The New Yorker – në rubrikën The Daily Comment – i kthehet një poeti nga më emblematikët të shekullit XX, kileanit Pablo Neruda (The Second Death of Pablo Neruda); nobelist letrar, komunist dhe i konsideruar si një nga protagonistët e Luftës së Ftohtë në kulturë. Shkrimi, nga Graciela Mochkovsky, ndalet në dy-tre aspekte kyç të jetës së poetit, përfshi edhe vdekjen e tij, për të rrëfyer mes të tjerash statusin e një ikone letrare të shekullit të kaluar, në mjedisin kulturor, aq të ndryshëm, të këtij shekulli.
Rezulton se Nerudën – njeriun Neruda – e kanë akuzuar si përdhunues, në bazë të disa pohimeve autobiografike të atij vetë; sikurse e kanë akuzuar si maskilist dhe brutal me gratë dhe vajzat në jetën e tij. Kritikat kanë ardhur më shumë nga krahu feminist i kulturës dhe i letërsisë, dhe nuk kanë të bëjnë, me sa shoh, me vargun e Nerudës.
Temën e kemi trajtuar edhe këtu në Peizazhet: sa mund ta njollosë reputacionin letrar të një autori jeta e tij private plot cene, vese dhe gjëra të tjera të pahijshme? Nëse me arsye nuk duhet ta njollosë, sa kohë që ne një vepër e lexojmë siç duam vetë, jo ngaqë na pëlqen autori i saj si njeri; por në fakt pompimi i autorit, jashtë ligjërimit të tij letrar, ka qenë rregull gjatë Luftës së Ftohtë dhe më pas; dhe segmente të caktuar, hiç të pafajshme, të kritikës letrare e kanë paraqitur reputacionin letrar të këtij apo atij autori si të pandarë nga jeta e tij publike e private.
Ashtu, mu kur kritika letrare dhe filozofia moderniste e post-moderniste shpallnin me të madhe “vdekjen e autorit”, shpërtheu edhe interesi për autorin njeri, falë tabloidizimit të mediave kulturore. Askush nuk mund të thotë, sa për të sjellë një shembull, se Roland Barthes, autori i tezës së “vdekjes së autorit” ishte i panjohur ose enigmatik, për publikun francez dhe gjetiu në Perëndim; kjo natyrisht edhe për shkak të angazhimit të tij të drejtpërdrejtë në sferën publike.
Nerudën e pompoi fort e majta – ajo Perëndimore, por edhe nën ndikimin e fortë të propagandës sovjetike dhe të rublës. Sovjetikët kishin zgjedhur mirë, sepse vargu i kilianit zë vend nderi, në poezinë botërore, pavarësisht nga angazhimet politike të autorit. Por sa është e mundur ta ndash poezinë e Nerudës nga veprimtaria politike dhe kulturore e asaj figure?
Sikur të mos mjaftonte propaganda dhe përdorimi politik i letërsisë, ia ka behur edhe një epokë kur shkrimtari nuk mund të jetë i tillë, po të mos e performojë në publik shkrimtarinë e tij; duke u angazhuar, duke u rreshtuar, duke iu kundërvënë politikës, duke dhënë intervista dhe duke dalë në televizion. Aq sa të shndërrohet në një personazh, madje protagonist, të hapësirës së rralluar, midis botës së veprës dhe botës reale.
Neruda shenjtor i së majtës dhe i Botës së Tretë është edhe krijim i propagandës sovjetike – dhe letërsinë ashtu të përdorur ka qenë gjithnjë problematike që ta ndash nga hagjiografia. Kjo, të paktën që nga koha e romantizmit, kur poeti ishte edhe një lloj funksioni ose kategorie gati gramatikore, e jetës sociale; të cilit i jepeshin licenca edhe morale dhe i toleroheshin gjëra që vdekëtarit nuk do t’i lejoheshin.
Zhgënjimi i tanishëm, i një pjese të publikut me Nerudën, për shkak të gjërave që ai vetë ka rrëfyer për jetën e vet private, përfshi këtu edhe një episod autobiografik përdhunimi pak a shumë eksplicit, i referohet drejtpërdrejt qasjes hagjiografike – aq lart e kanë ngritur Nerudën poet propagandistët dhe aq janë jargavitur pas personit të tij snobët gjithfarësh, sa çdo episod i jetës së tij personale, që nuk i përshtatet logjikës së narrativës ashtu të ndërtuar, rrezikon rrëzimin e tij nga një lartësi fatale. Paçka se, kur e rrëfente Neruda atë ngjarje, i dukej sikur statuja e vet kish edhe flatra, që do ta mbanin gjithnjë në fluturim.
I njëjti koment, në The New Yorker, u kthehet edhe disa “teorive” për vdekjen e Nerudës, të cilat risjellin në vëmendje mundësinë që poetin ta kenë vrarë me helm – kur ishte shtruar për t’u mjekuar në një klinikë në Santiago – agjentët e Pinochet-it. Sërish, kjo vrasje, po të ketë ndodhur vërtet, tregon se Neruda njeri i interesonte politikës përtej dhe më fort veprës së tij: ata që rrëzuan Salvador Allende-n, nuk deshën që ta kishin një personalitet të atij kalibri nëpër këmbë.
Trajektorja nuk do shumë mund për t’u lexuar: një shkrimtar i shquar del ose nxirret jashtë veprës së tij dhe të trajtohet si i madh edhe në kontekste mass-mediatike, populiste dhe gjithsesi jo-letrare; madje edhe duke ia toleruar disa shkelje flagrante të etikës, që përndryshe bien ndesh me reputacionin e tij shembullor, prej shenjti. Shpesh rezultat i përdorimit të shkrimtarit nga politika, ky status i fituar rishtas ndikon drejtpërdrejt në pritjen dhe leximin e veprës; sot është shumë e vështirë që të marrësh të lexosh Nerudën, pa e ditur që ka qenë komunist i angazhuar fort, hero i së majtës. Jeta e tij – e “normalizuar” për hagjiografi – bëhet pjesë e veprës së tij. Dhe ashtu, pashmangshëm, edhe ato elemente të jetës së tij, të cilat nuk përkojnë (më) me moralitetin publik, do të përbëjnë objekt, mes të tjerash, edhe të kritikës letrare. Neruda ka përdhunuar, Nerudën e kanë vrarë… Poeti i djeshëm përfundon kështu në personazh të një telenovele a të një tabloidi. Aq sa po i afrohemi ditës kur vepra poetike e Nerudës do të shihet thjesht si instrumenti që mundësoi përfshirjen e tij, në mitet kulturore të shekullit XX; dhe në këtë rast, sa do të kemi ngre të vazhdojmë ta lexojmë dhe ta shijojmë si poet? Sa prej nesh dinë për Byron-in, Shelley-n, Keats-in, Lamartine-in, Leopardi-n, Lermontovin, Pushkinin pa ua lexuar qoftë edhe një varg?
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me Dream Studio.