Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

MENYJA ALBANOLOGJIKE (III)

Nga materialet e shumta që i ndjeri Robert Elsie pat vënë në dispozicion të lexuesit shqip online, po zgjedh për të komentuar një profil historik të shqiptarëve nga dijetari frëng Cyprien Robert (1807-1860?), me titull The Albanians, botuar në 1842-1843, në Revue des Deux Mondes.

Dhe po e zgjedh, ngaqë kjo pjesë spikat për gabimet dhe pasaktësitë që ia ka shtuar koha, megjithëse autori, kur e pat shkruar, me gjasë e kish kompetencën dhe kulturën e duhur, për ta trajtuar temën kënaqshëm. Qëllimi im nuk është të vë në pah mangësitë e dijetarit, por të tregoj se literatura albanologjike, si çdo literaturë tjetër, evoluon me kalimin e viteve – dhe çfarë është e saktë apo e besueshme sot, mund të zhvlerësohet nesër.

Veçanërisht gjatë shekullit XIX, kur gjuha shqipe njihej ende shumë pak dhe njohuritë për shqiptarët e Ballkanit mbështeteshin sa në shënimet e ditarët e fantazitë e udhëtarëve e aventurierëve, aq edhe në raportet e ushtarakëve, spiunëve, klerikëve dhe diplomatëve, albanologjia ende nuk ish diferencuar nga paragjykimet dhe manierat romantike për këtë “racë të Ballkanit” duke mbetur e lëkundur, në qasjet e veta përshkruese.

Për Cyprien Robert-in, shqiptarët përvijohen si një popull ushtarak a kastë luftëtarësh e provincave otomane. Emri i tyre do të thotë “të bardhët”, ndërsa etnia e tyre e ka zanafillën në kohën e pellazgëve, teksa racat greke dhe sllave me gjasë e kanë djepin e tyre të përbashkët në Shqipëri. Ky popull “i bardhë” dikur shtrihej në pothuajse krejt gadishullin “greko-sllav” (ballkanik, precizon Elsie), siç e dëshmon një numër emrash shqip të qytezave dhe fshatrave tani të banuara prej serbëve dhe grekëve – ashtu, në shumë anë të Bullgarisë, Maqedonisë dhe Bosnjës ndesh në fshatra të vjetra, ku shqiptarët janë përzier me xinxarë (sllavë të greqizuar).

Shqiptarët, thotë studiuesi frëng, përdorin dy fjalë të përgjithshme, për t’iu referuar vetes: termin “mirditë”, të marrë nga persishtja mardaites (“guximtar”), që përdoret për pjesën më fisnike të popullatës, dhe duket sikur ka qenë, më parë, një titull honorifik. Emri tjetër, shkipetar (banor i shkëmbinjve të thepisur) shërben për të shënjuar kombin në përgjithësi.

Pjesa tjetër e artikullit përmban informacion të dendur me natyrë etnografike, të tillë që e gjen rëndom në botimet e kohës për popujt e Ballkanit – dhe ku përzihen të dhënat e vëzhgimit me histori të rrëfyera dhe legjenda gjithfarësh dhe paragjykime letrare. Në penën e këtij autori, shqiptarët janë ashtu siç i priste lexuesi i Revue des Deux Mondes që të ishin.

Në çdo rast, të dhënat dhe interpretimet në fillim të artikullit lënë për të dëshiruar. Emri i shqiptarëve, në frëngjishte Albanais (dhe ngjashëm në gjuhë të tjera), sot nuk besohet të ketë lidhje burimore me latinishten albus “i bardhë”; prandaj etimologjia e Cyprien Robert-it duket si e llojit artizanal; për pellazgët, nuk kam shumë se ç’të shtoj në këtë instancë, përveçse të kujtoj se dyshimi i autorit, se etnitë greke dhe serbe e kanë zanafillën në Shqipëri tingëllon, për veshët tanë sot, mallëngjyes.

I pasaktë është edhe pohimi se shqiptarët i referohen vetes me emrin “mirditë” – një term që Cyprien Robert-i e shpjegon me persishten mardaites (“guximtar”), por që nuk kuptohet pse paska përfunduar i përdorur në Shqipëri. Në fakt, ka qarkulluar më shumë se një herë hipoteza, sipas së cilës emri i Mirditës lidhet me këta Mardaites, një sekt i krishterë që u pat shkulur nga Libani dhe sjellë në trojet e Arbërisë nga Justiniani II: kjo është përmendur edhe si shpjegim i mundshëm për një lidhje të Pashko Vasës me Libanin (ku Pashkoja shërbente si guvernator)[1]. Por nuk ka gjasë, në çdo rast, që shqiptarët ta kenë përdorur ndonjëherë fjalën mirditë si etnonim. Edhe shpjegimi i emrit shkipetar, si “banor shkëmbinjsh të thepisur”) nuk është i besueshëm – pse është zëvendësuar nga shpjegime të tjera, më të mbështetura dhe më bindëse.

Shumë nga lajthitjet në tekstin e Cyprien Robert-it nuk kanë qenë të tilla kur janë botuar, por janë bërë të tilla, teksa dija gjuhësore dhe historike për shqiptarët është pasuruar dhe ka evoluuar. Autori, pa dyshim kompetent dhe në gjendje të vlerësojë në mënyrë kritike të dhënat në dispozicion, nuk i ka shmangur dot, sepse në atë kohë teksti i tij përfaqësonte një lloj standardi për kontribute të tilla në dije.

Për këtë arsye, i njëjti tekst sot nuk mund t’i jepet një lexuesi “të pafajshëm”, pa u vendosur në kontekstin e duhur filologjik; në kuptimin që ai tekst ka nevojë të vlerësohet, me sy kritik, në krahasim me çfarë dihet sot, për të njëjtat tema – gjithnjë duke pranuar edhe se, edhe çfarë dihet sot, mund të zhvlerësohet pjesërisht nesër, nga fakte të reja që mund të dalin në dritë.

Thashë “nuk mund t’i jepet një lexuesi të pafajshëm”, sepse ky i fundit – në mungesë të një aparati kritik ose kontekstualizues – do të marrë nga teksti i Robert-it të dhëna gjuhësore dhe historike që bien ndesh me atë çfarë mbahet si e vërtetë sot në dijen albanologjike dhe pikërisht që Albania nuk vjen nga latinishtja alba, që shqiptarët nuk e kanë quajtur ndonjëherë veten mirditë, që serbët dhe grekët vështirë ta kenë zanafillën në Shqipëri, e kështu me radhë.

Në kohën kur botohej teksti nën shqyrtim, hipoteza indoeuropiane kish filluar të merrej seriozisht në mjediset akademike anembanë Europës; veçanërisht në vendet gjermanisht-folëse. Por nuk gjen gjëkundi gjurmë të këtij këndvështrimi ose kornizimi, në artikullin e Cyprien Robert-it; sfondi i mendimit të tij mbetet ai klasicist dhe metoda e tij deskriptive, si prej udhëtari. Është meritë e tij që i vendos vëzhgimet për shqiptarët në kontekstin më të gjerë ballkanik, duke ndërmarrë krahasime të shumta me zakonet e grekëve, sllavëve dhe të tjerëve popuj të gadishullit. Nga ana tjetër, një studim i kujdesshëm dhe i hollësishëm i artikullit (jo si ky që kam ndërmarrë unë këtu) me siguri do të jetë në gjendje të identifikojë burimet e të dhënave faktike që sjell autori (për fat të keq, nuk arrita ta gjej origjinalin frëngjisht, për të verifikuar referencat; Elsie nuk përmend asnjë të tillë.)

Tani, lexuesi naiv, që i qaset këtij teksti dhe i beson, mundet fare mirë të kujtojë se këto të dhëna atij i janë fshehur nga establishment-i akademik; ose që trajtesat standard të temave të prejardhjes në artikull mund të jenë të gabuara, meqë nuk i marrin parasysh të dhënat e artikullit. Për shkak të një iluzioni kurioz, vjetërsia e artikullit vetë shërben si garanci për vlerën diturore të atyre që thuhen (kjo lidhet edhe me atë rrejshmëri që njihet si argumentum ad antiquitatem). Pseudologët e përdorin rëndom një marifet të tillë, kur i sjellin publikut, si argumente, citate të nxjerra nga tekste historianësh dhe autorësh antikë – përfshi këtu edhe masën dërmuese të “provave” historike për lidhjet shqiptaro-pellazgjike.

Përndryshe, bon appetit!

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Thuhet se peshkopi maronit, Jusuf al-Dibs, bisedonte shpesh me Vaso Pashën për këtë lidhje që ky kish me Libanin dhe Vaso Pasha ia pat konfirmuar se në “fisin e mirditëve” ruhej një traditë e pashkëputur, nga një brez në tjetrin, që mbështeste lidhjen gjenealogjike mes 12,000 rebelëve të Libanit (marada) që u dëbuan prej Justinianit II dhe mirditorëve të Shqipërisë. Shih për këtë H.T. Norris, Islam in the Balkans, University of South Carolina Press, 1993, ff. 143-144. Kjo rrëfenjë nuk duhet marrë për më shumë se çfarë është – ndoshta edhe thjesht kujtim i një qoke të Vaso Pashës, për të konsoliduar pozitën e tij administrative në Liban, duke e mëkuar sentimentalisht me legjendën lokale të Mardaitëve (marada).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin