Duke lexuar sot për librin e një turbo-albanologu kushtuar lashtësisë së gjuhës shqipe, të sapo-prezantuar në Panair, ndesha edhe në biografinë e autorit:
Ka studiuar në Itali statistikën dhe në Gjermani për ekonomi. Ka punuar më pas si mjeshtër i interiereve të brendshme të restoranteve.
Nuk e njoh këtë autor, nuk ia kam lexuar veprat, dhe nuk dua t’ia paragjykoj; por ka një gjë që nuk shkon në profilin e tij intelektual – as statistika, as ekonomia dhe as interieret (“e brendshme”!) të restoranteve nuk të çelin udhën drejt zbulimit të mistereve të lashtësisë shqipe-pellazge-etruske.
Hulumtimet në historinë e gjuhës kërkojnë shumë vite studim; nuk mjafton vetëm mendja e ndritur, as talenti – duhet mësuar edhe teknika e analizës sikurse duhet përvetësuar kompetenca për të kuptuar se çfarë kanë thënë të tjerët.
Këtë kontradiktë – mes formimit profesional dhe angazhimit hulumtues – e shoh te shumë nga turbo-albanologët, të cilët vijnë nga fusha të shumëllojshme. Kush inxhinier, kush llogaritar, kush gjeolog, kush mësues i gjeografisë.
Çfarë u mungon, janë kredencialet akademike për t’u marrë me temat e vështira që kanë zgjedhur.
Njëri prej këtyre, kur ia ngrita këtë si problem të përgjithshëm, m’u përgjigj kështu:
Në mjekësi ka të drejtë ai që shëron. Edhe në çdo tjetër shkencë a profesion, të drejtë ka ai që jep zgjidhjen më të mirë.
Këtij unë i uroj shëndet e jetë të gjatë, por megjithatë jam kureshtar të di se te cila derë do të trokasë, po t’i dalë ndonjë problem me shëndetin.
Dhe si do të ndihet, po të shohë në studion e mjekut, se ky ka një diplomë universitare në inxhinierinë e ujërave; ose si oficer artilerie.
Ky person merret me etimologji pa pasur ndonjë ekspertizë në këtë fushë (me gjithë ekspertizën e pashoqe në ad hominem); me gjasë, kjo edhe e bën etimolog. Me këtë logjikë, edhe unë nesër mund të filloj t’u rekomandoj nevojtarëve çaj me lëkurë shege, dhe të vetëshpallem pastaj si gastro-enterolog (i suksesshëm).
Më kujtohet këtu edhe një histori që ia lexova një mikes sime në FB, e cila kish ndjekur në TV intervistën e një gruaje të sëmurë me një kancer që i kish dhënë metastaza në mëlçi; dhe që kish gjetur derman te një mjek popullor në Shqipëri.
Dhe kur intervistuesi e pyeti se çfarë e kish ndihmuar të shërohej, sa kohë që mjekët e tjerë nuk i kishin dhënë shpresë, ajo shpjegoi se mjeku – popullor por i suksesshëm – i kish bërë “detox” të mëlçisë me klizma me kafe, sepse, sipas tij, “kafeja hyn nëpër zorrën e trashë dhe aty ndikon drejtpërdrejt në prostatën.” Që nga prostata, depërton në duktet e mëlçisë, duke asgjësuar tumoret.
Me sa di unë, shkruante mikja ime, gratë nuk kanë prostatë.
Tani, sa për klizmat me kafe, këto me siguri nuk janë aq kontroversiale sa klizmat me sodë kaustike; por edhe shumë mjekë – nga ata me diplomë – kafenë preferojnë ta pinë vetë, ose e shumta t’ua japin pacientëve nga goja.
Veç për një gjë nuk i akuzon dot turbo-albanologët – se u mungon prostata.
© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhet në shkrim janë krijuar me AI.
Ju nxirrni si konkluzion se turbo-albanologëve nuk ju mungon prostata.
Doktor Freud do të këmbëngulte në mos për të kundërtën, pra mungesën e plotë të prostatës, të paktën për probleme të rënda në funksionin e saj. Kështu merr kuptim gjithë kjo energji.
Mbeta gojëhapur, para pak ditësh – te komentet poshtë një statusi në Facebook – me një të njohurën time mjeke (MJEKE!), që mbronte idenë se nuk është e thënë të jesh profesionist i fushës, për t’u marrë me etimologji dhe histori fjalësh dhe të gjuhës. Jam i bindur se nuk do t’i vinte mirë, po të kish dalë nesër një inxhinier pyjesh, dhe t’i kish treguar si duhet interpretuar një ekografi ose një analizë gjaku; ose edhe më keq, si duhet kuruar ky apo ai pacient.
Për mjekësinë – të paktën këtu në SHBA – thonë se është nga degët më të vështira; aq sa jo të gjithë arrijnë t’i shkojnë deri në fund. Këtë vështirësi, në disa fusha, unë e gjej të ngjashme me çfarë e quajnë boot camp, një vend ku trajnohen, ashpër, rekrutët e rinj në ushtri; dhe që shërben edhe për ta ndarë shapin nga sheqeri. Fusha e historisë së gjuhës është njëlloj e vështirë – kur isha student në degën gjuhë-letërsi numëroheshin me kokrra ata që ishin në gjendje të orientoheshin, sado pak, në fonetikë dhe në gramatikë historike.
Edhe pse dega gjuhë-letërsi nuk merr përsipër të formojë specialistë të historisë së gjuhës – për këtë specialitet duhen edhe 7-8 vjet studime pas diplomimit. Këto studime vlejnë dyfish: për të trajnuar mendjen e studiuesit të ardhshëm, por edhe për të dekurajuar amatorët, inkompetentët dhe të paaftët. Prandaj më duket pa bazë pretendimi i disave se i kanë kartat në rregull për t’u marrë me etimologji, ngaqë janë diplomuar për gjuhë-letërsi (!): dikush që ka studiuar seriozisht për gjuhë-letërsi, duhet ta dijë se ajo degë formon mësues të gjuhës e të letërsisë shqipe, jo studiues të filologjisë e aq më pak të historisë së gjuhës.
Sa për të tjerët, njerëz mbase me arritje të mira profesionale në fushat e tyre, që mbështetin turbo-albanologët (kur nuk përveshin mëngët edhe vetë, në artin e lakmuar të fallit etimologjik), më duhet të them se këta nuk u bëjnë nder as profesioneve të tyre – duke treguar, në thelb, sa pak respekt kanë, për diplomën dhe specializimin që kanë marrë.
Nese, sic thoni ju, per t’u specializuar ne historine e gjuhes duhen edhe 7-8 vjet studime pas plotesimit te ciklit te pergjithshem 4-vjecar ne gjuhe-letersi, atehere i bie qe albanologet shqiptare te kene qene te gjithe amatore. Vete Cabeu nuk me rezulton te kete studiuar kaq gjate ne Austri, kurse Shaban Demiraj, Kolec Topalli, Seit Mansaku etj. mund te jene marre pergjate gjithe jetes me studime te ketij lloji, por nuk besoj te kene kryer ndonje cikel arsimimi formal ne fushe te gjuhesise historike.
Kjo është e nevojshme, sepse historisë së shqipes, te programi i atij cikli në UT, i kushtohej vetëm një lëndë: fonetika dhe gramatika historike e gjuhës shqipe. E cila studiohej në vitin e 4-t. Lëndë të tjera, si dialektologjia, ose historia e formimit të gjuhës letrare shqipe, nuk i ceknin veçse shkarazi aspektet diakronike; ndërsa letërsinë e vjetër shqipe ne e bënim të zhveshur nga filologjia dhe analiza e tekstit, pavarësisht nga emri që kishte fakulteti. Bënim edhe latinisht, por jo të orientuar nga historia e gjuhës. Pas diplomimit, kam ndjekur në Fakultet kurse pasuniversitare të historisë së albanologjisë, të stilistikës dhe nuk mbaj mend ç’tjetër.
Nuk di sa vjet studioi Çabej në Austri – por ai të paktën studioi lëndë që i hynë pastaj në punë gjithë jetën, jo si ne të Tiranës, që na ikte koha me poemat e Llazar Siliqit e të Zihni Sakos, me përdorimin e formave të pashtjelluara të shqipes, me ekonominë politike të socializmit dhe me leksionet për lëndët helmuese luftarake. Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë ku fillova punën pasi mbarova studimet, më thirri në zyrën e vet sapo shkela në Institut dhe më tha: tani ulu dhe mos iu ndaj studimit. Edhe ai e dinte që asnjë prej nesh të rinjve nuk ishim gati për t’u marrë me gjuhësi (unë punoja në sektorin e leksikologjisë dhe të leksikografisë). Një vit para meje ishin punësuar në institut Anila Omari, Bardhyl Demiraj, Xhelal Ylli dhe Ina Arapi; më pas erdhën edhe Vladimir Dervishi dhe Stefan Koçi, ky i fundit kish mbaruar studimet në Francë; dhe pastaj edhe Dhori Qirjazi, që kish mbaruar studimet në Greqi. Hiq Dhorin, që kish studiuar në fushën e duhur, të gjithë të tjerëve u duhej ta nisnin praktikisht nga zeroja. Por të paktën nuk na jepnin shumë punë të përditshme. Gjatë vjetëve 1982 dhe 1990, unë pata mundësi jo vetëm të jepja provimet pasuniversitare të fushës, që kërkonin studim të gjithanshëm; por edhe të jap disa provime gjuhësh të huaja, dhe më në fund të bëja edhe një specializim në Romë; të tjerët (Anila Omari, Bardhyl Demiraj, Xhelal Ylli dhe Ina Arapi) u dërguan të studiojnë në Vjenë. Ishte një investim që dha rezultat, po të shohësh se çfarë kanë arritur pastaj të gjithë këta, përfshi këtu edhe Dhori Qirjazin. Sa për mua, i plotësova më tej studimet gjatë kohës që punoja në Institutin Oriental të Napolit (1990-1996); dhe prapë e ndiej veten të mangët.
Sa për emrat e tjerë që përmend, Shaban Demiraj ka qenë punëtor fenomenal, dhe njeri me një inteligjencë të habitshme: veprat e tij në lëmin e historisë së shqipes dhe të gramatikës historike janë rezultat i vitesh studimi në heshtje; por nën dritën e qiririt të rrallë të Çabejt. Njëlloj edhe Kolec Topalli, që duhej edhe të përballonte pengesat që i nxirrnin kudo, për arsye të biografisë së keqe; por që studioi gjithë jetën, mbase edhe kur udhëtonte me autobusin që e shpinte në punë përtej malit të Dajtit. Seit Mansaku pati fatin të punonte shumë vjet me Çabejn, dhe veç kësaj bëri edhe një specializim në Paris…
Sa i përket gjuhësisë, albanologjia në Shqipëri ka nevojë të ngutshme të formojë në Perëndim studiues në fushat e indoeuropianistikës, të filologjisë historike, të dialektologjisë dhe të politikave gjuhësore; por edhe specialistë të leksikografisë së kompjuterizuar dhe vjeljes së teksteve dhe inteligjencës artificiale në përpunimin e Big Data. Nëse nuk bëhet kjo, gjuhësi albanologjike në Shqipëri nuk do të ketë më. Shkollat e larta, atje, nuk i kanë as mundësitë, as mjetet, as luksin që të përgatitin specialistë në këto fusha: janë shkolla të orientuara për nga mësuesia, dhe suksesi u matet me cilësinë e mësuesve që diplomojnë.
Te falenderoj per informacionin qe sjell e sidomos per kujtimet vetjake! Shkretetirezimi i studimeve albanalogjike ne Shqiperi shkon pertej fushes se gjuhesise historike. Lidhur me studimet historike ne pergjithesi, shqetesimin tuaj kam degjuar ta shprehe shpesh edhe Prof. Pellumb Xhufi. Nuk kemi me njohes te latinishtes e te greqishtes se vjeter, thote Xhufi. As i prodhojme dot vete e as investojme qe te na i prodhojne te tjeret. Ndaj shpejt do mbetemi edhe pa historiane te lashtesise e te mesjetes, pervecse pa historiane te gjuhes, sic thoni ju. Sepse sot nuk mund presesh qe dikush te studioje me shpenzimet e veta filologji klasike ne Evrope dhe pastaj te kthehet ketu per t’u punesuar (ose jo, cka ngjan me e mundshme) diku te Filologjiku a ne Institut.
Nje pyetje :Keto libra qe botojne etimologet popullore jane te shtypura apo te botuara?
Perpara se dikush te merret me gjuhesi historike ,etimologji etj duhet te kete njohuri teper te forta ne disiplina si histori ,demografi,gjeografi,antropologji,etnografi ,sociologjy etj ,me nje fjale te jete ne gjendje ta kete sa me te qarte qe te jete e mundur si ka funksionuar bota ne periudhat per cilat studion zhvillimin.
Njohuri te tilla enciklopedike zoteron prof. dr. ing. av. Sazan Guri, erudicionit te cartur dhe elokuences marramendese te te cilit nuk ka shanse askush t’u beje dot balle.
Ve re se shume profesioniste te shkencave ekzakte merren me histori ,letersi ,gjuhesi etj .dmth shkruajne libra voluminoze jo thjesht te lexojne per hobby.Del pietja :ku e gjejne kohen te merren merren me profesionet e tyre ?
Une kam vene re se kampione te turbo-albanologjise jane inxhinieret dhe pyes veten nese ky eshte nje perkim rastesor apo ndoshta rrjedh nga ngasja per t’i konceptuar e zgjidhur problemet e shkencave humane ne menyre, si te thuash, inxhinierike (thjeshtezuese, shkenciste, mekaniciste).
Speaking of engineers .Ketu ke nje gjeofizicist genckhoti.com qe eshte hazer xhevap per shume ceshtje te historise dhe nje myth buster i shume miteve te historise tone .Kur me duket Napoleoni tha se “History is a set of lies agreed upon “ besoj se ka patur shqiptaret ne mendje .
Negli Stati Uniti ci saranno anche criteri molto rigidi per la sanità per gli ingenui, ma non per chi dall’Albania viene già munito di furbizia … non parliamo poi dell’Italia, qui sono coperti anche se fanno morire persone… che dire poi della sanità albanese, operate e lasciate senza organi, fino a farle morire, persone a cui i dottori hanno visto tumori che non avevano solo per tornaconti economici… e queste sono le professioni che hanno a che fare in maniera diretta con la vita o la morte delle persone, il campo umanistico non si può nemmeno menzionare, oramai chi studia a livello sociale non se ne percepisce nemmeno l’utilità, tutto è comunicazione… così chi ha preso i titoli vuoti, o ha fatto un salto nel vuoto, svaluta chi è invecchiato studiando.
Eshte nje fakt (detaj)qe e kam ndeshur shpesh ne biografite ose autobiografite e shkrimtareve te njohur , deshira per te shkruar poezi qē ne moshe te vogel . (Psh Kadareja diçka kopjoi , Naimi ne moshen 10 vjeçare kish shkruar ate “dambara xhambara fa “ etj)
Kjo eshte nje nga shenjat qe mund te tregoje se nje femije mund te kete nje prirje per letersi, por kurresesi nuk eshte prove dhe as vertetim qe ky femije do behet nje shkrimtar she po qe se behet nuk do te thote se duhet te marre nobel per çka shkruajti 10 vjeç
Problemi dhe qesharakja eshte se shume nga keta (turbot) besojne se kane aq shume talent saqe me te mbaruar abetaren mund te shkruajne nje kryeveper (shkencore) per Nobel .