Problemet me ligjërimin turbologjik do t’i ndaj në tre grupe:
- Që vijnë nga padija/inkompetenca, ose ngaqë turbologëve u mungon përgatitja, dija, ekspertiza dhe specializimi i nevojshëm për t’u marrë me gjërat për të cilat flasin dhe shkruajnë. Kjo përfshin si njohjen e objektit të studimit, gjuhëve përfshi këtu edhe shqipen; ashtu edhe njohjen e elementeve më fillestare të gjuhësisë dhe të metodës shkencore të studimit.
- Që vijnë nga ideologjia, ose nga bindja e këtyre se përpjekjet hulumtuese duhet të provojnë epërsinë e gjuhës shqipe ndaj gjuhëve të tjera, duke filluar nga gjuhët fqinje. Kjo epërsi ka të bëjë si me vjetërsinë, ashtu edhe me pasurinë dhe rolin dhënës, në krahasim me rolin marrës. Nga ky prizëm, turbologët i japin vetes një rol mesianik, i cili shoqërohet me ankimet për persekutim nga establishmenti i dijes dhe vizionet delirante për konspiracion.
- Që vijnë nga këmbëngulja për të përsëritur pasaktësi dhe gënjeshtra, të cilat tashmë janë provuar si të tilla; por që besohen akoma nga ndjekësit e tyre të shumtë, sidomos në rrjetet sociale. Për fat të keq, gënjeshtrat përfaqësojnë ende themelet e argumentit turbologjik, edhe atëherë kur turbologëve u është provuar se janë duke gënjyer.
Një nga gënjeshtrat më të përsëritura, edhe përballë shpjegimeve më të thjeshta që janë sjellë e risjellë është ajo se “albanologjia zyrtare e nxjerr shqipen 1500 vjeçare, në një kohë që shkencëtarët amerikanë (sic) flasin për shqipe 6000 vjeçare”. Kjo gënjeshtër nxjerr kokën rregullisht, në muhabete ku përmendet rëndom i famshmi “artikull i revistës Science”, të cilin unë druaj se asnjë turbolog nuk e ka lexuar dot deri në fund. Pohimi është i artikuluar në dy pjesë, dhe të dyja janë të rreme. (a) Artikulli i Science jep një datë spekulative, për ndarjen e degës indo-europiane të shqipes nga familja “mëmë”, por nuk flet dot për datim të saktë të shqipes, sepse i mungon dokumentacioni; dhe (b) “shqipja 1500 vjeçare”, që i shqetëson aq shumë patriotët e kafeneve, është në fakt shqipja ashtu siç e njohim ne sot, e dallueshme nga proto-shqipja; njëlloj siç dallohet gjermanishtja e re nga gjermanishtja e vjetër, italishtja nga latinishtja, greqishtja e re nga greqishtja e vjetër. Dallimi ka të bëjë me tipologjinë gjuhësore, dhe pikërisht karakteristikat fonetike, fonologjike dhe gramatikore. Këto u janë shpjeguar turbologëve me durim, por këta nuk kanë dashur të dëgjojnë, sepse argumenti i “shqipes 1500 vjeçare” ka sukses të madh me ata që u besojnë konspiracioneve dhe, sidomos, që janë të bindur se albanologjia e sotme financohet nga shërbimet e fshehta të Beogradit dhe të Athinës.
Përgënjeshtrimi: shqipja nuk është 1500 vjeçare; por shqipja e sotme – me këtë strukturë fonologjike dhe gramatikore, përfshi edhe ndarjen dialektore – me gjasë është kristalizuar rreth 1500 vjet më parë.
Një argument tjetër i gënjeshtërt, është ai që metoda historike-krahasuese, e përdorur nga albanologjia – dhe veçanërisht nga etimologë si Çabej, Topalli dhe B. Demiraj (por edhe Hamp-i, Oreli, Huld-i e të tjerë etimologë të huaj) – ka dështuar, dhe duhet lënë mënjanë. Turbologëve u është shpjeguar me durim të madh, se metoda historike-krahasuese mbetet sot e vetmja metodë bazë, me të cilën hulumtohet historia e gjuhëve anembanë botës. Edhe vetë metodat statistikore, të artikullit të botuar në “Science”, mbështeten në manipulimin dhe modelimin e të dhënave që ofrohen nga metoda historike-krahasuese. Prandaj nuk ka kuptim që një turbolog t’i referohet nga mëngjesi në darkë artikullit në “Science”, gjithë duke pretenduar se metoda historike-krahasuese e përdorur në albanologji është kapërcyer; në fakt, artikulli në “Science” ngrihet mbi rezultatet e arritura nga gjuhësia historike dhe, në rastin e shqipes, mbi analizat dhe hulumtimet rutinë të albanologëve.
Përgënjeshtrimi: artikulli i revistës “Science”, që aq fort i ka entuziazmuar turbologët, mbështetet fund e krye në rezultatet e studimit historik-krahasues të gjuhëve indoeuropiane; dhe, në rastin e shqipes, në rezultatet e albanologjisë klasike dhe moderne.
Një tjetër rrenë e madhe, që e dëgjon të përsëritet nga çdo turbolog, është ajo e famëkeqit “93 për qind”, që do të ishte përpjesëtimi i fjalëve të huaja në Fjalorin e Topallit, ose në Etimologjitë e Çabejt, ose ndonjëherë edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Në vija të trasha, dhe përtej përqindjeve të sakta, ky argument pretendon se etimologët modernë të shqipes, veçanërisht Çabej dhe Topalli, i kanë nxjerrë shumicën e fjalëve shqipe si huazime, veçanërisht nga “serbishtja”. Te ky argument ka një komponente të fortë të padijes, sa kohë që turbologët nuk arrijnë ta kuptojnë dinamikën e leksikut të një gjuhe në rrjedhë të kohës, siç nuk arrijnë të kuptojnë se shqipja, si çdo gjuhë tjetër, ka dhënë e ka marrë lirisht me gjuhë të tjera, çfarë tregon edhe se folësit e saj nuk kanë qenë të izoluar nga bota, por pjesë e qytetërimit europian. Përtej paaftësisë për ta kuptuar këtë realitet, turbologët gënjejnë për përpjesëtimet e fjalëve të etimologjizuara; dhe u është treguar, me dokumente dhe shifra, se pretendimet e tyre për “përqindje” dhe “shumica” janë thjesht të pabazuara. Përkundrazi, asnjë turbolog nuk ka arritur të sjellë ndonjë provë, dokument ose statistikë, për përqindjet e huazimeve që ai pretendon, në fjalorët e shqipes, përfshi fjalorët etimologjikë.
Përgënjeshtrimi: Përpjesëtimi i llogaritur mes fjalëve vendëse dhe huazimeve, në fjalorët etimologjikë të shqipes dhe në fjalorët shpjegues, është shumë larg shifrave që kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin turbologët, për të impresionuar publikun e tyre naiv.
Mangësitë teorike dhe metodologjike elementare, të qasjes së turbologëve ndaj historisë së shqipes mund të kuptohen dhe, deri-diku, të falen; që atyre u mungon përgatitja e nevojshme, për t’u marrë me historinë e shqipes, kjo duket që nga momenti kur hapin gojën për të folur. Por nuk mund të bëhen për këtë me faj, sepse me gjasë nuk e kuptojnë që janë inkompetentë, edhe kur kjo u thuhet haptazi; siç nuk mund të bëhen me faj kur besojnë se mund t’i kompensojnë mangësitë e tyre duke u pozicionuar fort ideologjikisht, si mbrojtës të primatit të shqipes dhe denoncues të “tradhtisë” albanologjike.
Çfarë nuk mund të falet, është refuzimi i tyre për t’u tërhequr nga argumentet e rreme, kur u shpjegohet që ato argumente janë të tilla, të rreme. Ndonjëherë ndodh që, për shkak të inkompetencës, ata keqkuptojnë ose keqinterpretojnë rezultatet e hulumtimeve shkencore, siç ka ndodhur me artikullin e revistës “Science” – të cilin vrapuan ta përdorin për të çuar përpara fantazitë e tyre, për vjetërsinë primordiale të shqipes; por pa e pasur idenë se çfarë kërkonte ai artikull dhe ç’metodë kish përdorur. Duhet theksuar se ky lloj entuziazmi infantil nuk ndeshet vetëm mes turbologëve, por është karakteristikë e krejt kulturës së sotme, sensacionaliste dhe përrallëtare, të portaleve dhe të rrjeteve sociale shqip; dhe një klase intelektualësh “patriotikë”, që e mbajnë kokën gjithnjë mbi ujë.
Këmbëngulja me rrenën provon, të paktën për mua, se turbologët nuk janë në mirëbesim dhe nuk duan të korrigjojnë asgjë nga “faktet” dhe “provat” e tyre; sikurse provon se qasja e tyre ndaj objektit të studimit – gjuhës shqipe – nuk është shkencore, por folklorike në rastin më të mirë, dhe manipulative në rastin më të keq.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Shënim: komentet që dalin nga tema nuk do të miratohen për botim.
Më i rëndësishëmja në postimin tuaj është përsëritja e neologjizmës “turbologjia” se sa argumenti kundër.
Ju, në kundërshtinë tuaj, niseni nga dija juaj e çertifikuar dhe i mësyni dijes së paçertifikuar. Dija juaj në lëminë e etimologjisë është dije e imponuar nga sistemi arsimor dhe ju mbështeteni në sulmin tuaj te dija “e ligjshme” kundër “të paligjshmes”.
Dikur “e paligjshmja” ndodh të bëhet “e ligjshme” e kjo është frika më e madhe e “së ligjshmes”.
Shkenca respekton aksiomën “pranohet deri sa të kundërshtohet” dhe ju e dini se tani është faza e kundërshtimit dhe rrëzimit të metodës së krahasimit në gjuhësi si të pasuksesëshme dhe jorezultative.
Peticioni i 200 akademikëve e profesorëve, që kërkuan ndalimin e “turbologëve” të flasin në media, ishte konfirmimi se “ajka e intelektualizmit” shqiptar (e çertifikuar si e tillë) u dorëzua në përballjen me atë, që ju e quani “turbologji”, dhe i kërkoi shtetit të përdorë dhunën për të ruajtur dijen tuaj të çertifikuar si shkencore.
Ajo, që ju e quani “padija e turbologëve”, fsheh padijen e logologëve të çertifikuar me tituj të ndritshëm prej akademikësh, që të ndodhur para një fakti se morfema e tyre gjuhësore (e pranuar si e pandashme) vërtetohet tashmë se ndahet në kuptime edhe më minimale.
“Ngërçi” i “turbologëve” është se morfema ndahet vetëm brenda gjuhës shqipe dhe asnjë tjetër gjuhë në familjen i.e. të gjuhëve nuk mund ta ndajë morfemën në kuptime më minimale e kështu duhet të provojnë para “gjykatës së çertifikatave të dijes” se morfema klasike është e ndashme në një gjuhë të vetme brenda familjes i.e. të gjuhëve. Pse morfema ndahet vetëm në shqip dhe jo në gjuhët e tjera?! Si përgjigje për këtë mund kemi pyetjen “pse fabrikat e tullave nuk shpërndajnë baltë dhe përdoruesit le t’i pjekin vetë tullat?”. Ja që paska patur në paraantikitet “një fabrikë gjuhësore” që ka prodhuar konceptet gjuhësore të gatshme për gjithë familjen gjuhësore i.e. Kjo fabrika ekziston ende dhe për “baltë gjuhësore” ka embriomorfemat, të cilat piqen në lidhje të ndryshme me njëra tjetrën e krijojnë format e pjekura gjuhësore që gjuhësia zyrtare i njeh si morfema të pandashme e një tjetër rrymë (GJUHËSIA E RE) i ndan në embriomorfema.
Ndarja e morfemës klasike në embriomorfema ka lindur GJUHËSINË E RE e ku i pari përfaqësonjës i saj është Petro Zheji.
Për shkak se morfema ndahet në kuptime të tjera vetëm në gjuhën shqipe, kjo e bën shqipen të vetmen gjuhë në botën e gjuhëvee i.e. që ka aftësinë dhe mundësinë të tregojë natyrshëm se si është krijuar fjala. Metoda e studimit të formësimit të fjalës nëpërmjet embriomorfeve bën revolucion në shkencën e morfologjisë e etimologjisë botërore dhe e dëfton shqipen si gjuhë e origjinës së gjuhëve i.e. Kjo qasje ndaj studimi të mënyrës së formimit të fjalëve është krejt e re dhe gjuhësia zyrtare në Shqipëri nuk është e gatshme ta pranojë dhe një pjesë e saj agresive ka zgjedhur metodën e sulmeve për ta denigruar në sytë e publikut. Por publiku nuk është më ai i para 100 viteve dhe di të ndajë metodën propagandistike të sulmeve denigruese nga metoda e shkencës së vërtetë që përdor debatin konstruktiv. Etiketimi i kundërshtarëve si turbologë e nacionalistë, pa u bërë më parë veprave të tyre një oponencë shkencor, është metodë sulmi e dëshpëruar në mungesë të kundërargumentit.
I qëndroj idesë se shqipja është origjina e familjes së gjuhëve i.e. dhe mundem ta mbroj para gjithë akademikëve të gjuhës këte ide. Por më herët atyre u duhet të pinë ndonjë medikament për t’u aktivizuar hormonin e burrërisë për t’u përballur në shkencë.
Pyetjet për akademikët e gjuhës shqipe janë të thjeshta:
1. a i qëndroni ende mendimit se morfema është e pandashme?
1. a mendoni ende se embriomorfet nuk ekzistojnë dhe nuk kanë rol në krijimin e koncepteve gjuhësore?
Në faqen nr. 3 të parathënies së veprës të Z. Majani “fundi i misterit etrusk” bot. 2017 gjeta një citim të tij nga linguisti dhe antari i akademisë italiane Alfredo Trombetti, i cili deklaron:
“Metoda etimologjike (krahasuese)… është diskretituar për të vetmen arsye se u zbatua keq… Metodë e mirë është ajo që të bën të arrish qëllimin”.
Agron, falemnderit për këto postime ku sqaron në mënyrë të përsëritur thelbin e metodës sate etimologjike. Por është hera e fundit që të kalojnë si komente, meqë rregulla e komentimit, që zbatohet këtu, është që të komentohet rreth temës së shkrimit. Dhe tema e shkrimit janë RRENAT. Nuk të kam përmendur me emër. Nëse ti e sheh veten mes atyre që ngulin këmbë me rrena, mund të përgjigjesh lirisht për kritikat që kam bërë atje – por që nuk t’i kam drejtuar ty. Për shembull, mund të përgjigjesh për 93% e fjalëve të huaja, shqipen që rrjedh nga serbishtja dhe të tjera si këto, nëse dëshiron. Mund të sjellësh provat që ke, pa merak dhe pa problem. Por mos dil nga tema, të lutem.
Ju ngrini si probleme në shkrimin tuaj inkopetencën, ideologjinë, dhe pasaktësinë (rrenën për 93% huazime) dhe në koment fola për dy çështjet e para.
Komenti im nuk përfshinte çështjen e 93% huazime në fjalorin etimologjik të Topallit.
Por ju nuk mund ta quani rrenë shifrën 93% pa bërë një studim tjetër ku të nxirrni një shifër kontestuese. Vetë Topalli në parathënien e fjalorit të tij shkruan se “rapori i fjalëve të vëndit me ato të huazuara anon nga këto të fundit”. Unë vetëm sa harxhova 45 ditë për të nxjerrë raportin e saktë të huazimeve në fjalorin e Topallit. Përsa atë shifër e kam nxjerrë unë dhe ju e quani rrenë, më duhet të përgjigjem unë edhe pse nuk ma përmendni emrin, pasi rrensi për ju jam unë.
Nëse doni të diktoni se çka unë duhet të shkruaj në komente, at’her problemin e keni ju. Nuk ka gjë më të lumtur për çdo pushtet se sa kur kontrollon dhe udhëheq edhe pozitën.
Nëse ju nuk do mi lejoni komentet, unë përgjigjen për shkrimet tuaja i bëj te faqja ime dhe do ju duhet të më lexoni atje, ku do keni edhe më shumë reklamë dhe të përfitoni edhe ca ndjekës nga të mitë, që mbase do ju vlejnë…
Nuk di nëse e ke përjetuar edhe ti indinjatën aq sublime, për “shqipen 1500-vjeçare”, si ca të tjerë. Edhe kjo është rrenë, sepse askush nuk e ka nxjerrë ndonjëherë shqipen 1500-vjeçare. Shifra është sjellë për kohën e formimit të shqipes së sotme, një gjë krejt tjetër. E kuptoj që duhet një farë ekspertize minimale për ta kuptuar këtë, por shpjegimi nuk ka munguar. Gjendet edhe në libra divulgativë për historinë e shqipes.
Gjithsesi, ftesa prej meje është e hapur, që t’i bësh publike statistikat e 93%-shit “huazime” në fjalorin e Topallit (ose statistika të ngjashme për etimologjitë e Çabejt, të cilat të tjerët i kanë përgënjeshtruar). Për mua ai pretendim, sa kohë nuk bazohet në fakte të provuara, mbetet rrenë.
Unë e quaj rrenë 93%-shin, sepse nuk kam parë asnjë argument ose provë. Bardhi Demiraj dhe Mimoza Kore kanë sjellë prova – numerike – që kjo përqindje, në veprën e Çabejt, është shumë larg nga ajo që është pretenduar prej turbologëve. Natyrisht, po t’i kishe sjellë ti provat – siç i sollën të tjerët – në mbështetje të shifrave të tua, ky muhabet as që do të ishte hapur.
Thua se “ke harxhuar 45 ditë” për t’ia numëruar fjalët Topallit; por këto numërime i mban ende private, ndërsa 93%-shin ia ke njoftuar menjëherë publikut. Pse vallë? Pse nuk i bën edhe statistikat publike?
Shkruan
Jo. Nuk funksionon kështu. Barrën e provës e ke ti, që e sjell shifrën! Unë dhe të tjerët nuk mund të fillojmë të bëjmë studime, sa herë që ty të shkrepet të këputësh ndonjë gjë në publik. Thua “pa bërë një studim tjetër” – duke presupozuar se ekziston një studim për këtë punë. Por për mua nuk ka asnjë studim të tillë. Ma provo që ka. Aq më mirë po ta kesh të gatshëm.
Për sqarim: te shkrimi më lart, unë nuk quaj RRENË teorinë e embriomorfemave ose ndonjë teori tjetër që e kam kritikuar gjetiu; këto unë mund t’i gjykoj si të gabuara, pa baza, jo-shkencore, por JO SI RRENA. Ju që i mbroni dhe i promovoni, i besoni si udhërrëfyese drejt së vërtetës. Përkundrazi, quaj RRENË pretendimin për 93%-shin dhe disa pretendime të ngjashme, të cilat ju i sillni dhe i risillni, edhe pse janë provuar si të gabuara.
Gabimi është gabim, por rrena është rrenë. Rren ai që e njeh të vërtetën – p.sh. që 93%-shi është një ekzagjerim bombastik, absurd, i paqenë – dhe megjithatë zgjedh ta injorojë, sepse teza tjetër i intereson. Të rrëzosh Topallin nuk është sakrilegj; nëse mundesh dhe dëshiron, bujrum. Ti, me embriomorfet e tua, në fakt atë kërkon të bësh: të paraqitësh një alternativë. Mund ta kesh gabim, por kjo nuk të bën RRENACAK. RRENA fillon kur, për të rrëzuar rivalin tënd, e akuzon për gjëra të paqena. Analiza statistikore e etimologjive të Topallit nuk përbën ndonjë vështirësi teorike ose metodologjike. Do pak punë. Ti thua që e ke bërë. Bukur. Por duhet ta bësh publike. Dilju zot gjërave që ke thënë, e ke detyrë morale ndaj publikut.
Që të quhet rrenë 93%-shi, duhet dikush të ketë një shifër tjetër më të saktë dhe të thotë se 93%-shi është rrenë. Ju jeni duke më akuzuar pa asnjë provë. Dhe barra e provës bie mbi ju. Ju duhet të provoni se qenkam rrens.
Po t’i heqësh fjalët e huaja (sipas Topallit), 7%-shi që ngelet janë fjalë vendi dhe fjalë më diskutim. Pra as 7% nuk ngelen fjalë vendi.
Më e rëndë se përqindja e huazimeve është mënyra abuzive se si i kanë shkombëtarizuar fjalët e shqipes.
Babinjioti shkruan se fjalët: llucë, kukurec, çupë, etj., janë fjalë që greqishtja i ka huazuar prej shqipes, ndërsa Çabeji thotë të kundërtën dhe për çupë e çikë thotë se vinë nga serbishtja.
Nga mënyra se si është bërë etimologjia e shqipes, është krim i pastër ndaj kombit shqiptar.
Agron, unë nuk kam qëllim të të nxjerr ty rrenacak. Thjesht të ftoj ta provosh shifrën që sjell (ta kam bërë këtë ftesë edhe në privat). Nuk dua të acarohem me ty, as të të akuzoj kot. Nëse e ke bërë numërimin që thua, atëherë prova për ty do të ishte shumë e thjeshtë. Shifra që ti sjell, në vetvete, nuk është rrenë, vetëm ka një status të pacaktuar, me fjalë të tjera, shkencërisht nuk ka kuptim. Ajo bëhet rrenë, nëse ti del dhe e thua poshtë e lart, por refuzon që ta mbështetësh me fakte. Pse qenka kjo gjë kaq e pamundur? Apo është kërkesa ime e tepruar dhe armiqësore?
Nuk do të të bija në qafë, sikur të mos konstatoja se kjo shifër tani po merret si e mirëqenë dhe po sillet lirisht nga shumë të tjerë, në kritikat e tyre për albanologjinë dhe akademinë. Po përdoret si premisë, për të artikuluar akuza serioze kundër studiuesit Kolec Topalli, që tani nuk e mbron dot veten dhe traditës etimologjike në studimet shqiptare. Njerëzit që e citojnë, nuk e kanë nxjerrë këtë përfundim vetë, por të kanë besuar ty. Prandaj të thashë se e ke një detyrim moral edhe ndaj tyre, që ta bësh publike analizën tënde.
Rrene eshte edhe teoria e embriomorfemave pisanjose te shqipes, sa kohe qe s’po e njohim tabelen Dalipaj; rrene eshte edhe metimi se vetem shqipa ka syresh dhe jo gjuhet e tjera. Rrene eshte edhe metimi se amerikanet e kane nxjerre shqipen 6000 vjecare. Pastaj, perse vetem citohet ne hava per amerikanet, apo universitetin Leipzig-ut. Apo u besohet thjesht amerikaneve dhe universitetit te Leipzig-ut thjesht se jane amerikane dhe universitet i huaj. Eric Hamp ka ka qene po aq amerikan. A ke lexuar e kuptuar gje nga ky albanolog se sa eshte e vjter shqipja. Pra rrenat, genjeshtrat e shpifjet tuaja jane jane pa cak e pa fund, jeni thjesht nje sharlatan 24 karat.
Topalli në panairin e librit 2017 nxorri vetëm 2 kopje të fjalorit të tij etimologjik, që nuk ishin në shitje. Ishin vetëm për t’u treguar. Kur u ndërruan turnet e vajzave që shisnin në stendën e ASH, një miku im provoi për ta blerë dhe vajza e pasdrekes harroi porosinë dhe e shiti librin. Atë fjalor e mbajta dy muaj dhe për 45 ditë e skanova të gjithin. Më rezultoi se 93% të fjalëve i sillte huazime dhe 7% mbeteshin fjalë vendi e në diskutim.
Nuk mbaj mend në e denoncova atë fjalor në fundhjetori 2017 a fillimjanari 2018. Denoncimin tim e botuan disa gazeta. Topalli nuk e përgënjeshtroi. Bëra dhe protestë para ASh-së për këtë temë.
Fjalori i Topallit është në shitje. Mirë do ishte që Topalli ta përgënjeshtronte që në gjallje të tij. Aso kohe ai ishte i sëmurë, por në gjendje të shkruante. Drejtori i gazetës “telegraf”, që kish botuar ca shkrime të mia për fjalorin e Topallit, më telefonoi dhe më tha se Topalli i kishte vajtur në redaksi e kishte bërë sherr me të se nuk i kishte botuar Topallit katër replika ndaj meje. Iu luta drejtorit (që nuk e kam takuar kurrë në jetën time) t’i botonte replikat e Topallit ndaj meje. Por ai më tha se nuk mund t’i botonte sepse (sipas tij nuk ishin etike) kishin vetëm sharje ndaj A. Dalipajt dhe gazeta nuk mund të botonte ksi gjërash, që nuk kishin asnjë lidhje me debatin shkencor. Topalli e kish kërcënuar me padi në rast se nuk ia botonte replikën, por ai i kishte thënë se replikën mund ta bënte në një tjetër gazetë. Iu luta përsëri drejtorit, por ai më tha se ruante etikën e gazetës.
Në ASh rrinë kot. Dikush le të bëjë një studim dhe le të bëhet nga vetë gjuhëtarët e ASh-së. Dikush mund të mbrojë doktoraturën me temën “huazimet në fjalorin etimologjik të Topallit”.
Sic keni deshmuar ne goje e me shkrim qe jeni sharlatan 24 karat, ju meritoni cdo epitet qe iu vihet, aq me teper qe guxoni te shpifni se Cabej, Topalli e ASHSH jane te shitur te sllavet e greket. Jeni nje sharlatan i pagdhendur dhe i pagdhendshen.
Nuk është puna se gënjejnë. Problemi i madh ka të bëjë me edukimin shkollor, edukimin mediatik, edukimin etik etj që i bëjnë njerëzit të predispozuar të besojnë gënjeshtra. Mendoj se fjala kyç e çështjes është nacionalizmi dhe sidomos gënjeshtra “nënë” e të gjitha gënjeshtrave të këtij tipi, barazimi i sforcuar kuptimor i tij me patriotizmin.