“Aty ku ekziston një gjuhë letrare, ajo duhet ruajtur si sytë e ballit”
Bisedë me albanologun Wilfried Fiedler (1933-2019)
bisedoi Jonida Xhyra-Entorf
Biseda e mëposhtme me studiuesin Vilfrid Fidler është zhvilluar në korrik të vitit 1998. Në vitin 2001 ai pati mundësinë ta vizitojë pas një kohe të gjatë Shqipërinë, i ftuar së bashku me studiuesit Robert Elsi (Robert Elsie: 1950-2017) dhe Rolf Këderiç (Rolf Ködderitzsch: 1941-2020) me rastin e një konference për Kristoforidhin, të organizuar nga Universiteti i Elbasanit. Biseda me profesor Fidlerin është e fundmja në radhë, pas bisedave me Robert Elsinë[1] dhe Peter Bartlin.
Veprimtaria e albanologut Vilfrid Fidler është poliedrike dhe shquhet për gjerësinë dhe thellësinë e saj. Ajo zë fill me një ekspeditë etnomuzikologjike[2] në vitin 1957 në Shqipëri, për të vazhduar me veprimtarinë leksikografike si bashkautor në hartimin e fjalorëve shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip[3], atë pedagogjike në universitetet e Berlinit, Mynihut dhe Jenës, dhe natyrisht me studimin e shqipes në shumë drejtime, veprimtari së cilës ai do t’i përkushtohej gjithë jetën. Qoftë në studimet e tij për gramatikën e shqipes (me bashkautore)[4], për formimin e shumësit në gjuhën shqipe[5], për sistemin foljor të gjuhës së Buzukut[6] apo për gramatikën krahasuese të gjuhëve ballkanike,[7] ai është gjithëpërfshirës, duke analizuar në të njëjtën kohë me këmbëngulje detajin, kontekstin përdorues, pa humbur për asnjë moment nga vëmendja kuadrin e përgjithshëm.
Në konferencën përkujtimore (organizuar në datat një dhe dy tetor 2021 në Universitetin e Jenës) kushtuar kontributit të Fidlerit në albanologji, Rexhep Ismajli e cilëson atë si albanologun më të rëndësishëm gjerman të kohës së tij.[8] Për këdo që është i interesuar të lexojë një analizë shkencore për veprimtarinë shkencore të albanologut në fjalë, kumtesa e Ismajlit është referenca e duhur, veçanërisht kur është fjala për aspektet tipologjike të shqipes në kuadrin ballkanik.
Jo pa qëllim vendosa që këtë bisedë ta titulloj pikërisht me një mendim të shprehur nga albanologu Vilfrid Fidler në bisedën e mëposhtme, mendim të cilin, megjithëse biseda në pjesën më të madhe u zhvillua në gjermanisht, ai e formuloi fare shkoqur në shqipen e tij aq të kthjellët. Janë fjalë të mençura, që kanë një aktualitet të veçantë. Është amaneti i një shkencëtari që gjithë jetën e tij ia kushtoi hulumtimit shkencor të gjuhës shqipe. Ndoshta ato kanë fuqi ashtu heshturazi dhe pa bujë të na bëjmë të mendohemi.
Jemi në shtëpinë e Martin Camajt në Lengriz (Lenggries), konkretisht në dhomën shqiptare. Zjarri në vatër, thekoret e kuqe mbi mindere, qilimi i Kosovës i shtruar përdhe dhe gjithçka në këtë shtëpi, veçanërisht në këtë dhomë, të krijojnë ndjesinë e të qenit në një tempull shqiptar. Pas dy orësh vijnë mysafirët e tjerë dhe do të fillojë takimin e punës Shoqata Martin Camaj. Zonja Camaj na krijoi mundësinë të punojmë këtu në qetësi, përpara se të vijnë miqtë e tjerë. Le ta nisim me Camajn. Cili është mendimi juaj për vendin që zë ai në kulturën dhe letërsinë shqipe? A mund të tregoni diçka nga bashkëpunimi juaj me të?
Po përgjigjem duke vënë në dukje faktin, se sistemi komunist në Gjermaninë Lindore kishte një lloj elasticiteti dhe nuk ishte aq i ngurtë sa ai në Shqipëri. Tek ne ka qenë e mundur të citohej Camaj. Unë kam pasur gjithmonë lidhje pune me të. Për shembull, para disa ditësh, gjeta një letër të cilën ia kisha shkruar Martinit në vitin 1961, pra lidhja jonë ishte e hershme. Por takimi ynë i parë personal u bë në vitin 1990, kur u shpall konkursi për profesurën e albanologjisë në Universitetin e Mynihut. Unë erdha nga Berlini për të marrë pjesë në këtë konkurs dhe me këtë rast u takova edhe me Martinin. Gjatë kohës që patëm mundësinë të punonim bashkë, Martini ishte shumë i sëmurë, megjithatë ne bashkëpunuam ngushtë në të gjitha drejtimet. Për përkthimin e Palimpsestit kemi diskutuar për çdo fjalë. Për përkthimin e Karpës mundësia e një bashkëpunimi të tillë erdhi duke u rrudhur. Dua të theksoj, se bashkëpunimi ynë ka qenë i gjithanshëm, por fatkeqësisht jo shumë jetëgjatë, për shkak të vdekjes së tij të parakohshme.
Vendi i Martinit në kulturën dhe letërsinë shqipe është shumë lehtë të caktohet, sepse është një vend që ai ia ka caktuar vetë vetes me veprën e tij. Nuk ka dyshim, që Martin Camaj është poeti më i rëndësishëm i diasporës shqiptare. Me këtë të fundit kam parasysh jo vetëm arvanitasit dhe arbëreshët, në kuptimin tradicional të fjalës, por të gjithë shqiptarët që gjenden jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Për mua Martin Camaj ishte shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës, po aq sa dhe i arbëreshëve të Italisë, d.m.th. i të gjithë shqiptarëve. Në kushtet e një realiteti të copëtuar shqiptar ai punoi një jetë të tërë, si në letërsi, ashtu edhe në shkencë, për njësimin në çdo drejtim të asaj që është në thelb shqiptare. Kjo e fundit tek ai nuk ka kufij gjeografikë, nuk ka kushtëzime të diktuara nga lart. Një njeri që merr përsipër një barrë të tillë, që i kushton gjithë jetën një qëllimi të tillë, është pa dyshim një njeri i madh, një shkrimtar i madh, një shkencëtar i madh. Martin Camaj është ndër talentet më të spikatur të letërsisë shqipe të kudoshkruar.
Megjithëse e filluam me Camajn, nuk i shpëtojmë dot pyetjes klishe: cili ka qenë kontakti juaj i parë me gjuhën shqipe dhe si keni mësuar shqip?
Ju e bëtë diferencimin me të drejtë në pyetjen tuaj, sepse kontakti i parë me një gjuhë nuk është e njëjta gjë me fillimin e mësimit të kësaj gjuhe. Duke u marrë me gjuhësi krahasimtare, jam ndeshur shpesh në punën time me fjalë të gjuhës shqipe, etimologjia e të cilave mbetej e dyshimtë për mua. Unë jam marrë shumë me gjuhët e Europës Lindore dhe Juglindore, si për shembull me gjuhët sllave, me rumanishten, çekishten, hungarishten, pak a shumë disi dhe me turqishten. Në këtë hulli shqipja ishte e vetmja gjuhë që nuk e kisha studiuar.
Pas përfundimit të studimeve në vitin 1955, në kërkim për të gjetur punë, mësova se Instituti i Folklorit në Berlin kërkonte një poliglot. Fillova punë pranë këtij instituti, i cili bënte kërkime në lëmin e etnografisë krahasimtare për Europën Lindore dhe Juglindore dhe aso kohe kishte në plan të organizonte një ekspeditë me karakter etnografik në këto vende. Një etnomuzikolog i njohur, që punonte aso kohe në institut, Erih Shtokmani (Erich Stockmann: 1926-2003), e dinte se kultura muzikore e shqiptarëve ishte nga më arkaiket dhe donte medoemos që Shqipëria të përfshihej në programin e ekspeditës. Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar vetëm dhjetë vjet më parë, megjithatë dr. Shtokmani ia doli mbanë, që në vitin 1957 të organizohej një ekspeditë folklorike në Shqipëri.
Të ndodhur përpara faktit se askush nuk dinte shqip, shokët e grupit të punës dhe bashkë me ta edhe dr. Shtokmani më thanë: “ti ke mësuar kaq shumë gjuhë deri tani, pse të mos mësosh edhe shqip?” Duhet të theksoj, se atëherë nuk ishte e lehtë të mësohej shqip, po të kemi parasysh mungesën e metodave dhe të fjalorëve. Mungesa e një gjuhe letrare të njësuar e vështirësonte akoma më shumë një ndërmarrje të tillë. Përveç kësaj, aso kohe, në Berlin veçanërisht apo edhe në Gjermani në përgjithësi, nuk kishte shqiptarë si tani dhe unë nuk kisha as mundësinë më të vogël të dëgjoja se si tingëllonte kjo gjuhë që kisha nisur të mësoja. Më kujtohet, se pasi kaloi njëfarë kohe, kolegët e mi të institutit filluan të bënin shaka duke më pyetur, nëse ekzistonte vërtet kjo shqipja që po mësoja apo mos ndoshta isha duke shpikur një gjuhë tjetër.
Në këto kushte kërkova me këmbëngulje, që para se të ndërmarrim ekspeditën, të shkoja patjetër një herë në Shqipëri, me qëllim që të shikoja, nëse mund të merresha vesh me njerëzit me shqipen që isha duke mësuar. T’ju them të drejtën, edhe unë kisha filluar të dyshoja nëse ekzistonte me të vërtetë kjo gjuhë. Kërkesa ime u pranua dhe në fund të vitit 1956 unë pata mundësinë të shkoj në Shqipëri për pesë-gjashtë javë. Në këtë mënyrë u binda që gjuha ekzistonte dhe, me ndihmën e gjuhëve të tjera dhe të asaj çka kisha mësuar deri atëherë, arrita të merrem vesh. Mirëpo për të marrë pjesë në një ekspeditë folklorike nuk mjafton vetëm që të merresh vesh, por duhet të jesh në gjendje të përballosh larminë e të folmeve të një gjuhe, kështu që unë isha i detyruar ta vazhdoja punën dhe ta mësoja shqipen nga të gjitha pikëpamjet.
Ekspedita u zhvillua në Shqipërinë e Jugut, meqenëse për nga muzika kjo zonë është shumë interesante dhe dëshmon elemente tepër të veçanta dhe arkaike. Natyrisht që etnografia e Shqipërisë së Veriut me këngët e kreshnikëve apo me të drejtën zakonore të mahnit, por një ndjenjë të tillë të zgjon edhe polifonia çame apo labe.
Pra vizita ime e parë në Shqipëri ishte në vitin 1956, kurse ekspedita u zhvillua në maj të vitit 1957. Pas kësaj ekspedite unë isha si të thuash specialisti për kulturën dhe gjuhën shqipe në institut. Që të jem i sinqertë, pas mbarimit të ekspeditës mua më erdhi keq të mos e vazhdoja punën e nisur me shqipen, madje në të gjitha drejtimet, jo vetëm në fushën e këngëve popullore. Pas disa kohësh vendosa që doktoratën të mos e mbroja në sllavistikë, por në albanologji.
D.m.th., meqë jemi në etnografi, ju si të thuash ju martuan me mblesëri, por më pas nusja ju pëlqeu aq shumë, sa ratë në dashuri me të dhe nuk e këmbyet më për tërë jetën.
Më pëlqen ky krahasim. Po, pak a shumë është kështu siç thoni ju. Në vitin 1959 pata përsëri mundësinë të shkoj në Tiranë për të punuar. Qëllimi këtë herë ishte që të mblidhja material për temën time të doktoratës, në të cilën jam marrë me formimin e shumësit në gjuhën shqipe. Doktoratën e mbrojta në vitin 1961. Shkurt, unë nuk iu ndava më studimit të gjuhës shqipe.
Kam dëgjuar, se kur keni qenë në Tiranë për herë të parë, keni përdorur një libër kuzhine shqip, duke gatuar çdo ditë një recetë. Jam kureshtare të di, po të qëllonte t’ju vinte dikush për drekë pikërisht atë ditë që do t’ju binte për të përgatitur tavë kosi Elbasani, do të guxonit t’i përvisheshit punës dhe për më tepër ta ftonit mysafirin për të drekuar me ju, duke mos pasur asnjë ide se çfarë do të dilte nga gatimi i recetës në shqip?
Për t’i vënë fre fantazisë suaj, ju mund ta mendoni, që nuk ishte e lehtë për shqiptarët të më vizitonin mua lirshëm, d.m.th. unë kisha fare pak ose për të thënë aspak mundësi të gatuaja për ta. Veç kësaj, atë librin e famshëm të kuzhinës dikur ia tregova një kosovareje, e cila ma mori dhe për fat të keq nuk ma ktheu më. I mbetur edhe pa libër kuzhine, unë do të kisha qenë i detyruar, që, nëse do të më jepej një mundësi e tillë, t’i gostisja shqiptarët vetëm sipas njohurive të fituara më parë, pa garantuar për rezultatin.
Ju keni pasur mundësinë e qëndrimeve të punës jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Nisur nga këto dy përvoja, e keni përcjellë të dyzuar realitetin shqiptar?
Kjo është një pyetje pak e ndërlikuar. Kur shkova herën e dytë në Tiranë, në vitin 1959, kisha mundësi të ndiqja edhe leksionet në universitet. Profesor Çabej ishte miku im personal dhe përmes tij u njoha edhe me profesorët e tjerë. Nga ana tjetër duhet të sqaroj, se puna ime për formimin e shumësit kishte më shumë karakter praktik dhe unë shkoja vazhdimisht në terren.
Për sa i përket Prishtinës, unë mendoj që Kosova ka një meritë të jashtëzakonshme në lidhje me vazhdimësinë e albanologjisë. Me kalimin e kohës regjimi komunist në Shqipëri u ngurtësua deri në atë pikë, sa për albanologët e huaj u bë gjithmonë e më e vështirë mundësia e qëndrimeve të punës në Shqipëri. Në këto kushte Kosova qe nismëtare e organizimit të seminarit të përvitshëm për kulturën dhe gjuhën shqipe në Prishtinë. Unë personalisht kam qenë ndër seminaristët e parë që kam marrë pjesë rregullisht në këto takime, madje deri vonë. Natyrisht qëndrimet ishin dy ose tri javore, aq sa ç’më lejonte viza. Isha qytetar i një vendi socialist dhe vizitoja një vend tjetër socialist. Megjithatë, gjatë asaj kohe të shkurtër qëndrimi në Prishtinë, mua m’u krijua mundësia edhe të ligjëroja në universitet. Bëhet fjalë për vitet 70, për kohën e të ashtuquajturit liberalizëm në disa vende të bllokut. Shkurt, qëndrimet e mia të punës si në Tiranë, edhe në Prishtinë, ishin për mua një mundësi shumë e mirë kontakti, shkëmbimi, pasurimi dijesh.
Në aspektin e krijimit letrar, realiteti i dyzuar shqiptar, siç e quajtët ju, përçonte ndryshime që ishin të ndjeshme, të rrokshme. Letërsia shqipe në Kosovë ishte më e zhdërvjellët karshi ndikimit të rrymave dhe teorive letrare të kohës, kurse realizmi socialist në Shqipëri zhvillohej sipas një tërësie normash, ngurtësia e të cilave ishte e pashembullt në të gjithë Europën Lindore. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes suaj, do të thoja, se Tirana dhe Prishtina ishin për mua në të gjitha drejtimet një pasurim kulturor me disa shtresëzime të kushtëzuara kryesisht nga faktorë politikë.
Çabej e quan Buzukun një arë jo fare të pambjellë më parë. Ju jeni marrë gjatë dhe vazhdoni të merreni me Buzukun, konkretisht me sistemin foljor tek ai. Si e gjykoni gjuhësisht kohën para Buzukut?
Unë mendoj, se ndryshimi midis gjuhës së Buzukut dhe asaj të shekullit XVII është më i madh, se ndryshimi ndërmjet gjuhës së shekullit XVII dhe asaj të shekullit XVIII. D.m.th, pas gjuhës së Buzukut kemi si të thuash një shmangie, një lloj distancimi. Në gjuhën e Buzukut gjejmë disa dukuri, të cilat më vonë nuk i ndeshim askund, ndonëse nga një vështrim i përgjithshëm edhe gjuha e Buzukut mund të quhet shqipja e re. Po të marrim si shembull gjermanishten, gjuha e Luterit (Martin Luther: 1483-1546) është Neuhochdeutsch, kurse gjuha e Buzukut është Neualbanisch. Nëse e vazhdojmë paralelen me terminologjinë e gjuhës gjermane, ne nuk kemi shkallë të dëshmuara, as të shqipes së mesme, as të shqipes së vjetër. Megjithatë gjuha e Buzukut ka disa elemente të shkallëve të mëparshme. Ky fakt ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo aq për gjuhësinë indoeuropiane, se sa për gjuhësinë ballkanike, sepse disa tipare tipologjike të gjuhëve të Europës Juglindore i gjejmë në bërthamë qysh në gjuhën e Buzukut. Për shembull, lidhur me ndikimin e turqishtes, mund të thuhet me plot të drejtë, se disa elemente të saj mund të kenë ekzistuar në gjuhët ballkanike përpara ardhjes së turqve në Ballkan. Le të marrim si shembull habitoren, e cila dëshmohet edhe në turqishte. Sigurisht, ndikimi i turqishtes në Ballkan, pas ardhjes së turqve, mund të ketë forcuar disa tendenca, por fakti që habitoren e gjejmë qysh tek Buzuku, tregon se ka pasur një proces të gjatë më përpara, i cili natyrisht është ndikuar nga pushtimi turk. Që të kuptohemi drejtë, në këtë rast e kam fjalën për elemente të sistemit, jo për elemente të sipërfaqshme të leksikut.
Studimi i gjuhës së Buzukut ka shumë rëndësi për gjuhësinë ballkanike. Gjuhët e tjera të Ballkanit kishin shkallë të mëparshme të dëshmuara. Kështu për shembull greqishtja, e cila qe gjithmonë nën ndikimin e greqishtes së vjetër dhe të gjuhës së Bizantit apo gjuhët e sllavëve të Jugut, që ishin nën ndikimin e sllavishtes dhe bullgarishtes së vjetër. Monumentet e këtyre gjuhëve, të një moshe me gjuhën e Buzukut, nuk e dëshmojnë aq mirë gjendjen e vërtetë të këtyre gjuhëve në atë kohë, sa ç’e dëshmon Buzuku për shqipen. Unë madje jam i mendimit, se tek Buzuku kemi edhe elemente të njësimit të shqipes ose më saktë të të folmeve të asaj kohe.
Sistemi gramatikor i Buzukut ka elemente shumë shprehëse. Unë mendoj, se studimit të gjuhës së Buzukut duhet t’i rikthehemi vazhdimisht nisur nga qëllime të ndryshme.
Ju jeni një studiues i shqipes në raport me gjuhët ballkanike. A mund të thoni diçka lidhur me zhvillimin e ballkanologjisë sot?
Gjuhësia ballkanike është pjesa më e rëndësishme e gjuhësisë areale, pra e krahasimit të gjuhëve fqinje. Nuk ka dyshim, se çdo gjuhë ndikohet nga gjuhët fqinje. Europa Juglindore është një hapësirë jo shumë e madhe gjeografike, brenda së cilës lëvrijnë megjithatë shumë gjuhë. Këtu kam parasysh jo vetëm gjuhët e njësuara, por edhe gjuhën e vllehëve, greqishten e karakaçanëve, gjuhët e romëve, ishujt gjuhësorë të sllavëve në vendet josllave etj. Pra, nga krahasimi i gjuhëve që gjëllijnë brenda kësaj hapësire, fitojmë një kuadër shumë më të larmishëm, se sa vetëm nga krahasimi i gjuhëve të njësuara. Duke qenë se në Europën Juglindore e kanë zanafillën dhe gjuhë të tilla të dëshmuara qysh herët si greqishtja dhe latinishtja, do të thoja se ballkanologjia është me shumë rëndësi edhe për gjuhësinë e përgjithshme, për sa i përket krijimit të tipareve të përgjithshme tipologjike në një territor. Megjithatë, arritjet konkrete të ballkanologjisë nuk janë në përputhje me rëndësinë që duhej të kishte kjo fushë studimi. Natyrisht, një vështirësi praktike përbën dhe fakti, se studiuesi i kësaj fushe duhet pikësëpari të dijë shumë gjuhë, madje më mirë të themi duhet t’i zotërojë mirë ato.
Le të mbetemi edhe pak tek gjuhësia ballkanike. Një ndër 12 pikat e tezës së Vajgandit (Gustav Weigand: 1860-1930) ka të bëjë me lidhjet shqiptaro-rumune të burimit jolatin. Si i gjykoni ju këto lidhje?
E rëndësishme për këtë problem është të sqarohet se cila gjuhë ka ekzistuar në Rumani apo më saktë në hapësirën ku është formuar gjuha rumune përpara gjuhës latine. Natyrisht ka edhe mundësi të tjera. Për shembull Çabej ishte i mendimit, se këto fjalë janë të burimit shqip dhe se rumanishtja i ka huazuar nga shqipja. Sipas meje, në këtë rast kemi të bëjmë me shtresën më të madhe që zotërojmë në mënyrë të dëshmuar para Buzukut, le të themi me kufizime, para të folmeve arvanitase. Ne kemi vetëm tri shtylla për fatet e shqipes së vjetër. Së pari paralatinet, pra fjalët e greqishtes së vjetër, së dyti glosat e vjetra të ilirishtes, të cilat janë shumë pak, dhe së treti pikërisht këto lidhje shqiptaro-rumune të burimit jolatin. Natyrisht lidhjet e shqipes me rumanishten janë më të gjera. Për shembull, duhet marrë parasysh struktura shumë e ngjashme gramatikore e këtyre dy gjuhëve. Për mendimin tim, ky fakt shkon në të mirë të hipotezës, se këto dy gjuhë nuk mund të jenë zhvilluar në mënyrë krejt të pavarur nga njëra-tjetra.
Vitin e kaluar kam ndjekur një seminar të ofruar prej jush mbi tekste të ndryshme në gegërishte, duke përfshirë këtu edhe Fishtën, të cilit ju i kushtuat një vëmendje të veçantë. Pse kjo preferencë?
Për mua Fishta mbetet poeti më i rëndësishëm i kohës së paraluftës, poeti më interesant për lexuesin e huaj. Ai arrin ta pasqyrojë folklorin e shqiptarëve në një mënyrë të përpunuar letrare, duke i mundësuar kështu lexuesit të huaj, që ta ndiejë botën shpirtërore të shqiptarëve. Natyrisht që informacioni i marrë në këtë formë është i gjithanshëm dhe shumë më i plotë, se ai që merret nga librat me karakter folklorik.
Si e gjykoni letërsinë e shkruar shqip gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX? Duke qenë se keni përkthyer disa autorë shqiptarë, a mendoni që kjo letërsi zgjon interes në hapësirën gjermanishtfolëse?
Unë mendoj se po, por krahasuar me interesin që letërsia shqipe ka zgjuar dhe vazhdon të zgjojë në Francë, hapësira gjermanishtfolëse mbetet gjithsesi e vakët. Pse-në nuk mund ta shpjegoj. Për t’u përmendur është fakti që hapësira gjermanishtfolëse nuk ka qenë në të njëjtat kushte. Gjermania Lindore për shembull ishte e interesuar, që të kishte lidhje kulturore me një numër sa më të madh vendesh socialiste. Në këtë drejtim shtëpitë botuese ishin të interesuara të botonin edhe letërsinë shqipe. D.m.th. fillimi ishte si të thuash një interesim i planifikuar, i cili më vonë mund të gjente jehonë tek lexuesi. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, që ky interesim i planifikuar përçonte natyrisht edhe luhatjet e politikës. Pas vitit 1961 marrëdhëniet erdhën duke u keqësuar. Në vitin 1962 kisha përkthyer romanin Ata nuk ishin vetëm të Sterjo Spases. Ky roman kishte qenë përkthyer një herë më parë në gjermanisht nga frëngjishtja. Më kujtohet, se gjatë punës krahasoja shpesh përkthimin ekzistues me origjinalin dhe vija re shumë shpesh, që nga një mënyrë e tillë përkthimi, pra jo direkt nga origjinali, gjuha humbet jo vetëm koloritin, por edhe saktësinë. Më pas kam përkthyer Kënetën e Fatmir Gjatës. Mbarimi i përkthimit të romanit përkoi me prishjen e marrëdhënieve, kështu që ky roman jo vetëm që nuk u botua, por unë nuk kam më as edhe një kopje të përkthimit. Ky është një shembull shumë konkret për ndikimin e politikës në letërsi.
Në vijim të orientimit nga lart në fushën e letrave nisi të zhvillohej dhe fenomeni Kadare. Përkthimi i parë i Gjeneralit ishte bërë në gjermanisht po nga frëngjishtja. Përveç humbjes nga ky kapërthim, përkthimi i bërë në gjermanisht nga frëngjishtja nuk mund të ribotohej edhe për arsye teknike, që kishin të bënin me të drejtën e botimit. Kështu që u krijua mundësia për përkthimin nga origjinali. Gjeneralin unë e kam përkthyer së bashku me zonjën Buholc (Oda Buchholz: 1949-2014), me të cilën kam pasur një bashkëpunim të ngushtë, jo vetëm në fushën e përkthimeve, por në shumë drejtime. Për sa i përket letërsisë shqipe të shkruar në Kosovë, duhet të vëmë në dukje përparësinë që ka pasur poezia në këtë trevë. Kjo letërsi u prezantua në vëllimin antologjik Dega e pikëlluar[9], vëllim në të cilin u përfshinë mjaft autorë nga Kosova. Unë kam përkthyer dhe nga gjuhë të tjera. Për mendimin tim, përkthimi përbën një problem tejet delikat në punën me gjuhën dhe luan një rol tepër të madh, kur është fjala për letërsitë e vendeve të vogla, për letërsitë jo shumë të njohura. Kujtoj, që në këtë drejtim mbetet shumë për të bërë.
Ju keni punuar një kohë tepër të gjatë në Gjermaninë Lindore. Si do ta gjykonit raportin e politikës me gjuhësinë në një shtet socialist dhe si reflektohej ky raport në fushën tuaj të studimit, d.m.th. në hapësirën shqiptare?
Zhvillimi i gjuhësisë në një shtet socialist është i planifikuar nga lart dhe në një mënyrë të veçantë. Në kuadrin e marrëdhënieve me vendet socialiste ishte i përligjur dhe interesi për zhvillimin e albanologjisë. Orientimi vinte nga lart dhe më pas investohej në përgatitjen e specialistëve. Unë mendoj, që këtë ndërhyrje të shtetit duhet të përpiqemi ta shohim objektivisht.
Nga njëra anë interesimi dhe mundësitë e krijuara për të punuar në një drejtim të caktuar, konkretisht në albanologji, nga ana tjetër kontrolli i vazhdueshëm, shpeshherë deri në detaje. Për më tepër pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Gjermania Lindore bëri përpjekje të mëdha për ta mbushur boshllëkun e shkaktuar nga prishja e këtyre marrëdhënieve me Shqipërinë. Madje jo vetëm kaq, por zhvillimi i albanologjisë në Gjermaninë Lindore, sipas mendimit tim, bëri që deri diku të shmangej dallimi artificial mes Kosovës dhe Shqipërisë. Me Kosovën mundësia e bashkëpunimit ishte disi më elastike, por edhe në Shqipëri na ftonin kur krijohej mundësia. Për fat të keq, me kalimin e kohës, mundësia për të punuar në terren, siç kishte qenë rasti i ekspeditës fatlume në vitin 1957, u mbyll krejtësisht.
Meqë jemi tek gjuhësia dhe politika, cili është mendimi juaj lidhur me debatin për gjuhën e njësuar letrare?
Mendimi im është fare i qartë: aty ku ekziston një gjuhë e njësuar letrare, ajo duhet ruajtur si sytë e ballit. Pavarësisht nga fakti se njësimi i saj, nisur nga disa pikëpamje, nuk është bërë nga pozita krejt demokratike. Detyrë e albanologjisë në përgjithësi dhe e albanologëve shqiptarë, kudo ku janë, është të synojnë një bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim dhe mbi të gjitha një bashkëpunim tolerant. Gjuha mund të zgjerohet dhe liberalizohet deri aty ku e lejon struktura e saj. Unë jam i mendimit, se jo çdo trajtë mund të hyjë në gjuhën letrare dhe të përqafohet nga të gjithë shqipfolësit.
Sot në Gjermani dëgjon rëndom të flitet shqip. Nëse rastësisht ndodheni në një mjedis publik ku flitet shqip, si reagon gjuhëtari brenda jush?
Kjo është një çështje delikate, sepse nuk më duket e udhës, që qoftë dhe padashur të “përgjosh” bisedat private të njerëzve të panjohur. Por një interesim prej gjuhëtari, të cilit unë nuk i shpëtoj dot më, është disi më i përligjur. T’ju them të drejtën, në një rast të tillë, duke rendur pas formave të shumësit apo trajtave dialektore, ju siguroj, se nuk arrij të regjistroj asgjë nga përmbajtja e bisedës.
Pas hapjes nga izolimi i gjatë në realitetin shqiptar kanë hyrë fenomene të reja, bashkë me to edhe huazime të reja. Kontakti i shqipes me gjuhët e tjera, veçanërisht me anglishten, ka marrë përmasa krejt të tjera. Çfarë mendoni për këtë dukuri?
Situata e shqipes në këtë drejtim nuk ndryshon shumë nga situata e gjuhëve të tjera, pra ky është një problem që pak a shumë e kanë të gjitha gjuhët ballkanike. Natyrisht shkalla e ndikimit të huazimeve varet nga stabiliteti i një gjuhe dhe në këtë drejtim duhet punuar me maturi dhe para së gjithash në vijimësi.
A vazhdoni si gjithmonë të mos keni kohë, d.m.th. me çfarë po merreni konkretisht?
Natyrisht që nuk kam kohë. Unë jam marrë shumë me çështje të gramatikës historike të shqipes në raport me gjuhët e tjera ballkanike. Në këtë drejtim ende nuk kam botuar shumë gjëra. Jam duke hartuar një gramatikë krahasimtare të gjuhëve ballkanike, nga e cila kam botuar vetëm disa pjesë të vogla. Vazhdoj punën për sistemin foljor të gjuhës së Buzukut. Po ashtu vazhdoj të mos i ndahem qëmtimit të vazhdueshëm të formimit të shumësit në gjuhën shqipe.
Ju falënderoj përzemërsisht për kohën dhe mundësinë për ta zhvilluar këtë bisedë.
© 2024 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores. Fotoja copyright Robert Elsie 2003. Fair use only.
[1] Xhyra-Entorf, Jonida: … vazhdoj t’i dua shqiptarët. Bisedë me Dr. Robert Elsie. Në: Gazeta shqiptare, 22 tetor 2017, f. 12-15 (https://gazetashqiptare.al/2017/10/23/robert-elsie-prejardhja-e-shqiptareve-seshte-e-qarte-duhet-te-mesohemi-kete-te-vertete/)
[2] Albanische Volksmusik. Band I, Gesänge der Çamen. Doris Stockmann, Wilfried Fiedler, Erich Stockmann. (Deutsche Akademie der Wissenschaften zu Berlin: Veröffentlichungen des Instituts für deutsche Volkskunde, Band 36). Akademie-Verlag, Berlin, 1965.
[3] Langenscheidt Handwörterbuch Albanisch (Buchholz, Oda; Fiedler, Wilfried; Uhlisch, Gerda). Teil 1: Albanisch-Deutsch, 1999; Langenscheidt Handwörterbuch Albanisch (Fiedler, Wilfried; Klosi, Ardian). Teil 2: Albanisch-Deutsch, 2001.
[4] Buchholz, Oda; Fiedler, Wilfried: Albanische Grammatik. Leipzig, 1987.
[5] Fiedler, Wilfried: Formimi i shumësit në gjuhën shqipe (Botime të veçanta/Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës 79), Prishtinë 2007.
[6] Fiedler, Wilfried: Sistemi foljor i shqipes në veprën e Gjon Buzukut, 1555. (Botime të veçanta/Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës 55), Prishtinë, 2004.
[7] Fiedler, Wilfried: Vergleichende Grammatik der Balkansprachen. (Botime të veçanta/Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës 172), Prishtinë, 2018.
[8] Ismajli, Rexhep: Nga shqipja te gjuhësia ballkanike – rasti i Wilfried Fiedler-it (https://exlibris.al/rexhep-ismajli-nga-shqipja-te-gjuhesia-ballkanike-rasti-i-wilfried-fiedler-it/)
[9] Der bekümmerte Zweig: Poesie in Jugoslawien = Dega e pikëlluar: poezi shqipe në Jugosllavi. Übertragen von Oda Buchholz, Wilfried Fiedler, Prishtinë, 1979.