nga Mustafa Nano
(Në ndjekje të debatit mbi Bubulinën)
…Para revolucionit, “grekët u trembeshin më shumë shqiptarëve sesa turqve”.[1] U tha më sipër se, kur turqve iu desh të përballeshin me një kryengritje greke të nxitur nga rusët, më 1770, ata thirrën nën armë trupa të shumta shqiptarësh, të cilët as që donin të shkuleshin më prej andej më pas, kur rusët u tërhoqën, duke u bërë një barrë për turqit e një kërcënim i vazhdueshëm për grekët. Pak më vonë, në kapërcyell të shekujve XVIII e XIX, shqiptarët ishin, krahas turqve, të vetmit që mund të mobilizoheshin në viset greke që kishin ngritur krye (boshnjakët atëbotë llogariteshin si një rezervë ushtarake për frontin serb, ku gjërat gjithashtu po lëviznin). Por një pjese syresh ishte instinkti që u thoshte se koha nuk po punonte për osmanët, dhe se këta të fundit po shkonin drejt fundit të vet. Ata ishin të parët që e ndjenin dobësinë, më saktë dobësimin, e regjimit osman, që nuk ishte më në gjendje as t’i paguante në këmbim të shërbimeve të tyre ushtarake. “Kur u shfaq rreziku, në vitin 1828, i një lufte mes osmanëve e rusëve, Porta bëri përpjekje të mëdha për të mobilizuar miletin islamik; dhe këtë mobilizim ajo donte ta bënte jo mbi bazën e premtimit për paga më të mira për ushtarët, por mbi bazën e motivimit për një luftë të shenjtë (xhihad); në një luftë të tillë… do të ishin ushtarët e Rumelisë e të Shqipërisë ata që do të përballeshin me armikun”[2]. Mirëpo, llogaritë ishin bërë gabim. Shqiptarët nuk ishin të gatshëm për të bërë xhihad. Për ta, sidomos në ato kohë kur Perandorinë Osmane mezi po e mbanin këmbët, e kjo gjë dukej, paraja ishte një fe më e rëndësishme. Nuk kishte burrë nëne që t’i mobilizonte, përsa kohë rrogat nuk u jepeshin, apo u jepeshin me vonesë, apo u jepeshin të përgjysmuara. Shkurt, kauza perandorake që i kish frymëzuar njëherë e një kohë, nuk i frymëzonte më.
Në këtë kontekst, ka pasur edhe myslimanë që, tok me vëllezërit e tyre ortodoksë, iu bashkuan grekëve. Ishte një rrjet lidhjesh mes shqiptarëve, që i kapërcente muret fetare, e që bënte të mundur solidaritetin mes tyre edhe në luftëra që s’ishin të tyret. Në vitin 1822, pas vdekjes së Aliut, në fillim të revoltës greke, Teodor Kollokotroni u dërgoi një letër prijësve shqiptarë të përfshirë në ushtrinë osmane në Moré, dhe fryma e letrës lë të kuptohet një lloj kompliciteti për shkak të gjakut të njëjtë në dej. Ai u kujtonte atyre se ai vetë ende nuk kish hequr dorë nga besa që i kish dhënë njëherë “xhaxhi Aliut” (në anglisht: our old grandfather), dhe në emër të kësaj bese u kërkonte atyre që të mos ngrinin armë kundër tij. Ç’është e vërteta, ai nuk e fshihte se “nuk do të befasohej sikur ata të mashtroheshin edhe këtë herë, siç ishin mashtruar kur bënë çmos që të vritej ati i tyre e miku i Kollokotronit, plaku Ali pra; dhe ata do të pendoheshin për këtë, por sa pará do bënte; do të ishte vonë; e dinte që ata mund ta bënin këtë, por ai vetë vazhdonte t’i shihte ata si të vetët, e nuk do ndodhte kurrë që ai të vriste ndonjërin prej tyre edhe sikur t’i vinin përballë të armatosur; ai i donte ata, i shihte si vëllezër e djem të tijtë; u bënte me dije se ishte i gatshëm t’u jepte sërish besën”.[3] Kjo letër mund të ngjajë si një përpjekje e Kollokotronit për t’iu lëpirë myslimanëve shqiptarë për një konveniencë politike të momentit, por në fakt është dëshmi edhe e marrëdhënieve të mira që shqiptarët ortodoksë e myslimanë kishin me njëri-tjetrin. Kur Ali Farmaqi, agai më i rëndësishëm i Llallës, u sulmua më 1808 nga Veli Pasha i Moresë, e pa veten në një situatë të vështirë, pothuaj fillikat, atje në kalanë e tij. Në një moment u kujtua se mund të kërkonte ndihmën e Teodor Kollokotronit. Nuk e kish takuar kurrë, por dinte që prindërit e tyre kishin qenë miq për kokë. Kishin qenë bërë vllamë. E kështu Aliu vendosi të dërgojë dikë në Zante që të piqej me Kollokotronin e t’i kërkonte këtij të fundit ndihmë në emër të miqësisë së prindërve të tyre. Kollokotroni, si kleft i regjur që ishte, nuk mund t’i ikte detyrimit për të ndihmuar të birin e një vllami të të atit. Mund të gjente yçkla për të mos shkuar, pasi beteja me të birin e Aliut ishte një kokëçarje që të gjithë donin ta shmangnin; përveç kësaj, Ali Farmaqi ishte mysliman e ky vetë ishte i krishterë. Por ai nuk pati mëdyshje, e prandaj asnjë yçkël nuk mund t’i hynte në punë. Mori gjashtëmbëdhjetë trima të vetët, dhe e mbajti frymën në Llallë, në kështjellën e Ali Farmaqit, dhe të dy rezistuan deri sa Veli Pasha e hoqi rrethimin.[4] “Kjo është një ngjarje që na kujton kohët homerike”.[5]
Por myslimanët shqiptarë iu ndodhën pranë edhe grekëve. Andej nga viti 1828, dy krerë shqiptarë, Abaz Çami e Kasëm Mesguram (Mezhgorani?) ia dorëzuan Livadhjanë Dhimitër Ipsilantit. Dhe e bënë nga qejfi, jo nga halli. Një natë, ata i lanë portat e qytetit hapur, dhe Ipsilanti e mori atë pa shkrehur asnjë pushkë. Pas kësaj, Abazi e Kasëmi u hodhën në kampin e kryengritësve grekë. Të njëjtën gjë bënë edhe prijës të tjerë të shqiptarëve.[6] Po atë vit, spiunët i çuan Reshid Pashës, që ishte vezir i madh në Stamboll, një raport që thoshte se Ismail Beu, Shahin beu e Iliaz Beu, të cilët lakmonin postin e guvernatorit respektivisht në Vlorë, në Delvinë e në Trikalla, ishin të lidhur me udhëheqës të revoltës greke. Sipas këtij raporti, “Shahin Beu i Delvinës ishte mik i ngushtë me kontin Kapodistria; kishin pasur rast të njiheshin që herët, pasi Delvina e Shahinit ishte pranë e pranë me vendlindjen e Kapodistrias, Korfuzin; pakti mes tyre ishte që Kapodistria të mos sulmonte me të vetët Vlorën e Delvinën e të pengonte ‘qafirët francezë’ të bënin të njëjtën gjë, e në këmbim Shahin Beu të merrte përsipër të mos dërgonte ushtarë në vende të tilla, si Misolongj, Agriboz, Jenishehir (Nikosia) e Trikallë; të tre bejlerët shqiptarë, gjithashtu, ishin duke propaganduar idenë se, kur të vendosej paqja, Reshit Mehmet Pasha do t’i shkulte shqiptarët me gjithë rrënjë, do t’i shkatërronte për fare, e prandaj e mira do të ishte t’i tregonin vendin atij”[7]. Në një raport të zv.guvernatorit të Beratit dërguar në Stamboll lidhur me një takim të krerëve shqiptarë për të diskutuar mbi ftesën që u ish bërë nga Reshit Pasha për një takim në Janinë, shprehet qartazi moskokëçarja e tyre mbi punët e perandorisë dhe indiferenca për “punët e liga të qafirëve” që kishin organizuar kryengritjen greke: “Ata që ishin në këtë mbledhje as që e zunë në gojë rrezikun që u kanoset myslimanëve [në këtë situatë]; ata folën për pará e për poste; ankoheshin që të tjerët janë duke bërë pará, ndërsa ata vetë ishin lënë pas dore; mua nuk më kapi veshi asnjë bisedë lidhur me sulmet që u bëheshin familjeve apo me konfiskimin që u bëhej pronave të myslimanëve nga ana e të pafeve; ata nuk shprehën asnjë keqardhje për këtë gjendje”. Dhe e mbyll me fjalët: “Zoti na ndihmoftë me ta! Sikur këta njerëz të kishin jetuar në kohët e lavdishme të krenarisë së gjithësisë, dmth në kohët e profetit Muhamet, Zoti nuk do t’i linte pa i ndëshkuar”[8]. Në këtë raport, krerët shqiptarë na dalin si të etur për pará e për poste, gjë që nuk përbën një befasi, por në një letër të Ismail beut[9] dërguar krerëve të tjerë del në pah një shqetësim patriotik: “Siç e dini po aq mirë sa edhe unë, me të marrë fund çështja greke, do të jemi ne shqiptarët që do të jemi në hall; unë kam lidhur një aleancë me Zylyftar Podën në mënyrë që t’i garantojmë Shqipërisë rend e siguri; ju jeni të parët e vendit, prandaj bëni kujdes e dilini zot atdheut tuaj”[10]. Letra është e shkruar çuditërisht greqisht (jo në turqisht), por të ngjan e pabesueshme që në të ngrihet një shqetësim patriotik. Është viti 1828.
Një bej tjetër, Dervish Hasani, më 1825, u shkruante një letër “kapove të bandave të brigantëve” në Moré e në Akarnaní, me anë të së cilës këta të fundit nxiteshin të vijonin me punën e mirë që kishin bërë, e t’u kallnin frikën në zemër gjeneralëve e ushtarëve osmanë. Letra që, gjithashtu, ishte greqisht (këtë herë afërmendsh, sepse marrësit e letrës ishin grekë), ra në dorë të Reshit Pashës. Ky e ftoi Dervish Hasanin në Janinë ku, në vend të nderimeve, beun shqiptar (që nuk e dinte se letra u kish rënë në dorë osmanëve) e priste vdekja. E varën në sheshin e pazarit, ku ishin ftuar edhe të gjithë krerët e tjerë në mënyrë që t’iu lexohej përmbajtja e letrës së Dervishit, në të cilën dilte qartë se ky i fundit bashkëpunonte me qafirët e Greqisë.[11] Ata bejlerë të Shqipërisë që, për t’i bërë qejfin Reshit Pashës, ndoqën pa bëzajtur, madje duke treguar shenja mirëkuptimi me këtë të fundit, shfaqjen e ekzekutimit të sivëllait të tyre në Janinë, as që e kanë çuar në mendje se shfaqja makabre më e madhe e Reshit Pashës do të bëhej pesë vjet më vonë, nja 250 km më në veri të Janinës, në Manastir. Atje u shua për fare fara e bejlerëve të Shqipërisë së Jugut, dhe kjo ka qenë një ngjarje që ka përcaktuar shumë në historinë e mëpasshme; të Toskërisë po se po, por edhe të Shqipërisë. Jam i prirur të besoj se pa këtë masakër, historia e Shqipërisë do të kishte rrjedhur ndryshe më pas. Nuk di të them, nëse kjo do ndikonte për mirë apo për keq, por është e sigurtë që ndikimi do të ishte i konsiderueshëm. Do të ishte një deklaratë shumë guximtare po të thoje që 500 bejlerë më shumë apo më pak (në Shqipërinë e vitit 1830) ishin një gjë pa ndonjë rëndësi për rrjedhën e ngjarjeve të ardhshme. Për këtë arsye mendoj se gjeorgjiani Reshit Mehmet Pasha, ky ngrënës i kokave të bejlerëve të Shqipërisë, ka qenë një nga personalitetet e huaja që kanë lënë më shumë gjurmë në historinë e Shqipërisë.
Rreshtimi i shqiptarëve myslimanë në krah të grekëve, në atë masë që ndodhi, është bërë me siguri mes ndërdyshjesh e me motivime nga më të ndryshmet, ku për qejfmbetje banale, ku për një sentiment antiosman, ku për një keqkuptim, e ku me iluzionin se lufta e grekëve ishte edhe e tyrja. E në këtë mes, afërmendsh, ka pasur edhe zhgënjime. Në fillimet e revoluciont grek, në një betejë mes turqve e shqiptarëve myslimanë të zhvilluar në Artë, “kur [këtyre të fundit i]u sosën municionet, grekët u treguan të gatshëm t’i ndihmonin; shqiptarët e nisën njërin prej tyre, me emrin Tahir Abazi (Tair Abas)[12] që të merrte municionin e premtuar në Misolongj; Tahiri mori ç’kishte për të marrë, por në mendje i mbeti diçka tjetër. ‘Ore miq’, u tha të vetëve, ‘atje në Misolongj unë pashë veç flamuj me kryqin e krishterë…’; e kështu, me municionin që morën, zunë të luftonin kundër grekëve; me këtë rast i kthyen shpinën edhe Ali Pashait; u bënë me turqit.”[13] Dhe ky rol u shkonte ca më shumë. Sepse të shumtët e shqiptarëve luftonin në të njëjtin kamp. Ata, përveçse mobilizoheshin të parët prej turqve, ishin tashmë në një masë të madhe në Greqi, si pjesë e garnizoneve të dislokuara që kishin për detyrë të mbronin qytetet greke.
Nuk mbaron këtu. Prania shqiptare në kryengritjet greke ishte edhe në një formë tjetër, në atë të trupave të dërguara nga Muhamet Aliu i Egjiptit e të komanduara nga i biri, Ibrahim Pasha. Në fund, ishte edhe Ali Pashai i Janinës, i cili luajti një rol të rëndësishëm në atë ngjarje. Ai ishte i informuar mbi atë që po ndodhte; ose më mirë të themi, mbi atë që flitej se do ndodhte. Nga fundi i dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XIX, agjentët e heteristëve, të vetëquajtur apostuj, ishin shpërndarë nëpër Moré e nëpër vise të tjera të banuara nga grekë, dhe kishin filluar me përpjekjet për të mbjellë idenë e luftës për pavarësi. Ndoshta jo më kot, Ali Pashai, teksa u vardisej në një letër suliotëve, me të cilët ishte vrarë e prerë në të shkuarën, u thoshte, se “sikur të bëheshit me mua deri nga fundi e marsit [1821], ta dini se keni për të marrë pjesë në varrimin e Perandorisë Osmane”.[14] Sipas fjalëve që po ai kish hapur, me shumë gjasë për të tërhequr pas vetes në konfliktin që kishte nisur grekët e të krishterë të tjerë (me të cilët nuk është se kish shkuar keq; “gjatë sundimit të tij, ai ndërtoi shumë kisha, por xhami nuk ndërtoi as edhe një të vetme”[15]), “Porta e Lartë kish bërë një plan që të shfaroste të gjithë rajatë e Europës, dhe në vend të tyre të sillte myslimanë nga Azia”[16]. Dhe në fakt, konflikti i hapur që plasi në fillim të vitit 1820 midis Portës së Lartë dhe despotit tekanjoz të Janinës u erdhi si një dhuratë nga qielli grekëve që po mendonin të ngrinin krye. Por Aliu, afërmendsh, nuk është se e çoi punën te ndeshja e hapur për jetë a vdekje me osmanët me synimin për të ndihmuar grekët. Jo, ai bëri lojën e vet, i sigurtë se sulltani do t’ia pranonte tekat e vicklat, dhe në këmbim do të kërkonte që ai t’i jepte një dorë në shtypjen e kryengritjes së grekëve. Llogaritë e tij ishin të holla e të sakta. Sidoqë t’i vije rreth asaj situate, sulltan Mahmudi II nuk kish rrugë tjetër, veçse të kapërdinte mllefin ndaj Aliut e të mendonte për fatin e perandorisë. Por ai bëri të kundërtën. Ai ndoqi fiksimin e tij për të rrëzuar Aliun dhe nuk mendoi gjatë për punët e perandorisë.
Prania e kontributi i shqiptarëve në të dy frontet e kryengritjes greke bën që kjo e fundit të shihet edhe si një luftë civile shqiptare. Oliver Jens Schmitti, si për ta çlegjendarizuar disi kontributin e shqiptarëve gjatë revolucionit, mbron idenë se në ato konflikte “vendimtare nuk ishte përkatësia etnike, por feja”[17]. Nuk është se e ka gabim, ç’është e vërteta. Identiteti fetar ishte më i rëndësishmi gjatë sundimit osman. Është mbi bazën e kësaj logjike që “grekët, edhe myslimanët e Kretës i quanin turq, sidoqë ata ishin helenë në gjuhë e në racë”[18]. Mirëpo nga ana tjetër, ndonëse grekët e serbët e kishin më të zhvilluar se shqiptarët vetëdijën e tyre fetare, askush nuk ka ngurruar që kryengritjet antiosmane të tyre t’i ketë quajtur e t’i quajë “revolucioni grek” e “revolucioni serb”, e jo “revolucioni i ortodoksëve”. Në këtë kuptim është e mundur dhe e udhës të flitet për pjesëmarrje të shqiptarëve në atë ngjarje, e prandaj revolucioni grek ishte, mes të tjerash, edhe një luftë civile shqiptare; sidomos në rrethanat që shqiptarët, në ndryshim nga popujt e tjerë të rajonit, identitetin fetar e kishin më të dobët se sa atë etnik. E meqë jemi këtu, duhet thënë se ai revolucion ishte dhe një luftë civile greke. Por e bukura është se edhe brenda kësaj të fundit pati akoma edhe një luftë tjetër civile shqiptare, në të cilën Kollokotroni, Odise Andruço, Kundurioti, dy Andreat me mbiemrat Londo e Zaimi, etj, u ndeshën me njëri-tjetrin në një luftë të egër për pushtet.
Në fakt, mjafton të lexosh cilëndo prej të shumtave monografi mbi revolucionin grek, dhe do të kesh asosacionin se po lexon një histori të shqiptarëve. Mustafa pashë Bushati (i mbrami i Bushatllinjve që, sipas Leopold von Rankes, si turk që ishte, nuk ishte i palëçitur: ishte shumë i dhënë pas hartave e gjeografisë[19]], “gjatë kryengritjes së parë të Greqisë, marshoi kundër saj me shqiptarët e vet; Boçari që u përpoq ta vriste, ndërsa ai fushonte në luginën e Karpenicës, ngatërroi çadrën dhe, meqë kish hyrë në atë të kapidanit të Mirditës [që ishte atyre anëve në krah të turqëve, po ashtu], u vra aty nga ky i fundit”.[20] Këtij versioni, me pak ndryshime, i qëndron edhe Adolphus Slade,[21] por ka autorë të tjerë që këtë fabulën me sulmin brenda tendës e konsiderojnë një gjë të sajuar.[22] Sidoqoftë, askush nuk e mohon një ndeshje të Marko Boçarit me gegët e Mustafa Pashës, në të cilën Boçari mbetet i vrarë. Një ndeshje shqiptarësh në sfond grek. Dhe nuk ishte e vetmja. Nuk di se cilën të veçosh më parë. Vetëm Boçari ka disa të tilla. “Në maj e qershor [të vitit 1821], Boçari me suliotët e vet e mposhtën dy herë një bej shqiptar me emrin Tahir Papuli, dhe në rastin e dytë, në Kandja, e zunë rob”.[23] Në një betejë në Argolidë, në maj 1821, grekët u mposhtën. Thomas Gordoni, pasi thotë se u vranë shtatëqind grekë, dhe u rrëmbyen një mijë e pesëqind gra, shton se aty u vra dhe djali i Laskarina Bubulinës; “e vranë dy gegë”.[24] Oliver J. Schmitti shkruan se “në shtator të vitit 1828, njëri nga prijësit më të famshëm shqiptarë të çetave, sulioti Kiço Xhavella, luftonte kundër Derven Agës osman të Kravarit, Ahmet Nepravishtës, mysliman shqiptar; kur Xhavella i kërkoi përfaqësuesit osman të dorëzohej, ky i shkroi kështu: ‘Nuk kam shumë për të të thënë, veç shko andej nga ke ardhur, more jetim… Kiço vëlla, e di që je shqiptar, sikurse dhe unë; se nga djallin ke mësuar kaq mirë greqisht, këtë nuk di të ta them’.”[25] Mirëpo, nuk kuptohet pse habitet që Kiçoja dinte greqisht. Atëmot, pothuaj të gjithë bejlerët e Toskërisë, me Ali Pashën në krye, flisnin greqisht, madje edhe shkruanin atë, e jo më Xhavellat, të cilët kishin kohë që jetonin mes grekëve.
Kur garnizoni osman që ishte në Akropol kapitulloi (21 qershor 1822), aty brenda kishin mbetur 1150 veta, dhe prej tyre vetëm 180 veta ishin në gjendje të mbanin a përdornin armë. Të tjerët thjesht merrnin frymë. Mezi mbaheshin më këmbë. Pranuan të dorëzoheshin. Marrëveshjen e kapitullimit e nënshkruan në prani të kryepeshkopit, në shtëpinë e tij, dhe ai i bëri përfaqësuesit e palës greke të betoheshin mbi Ungjill se do të respektonin të gjitha pikat e marrëveshjes.[26] Por me të dalë nga dera, veç tek kryepeshkopi e tek Ungjilli i tij nuk e patën mendjen. Ajo që ndodhi pas kapitullimit, në korrik, më datën 10, ishte e tillë që “një historian nuk do bënte keq t’u vinte syve një perde, edhe pse detyra e tij është të nxjerrë në shesh të vërtetën; rrugët e Athinës u mbushën me njolla gjaku; nga mëngjesi deri në mbrëmjen e asaj dite të gjatë vere, u dëgjuan rënkime e klithma të grave e fëmijëve që torturoheshin”.[27] Nuk ishte vetëm mizoria që bëri përshtypje. Ishte dhe pabesia. “Ploja e asaj dite në Athinë ishte veprimi më mizor dhe dhunimi më i urryer i besës që grekët kryen gjatë luftës së tyre për pavarësi; kjo plojë nuk u krye aty për aty, nën vrullin vrastar të një momenti, nuk u krye as në një situatë lufte, por 15 ditë të plota pas kapitullimit, gjë që tregon se gjithçka u bë në mënyrë gjakftohtë.”[28] Në garnizonin osman që ishte vënë në mbrojtje të Akropolit ka pasur me siguri shqiptarë. Madje edhe grekë të myslimanizuar. Urdhrat e fundit, së bashku me furnizimet ushqimore e ushtarake, ky garnizon i mori nga komandanti ushtarak, Omer Vrioni, shqiptar njëzet e katër karatësh[29], emri i të cilit, në çdo rrëfim të Luftës për pavarësinë e Greqisë, shfaqet po aq shpesh sa edhe emrat e udhëheqësve të asaj Lufte. Duhet të jetë ndjerë me faj për masakrimin e të vetëve atë ditë qershori. Por faji më i madh rëndonte mbi ata të krahut tjetër, mes të cilëve kish gjithashtu edhe të gjakut të tij. Dhe më i zellshmi ndër ata që nuk dinin të ndaleshin para shtysave për hakmarrje ishte një katundar nga Atika, i cili për shkak të trimërisë së treguar, kishte marrë gradën e kapitenit. Quhej Lekë, në greqisht Lekkas, e ishte shqiptar. “Kishte mbetur një harbut shqiptar; nuk reshtte së cyturi athinjotët që t’i vrisnin robërit e dorëzuar në Akropol, sepse patriotët e vendosur kurrë nuk i lëshojnë armët”.[30]
Marrë nga libri “Sandwich”, UET Press 2017. Me falënderime për autorin.
[1] George Finlay, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, MDCCCLXI, Londër, pp. 47.
[2] Hakan Erdem, në botimin “Ottoman rule and the Balkans, 1760-1850, conflict, transformation, adaption”, të bërë nga “University of Crete, Department of History and Archaeology”, Rethymno 2007, pp. 226.
[3] Shih “Ottoman rule and the Balkans, 1760-1850, conflict, transformation, adaption”, University of Crete, Department of History and Archaeology, Rethymno 2007, pp. 224.
[4] George Finlay, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, viti MDCCCLXI, Londër, pp. 191-192. Rrëfimi i mësipërm është një përmbledhje e asaj që tregohet në librin e George Finlay-t.
[5] Thomas Gordon, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood”, viti MDCCCXXXII, pp. 222, footnote.
[6] Shih “Ottoman rule and the Balkans, 1760-1850, conflict, transformation, adaption”, University of Crete, Department of History and Archaeology, Rethymno 2007, pp. 229.
[7] Shih “Ottoman rule and the Balkans, 1760-1850, conflict, transformation, adaption”, University of Crete, Department of History and Archaeology, Rethymno 2007, pp. 232.
[8] Shih “Ottoman rule and the Balkans, 1760-1850, conflict, transformation, adaption”, University of Crete, Department of History and Archaeology, Rethymno 2007, pp. 231.
[9] Ismail Beu është gjyshi i Ismail Qemalit. Fundi i gjyshit të babait të pavarësisë së Shqipërisë erdhi nëpërmjet një rrengu. Reshit Pasha e ftoi Ismail Beun në Janinë. Atij i kishin dhënë informacionin se Ismaili kish në plan për ta eliminuar vetë Reshitin. Dhe ky vetë veproi në mënyrë parandaluese. E priti fillimisht me të gjitha nderet, i la një konak të mirë për të pushuar një copë herë, pastaj e ftoi në konakun e tij, ku medemek do të bëhej edhe biseda mbi kërkesën e Ismalit për të marrë postin e guvernatorit të Vlorës. Dhe këtu, Ismaili, që nuk e kishte çuar në mendje se do t’i kishin organizuar një pusí, i zbriti kalit dhe hyri në pallat. Teksa ishte duke ngjitur shkallët, mbi të ra një breshëri plumbash. Vdiq në vend. Pas kësaj, për të dhënë një shenjë të vullnetit të mirë, Reshit Pasha emëroi në postin e mütesellimit (zv.guvernatorit) të Vlorës, Beqir beun, vëllanë e Ismailit. Vetë i nipi, i famshmi Ismail Qemali, e rrëfen në jetëshkrimin e tij këtë histori, fundin e së cilës e jep në stilin otoman, me prerje koke: “Si hyri në pallat, portat u mbyllën pas tij e pas njerëzve të shpurës dhe, bash kur po i zbriste kalit, ai dhe shoqëruesit e tij u qëlluan me armë. Kurse atij iu pre koka” (shih Kujtimet e Ismail Qemalit, faqja 30).
[10] Shih “Ottoman rule and the Balkans, 1760-1850, conflict, transformation, adaption”, University of Crete, Department of History and Archaeology, Rethymno 2007, pp. 235-236.
[11] Shih “Ottoman rule and the Balkans, 1760-1850, conflict, transformation, adaption”, University of Crete, Department of History and Archaeology, Rethymno 2007, pp. 225.
[12] Këtë emër, Tahir Abazi (Tahir Abbas) e përmend edhe Thomas Gordoni në librin e tij “History of the Greek revolution”, faqe 80, si “kreun e policisë së Janinës”, të zgjedhur në atë post në vitin 1820. Kuptohet, nga pashai i Janinës.
[13] David Urquhart, The spirit of the East, vëllimi I, botimet “Henry Colburn”, 1838, Londër, pp. 157.
[14] Thomas Gordon, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, MDCCCXXXII, Edinburgh, pp. 88.
[15] Thomas Gordon, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, MDCCCXXXII, Edinburgh, pp. 79/footnote.
[16] Thomas Gordon, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, MDCCCXXXII, Edinburgh, pp. 89.
[17] Oliver Jens Schmitt, Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit, shqipëruar nga Ardian Klosi, botimet “K&B”, viti 2012, Tiranë, ff. 116.
[18] Henry Brailsford, Macedonia, its races and their future, botimet “Methuen & Co.”, Londër, pp. 222.
[19] Leopold von Ranke, The history of Servia and the Servian revolution, botimet “Henry G. Bohn”, viti 1853, Londër, pp. 335.
[20] Hyacinthe Hecquard, Historia e përshkrimi i Shqipërisë së epërme ose Gegërisë, botimet “Plejad”, viti 2008, Tiranë, ff. 395.
[21] Adolphus Slade, Records of travels in Turkey, Greece, etc, botimet “Saunders and Otley”, viti 1854, Londër. Në faqen 134, Slade shkruan: “Marko Boçari, tok me një bandë të vetën, e sulmoi atë në mesnatë, dhe për pak sa nuk e vrau; do t’i kish bërë një nder me këtë edhe sulltanit që nuk e donte të gjallë, por pashai, që u zgjua prej zhurmave, ia doli të hapte një të çarë në tendë me jataganin e vet, dhe u largua.”
[22] David Urquhart, The spirit of the East, vëllimi I, botimet “Henry Colburn”, Londër, 1838, pp. 74, shih footnote-ën.
[23] Thomas Gordon, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, viti MDCCCXXXII, pp. 259.
[24] Thomas Gordon, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, viti MDCCCXXXII, pp. 158.
[25] Oliver Jens Schmitt, Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit, shqipëruar nga Ardian Klosi, botimet “K&B”, Tiranë, ff. 116-117.
[26] Thomas Gordon, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, viti MDCCCXXXII, Londër, pp. 411.
[27] George Finlay, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, viti MDCCCLXI, Londër, pp. 349.
[28] Thomas Gordon, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, viti MDCCCXXXII, Londër, pp. 414.
[29] Vrionasit e kanë mbajtur veten si pasardhës të dinastisë perandorake bizantine të Paleologëve. Në fakt, të njëjtën tezë mbron edhe F. Pouqeville, por me këtë i ka ngritur kacabujtë Eqrem bej Vlorës, i cili në librin e vet me kujtime, ia quan këtë një pretendim të paprovuar, e – kush e di? – bash për këtë, ia ka cilësuar shënimet e kujtimet mbi Shqipërinë “sipërfaqësore”. Origjinën bizantine të Vrionasve e mbron edhe historiani Thomas Gordon, veçse duke ia ulur ca gradë sojin. Në librin e tij “History of the Greek revolution”, në faqen 80, në një footnote, ai thotë se “Omer Vrioni rridhte nga një familje fisnike bizantine”. Kjo nuk ishte pra ndonjë familje dinastike. Ishte një familje fisnike me llagapin “Bryenneias”, prej nga, nën efektin korruptues që koha ushtron mbi fjalët, kemi mbërritur tek forma e shqipëruar “Vrioni”.
[30] George Finlay, History of the Greek revolution, vëllimi I, botimet “William Blackwood and Sons”, viti MDCCCLXI, Londër, pp. 348.
Mustafa Nanoja pati mirësinë të na e dërgonte këtë material, pasi pa debatin që ngjalli një status imi në Facebook. Statusin mund ta lexoni më poshtë, ndërsa për debatin klikoni këtu:
Një debat është kthyer, lidhur me atë nëse Bubulina – heroina e Revolucionit grek – ka qenë apo jo “shqiptare”.
Debati vjen jo vetëm i politizuar, por edhe i barsur me keqkuptime historike dhe gjuhësore.
Duke filluar që nga kuptimi i fjalës “shqiptar”, referuar një identiteti etnik/kombëtar.
Nga kjo pikëpamje, arvanitët nuk mund të jenë shqiptarë (siç jemi shqiptarë ne), sepse u ndanë nga trungu etnik para se arbërit të ishin shndërruar në shqiptarë dhe pastaj nuk komunikuan më me atë trung. Ndërkohë, arbërit e Mesjetës së vonë filluan ta quajnë veten shqiptarë si pasojë e disa proceseve historike gjithëpërfshirëse, në të cilat arvanitët nuk morën pjesë – jo sepse nuk deshën, por sepse jetonin tashmë gjetiu. Ata që i barazojnë arvanitët me shqiptarët, zgjedhin të injorojnë historinë, edhe pse duket sikur mbështeten në të dhëna historike.
Me arvanitët kemi të përbashkët mbase një pjesë të madhe të historisë së hershme, para zbritjes së arbërve në Greqi; por këtë pjesë kultura jonë nuk e mban mend, dhe as e tyrja.
Bubulina ishte arvanite – i përkiste komunitetit të arbërorëve, që ishin zhvendosur në trojet “greke” që herët në Mesjetë.
Për grekët e sotëm, arvanitët dhe shqiptarët janë identitete të ndryshme. Asnjë grek nuk do të përdorte fjalën Αλβανός, për arvanitëve; dhe as do ta quante gjuhën e tyre αλβανικά.
Këto dy fjalë i referohen – në greqishte – shqipes që flitet sot në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetiu në Ballkan; dhe komuniteteve që e flasin.
Arvanitët e djeshëm dhe shqiptarët e sotëm i ndan jo vetëm koha, por edhe tipare të tjera të identitetit kolektiv, si feja.
Tek e fundit, revolucioni grek vërtet nisi si përpjekje e armatosur kundër sundimit osman, por në realitet u shpreh edhe si revoltë anti-myslimane.
Shumë shqiptarë myslimanë (por edhe katolikë) u dërguan nga Perandoria Osmane të luftojnë – edhe si mercenarë – kundër kryengritësve grekë (dhe arvanitë).
Edhe pse gjen tek-tuk prova të një dhemshurie etnike ekstra-fetare mes arvanitëve që luftonin kundër shqiptarëve myslimanë (p.sh. në kujtimet e Kollokotronit), sërish te shqiptari mysliman arvanitët kryengritës shihnin përgjithësisht armikun mysliman, jo vëllain e gjuhës dhe të gjakut.
Përkundrazi, zgjimi kombëtar i shqiptarëve, gjatë shekullit XIX, ishte haptazi anti-osman, por nuk ishte – dhe nuk mund të ishte – antimysliman, sa kohë që shumica e shqiptarëve ishin të besimit islam.
Si luftëtare dhe heroinë e revolucionit grek, Bubulina do të identifikohet më shumë me idealet e revolucionit grek, se me trashëgiminë e saj arbërore-arvanitase.
Ata nga ne, që i quajnë “shqiptarë” heronjtë arvanitë të revolucionit grek dhe u thonë grekëve se “ua dhamë ne”, bëjnë një gabim historik elementar; madje më shumë se një.
Eliminojnë nga ekuacioni faktorin fetar në identitetin etnik të fillimshekullit XIX, kryesisht ngaqë për ne shqiptarët e sotëm – që u përkasim tre feve të ndryshme plus masa jo e vogël e atyre që nuk besojnë – faktori fetar nuk ngre peshë në identitetin kombëtar.
Përkundrazi, grekët e sotëm e kanë trashëguar mirë mendësinë identitare të kohës së revolucionit të tyre; kur nuk u shkonte mendja t’i quanin “grekë” myslimanët në trojet e tyre – të cilët shpesh i masakruan, i dëbuan ose i keqtrajtuan.
Ne nuk mund t’u mësojmë grekëve si t’i shohin heronjtë arvanitë të revolucionit të tyre këtu e dyqind vjet më parë – për ta, këta heronj janë njëherazi grekë, arvanitë dhe, sidomos, të krishterë ortodoksë.
Përkundrazi, bëjmë mirë ta mbajmë këtë parasysh, kur flasim për memorien e revolucionit grek, mes grekëve të sotëm, përfshi edhe kulturën zyrtare.
Dallimi identitar mes arvanitëve dhe shqiptarëve nuk është dallim që u vlen vetëm grekëve nacionalistë; është dallim historik, që bëhet gjithnjë e më real, me kalimin e kohës.
Përpjekjet për t’i bërë arvanitët “shqiptarë” janë esencialiste, instrumentale dhe pa baza historike. Shërbejnë për të krijuar një iluzion historik, duke e trajtuar imagjinaren si reale.
Duke i parë si aspekte të ndryshme të identitetit historik të arbërve në Ballkan, në rrjedhë të shekujve, do t’i kuptojmë më mirë edhe të parët edhe të dytët, sa kohë që do ta pranojmë se bëhet fjalë për produkte procesesh historike, jo mishërime esencash metafizike.
Përndryshe, fare mirë mund t’i admirojmë heronjtë e revolucionit grek, përfshi edhe arvanitët, pa këmbëngulur në “shqiptarinë” e tyre.
“Për grekët e sotëm, arvanitët dhe shqiptarët janë identitete të ndryshme. Asnjë grek nuk do të përdorte fjalën Αλβανός, për arvanitëve”
Ama fjala arvanitka në greqisht përdoret edhe për të “shënjuar” gjuhën që flasin shqip-folësit e rajonit të Thrakës ose ata pak shqip-folësit e mbetur në rajonet e Epirit e Maqedonisë, dhe jo vetëm gjuhën e arbërorëve të Atikës e Peloponezit. Mbase sepse për një grek të thjeshtë “it all sounds arvanitka”.
Shqip-folësit e Thrakës janë vendosur aty në 1924 pas shkëmbimit të popullsisë me Turqinë, ndërsa ata të Epirit e Maqedonisë janë bërë pjesë e shtetit grek ne 1913. Bëhet fjalë për kohëra moderne dhe për grekë modernë.
Një status FB që shtova tani në mëngjes:
Ka të paktën dy kuptime kryesore, fjala SHQIPTAR, si etiketë identiteti etnik (etnonim). Kuptimi i parë është përfshirës, i dyti përzgjedhës. Përdorim kuptimin e parë, kur flasim për “shqiptarët e Italisë”, ose kur flasim për rolin e shqiptarëve në revolucionin grek, duke pasur parasysh arvanitët. Përdorim kuptimin e dytë kur themi se “arbrit e djeshëm e ndërruan emrin etnik në shqiptar, dikur në shekullin XVIII.”
Të huajt, përkundrazi, nuk e kanë këtë luhatje: për italianët jemi ALBANESI edhe kur është fjala për banorët e Tiranës, edhe kur është fjala për banorët e Horës së Arbëreshëve. E shumta, i shtojnë një ITALO-ALBANESI, për ta bërë dallimin.
Në përkthimet, këtë ALBANESE mund ta sjellim, sipas rastit, si “shqiptar”, “arbër”, “arbëresh”, e kështu me radhë. Shpesh përdorimi përzgjedhës (selektiv) ËSHTË MË I SAKTË, sepse lejon që të merren parasysh ndryshimet e identitetit në kohë.
Debati që ndoqi statusin tim të ndjeshëm i detyrohet, pjesërisht, edhe këtij keqkuptimi; ose faktit që të gjithë këta, shqiptarë, arbëreshë e arvanitë flasin “shqip”. Por emri SHQIPTAR, si emër etnik, filloi të përdorej pasi këta u larguan nga trungu etnik i Arbrit; dhe as arbëreshët, as arvanitët nuk e kanë njohur. Ata e quajnë veten “arbëreshë”, ose “arvanitas” – por jo shqiptarë. Për ta “shqiptarët” – nëse e kanë mësuar këtë fjalë – janë zakonisht vëllezërit e tyre të gjakut në Shqipëri. Pa folur pastaj për shumë arvanitë, të cilët – për arsye të ndryshme – ngulin këmbë për t’u paraqitur si të ndryshëm nga shqiptarët.
Ka një arsye për këtë, që ka të bëjë me formimin historik të identitetit. Pas shekujve XIV-XV, historia e arbëreshëve dhe e arvanitëve nuk ka ndjekur trajektoren e historisë së shqiptarëve (të Ballkanit); me dallimin e madh që këta të fundit përfunduan nën sundimin osman dhe, dalë nga dalë, u islamizuan në masë; por jo vetëm – morën pjesë në jetën politike dhe sociale dhe ekonomike të Perandorisë (kjo e kaluar disashekullore ka lënë gjurmë të mëdha, të mirëdukshme edhe sot).
Për shumë arbëreshë dhe arvanitë, të mësuar me identitetin e tyre të kombinuar etnik-fetar ortodoks, fakti që një pjesë e madhe e shqiptarëve i përkasin, qoftë edhe nominalisht, fesë Islame, është arsyeja themelore për jetërsimin. Edhe pse, nuk ka nevojë ta them, që të gjithë shqiptarët e Ballkanit ndanë mes tyre privilegjin a barrën që të ishin nënshtetas të Sulltanit, përfshi këtu edhe katolikët e ortodoksët; por e ndanë në mënyra të ndryshme.
A janë “shqiptarë” arbëreshët dhe arvanitët? Janë, në kuptimin e gjerë të fjalës, dhe nga pikëpamja jonë, e shqiptarëve të Ballkanit, që identifikojmë si shqiptarë të gjithë ata që flasin shqip dhe që, pas Rilindjes, e kemi shtrirë emërtimin “shqiptar” edhe në në kohë, për ta mbjellë në shekujt kur ky emërtim nuk ekzistonte (si p.sh. në kohën e Skënderbeut).
Edhe këtu, na ka ndihmuar fakti që gjuhë të tjera të Europës i quajnë edhe arbrit e Mesjetës “albanesi”, “Albanians”, e kështu me radhë, fjalë të cilën ne e përkthejmë automatikisht si “shqiptar” – gjë që nuk është plotësisht e saktë. Skënderbeu nuk e quante veten “shqiptar”, sepse kjo fjalë në kohën e tij nuk ekzistonte. E quante “epirot”, “maqedonas”, ndoshta “arbër”; por “shqiptar” jo. Për ne, si subjekte të historisë së “Albanians”, emri SHQIPTAR duhet t’i bëjë llogaritë me emrin ARBËR, dhe me emrat e tjerë për banorët e ngulimeve: ARVANIT, ARBËRESH.
Natyrisht, të diskutosh nëse Bubulina dhe heronj të tjerë të revolucionit grek kanë qenë apo jo shqiptarë, kjo nuk do të thotë që t’i bësh “grekë”, siç thanë këtu disa të cekët. Aq më tepër që në kohën e luftës greke për Pavarësi, edhe identiteti etnik “grek” nuk ishte ai i sotmi. Vetë ajo luftë, a revolucion, thuhet se nisi jo për të krijuar një shtet grek të pavarur, por për të çliruar Rumelinë nga Osmanët dhe për ta kthyer Konstandinopojën në duar të krishtera. Ishte periudha kur identitetet etnike ende nuk ishin kristalizuar mirë; por ngjarjet historike rodhën në mënyrë të tillë, që pastaj i ndihmuan të kristalizohen; duke u diferencuar edhe nga identitetet fetare. Në Shqipërinë e shekullit të XVIII shqiptarët ende identifikoheshin si TURQ, por kjo “turk” nuk i referohej etnisë turke, por besimit Islam. Ndjenja e përbashkësisë etnike u konsolidua mes shqiptarëve të shekullit XIX edhe si pasojë e përmbysjeve që ndodhën me fqinjët në jug – teksa u kuptua se shqiptarët do të bashkoheshin në kombin e tyre NDRYSHE nga si u bashkuan grekët; sepse FEJA, tek ne, nuk do të shërbente (dot) si faktor identiteti kombëtar.
Pjesemarrja e shqiptareve ne revolucionin grek ishte ekuivalenti i si te thuash i shqiptareve te Kosoves te behen tok me serbet e t’u bien trupave te NATOs.Nje mendjelehtesi historike e cila u kushtoi shume gjak nga turqit per tradhetine si dhe nga greket te cilet us shperblyen ndihmen me spastrime etnike .
Persa i perket identitetit etnik shqiptar nuk te ben geni por eshte gjendje psikologjike dhe emocionale .
Keto qe shkruan jane marrezira, s’ja ke haberin historise.