A duhen debatuar në publik “alternativët”?
Ngaqë herë pas here jam marrë me albanologjinë alternative dhe promotorët e saj në kulturën shqipe, ka qëlluar që të më këshillojnë të angazhohem në debat të drejtpërdrejtë me ta, mundësisht në televizion.
Ndonjëherë ftesa për debat vjen edhe nga alternativët vetë, të cilët duan të ballafaqohen me kundërshtarët e tyre, mundësisht me “profesionistët” dhe “ekspertët” e fushës. Ngaqë duan t’i testojnë idetë e tyre, ose u intereson vlerësimi dhe legjitimimi nga autoritetet, ose kërkojnë – me ose pa vetëdije – barazi me rivalët e tyre, realë dhe të imagjinuar (kjo e fundit njihet edhe si “parimi i këmbëve të dhisë”).
Debati i këtij lloji u intereson edhe gazetarëve televizivë që i ftojnë alternativët në studio dhe u japin hapësirë dhe kanë edhe ata interes që t’i certifikojnë politikat e tyre editoriale nëpërmjet kontaktit me autoritetet e dijes.
Por edhe kur ka ndodhur që ndonjë profesionist i fushës të ketë pranuar ftesën për debat, siç ka ndodhur me prof. Xhevat Lloshin, kjo nuk i ka shërbyer dijes, as publikut.
E shumta, i ka shërbyer spektaklit që i shesin publikut gazetarët e emisioneve të tilla.
Situata kur ulen në një tavolinë alternativët e pellazgjishtes dhe të embriomorfeve nga njëra anë, dhe gjuhëtarët ekspertë nga ana tjetër, më kujton gjithnjë fabulën e dhelprës dhe lejlekut, që ftojnë njëri-tjetrin për drekë.
Në shtëpinë e vet, dhelpra ia shërben lejlekut sillën në pjatë të sheshtë, ndërsa lejleku, kur ia kthen favorin, e shërben ushqimin në shishe me qafë të ngushtë.
Dua të them: specialistët linguistë dhe alternativët, edhe kur kanë dëshirën e mirë për të diskutuar mes tyre (që ndonjëherë edhe e kanë), nuk e gjejnë dot “gjuhën e përbashkët” për t’u marrë vesh.
Që debati të mund të ndodhë, duhet që palët të nisen nga të njëjtat premisa: pasioni për gjuhën shqipe dhe historinë e saj NUK MJAFTON (pasioni nuk është premisë). Në qoftë se kjo njëjtësi premisash mungon, edhe racionaliteti më solid nuk mund ta ndërtojë komunikimin.
Gjuhëtari ekspert sjell në debat jo vetëm dijen e vet, por edhe traditën e akumuluar me punën e disa brezave. Kjo dije artikulohet si informacion, por para së gjithash si metodë kërkimore, rrugë që ndihmon për t’iu afruar së vërtetës.
Albanologët kanë gati dy shekuj që ndjekin metodën historike-krahasuese, e cila edhe ajo ka ardhur duke u rafinuar dhe duke marrë trajtat e një metode shkencore të mirëfilltë. Alternativët këtë metodë nuk e njohin, zakonisht sepse u mungon ekspertiza, por ndonjëherë edhe ngaqë refuzojnë ta njohin.
Perspektiva historike-krahasuese i jep gjuhëtarit ekspert jo vetëm një hapësirë për hipotezat kërkimore, por edhe veglat me të cilat ta kryejë punën e vet. Këto vegla nuk mund t’i përdorësh, pa vite studimi të përkushtuar.
Alternativët këto vegla i shpërfillin; zakonisht i shpërfillin ngaqë nuk i njohin, sepse janë përtej kapacitetit të tyre profesional. Një agronom, një inxhinier minierash, një gjeograf, nuk e kupton metodën e punës, të themi, të një Çabej ose të një Demiraj. E shumta, mund të marrë vesh diçka nga rezultatet e asaj pune.
Amatori nuk e ndjek dot procesin e kërkimit shkencor që e ka bërë ekspertin të arrijë përfundimin se kjo fjalë e shqipes është huazim nga latinishtja; edhe pse arrin ta kuptojë përfundimin vetë.
Madje këtij nuk i duket e pamundur që, pikërisht kjo fjalë të ketë udhëtuar në kah të kundërt dhe të jetë huazim i latinishtes nga shqipja.
Amatorit nuk i intereson procesi, por rezultati.
Në këto rrethana, asnjë lloj debati nuk ndodh dot; shkëmbimet degradojnë në teatër komik, edhe kur nuk degradojnë në ad hominem. I vetmi që përfiton – siç i duket edhe nga buzëqeshja e kënaqur që e mban të ngjitur në fytyrë – është drejtuesi i emisionit.
Ngaqë palëve u mungon një gjuhë e përbashkët, si platformë për t’i zhvilluar pozicionet e tyre, atëherë përplasja merr sakaq tone emocionale. Ndodh që alternativi të tundohet që ta gozhdojë kundërshtarin me argumente “patriotike”; ndodh që eksperti të ndihet i pafuqishëm, përballë diçkaje që i duket idiotizëm i pashpresë. Frustrimi herët a vonë do të gjejë shprehje në shkëmbimet.
Dhe teksa palët kacafyten në këto duele operetash, moderatori ngazëllehet dhe vetëkënaqet deri edhe me pozicionimin e tij “super partes”.
Sa më lart, janë edhe arsyet pse unë nuk do të shkoja në debate të tilla – madje edhe po të më paguanin mirë: rrethanat janë të tilla, që e detyrojnë ekspertin serioz t’i shërbejë një lloj televizioni agresiv, të modeluar sipas formatit “reality show” dhe që interesohet vetëm për audiencë dhe klikime.
Debati i vërtetë, mes profesionistëve dhe amatorëve – qofshin këta alternativë, pseudologë, sharlatanë, paranojakë ose edhe thjesht manipulatorë – duhet të ndodhë në mendjet e hapura të së gjithë atyre që i besojnë ende shkencës dhe racionalitetit.
Atyre – fatkeqësisht pak – specialistëve që ende duan t’i flasin haptazi publikut dhe t’i rrëfejnë historinë mahnitëse të shqipes gjuhë indo-europiane, shekull pas shekulli, u duhet me siguri të krijojnë publikun e tyre, me ndihmën edhe të institucioneve që ende duan dhe munden t’i dalin sot zot dijes në Shqipëri.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Koncert në vezë, vepër me autor të panjohur, që i është atribuuar Hieronymus Bosch.
Alternativet na “hapen barkun”. Te merr malli te lexosh nje shkrim te kthjellet si ky i Ardian Vehbiut.
Gjuhetari nuk eshte vetem studiues profesionist dhe ekspert i gjuhes, sepse gjuha eshte ne themel te identitetit dhe menyres si e konceptojne veten faqe botes. Degjova ne televizor komente nga dy gjuhetare te vjeter ne lidhje me artikullin e revistes dhe e anashkaluan aq shume thelbin sa me mire te flisnin per kometen Hallej. Dua te them qe jane teresisht jashte loje sepse ose nuk i studiojne risite ose jane te paafte ti kuptojne apo me keq, i studiojne dhe i kuptojne por kushedi se ku fle lepuri. Ne cdo rast jane te padobishem, ne ndonje rast edhe te pademshem.