyesi i Spinozës kishte kënaqësinë e veçantë të shkapërcente gardhin e fakultetit me një kërcim për t’u hedhur në anën tjetër, ne shalëgjatët e kalonim me hop. Ndonjëri edhe e hapte, ai që ishte i dehur përplasej me derën, disa i binin nga Kina. Sot tek ajo kafja aty afër po bëhet një pallat. Dikur ishte kafe-librari. Dita. Kishte botuar ndër të tjera dhe përkthimin e Foucault (Pushteti dhe Dija) nga Orgest Azizi (dhe një ese e përkthyer nga Persida Asllani).

Çshenjtërimi është kundërdispozitivi që rikthen në përdorim të përbashkët atë që sakrifikimi e kishte veçuar dhe ndarë.[7]

Edhe është një nga ato ese që u ribotua tani në 2024 nga botime Zenit: “Omnes et Singulatim: drejt një kritike të arsyes politike”. Në fakt, nostalgjia na thotë atë kohë që shumë botime të reja ndiqeshin, dhe botime të mira madje, kishte një ekzaltim, katër muaj nuk kaluan kot, u ndërtua ligjërim, ose, më saktë, një kundërligjërim. Nga studentët e filozofisë kishte shumë, por ndonjëherë dhe shumë pak. Nga këta llapaqenët që folën me ligjërime isha edhe unë, me një kritikë të burokratizmit në universitet (ngaqë unë jam shumë i gjatë, nuk dëgjoj mirë çfarë thonë sekretaret). Lexova dhe një ese të Orgest Azizit (Ideja e Universitetit) që hapet me një citim nga Sartre, citim që e merr më vonë, pak më vonë, Ardian Vehbiu te një kapitull i “Gjuha që thyen” kur krahason lirinë për Sartre-in dhe lirinë për Bashkim Shehun. Bashkimi vetë pat ardhur vetë një vit më parë për të mbajtur një leksion të hapur, leksion që u përmblodh pastaj në “Pesë leksione mbi letërsinë” (UET Press). Si përkthyes i Kierkegaardit dhe shkrimtar, dhe jo si i biri i Mehmet Shehut. Pra, universiteti atëkohë gjallonte, kishte një gjurmë për t’u ndjekur.

Ka kohë tashmë që filozofia ka hequr dorë nga synimi për të plotësuar pamjaftueshmërinë e arsyes shkencore, që nuk synon më ta mbyllë deri në fund ngrehinën e saj.[8]

Dhe ishte kjo mospërfillje ndaj shkencizmit dhe shkencizimit ajo që karakterizoi dhe, më mirë, ishte një nga karakteristikat e protestës studentore të 2018-ës. Edhe kur kërcënuan se do të humbnim vitin, edhe kur hanim në rrugë, u bëmë të gjithë konviktorë, edhe ato që pushuan, ndenjën në shtëpi. Më shumë se të gjithë lodhjen e patën ndier studentët e mjekësisë, studentët e privatëve jo dhe aq, por arsyeja që na u bashkuan ishte më shumë kulturore dhe ideologjike, jo thjesht ekonomike. Kishte dhe nga ata me maska. Mbaj mend që bëra dhe foto me Edmond Tupen, foto që tani më ka humbur ngaqë ndërrova celular. Tupja vetë (student në ’68 në Francë) as nuk e çante kokën hiç fare të fliste me vajza apo të lypte lekë borxh mu para kryeministrisë. Kjo anë rebele që i takon poezisë dhe asaj që quhet “teori franceze” ishte një nga krerët e protestës. Ndërkohë që pedagogjia e hyrjes apo jo në BE nuk dukej në fakultet dhe me siguri kishte fikur televizorët – për të mos hapur librat – mendimi i stilit doli në pah. Kinemaja po ashtu.

Muaj më vonë u shfaqën dhe filma në FSHS. Disa studentë kaluan me Vetëvendosjen, disa shkuan me Lëvizjen Bashkë, disa ikën jashtë, disa u kthyen me Pëdënë, disa përtonin të vazhdonin shkollën. Kishte dhe nga ata që u kthyen në aktivistë profesionistë. Ca ishin dhe «Te Teatri». Artan Fuga përtoi të vinte. Asistenti i Fugës, Ervin Goci, erdhi po seç e kishte kapur personalisht me kryeministrin. Ata përkthyesit e Hemingway Bar nuk dukeshin gjëkundi. Me siguri po lexonin Danten ose ndonjëri ishte në xhami. Ndodhi nga më të shumëllojshmet, por kishte një paradoks. Mund të bëhej gjithçka dhe në të njëjtën kohë askush nuk mund të bënte gjithçka. Në kufi të absurdit kjo gjë. Një nga motot e ’68 ishte «Bëhu realist». Ne as realistë nuk dinim të ishim. Kishim ca kërkesa dhe kërkonim të plotësoheshin. Në fakt, dukej sikur ishte një provim i stërmadh, por kërkonim që këtë herë mos ta bënim vetë, gjithmonë duke e ditur si bëhej.

Mos ta bënte as qeveria, as pushteti. Kërkesat duheshin plotësuar, fleta nuk duhej lënë bosh. Edhe sikur të kopjoheshin. Në fakt Foucault dikur në Francë buzëqeshte kur gjente nëpër librari botime pirate të leksioneve të tij të zbardhura. Kërkesat nuk u plotësuan dhe u harruan.

Të tilla banalitete dihen nga të gjithë. Mirëpo, fakti që janë banale, nuk do të thotë se gjëra të tilla nuk ekzistojnë. Në prani të fakteve banale, detyra jonë është të zbulojmë –ose të përpiqemi të zbulojmë – problemet e veçanta dhe ndoshta thellësisht origjinale që lidhen me to. Lidhja mes racionalizmit dhe shpërdorimit të pushtetit politik është më se e kuptueshme. Nuk është nevoja të presim zhvillimin e burokracisë apo shfaqjen e kampeve të përqendrimit për të pranuar ekzistencën e marrëdhënieve të tilla. Puna është ç’të bëjmë me një fakt të tillë, sa të mirëkuptuar aq dhe të gjithëpranuar.[9]

Për një vend që mburret shumë me lashtësinë e gjuhës shqipe, me lidhjen me Ilirët, me kulturën osmane, me futjen e armëve në kuvendin françeskan të Shkodrës dhe dëmin që kjo i bëri kulturës shqiptare, me mbrojtjen që u bëmë çifutëve, me kosovarët që i futëm në shtëpi dhe, në të njëjtën kohë, me kosovarët që ia shitëm vezën një mijë lekë, nuk kemi shumë kujtesë për ngjarje që gërvishtin, dhe gërvishtin thellë. Shtëpitë e tërmetit i dimë të gjithë, por konviktet dhe tarifat janë po ato. Studentë nga Kosova vijnë për të studiuar dhe ikin prapë. Studentët nga shtetet e Bashkimit Europian largohen dhe e shohin Shqipërinë me një kërshëri antropologjike. Në shkencat natyrore dhe mjekësore nuk ka prurje të reja, as në gazetari apo jurisprudencë, edhe më keq është problemi tek Ekonomiku, ku dinozaurët e atjeshëm kanë përfrikësuar studentët, e kanë shtrënguar lakun edhe më shumë që të sigurohen, që një 2018 tjetër të mos ndodhë.

Nga kjo perspektivë, fe mund të përkufizohet gjithçka që i heq sendet, vendet, kafshët apo personat nga përdorimi i përbashkët dhe i largon ato në një sferë të veçuar.[10]

Këtu ka një tipar dhe rol të madh frika, përfrikësimi. Atëherë njerëzit nuk kishin frikë, pat dhe nga ata që dilnin dhe me maskë, por gjithsesi dilnin për modë, maska që pas pandemisë u normalizuan ca kohë, për të mos u përdorur më veçse në teatër, te Turbina tashmë. Kurse tani të gjithë kujtojnë se shteti u ka me të futur, por nuk ua mban të protestojnë. Përveç disa trushpëlarëve andej-këndej, që ose protestojnë për hallet e veta, ose janë konspiracionistë, ose ndonjë protestë solidare si ajo për Ukrainën ose ato për Gazën, por gjithsesi, shumë pak për Gazën. Ndoshta dhe nga një mungesë kauzash, ose nga një mungesë njerëzish. Grupe aktivistësh janë përpjekur, por dhe duke deformuar ligjërimin, duke u kapur ndaj kauzave specifike, si “Karta e studentit”, por thonë që qytetarët kanë harruar, studentët kanë harruar ose fshihen.

Në fakt, tashmë duket sikur të gjithë fshihen nga të gjithë sikur i kemi lekë borxh. Sikur kemi ndonjë faj. Madje dhe shkrimet e viteve të fundit ngjajnë sikur janë shfajësime, sikur janë kërkim faljeje. Pardon! Sikur i hasëm shokët e armëve me bërryl në rrugë. Të gjithë u kërkojnë falje të gjithëve, që nuk arritën asgjë.

Studentët e sodit iu fshihen atyre me fletushka. Faqet e rrjeteve sociale që bënin njoftime, janë mbyllur ose kanë ndërruar administrator. Një artiste e re kontemporane, regjisore filmash, më pat thënë: “Ta paskan shkruar recetën ty që atëherë”. Një përkthim i “Ju keni qenë të gjithë të çmendur”. Kjo narrativë e grigjës dhe heshtjes predominon ligjërimin atëherë kur mundet të predominojë jetën. Ideologjia “woke” ka zëvendësuar ideologjinë. Sikur kemi ca vite në një funeral të madh. Në fakt Nietzsche foli për vdekjen e Zotit, që ishte edhe “vdekja e mjeshtrit”, pronarit, padronit, por ajo që nuk u kuptua më pas dhe ajo që Nietzsche desh të kuptonin ishte se vdekja e Zotit është ndjesia kur i hedh një grusht dhe kur po shkon arkivoli për poshtë. Nuk është një fenomen i përgjithshëm universal, është diçka e brendshme. Zoti mund të ketë vdekur me miliona herë dhe ka vdekur me miliona te çdo ateist. Në njëfarë mënyre,  psikologjike. Kur thyhet dialektika dhe kupton që mund të bësh gjithçka.

Jo t’i vësh zjarrin Ministrisë së Arsimit. Por që je njeri i lirë. Emancipimi nuk është i vështirë, por i çuditshëm. Mund të krijosh, mund të shohësh filma, mund të lexosh, mund të dëgjosh muzikë, mund të pish çfarë të duash, mund të udhëtosh, mund të punosh, mund të shkosh të bësh një xhiro nga xhamia për qejf. Me lehtësi. Romeo Çollaku ka një personazh te «Mjaltë në teh», që lëshon britmën «Sa vjet ke pa e parë derën e kishës». Këtë britmë nuk e lëshojnë dot studentët e dhjetorit. Në fakt ishim “dreamers” sipas filmit të Bertoluccit, por nuk adhuronim ndonjë gjë. Ishim ngelësit, ngaqë nuk patëm perversitet për dijen. Nuk i nënshtroheshim autoritetit.

Çshenjtërimi është kundërdispozitivi që rikthen në përdorim të përbashkët atë që sakrifikimi e kishte veçuar dhe ndarë.[11]

 

© 2024 Adri Kalaja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


[1] “Çfarë quajmë dispozitiv?”, Giorgio Agamben, Dritëhije, 2024, përktheu Alfred Bushi.

[2] Po aty.

[3] Shih “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”, Ardian Vehbiu.

[4] “Çfarë quajmë dispozitiv?”, Giorgio Agamben, vepër e cituar.

[5] Po aty.

[6] Po aty.

[7] Po aty.

[8] “Omnes et Singulatim: drejt një kritike të arsyes politike”, Michel Foucault, përktheu Orgest Azizi, Zenit.

[9]Po aty.

[10] “Çfarë quajmë dispozitiv?”, vepër e cituar.

[11] “Çfarë quajmë dispozitiv?”, vepër e cituar.

 

Rreth Autorit

Adri Kalaja ka lindur në Shkodër më 21 gusht të 1997. Sapo është diplomuar nga UT, FSHS në Filozofi (niveli Master Shkencor) me një tezë mbi M.Foucault (në 2020). Interesat kërkimore-teorike shtrihen në një larmi fushash, me fokus filozofinë por gjithashtu antropologjinë, veçanërisht atë kulturore.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin