Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

KUNDËRSHTIMI NGA KOLEA

Te një shkrim i para pak ditëve këtu në Peizazhe të fjalës (Dy frëngj për shqipen), rrëfeva si gjuhëtari i shquar Antoine Meillet, ndoshta më i madhi i komparatistëve frëngj të shekullit XX, pat shprehur më se një herë, edhe pse në kontekste publicistike, mendime sipërfaqësore dhe ndonjëherë përçmuese për shqipen dhe shqiptarët – dhe pikërisht, se shqipja nuk ka qenë kurrë organ i një kombi të madh; nuk ka shërbyer kurrë për të shprehur një qytetërim origjinal, është shkruar shumë vonë (“tekstet e para që kemi janë të shekullit XVII”) dhe se nuk ka, pra, një histori të vetën. Shqiptarët vetë janë sipas tij të pakulturë, kombi shqiptar është “amorf” dhe pa “gjallësi kombëtare”, dhe se “ka pak të ngjarë që një gjuhë shqipe e përbashkët të bëhet gjuhë qytetërimi me ndonjë farë rëndësie”; më tej, shqiptarët “kurrë nuk kanë ushtruar ndonjë ndikim qytetërues dhe as u kanë dhënë fjalë gjuhëve fqinje” dhe “tipari mbizotërues i historisë së shqipes është që nuk duket të ketë ushtruar ndonjë veprim të shënueshëm ndaj ndonjë gjuhe tjetër, teksa ajo vetë ka huazuar lirisht.” “Nuk është rastësi që shqiptarët nuk u organizuan kurrë në një komb,” shkruan ai në 1915, dhe që “nuk arritën kurrë t’i japin vetes një unitet kombëtar”; sikurse nuk është rastësi që “shteti shqiptar, të cilin provuan ta ndërtojnë në vitet 1912-1914… dështoi në mënyrë të mjeruar.” E kështu me radhë.

Këtyre opioneve dhe qëndrimeve pak a shumë sistematike të Meillet-së iu kundërvu dijetari Sotir Kolea, me një artikull të gjatë frëngjisht, të botuar në katër numra të revistës Shqipëria e re/Albania nouă, në korrik-gusht 1928. Artikullin e vlerësuan lart, në kohën e tyre, arbëreshi Gaetano Petrotta, dhe pastaj kolegu dhe miku i ngushtë i Kolesë, Mahir Domi.[1]

Të plotë, artikullin e Kolesë, me titullin La langue albanaise (dhe që lexuesi i Peizazheve mund ta shkarkojë duke klikuar këtu), e sigurova falë ndihmës së Ciprian Jeler, studiues i filozofisë në Bukuresht, me ndërmjetësimin bujar të Orgest Azizajt – me ç’rast i falënderoj të dy.[2]

Kolea i kundërvihet Meillet-së me argumente që do t’i quaja të drejta në parim dhe të mangëta në detaje; por këto mangësi pjesërisht shpjegohen me atë që autori nuk ishte specialist i historisë së gjuhës shqipe, dhe pjesërisht me gjendjen e dijes albanologjike në fund të viteve 1920.

Me të drejtë, ai vë në dukje se shqipja u shkrua për herë të parë fill pas përhapjes së teknologjisë së shtypshkrimit dhe ndryshimit në qëndrimet e Vatikanit kundrejt gjuhëve të Kishës; dhe këtu ajo shkon së bashku me gjuhë të tjera europiane, të cilat gjithashtu i njohën dokumentet e para të shkruara në atë periudhë. Data e librit të Buzukut – 1555 – nuk provon ndonjë “prapambetje” kongjenitale të shqiptarëve, por vetëm faktin që ata, me gjithë handikapet historike, ende merrnin pjesë në historinë e përgjithshme të kulturës europiane. Siç e kam shkruar edhe tek artikulli tjetër, na duhet të tregojmë gjithnjë kujdes dhe të bëjmë dallim mes një populli dhe kulture që nuk e njohin shkrimin; dhe një populli dhe kulture që përdor, në dokumente dhe mbishkrime, një gjuhë të ndryshme nga ajo amtarja, siç ka qenë rasti i shqiptarëve.

Meillet-së, kushedi për ç’arsye, i ka shpëtuar jo vetëm data e botimit të “Mesharit” të Buzukut, por edhe data tjetër, sërish e shekullit XVI, e botimit të katekizmit të Matrëngës. Siç e vëren edhe Kolea, këto dy libra lënë të kuptohet se ka pasur një traditë shkrimore mes arbërve, madje e tillë që t’i paraprinte shtypshkrimit; dhe se, po të mos ish shkatërruar krejt Arbëria mesjetare, gjatë luftërave me osmanët, ndonjë dorëshkrim i shqipes para-osmane edhe do të ishte gjetur, paralelisht me çfarë është gjetur në Itali, në Dalmaci dhe në vise të tjera fqinje, të paktën ato nën ndikimin katolik.

Përkundrazi, Kolea fillon të devijojë, kur shtyhet më në lashtësi; më parë, kur përmend shkrimin glagolitik, të krijuar në shekullin e 9-të nga Shën Cirili për të shkruar sllavishten liturgjike, por që gjatë Mesjetës u gjykua, gabimisht, si krijim shumë më i hershëm, i shën Hieronimit. Për Kolenë, që në mënyrë anakronike i referohet këtij versioni fantastik, origjina e shkrimit glagolitik provon se në Ballkanin Perëndimor ekzistonte një alfabet origjinal, i cili nuk ishte veçse “un ancient alphabet albanais” (një alfabet i lashtë i shqipes). Legjenda e shën Hieronimit si shpikës i glagolicave ish përgënjeshtruar prej kohësh, por nuk mund të bëjmë me faj personalisht Kolenë, që ende i beson legjendës; të tilla qarkullonin rëndom në kulturën shqiptare të kohës, ende bijë e mënyrës dëshirore të Rilindjes Kombëtare.

Njëlloj anakronik tingëllon argumenti i Kolesë, se “Nuk do të ketë njeri në botë, mendojmë, që në mirëbesim të vërë në dyshim se pellazgët (trakët, frigët, iliro-maqedonasit, qipriotët, etruskët, etj.) nuk e patën shkruar gjuhën e tyre që në kohët më të hershme.” Për këtë ai u referohet, si shumë bashkatdhetarë të tjerë në Shqipëri dhe gjetiu, disa autorëve grekë të lashtë, të cilët i quanin shkronjat e alfabetit të tyre “pellazgjike”. Ai gjithashtu e kundërshton tezën e Meillet-së, se shqipja u përket gjuhëve indoeuropiane “lindore”, me argumentin se “disa gjuhëtarë kanë provuar se shqipja, si pellazgjishte e mbijetuar, e ka vendin në krye të grupit greko-latin, shumë më afër sanskritishtes se çdo gjuhë tjetër e këtij grupi.”

Në kohën kur i shkruante këto Kolea, ish botuar fjalori etimologjik i Gustav Meyer-it dhe punime të tjera themelore, për historinë e shqipes, përfshi ato të vetë Meyer-it, por edhe të Pedersen-it dhe të Jokl-it; teoria e prejardhjes pellazgjike të shqipes nuk merrej më seriozisht në konsideratë nga gjuhësia historike-krahasuese, edhe pse kish mbijetuar në ideologjinë tonë kombëtare dhe mbahej atje gjallë madje ujitej rregullisht nga një numër i madh mësuesish, murgjish, publicistësh dhe amatorësh gjithfarësh. Mendimi historiko-gjuhësor modern për historinë e shqipes ende nuk kish mbërritur në brigjet shqiptare; dhe vetëdija historike-kombëtare mbizotërohej nga qasja filologjike, që u jepte përparësi burimeve antike dhe mbetej e obsesionuar me lidhjet e shqiptarëve me grekët e lashtë dhe paraardhësit e këtyre.

Në pjesën e katërt të artikullit, Kolea kapet edhe me argumentet “etimologjike” të Meillet-së, i cili ish përpjekur të vinte në dukje faktin që shqipja pat huazuar shumë fjalë në historinë e vet, përfshi edhe ato që shënjojnë sende dhe nocione elementare të jetës së përditshme. Qëndrimi i Meillet-së teorikisht nuk mund të mbrohet, sa kohë që një pjesë jo e vogël e huazimeve të proto-shqipes nga latinishtja i detyrohen kontaktit të ngushtë dhe bashkëjetesës disa-shekullore mes të parëve të shqiptarëve dhe latinëve ballkanike. Nga ana tjetër, përpjekjet e Kolesë, për të sjellë etimologji alternative ndaj atyre të Meillet-së, nuk janë zakonisht të qëlluara; por yni ka të drejtë kur vë në dukje që Meillet-ja i mbështet argumentet e veta “etimologjike” në një bazë leksikore të shqipes që duket e kufizuar dhe e njëanshme; çfarë ka të bëjë edhe me njohjen e mangët të leksikut të shqipes nga studiuesi frëng.

Është për t’u shënuar, megjithatë, katër argumentet themelore që sjell Kolea, për të kundërshtuar ato të Meillet-së, tingëllojnë solide: (1) që shqiptarët janë “nipat” e ilirëve, maqedonasve, trakëve, frigëve dhe popujve të tjerë të kësaj familjeje; (2) që shqipja moderne është vazhdim (survivance) e gjuhës që flisnin këta popuj këtu e të paktën 24 shekuj më parë; (3) që për pasojë, e shkuara e shqipes nuk është e panjohur, siç e pretendon Meillet-ja dhe (4) që, ashtu si keltishtja, shqipja është folur nga një numër i madh popujsh çfarë e kënaq plotësisht postulatin e “kombit të madh”, që vendos Meillet-ja.

Çfarë gjithashtu e dëshmon Kolea, me këtë artikull, është se intelektualët shqiptarë, përfshi edhe intelektualët laikë, ishin tani në gjendje të përballeshin në dialog deri edhe me profesionistët më të mirë të Europës në fusha të tilla si gjuhësia, historia dhe filologjia, edhe pse kryesisht në nivelin publicistik. Albanologjia që përvijohet pas fjalëve dhe argumenteve të tij është ende në kapërcyell midis legjendave herë-herë paranoide të Rilindjes dhe dijes pozitive që do të artikulonin dijetarët e Institutit të Shkencave pak vjet më pas; kompleksit të inferioritetit, të kujt ka frikë se nuk e lënë të ulet në “odën e burrave” dhe barazisë diskursive, që sjell me vete dija dhe arsyeja. Kolea e ndien, me intuitë, se pozicioni i Meillet-së ndaj shqipes dhe shqiptarëve është i pambrojtshëm; i mungon ende metoda, për ta artikuluar të plotë kundërshtimin e vet.

Në çdo rast, artikulli përbën një faqe të shënueshme, në historinë e ideve që qarkullonin në shqiptarët e periudhës midis dy luftërave.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Falënderoj Etleva Domin, e cila pati mirësinë të më vinte në dispozicion një artikull të Mahir Domit, kushtuar Sotir Kolesë, botuar në revistën Nëntori, no. 9, 1965.

[2] Nuk arrita të verifikoj nëse ky artikull i Kolesë është përkthyer dhe botuar në shqipe. Mirëpres çdo informacion.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin