Lexuesit e kësaj faqeje do ta mbajnë mend që i jam kthyer, dy-tre herë, asaj që tregon Plini i Vjetri, për piktorin grek Apelles, të shekullit IV p.e.s., në bashkëpunim dhe pastaj përplasje me një këpucar. Ky i fundit pikasi një gabim, në mënyrën si ishte paraqitur këpuca e njërit prej personazheve, në pikturën e ekspozuar të Apelles-it – gabim të cilin Apelles-i e pranoi dhe e korrigjoi sakaq. Por kur këpucari, që kish marrë zemër nga gatishmëria e piktorit për t’ia dëgjuar fjalën, u kuturis në vërejtje të tjera për pikturën, Apelles-i i doli përpara, për t’i thënë ne sutor ultra crepidam, “këpucari le të mos shkojë më tutje.”
Këtë thënie e dëgjon shpesh të citohet për të qortuar ndërhyrjet e jo-profesionistëve, në çështje që kërkojnë ekspertizë të madhe; meqë ajo i apelohet, nëpërmjet një shembulli narrativ, autoritetit profesional. E konsideruar mishërim i qasjes elitiste, ajo përcjell idenë se këpucari duhet të mjaftohet të japë gjykimin e vet për këpucët; ose, në mënyrë më të përgjithshme, se kritiku nuk duhet të shprehet për vepra dhe çështje që i tejkalojnë kompetencat e veta. Prandaj edhe shkrimi im i fundit, “Piktorë dhe këpucarë”, u gjykua prej disave si elitist, sa kohë që u perceptua (pa të drejtë) në kontekstin e përpjekjeve të mia, për të treguar ku gabojnë pseudologët, pellazgologët dhe turbo-albanologët, duke u marrë me gjëra për të cilat nuk kanë kompetencë profesionale.
Por për hir të argumentit raportin e palëve, në rrëfim, mund ta përmbysim kur të duam – dhe të përfytyrojmë piktorin Apelles, që hyn në punishten e këpucarit dhe fillon t’i tregojë këtij se si duhet ta qepë sandalen. Siç mund ta marrim me mend, këpucari njëlloj do të revoltohej me guximin e marrë të piktorit, dhe do ta ftonte këtë që të mos i fuste hundët në punët e tjetrit. Në fakt, produkti i punës së këpucarit, që është këpuca, i ekspozohet publikut në formën e vlerës së saj të përdorimit: për të mbrojtur këmbën gjatë ecjes, etj.; dhe ka shumë më pak gjasë që një piktor të kritikojë këpucarin në mjeshtrinë e tij, se ç’ka për një këpucar që të kritikojë piktorin në artin e tij.
Kush ka më shumë autoritet profesional? Tradicionalisht, ustai është respektuar fort në kulturën popullore – aq sa rrallëkush do të guxonte t’i bënte vërejtje për teknikën e punës. Raporti i publikut me ustain – mes të tjerash si murator, karpentier, elektricist, hidraulik, kopshtar, teknik televizori (!), tapicier, masazhator, kallajxhi – ngrihet mbi autoritetin profesional dhe besimin që kemi se ai do ta kryejë punën mirë (reputacionin, që vjen si kombinim i autoritetit profesional me atë moral). I tillë, usta, është edhe muzikanti popullor: do të na kujtohet skena nga filmi “Gjeneral Gramafoni”, kur grupi i muzikantëve në studion e regjistrimit ndihet i fyer rëndë, me producentin italian që guxon të korrigjojë njërin prej tyre.
Këtë autoritet profesional e kanë gëzuar, tradicionalisht edhe mjeku dhe mësuesi; gjithnjë të përzier me autoritetin moral. Sot, këtyre figurave profesionale sikur u janë shtuar edhe personazhet televizive, celebrities, influencers, entertainers dhe të ngjashëm, profesionalizmi i të cilëve ka të bëjë kryesisht me mënyrat e rafinuara si arrijnë të bëjnë pas vetes publikun. Te kjo kategori e fundit do të përfshija edhe masën e pseudologëve, të cilët edhe pse nuk kanë kredenciale të profesionit – ngaqë nuk kanë studiuar për historinë e gjuhës, për indoeuropianistikë, për arkeologji e kështu me radhë dhe as janë specializuar gjëkundi – guxojnë të ndërhyjnë në çështjet përkatëse, madje edhe të maten drejtpërdrejt dhe të kritikojnë ad hominem autoritetet profesionale në fushat që duan të marrin nën kontroll.
Një profesionist i fushës, i cili specializohet në fonetikën historike dhe studion për një kohë të gjatë Ablaut-in, nuk ka shans që t’i bëjë ballë, në televizion, një gaztori i cili etimologjizon, në çast, dhe me entuziazëm prej artisti të cirkut, çdo fjalë që i hidhet përpara, nga çdo gjuhë e rruzullit. I pari është usta, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; dhe gjithsesi më i zoti për ta bërë diçka, se për ta argumentuar me fjalë pse dhe si po e bën; i dyti është i specializuar për të mahnitur publikun, pavarësisht nga soliditeti i atyre që nxjerr nga goja.
Dhe nëse unë flas për çështje të gjuhësisë historike, e bëj sepse aty ndihem brenda profesionit tim; por përndryshe jam gjithnjë i vetëdijshëm se ka fusha të tjera, ku dukuria është edhe më problematike – mjaft të kujtoj histeria e të gjithë atyre që, pa asnjë lloj specializimi në mjekësi, në virologji dhe në biologji, morën ekranet për të na shpjeguar konspiracionin e madh të COVID-it; ose atyre të tjerëve, që i shpjegojnë publikut televiziv, një ditë po një ditë jo, se kush e qeveris fshehurazi botën dhe çfarë do të ndodhë nesër.
Specialistin e historisë së gjuhës unë prirem ta shoh si një usta, i cili mbetet gojëhapur, kur i vjen dikush nga rruga, për t’i thënë si t’i mbërthejë trarët e çatisë.
Në fakt, ka diçka që duhet theksuar në marrëdhënien e dikujt me profesionin e tij, e cila nuk mund të kuptohet jashtë autoritetit moral. Tek Etika protestante dhe fryma e kapitalizmit, Weber-i flet për konceptin e gjermanishtes Beruf, fjalë kuptimi i së cilës luhatet midis shekullares (zanat, mjeshtëri, profesion) dhe fetares (vokacion); dhe ai filozof i kushton vëmendje të veçantë “nocionit të Beruf-it te Luther-i”[1]. Ai e lidhte Beruf-in, kontekstualisht, me një koncept specifik të punës si “qëllim absolut në vetvete, thirrje (angl. calling)” dhe e shihte si mishërim të frymës kapitaliste, në atë masë që kjo mund të përkufizohet si “mendësi që kërkon, në mënyrë sistematike, racionale, fitimin legjitim përmes një vokacioni (Beruf).” Ky kërkim i fitimit shoqërohej, në periudhën moderne, nga një “etikë sociale” që përcjell “një ide specifike të vokacionit si detyrë (gjerm. Berufspflicht), e cila i jep vlerë morale jo vetëm punës (labor), por edhe vokacionit përmes të cilit puna kryhet.
Vështirësia e përkthimit të Beruf p.sh. në frëngjishte, është se aty jo çdo métier është edhe vocation, ndërsa Beruf denoton dy gjëra njëherësh: një punësim (occupation) të rregullt dhe të shpërblyer me pará, dhe një thirrje (calling, duke pasur parasysh këtu edhe lidhjen fjalëformuese midis Beruf dhe rufen, “thërras”). Veçanësia e gjermanishtes Beruf është se e zbut dallimin midis temporales dhe spirituales, profanes dhe sakrales, duke shprehur njëkohësisht atë çfarë frëngjishtes i duhet ta shprehë në dy mënyra të ndryshme, në mos të kundërta.
Është thënë edhe se Beruf nuk i ndan gjuhët si të tilla, por vetëm sa nxjerr në pah një dallim që ndan popujt protestantë nga të tjerët, sidomos nga katolikët. Sipas Weber-it, këtë funksion ndarës ia dha fjalës Luther-i, në përkthimin e Biblës; meqë më parë, në gjermanishte, Beruf kish të njëjtin kuptim si Berufung, ose Vokation: i përgjigjej frëngjishtes vocation dhe, në veçanti, vokacionit ekleziastik.
Në një tekst të vitit 1523, kushtuar autoritetit politik, Luther-i pat formuluar idenë se “gjithkush duhet t’i shërbejë Beruf-it dhe punës së vet”, çfarë nuk është pa lidhje me sakralizimin prej Luther-it të aktivitetit temporal, sidomos duke refuzuar që t’i njohë ndonjë vlerë eprore mënyrave monastike të së jetuarit: për Luther-in, Zoti është njëlloj, në mos më tepër i pranishëm në kuzhinë, sa edhe në manastir.
Leo Strauss dhe Joseph Cropsey, duke shkruar për “Politikën si vokacion” në kapitullin kushtuar Luther-it dhe Calvin-it te Historia e filozofisë politike dyshojnë se leximi i mësipërm i Luther-it i detyrohet shumë Weber-it dhe është, prandaj, retrospektiv; përkthyesi i kësaj vepre ka vërejtur, megjithatë, se fjala anglishte vocation, njëlloj si frëngjishtja vocation, është përkthim i dobët i gjermanishtes Beruf, meqë e shënjon punën (occupation) në atë masë që dikush është i thirrur në të; që këtej mund të flitet edhe për një vocation të babait ose të prindit.
A mund të përkthehet, pra, Politik als Beruf, e Weber-it, si Politics as Vocation? Aq më tepër që Weber-i, dhe Luther-i i lexuar prej tij, kanë parasysh sublimimin e punëve të përditshme, jo “misionin” e shkencëtarit ose të politikanit. E megjithatë, Weberi flet për “asketizmin shekullar”, të cilin e praktikuan të parët sektet puritane; duke hedhur kështu bazat e etikës protestante dhe të frymës së kapitalizmit.
Deri këtu referenca te vepra e cituar (në shën. 1). Autoritetin profesional të mësuesit – dhe, që këtej, edhe të dijetarit që hulumton çështje të gjuhësisë, të historisë dhe të antropologjisë – unë prirem ta shoh modernizim dhe përshtatje të autoritetit tradicional të klerikut; tek e fundit, edhe shkenca edhe universitetet edhe akademitë, të paktën në Europë, u përftuan në gjirin e Kishës dhe si zgjatime të institucioneve fetare; dhe kjo implikon së paku dy gjëra: që dijetarit i duhet zënë besë, si profesionist dhe si njeri i virtytshëm (që thotë të drejtën); dhe që dijetari vetë nuk mund ta ushtrojë autoritetin pa një lloj “asketizmi shekullar”, ose një përkushtimi shpirtëror që kanë të përbashkët edhe mjeshtri zdrukthtar, edhe etimologu. Cenimi i këtij autoriteti nga një palë e tretë do të jetë gjithnjë formë uzurpimi, madje dhune që i bëhet një figure esenciale, për vetëdijen sociale.
Nuk është rastësi që, në imagjinatën popullore, figura të tilla të shquara të dijes, si Eqrem Çabej, janë përfytyruar si asketë, në masën që u janë përkushtuar hulumtimeve të tyre; dhe kjo sakrificë, kjo heqje dorë nga plotësia e të jetuarit, i jep studiuesit edhe atë autoritet që i duhet, për t’u mbrojtur nga profetët e rremë; dhe të gjithë ata të tjerët, që vijnë nga një hapësirë e ndryshme e prestigjit dhe e shkëlqimit publik, por që ia lakmojnë dijetarit edhe autoritetin profesional dhe moral veç e veç, edhe simbiozën e tyre.
Historia aq dendur e rrëfyer, për Apelles-in dhe këpucarin, nuk mund të na bëjë të harrojmë se ka një rrafsh, aq themelor për mënyrën si funksionon shoqëria njerëzore, ku të dy këta – piktori dhe ustai – bëhen bashkë, nën shenjën dhe shenjtërinë e vokacionit profesional (Beruf-it), përballë jetërsimit që u kanoset, kur u kanoset.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Këtu e më poshtë jam mbështetur te zëri Beruf, në Dictionary of Untranslatables: A Philosophical Lexicon, të hartuar nga Philippe Büttgen, Princeton University Press 2014.
Kjo lloj junk science nga persona jo kompetent ne fushen e gjuhesise po merr permasa grotesque ne memedhe .une nuk di nese duhet te qesh apo te qaj kur degjoj nga studiues si Sazan Guri qe deklarojne me nje straight face se Jezu Krishti ishte shqiptar dhe se apostulli Pal paska qene skraparlli .
Në mjekësi ka të drejtë ai që shëron. Edhe në çdo tjetër shkencë a profesion, të drejtë ka ai që jep zgjidhjen më të mirë.
Debati rreth etimologjisë më së shumti bëhet prej atyre që nuk janë etimologë.
Më ka ndodhur, që një miku im profesor pikture, më telefonoi dhe më bënte presion (sikur unë të isha kapua i gjuhëtarëve alternativë) për disa që “dalin e flasin broçkulla në median vizive për gjuhën”. M’u desh ta ndërprisja një moment fjalën e tij të gjatë e nervoze e t’i them: “sa përgjegjësi mbani ju profesor për gjithë ata që hapin ekspozita pikture an e kënd Shqipërisë?”. Pas pyetjes sime profesori i pikturës u esëllua dhe e futi bisedën në normalitet.
Shkenca është si maratona, ku vlerësohet ai që del i pari dhe nuk konsiderohen ata nga fundi. Në kritikën ndaj asaj, që ju e quani “turboalbanologji”, nuk konsideroni kurrë të parin e “turboalbanologëve”, por i gruponi të gjithë dhe shembujt i sillni nga rezultatet e maratonistit fundor të etimologjisë.
Ju, z. Vehbiu, nuk jeni profesionist në lëmin e etimologjisë dhe nuk mund të bëni kritikun në këtë degë të shkencës gjuhësore. Mir është të rrini te këpuca. Ashtu si dhe ju, jam diplomuar për gjuhësi dhe jam autor i tetë fjalorëve etimologjikë qe presin në ASh, ASA e disa universitete një oponencë shkencore pas shumë kërkesave të mia. Përgjigjja gojore, që më dha kryetari i ASh-së vitin e kaluar, ishte kjo: “zoti Dalipaj mos na ngucni se do ua bëjmë një oponencë. Por kemi dy probleme: akademikët e gjuhës nuk duan t’ju bëjnë oponencë dhe ata nuk munden t’ju bëjnë oponencë”.
Me përgjigjen e mësipërme, S. Gjinushi konfirmoi se në ASh nuk ka profesionistë për etimologjinë. Pra, mungon ustai i këpucëve, që të këshillojë piktorin. Ju, z. Vehbiu, a jeni aq i aftë të më bëni oponencë, sa ç’më satirizoni si turboetimolog? Kërkesat e mia për oponencë shkencore në ASh janë të arkivuara si paja e nuseve… Mos do ishte më e ndershme të merreshit me paaftësinë e akademikëve të gjuhës, se sa të përgojonit në mënyrë joprofesionale e me dashakeqësi njerëz si unë?!
Ju, edhe pse nuk e përmendni, e dini se në 2012 i kam bërë një oponencë shkencore veprës etimologjike të Çabejit dhe asaj oponence nuk ka mundur askush t’i rrëzojë diçka. Çabeji rezulton të jetë joshkencor dhe ajo çka ka bërë në etimologji është një sakaturë ndaj identitet të gjuhës shqipe.
Ju, z. Vehbiu, mund të më përgojoni edhe më në shkrimet e daljet tuaja televizive, por ju nuk do mund të rrëzoni dot konkretisht asgjë nga vepra ime shkencore. Vazhdoj të mbetem prej më shumë se 10 vitesh “sharlatani” juaj, të cilit nuk ini në gjendje t’i vërtetoni asnjë rrenë. Mos vallë sharlatani nuk jam unë por janë ata që nuk mbrojnë dot shalatanizmën e albanologjisë zyrtare të Tranës ?!
Ajo që ju po e quani së fundi “humbje autoriteti të albanologjisë zyrtare të Tiranës”, më së shumti vjen nga dalja e ca të vërtetave shkencore që i janë fshehur kombit shqiptar nga ajo albanologji. Shpresoj mos ta etiketoni edhe Makronin si sharlatan pse tha se shqiptarët janë themeluesit e frymëzuesit e Europës. Mbase këshilltarët e Makronit nuk janë turboalbanologë…
Agron, mua ato që ti bën, shkrua dhe thua nuk më duken shkencore. Përkundrazi.
Dhe meqë po vepron në një fushë ku unë jam i profesionit, nuk mundem veçse të të kundërvihem.
Që ti je jashtë elementit tënd, e tregon edhe mënyra si i trajton kritikët e tu. Vetëm para pak ditësh, u drejtoheshe ndjekësve të tu si më poshtë:
Këto fjalë të nxjerrin si jo vetëm inkompetent në gjuhësi, por edhe si shpifës dhe njeri të zi. Turp për ty, që të sjellësh në muhabet “serbët” – a thua se të paska mbetur ty në dorë flamuri i luftës kundër “serbit” në dijen albanologjike!
Si mund të të marrin ty seriozisht, ata të cilëve u kërkon gjykim e vlerësim, kur ti shkruan e flet e “denoncon” si hafije kafenesh? Ty, që nuk po lë historian të shqipes pa e nxjerrë “filo-serb”, vetëm e vetëm se nuk impresionohet prej gjërave që ti bën?
Ky kostum prej inkuizitori, që ke filluar të veshësh tani së voni vërtet të rri si shallvare karnevalesh, por të kujtoj se para 1990-ës, akuza të tilla i çonin njerëzit në burg. Fati ynë që jetojmë në një kohë ku inkuizitorët gjejnë vend vetëm në teatrin e debatit politik dhe në talk shows. Mbase prandaj edhe të ftojnë aq shpesh në TV…
Z.Agron, mos u shqeteso fare, Ju jeni turboalbanologu i pare , nuk ka tjeter qe t’Ju konkurroje, Cabej eshte thjesht vetem albanolog….
Shpresoj mos ta etiketoni edhe Makronin si sharlatan pse tha se shqiptarët janë themeluesit e frymëzuesit e Europës. Mbase këshilltarët e Makronit nuk janë turboalbanologë…”
Fjalimet e kortezise te politikaneve nuk jane te verteta shkencore.
aulonavl, eshte ndikimi i keq i te dytit qe pjell te parin si reagim.
Por, lajm i mire qe Demiraj i Riu e ka hedhur poshte ndikimin e keq, te pakten sa i takon natyres satem te shqipes.
Ne nje kohe qe nuk eshte shkencerisht e provueshme natyra kentum apo satem e ilirishtes ( ndoshta ne hapesiren ilire ka pasur ndonje variant ne kentumizim e siper, te ngecur apo gjuhe te kentumizuar si hititishtja mes gjuheve anatolike), eshte e papranueshme qe gjuhesia cabejane vendosi arbitrarisht natyren satem te shqipes, biles duke luftuar etimologjite e disa albanologeve te huaj ( qe fati i lum e donte te ishin artiste te zanatit).
Nuk kuptoj nga ana tjeter pse ne baze te rregullave te metodes vazhdojne te qarkullojne dy etimologji te famshme por edhe famekeqe, si vete fjala qind nga vjen koncepti kentum dhe fjala qen.
Qind nga latinishtja centum/kentum dhe qen nga latinishtja canis/kanis
1- Ne PIE kemi ḱm̥t/óm (qind) ku
a) m̥ eshte nje e tingullt/sonante qe ne shqip ka dhene a dhe e
b) ḱ para sonanteve PIE ne shqip kthehet ne k
Pra, normalisht ḱm̥t ne (proto-)shqip do jape kat/ket ( kant/kent).
Ketu latinishtja nuk i hyn ne pune askujt per as’isend, aq me pak shqipes. Biles latinishtes i mungon ndihma e ndonje forme tjeter nga gjuhet italike, qe te konfirmoje formen e proto-italikes.
2- Ne PIE kemi *ḱwṓ per qen nga nje forme me e hershme ”ḱwóns” sipas
PIE */ḱwóns/ “dog” > */ḱwṓn/ > *ḱwṓ
a) w (u̯)eshte nje e tingullt/sonante qe ne shqip ka dhene v
b) ḱ para sonanteve PIE ne shqip kthehet ne k
c) ó ne shqip ka dhene e
d)ns mund te jete arsyeja e mosrotacizmit ne toskerisht, por kjo ska rendesi, perpos nese nevojitet per konfirmim te formes me te hershme PIE si kwons.
Pra , normalisht ḱwó/ns’ ne (proto-)shqip jep kve/ns, me tej ‘kv’ eshte sjelle si *kʷ, duke dhene k e q ( psh kʷṓd>qe/që).
Si perfundim, qe kepucari te merret me kepucet duhet qe piktori te mos shese zhgarravinat per art.
Për qen, ka një artikull të gjatë David Luka (e kam parë në një përmbledhje studimesh, do ta ketë nxjerrë edhe gjetiu). Në formën që ka, me mungesën e hundorësisë/rotacizmit, qen nuk mund të jetë huazim i rregullt i proto-shqipes nga latinishtja (ia kam bërë këtë pyetje prof. Sh. Demirajt në leksion… më tha që nuk e shpjegonte dot). Për mua, është e ndonjë gjuhe fqinje, p.sh. ndonjë dialekti të trakishtes (po të supozojmë se shqipja është vijim i një dialekti ilir) ose e substratit, që është ruajtur disesi.