Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Televizion

EKRANI I ARTIT

Me pasazhin (në fund) shkëputur nga një reflektim mbi artin e shtatë botuar në këtë revistë, duam të ftojmë lexuesit tanë dhe dashamirësit e filmit të na bashkëngjiten në edicionin e shtatë të Ekranit të Artit që do të mbahet 5-9 qershor në Shkodër. Ky edicion, nën titullin Solitude and Multitude, paraqet një program të pasur me vepra të videoartit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion, punime nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë që do të shfaqen në Kinema Republika, Art House, Galerinë e Arteve, Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Qendrën Rinore Arka, Auditorin Franceskan, Galerinë Oda dhe në Kalanë e Rozafës.

Programi i plotë mund të shfletohet këtu. Veçojmë për ju disa prej aktiviteteve që na tërhoqën vëmendjen, si dhe tekstin prezantues të këtij edicioni.

Solitude and Multitude  – Tea Paci

Por ka një tjetër mënyrë për mua të shkoj në kinema (përtej armatosjes me diskursin e kundër-ideologjisë); duke e lënë vehten të mahnitem dyfish, nga imazhi e nga ajo që e rrethon – sikur të kisha dy trupa njëkohësisht: një trup narçiz i cili vështron, i përhumbur, në pasqyrën gëlltitëse të ekranit, dhe një tjetër trup pervers, i gatshëm të fetishizojë jo imazhin, por pikërisht atë që e tejkalon: teksturën e tingullit, sallën, terrin, masën e errët të trupave të tjerë, rrezet e dritës që hyjnë e dalin në sallën e kinemasë.  

Roland Barthes, “Leaving the Movie Theater”. From Phillip Lopate (ed.), The Art of the Personal Essay, New York: Anchor Books, 1995 *

Në këtë paragraf të shkurtër por plot tharme, Roland Barthes përkufizon eksperiencën e spektatorit në kinema si të dyzuar: i pari, një trup i zhytur në pasqyrën e ekranit, i përthithur (e hera herës i reflektuar); eksperienca e përqendrimit. I dyti një trup i shpërhapur, që e lë veten të mahnitet e të zaptohet nga pjesa tjetër; eksperienca e shpërqendrimit mund ta quajmë, drejt asaj që ndodh jashtë kuadrit e cila përfaqësohet nga vetë salla e kinemasë.

E para është një eksperiencë e vetmuar përballë imazhit, e dyta e çon spektatorin  drejt ”masës së errët të trupave të tjerë”

Sepse nëse është e vërtetë se sot,  salla e kinemasë përvijohet si hapësira e një vëmendjeje të privilegjuar për individin e veçuar, gati gati një strofull, për ti shpëtuar përthithjes së fluksit të fragmentuar e bulimik të imazheve e informacioneve, është po aq e vërtetë që shkojmë në kinema pikërisht për të mos qenë vetëm e për t’i parë filmat me të tjerët. Prania e tjetrit është përbrendësisht pjesë e eksperiencës kinematografike.

Në reflektimin e Barthes, pyetja e nënkuptuar duket se është: “ku jemi kur shohim një film?” Ana tjetër e kësaj pyetjeje mund të jetë: “me kë jemi kur shohim një film?”

Shkoj shpesh e vetme në kinema dhe më është dashur pak kohë ta kuptoj që ndjesia është ajo e të shkuarit në një takim të pa programuar me dikë tjetër. Nganjëherë, na bëjnë shoqëri persona të njohur, fytyra mike e të afërta, por të shumtën e herëve, ai që na rri afër është një i panjohur, me të cilin për disa minuta ose ndonjë orë, kalojmë kohën, përballë të njëjtit objekt, i cili provokon tek secili humore e reagime, qofshin ato të kundërta apo të ngjashme.

Gjatë filmit gati e harrojmë praninë e tjetrit e këtë bashkëndarje. Ftillohemi shpesh vetëm në fund, kur dritat ndizen e, sikur të ishim zgjuar nga një mpirje, e gjejmë veten në këtë komunitet të përkohshëm që ndërtohet e shprishet, jo më nën dritën e zjarrit të vatrës por të një vargëzimi imazhesh.

Vetëm, por jo të izoluar, një shumësi heterogjene, e ndalur e në të njëjtën kohë në lëvizje. Salla si një trup i gjallë, që merr frymë, imagjinon, dremit, ëndërron.

Nganjëherë mjafton të ulesh së bashku që të marrësh pjesë. Shikim të këndshëm!

“Anulloje Ligjin” 
Shfaqje filmike / Kinema Republika / 6 qershor / 21.00

Një dokumentar që heton kompleksitetin e kombit shqiptar, përmes tregimit të historisë kontroverse të monumenteve të tij. Ku janë dhe çfarë janë duke u bërë sot monumentet e vjetra socialiste shqiptare? Cilat janë monumentet e reja të ngritura në këtë epokë neoliberale dhe kapitaliste? Fabrizio Bellomo ndjek një rrugë tërheqëse dhe kaotike përmes historisë së Shqipërisë.

“Inside”
Shfaqje filmike / Kinema Republika / 7 qershor / 19.30
Filmi “Inside” nga regjisori grek Vasilis Katsoupis shfaqet për herë të parë në Shqipëri.  Nemo është një hajdut arti që gjendet i mbyllur në një shtëpi në New York. I bllokuar në një kafaz të artë, i rrethuar nga një koleksion i mrekullueshëm veprash arti, ai arrin kufijtë e tij fizikë dhe emocionalë. Filmi është një eksplorim ekzistencial i nevojave njerëzore që vë në pikëpyetje vlerën e artit dhe luksit.

Disobedience Archive
Bisedë /Arka Youth Center/ 8 qershor / 11.00
Kuratorët Marco Scotini dhe Arndol Braho prezantojnë projektin e tyre Disobedience Archive, aktualisht në ekspozitë në La Bienale. Disobedience Archive është një video arkivë e lëvizshme, që zhvillohet në disa faza e cila përqëndrohet në marredhëniet mes praktikave artistike dhe aksionit politik. Projekti gjeneron një atlas të taktikave të rezistencës bashkëkohore, duke përfshirë qindra elemente dokumentare që përfshijnë dekada.

 

KINEMAJA E FËMIJËRISË, FËMIJËRIA E KINEMASË
Ardian Vehbiu

[K]a diçka prej fëmije, tek një imazh që lëviz në ekran; dhe se projektori i filmit e ka origjinën në lodra për të vegjël (zoetrope) dhe gjithfarë magjish prej cirku; sikurse jo vetëm ngaqë filmat e hershëm, ato të kinemasë pa zë, na bëjnë për të qeshur me komicitetin e tyre, shpesh të qëllimshëm, por edhe thjesht nga mënyra si konvertohet sot lëvizja, e përshpejtuar ose konvulsive.

[D]ikush që shkon për herë të parë në kinema, e përjeton eksperiencën si të ishte jo vetëm e fillimit për të, por edhe e fillimit, pra e fëmijërisë së kinemasë. Kam lexuar që gjatë projeksionit të filmit të parë nga vëllezërit Lumière, që paraqiste një tren duke hyrë në stacion, publiku u tremb dhe u ngrit të ikte me vrap nga salla; një histori me gjasë e sajuar, por që mua më sjell në mend një moment, sërish nga kinematë e fëmijërisë sime, kur një alpinist duke iu ngjitur shkëmbit shkëputi me këmbë disa gurë që u rrokullisën drejt objektivit të kamerës, dhe mu aty dikush, ulur në radhën para meje, ngriti dorën si për t’u mbrojtur; ishte një gjest instinktiv, prej fëmije. Edhe unë mund ta kem ngritur dorën ndonjëherë. Nuk di ç’do të jepja, për ta provuar edhe një herë efektin e realitetit që projektonte në fillim ekrani; e kam ndier në palcë agoninë e Paridit, kur këtë e shpoi tej për tej me shpatë Menelau, te Helena e Trojës. Sot përkundrazi, si të rritur që jemi, “e dimë” se çfarë është film dhe çfarë është jetë; madje përdorim shprehjen: “si në filma”, për diçka të pagjasë ose të ekzagjeruar; ose shprehjen tjetër: “mos më bëj filma mua!”. Kur shkojmë në kinema, përjetimin e çdo filmi të ri na e filtron dhe kushtëzon fort prania në kujtesë e filmave të tjerë që kemi parë dhe e zhanrit përkatës; madje edhe nga regjisorët dhe aktorët vetë presim një efekt të caktuar; kjo përtej efektit intertekstual që mund të jetë i trupëzuar në film si autor implicit. Filmat që kemi parë na diktojnë si ta shohim çdo të ri rishtaz; ekspozimi i përsëritur me këtë formë arti na ka lënë në duart e intertekstualitetit (pisk e kanë këtu kritikët e filmit, që kanë parë gjithçka dhe arrijnë të perceptojnë vetëm teknikat), por në të njëjtën kohë qasja filmike ndaj realitetit ka marrë përmasa universale, në kuptimin që jeta “reale” po lexohet gjithnjë e më rëndom si të ishte film (Joel Black, The Reality Effect, Film Culture and the Graphic Imperative, Routledge 2002) dhe po na përcillet me gjithë artificialitetin e teknikave të filmimit. Por spektatori i sprovuar i kinemasë, me përkufizim, nuk e ka më pafajësinë e hershme; sheh një kukull animatronike, atje ku fëmija sheh një përbindësh të frikshëm; nuk arrin dot ta pezullojë mosbesimin (suspend disbelief), në një kohë që fëmija i nënshtrohet imperativit filmik naiv dhe beson gjithçka (duke e konsideruar besimin si pjesë konstitutive të paktit që ka lidhur me ekranin). Kjo e të besuarit lidhet edhe me natyrën e fotografisë, që i nënvendoset teknikës kinematografike; dhe me raportin e fotografisë me të vërtetën. Kur kam qenë fëmijë dhe më ka qëlluar të jem tronditur ose trembur nga një film, mbaj mend të më kenë qetësuar kështu: “nuk janë të vërteta.” Kjo duhej të shërbente edhe si formulë iniciatike, për të kaluar nga fëmijëria në adoleshencë: vetëdija për filmin si diçka “të shpikur” a “të sajuar”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin