Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Semiotikë

TË IMITOSH IMITUESIN

Muzikanti italian Stefano Bollani, me emër si kompozitor dhe pianist, por edhe me plot talente të tjera, ka edhe hobby-n kurioze që të imitojë figura të dashura të skenës publike dhe të spektaklit – vazhdues i denjë i një tradite imituesish italianë, të cilën publiku në Shqipëri e pat njohur, besoj, me Alighiero Noschese-n e RAI-t, nga Canzonissima e vitit 1971 (të paktën unë ashtu e mbaj mend).

Formë minore e artit skenik, imitimi ndoshta është një lloj karikature, edhe pse jo detyrimisht qortuese. Publiku kënaqet edhe thjesht duke parë si një i dytë përvetëson identitetin e një të pari, madje aq mirë dhe aq thelbësisht, sa t’ia shprehë cilësitë në mënyrë më gjenuine. E kemi dëgjuar të gjithë anekdotën, kur Charlie Chaplin-i mori pjesë, anonimisht, në një konkurs imituesish të Charlie Chaplin-it, dhe nuk shkoi më tutje se vendi i tretë.

Ajo që bën imituesi, është që ta shndërrojë në substancë formën e identitetit artistik të subjektit të vet – prandaj edhe Paolo Conte, në një imitim të Stefano Bollani-t, na dëgjohet si Paolo Conte, se origjinali. Magjepsja jonë me një imitim të arrirë, lidhet edhe me atë që, me lehtësi të frikshme, çfarë e kishim gjykuar si esenca individuale e një artisti (stili) na riprodhohet, mu para syve, prej një tjetri, si për të na treguar se të gjithë ne, përfshi edhe artistët me të cilët identifikohemi, jemi më shumë role se esenca (nuk po shkoj deri aty sa të them se edhe esenca është një lloj roli). Imitimi skenik ruan prej mashtrimit ordiner mjeshtërinë gati artistike, për të marrë në pyetje, edhe për ne spektatorët, soliditetin e botës.

Ndokujt do t’i kujtohet këtu edhe një tregimth i Thomas Bernhard-it, për një imitues zërash, të cilit i kërkuan në fund që të imitonte vetveten dhe u përgjigj se atë nuk mund ta bënte.

Dëgjoja këto ditë një intervistë të Bollani-s në Radio3 Suite (intervistuar nga Monica d’Onofrio), ku e pyetën – mes të tjerash – edhe për hobby-n e tij të imitimeve. Përmendi pasionin e tij obsesiv për të imituar Johnny Dorelli-n, një figurë të njohur të spektaklit italian të viteve 1960-1980; dhe kur intervistuesja shtoi disa emra të tjerë, Bollani tha diçka që më bëri të mendoj: unë, tha, mund të imitoj vetëm Johnny Dorelli-n. Të gjitha imitimet e tjera, si ato të Angelo Branduardi-t, Fred Bongusto-s dhe të Vincio Capossela-s, janë në fakt imitime të Johnny Dorelli-t, që imiton Paolo Conte-n, Enzo Jannaci-n dhe Franco Battiato-n.

Një imitim në katror, në fuqi të dytë; çfarë nënkupton që imituesi – në këtë rast një Dorelli i imagjinuar – jo vetëm që njëjtësohet me subjektin e tij dhe e përfaqëson; por edhe shton diçka nga vetja në imitim, një manierizëm që ia nënvendos manierizmit të personit të imituar, një gjest që ia nënvendos gjestit të personit të imituar, duke i shndërruar këto të gjitha në një koment rreth performancës në fokus.[1]

Përfytyroni tani që këtë shtresim ta marrë një imitues i dytë, në fuqi të dytë, dhe të japë – si të thuash – një imazh besnik të Battiato-s, por të filtruar përmes pranisë (fantazmatike) të Johnny Dorelli-t. Edhe pse ky nuk më rezulton ta ketë imituar ndonjëherë Battiato-n, prandaj prania e tij e nënvendosur në performimin e Bollani-t është artific artistik, një rritje e distancës mes dy skajeve të imitimit; teksa Battiato vetë, i imituar, mbetet pezull midis njërit imitues dhe tjetrit (a shkon Dorelli te Battiato, apo Battiato te Dorelli?). Me gjasë, Dorelli nuk ka imituar në skenë dhe as është shquar si imitues; kjo e shndërron evokimin e tij nga fotografia në pikturë, duke lënë hapësirë që edhe Bollani – origjina e fundme e këtij spektali të shënjueshmërisë – të zbulojë personalitetin e vet si të ishte ky një chiffre, formulë algjebrike e distiluar nga mbivendosja e roleve të treta.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


[1] Borges-i pat sugjeruar një herë që ta lexonim De Imitatione Christi, të Thomas à Kempis-it, sikur ta kish shkruar Louis Ferdinand Céline-i ose James Joyce-i. Potenciali ironik këtu është praktikisht i pafund, për ata që i njohin autorët.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin