nga Ernest Nasto
Javën e kaluar në qytetin Milwaukee u zhvillua debati i parë i fushatës presidenciale të 2024. Një grup prej 8 kandidatësh republikanë hapën fazën primare, atë të garës brenda partisë për të fituar zyrtarisht të drejtën e përballjes me presidentin Biden në zgjedhjet e përgjithshme më 5 nëntor të vitit të ardhshëm. Debati u karakterizua nga mungesa e kandidatit më popullor, ish-presidentit Trump, i cili në opinionin pothuaj unanim të analistëve politikë, rezultoi të ishte edhe fituesi i vërtetë i tij. Asnjë nga pjesëmarrësit s’arriti në fakt të shquhej ndjeshëm mes të tjerëve e të pretendonte kësisoj të bëhej lideri i një partie republikane post-trumpiane.
Por këtu dua të ndalem posaçërisht në hapjen e tij: debati primar brenda një partie konservatore, të djathtë, filloi me një këngë që shpreh shqetësimet dhe zhgënjimet e punëtorëve. Kjo shënon edhe një hap vendimtar në procesin e gjatë të shkëmbimit të pozicioneve mes dy partive kryesore të vendit.
Kënga e autorit amator nga Virginia, Oliver Anthony, e titulluar Rich men North of Richmond (Të pasurit në veri të Richmond-it) u bë ditët e fundit më e klikuara në iTunes, YouTube e platforma të tjera online. Teksti i saj shpreh në mënyrë të përmbledhur të vërtetat e pamohueshme se për punonjësit e thjeshtë jeta po bëhet përditë e më e vështirë, dhe se asnjëra prej partive politike s’duket të jetë e interesuar për ta.
Kështu e majta progresive, e vetëshpallur si mbrojtëse e shtresave të ulëta, pra edhe të punëtorëve, është përfshirë nga obsesionet me racën, me orientimin seksual, me identitetin gjinor e me abortin, duke e zhvendosur përkatësinë klasore diku prapa liste. Nga ana tjetër e djathta, me adhurimin për tregun, i ka parë prej kohësh punëtorët, veçanërisht ata të punës fizike e të shërbimeve, si thjesht të zëvendësueshëm dhe të disponueshëm. Mirëpo janë pikërisht këta që djersiten e ndoten, madje edhe aksidentohen, duke prodhuar mallrat dhe shërbimet që sigurojnë vazhdimësinë e qytetërimit, siç u dëshmua edhe njëherë gjatë periudhës së Covid-19. Dhe për fat të keq janë po këta (“t’urët skllevër anembanë” të një epoke tjetër) që po lihen pas dore nga ana ekonomike, financiare e sociale, ndërsa të dy krahët e politikës i bëjnë qejfin vetes me garën për të lëshuar sa më shumë tweets e për ta kapur mat palën tjetër.
Prandaj kënga në fjalë i ngjan një klithme të dalë nga thellësitë e shpirtit të këtyre të harruarve, dhe që fajëson qartë politikanët dhe elitat e të dy partive: titulli u referohet këtyre elitave në kryeqytetin federal, Washington DC, i cili ndodhet vetëm 170 km në veri të Richmond, kryeqytetit të Virginia. Ajo u bë virale në mënyrë të rrufeshme: deri më 8 gusht Anthony ishte krejt i panjohur, ndërsa prej asaj dite kënga e tij është shpërndarë dhjetëra miliona herë në mediat sociale duke u ngjitur aty për aty në vendin e parë në iTunes. Megjithëse krejt e pasofistikuar, pa skenë, pa kor, thjesht “një tip me kitarë” në një sfond pylli të dendur, është mesazhi i saj që duket se po gjen jehonë tek një masë e madhe njerëzish, përfshi ata që përndryshe s’para dëgjojnë muzikë country. “Tipi me kitarë” u cilësua sakaq si “zëri i 40 a 50 milion punëtorëve” dhe arsyeja është sigurisht shprehja e sinqertë e shqetësimit deri në pikëllim të Amerikës rurale. Ose për ta thënë me fjalët e vetë Anthony “dëgjuesit e kuptojnë se kënga po këndohet nga dikush që i ndien ato fjalë tamam në atë moment”.
“Po shes shpirtin duke punuar gjithë ditën” thotë teksti, “jashtë orarit… për një pagë qesharake” vetëm e vetëm “për një jetë të kotë…për t’u mbyllur në shtëpi e për t’i mbytur hallet duke pirë… turp ku është katandisur bota për njerëz si unë e ju…do doja të zgjohesha e të mos ishte e vërtetë, por ja që është!”
Nuk mund të thuhet se autori e ka ekzagjeruar apo thjesht po shpreh pakënaqësi personale, pasi ajo çka ai përshkruan gjen mbështetje të plotë nga të dhënat statistikore (1). Edhe mediat aleate të progresistëve, si p.sh. The New York Times, vërejnë se klasa punëtore amerikane vuan nga përhapja shumë më e gjerë dhe në rritje e alkoolizmit, varësisë nga droga, sëmundjeve kronike dhe vetëvrasjeve krahasuar me shtresat me arsim universitar dhe ato me të ardhura më të larta. Situata është përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit, sidomos pas pandemisë, me inflacionin e lartë që ka shkaktuar rënien e fuqisë blerëse, dukuri e cila s’i ka shpëtuar vëmendjes së Anthony:
“Dhe ata kujtojnë se ju s’e dini, por unë e di që ju e dini…se dollari juaj s’vlen asnjë grosh dhe tatohet rëndshëm… për shkak të të pasurve në veri të Richmond.”
Duhet theksuar këtu se ndjenja e zymtësisë plot dhimbje që përcjell kënga nuk vjen thjesht nga vështirësite e përshkruara, por sidomos nga realizimi se ato vështirësi e vuajtje janë krejt të panevojshme. Janë pra politikat e zgjedhura në mënyrë të ndërgjegjshme nga “të pasurit në veri të Richmond” të cilat po e bëjnë jetën të tillë për shtresat e ulëta. Inflacioni p.sh. s’është fatkeqësi natyrore, por rezultat i politikave të zbatuara nga njerëzit, e të tilla janë edhe vendimet për mbylljen e aksh fabrike, uzine apo miniere. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lejimin (apo inkurajimin nëpërmjet mosveprimit) të përhapjes së drogave të rënda si fentanili e të tjera, të cilat po shkretojnë komunitetet amerikane (2), edhe për mosndjekjen penale të individëve që bëjnë e ribëjnë krime, një frymë pandëshkueshmërie e cila po shkakton që zonat urbane të jenë gjithmonë e më të pajetueshme (dhe janë të varfrit ata që e kanë tepër të vështirë të shpërngulen). Po në këtë kategori hyjnë sigurisht edhe miratimi i ligjeve që pengojnë ndërtimin e banesave me qira të ulët për të lehtësuar krizën e strehimit, edhe kufizimi i prodhimit të energjisë në emër të mbrojtjes nga “ngrohja globale”, kufizim që vetëm sa krijon mungesa artificiale e që sjell nga ana tjetër rritjen e kostos së ngrohjes e ftohjes së shtëpive.
Kuptohet lehtë se asnjera nga politikat (ose mungesa e politikave) të mësipërme nuk vjen nga shkaqe të pakontrollueshme. Ato rezultojnë nga veprime plotësisht të ndërgjegjshme të personave me përgjegjësi, të cilët zakonisht s’i vuajnë aspak pasojat e asaj çka bëjnë apo vendosin të mos bëjnë.
Në mënyrë të parashikueshme popullariteti i këngës ka krijuar polemika duke u kritikuar ashpër nga të dy anët e spektrit politik. E majta preferoi, si zakonisht, ta injorojë realitetin e shprehur nga kënga, duke e akuzuar atë si “me jehona raciste” për titullin që i bën jehonë ndarjes Veri-Jug gjatë Luftes Civile (3) si dhe për disa vargje ku përmenden “obezët që mjelin” sistemin e ndihmave sociale. Edhe idhujtarët e tregut të lirë në krahun e djathtë nxituan t’i vënë në dukje autorit se vetëm ai treg, me krijimin dhe përhapjen e internetit, bëri të mundur suksesin e menjëhershëm të këngës së tij. Ndërkaq e djathta populiste e adoptoi atë si njëfarë “himni” duke e parë si revoltë ndaj politikave të demokratëve.
Kështu shpjegohet se përse kënga arriti të futej në mënyrë aq të pazakontë edhe në debatin republikan, ku pyetja e parë ishte pikërisht rreth reagimit të pjesëmarrësve ndaj problemeve të ngritura nga fjalët e saj. Përgjigjet që u dëgjuan, ato të governatorit të Florida-s, DeSantis, dhe të ish-governatorit të New Jersey-t, Christie, ishin në hullinë e lartpërmendur të fajësimit vetëm të politikave të presidentit Biden apo demokratëve në përgjithësi. Një përjashtim për t’u shënuar ishte ish-governatorja e South Carolina-s, Haley, e vetmja kandidate femër. Ajo deklaroi hapur, dhe me plot të drejtë, se edhe republikanët në Kongres janë po aq përgjegjës për ato probleme, qoftë me politikat e ndjekuar gjatë administratave të tyre, qoftë me përkrahjen e masave të propozuara nga demokratët(4).
Pavarësisht nga motivet e klikimeve të shumta, dhe edhe pse disa kritika mund të jenë të merituara, të gjitha këto dëshmojnë atë çka është kryesorja: kënga ka venë vërtet “gishtin në plagë”. Ajo shpreh me fjalë të thjeshta zbehjen e një parimi thelbësor të çfarëdo kontrate sociale të qëndrueshme: një shoqëri e drejtë duhet gjithmonë t’i shpërblejë, jo t’i ndëshkojë, ata që luajnë sipas rregullave.
Dhe ky është pikërisht problemi për pjesën më të madhe të klasës punëtore amerikane në ditët e sotme: të kesh një punë me kohë të plotë (ose edhe dy siç ndodh në mjaft raste) sigurisht që duhet të konsiderohet si lojë sipas rregullave. E gjithashtu edhe nëse nuk shkel ligjin, nëse kujdesesh për veten, e nuk abuzon me ndihmat sociale, të gjitha tema të cekura nga teksti i këngës. Megjithatë punëtorët, ata që më së shumti i zbatojnë rregullat e lojës, po shohin përkeqësim të situatës së tyre prej një kohe të gjatë.
Elitat dhe mediat sot jo vetëm që s’e respektojnë e shpërblejnë këtë kategori, por edhe i dënojnë nëse ata guxojnë të shprehin pakënaqësi për situatën ku ndodhen. Nëse ankohen p.sh. se presioni i imigrantëve po ul nivelin e pagave, ata cilësohen menjëherë si racistë; nëse protestojnë për seksualitetin e hapur, deri edhe pornografik, në shkollat e fëmijëve të tyre ata përbuzen si homofobë apo transfobë; nëse ngrenë zërin kundër çmimeve të larta të energjisë ata denoncohen se po mohojnë ekzistencën e “ngrohjes globale”; nëse kërkojnë siguri për fëmijët e tyre, pa drogë e kriminalitet në mjedise publike, ata njollosen si kundërshtarë të “drejtësisë sociale”; nëse vërejnë se Amerika e sotme s’po i zbaton parimet e saj themelore të lirisë dhe barazisë individuale, u thuhet se s’janë patriotë të mirë, paçka se më së shumti janë bijtë e bijat e tyre që mbushin radhët e forcave të armatosura.
Kjo është pa dyshim një nga pasojat më të dukshme afatgjata të ndryshimit të pozicionit të demokratëve në vitet ’60 kur ata vendosën të heqin dorë nga mbrojtja e interesave të klasës punëtore, të “jakave blu”, deri atëherë blloku i tyre më besnik. Partia e ashtuquajtur e majtë zgjodhi të përqendrohet tek “jakat e bardha”, d.m.th. shtresat e menaxherëve, të teknikëve, të profesioneve të lira, etj, duke adoptuar njëkohësisht edhe të ashtuquajturat “politika identitare” në favor të kategorive të tjera “të paprivilegjuara” me bazë race, seksi, orientimi seksual apo përkatësie gjinore. Të gjitha këto bënë që punëtorët e bardhë të ndjehen të braktisur e të pambrojtur, gjë që u shpreh qartë në votën e tyre të revoltës për kandidatët populistë më 2016 (Trump dhe Sanders) e më 2020 (Trump).
E megjithatë në analizë të fundit Rich men North of Richmond s’ka të bëjë me politika specifike ekonomike e më gjerë. Ajo është një vajtim për faktin që parimet më themelore të drejtësisë për klasën punëtore janë kthyer tërësisht së prapthi. Nënvlerësimi, madje përbuzja, nga elitat e dy partive e atyre që nxjerrin bukën e gojës duke e bërë jetën e të gjithëve të sigurt e të rehatshme s’ka si të mos e minojë qëndrueshmërinë e kontratës sociale amerikane. Le të shpresojmë që kjo këngë të ndihmojë në njëfarë mënyre që opinioni publik të ndërgjegjësohet, e që presioni nga poshtë të detyrojë të dy partitë të shkunden nga iluzionet e të angazhohen seriozisht në një rishikim masiv të kushteve baze të asaj kontrate.
© 2023 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
1) https://www.statista.com/statistics/895945/fentanyl-overdose-deaths-us/
2) vetëm me 2022 u rregjistruan 110,000 vdekje nga mbidoza e fentanilit.
3) gjatë Luftës Civile (1861-1865) konfederata rebele e përbërë nga 11 shtete skllavopronare të Jugut kishte për kryeqytet Richmond-in.
4) është për t’u shënuar këtu se Anthony e hodhi poshtë politizimin e këngës, madje vuri haptazi në lojë shfaqjen e saj në debatin republikan duke deklaruar se “kënga ishte pikërisht për personat në atë skenë”.
“ Nëse ankohen p.sh. se presioni i imigrantëve po ul nivelin e pagave, ata cilësohen menjëherë si racistë”
Ke ndonje statistike se si emigrantet ulin nivelin e pagave?Argumenti kondra emigranteve eshte racist .Trump vete deklaroii :”pse nuk na vijne emigrante nga Norvegjia por nga keto vendet hale(e kish fjalen per vendet e varfra)”
E/I nderuar, falenderime per komentin, por menyra e reagimit (me -ist dhe me Trump) le te kuptohet se eshte zor qe ndonje statistike apo thjesht common sense t’jua ndryshojne mendjen. E para, Trump apo Norvegjia s’hyjne kurrkund ne kete mesele. Dhe e dyta, sipas Economics 101, nese rritet oferta per nje mall te caktuar (ne kete rast krahu i punes nga imigracioni) atehere çmimi syresh (paga) do te bjere. Megjithate po shtoj edhe nje citat te drejtperdrejte nga George Borjas nga Harvard Kennedy School: “when the supply of workers goes up, the price that firms have to pay to hire workers goes down. Wage trends over the past half-century suggest that a 10 percent increase in the number of workers with a particular set of skills probably lowers the wage of that group by at least 3 percent.” Shpresoj se u sqaruat.
Keni zgjedhur vetem ate pjese te paragrafit qe iu intereson keni lene jashte pjesen tjeter:
Economists typically measure the responsiveness of wages to immigrants using the wage elasticity of immigration—the percentage change in wages one can expect for a given percentage change in the quantity of immigrants. Literature on the U.S. labor market suggests the wage elasticity of immigration is about −0.2, meaning that if the number of migrants were to increase by 10 percent, then wages would fall by 2 percent, on average. However, this average masks substantial disagreements among economists who study immigration. Some economists have found that wages do not change at all with an increased supply of immigrants (Card 1990, Card and Peri 2016). Others, such as Harvard University economist George Borjas, find a greater wage elasticity of immigration that is between −0.3 and −0.4 (Borjas 2003, Borjas and Katz 2007).”
Plus SHBA kane nje mungese te theksuar te fuqise punetore , ka pune per te gjithe.
Nejse problemet e punetorise se bardhe kane ardhur per shkak te teknologjise e cila ka sjelle fundin e epokes se “blue collar worker”,Vitet 50 kur me fare pak arsim mund te zije nje pune te mire dhe si i bardhe kishe nje pozite sociale te privilegjuar karshi minoriteteve te tjera nuk kthehen me.Mund te sjellin gjithe fabrikat nga Kina e prape ata te mbeten te papune sepse fabrikat e sotme nuk jane ato te baballareve te tyre pasi kerkojne kualifikim te larte qe nje pjese e mire e tyre s’e kane .Mund te perzene te gjithe emigrantet e prape ata do mbeten te papune se nuk eshte se jane te etur per thyer kurrizin ne punera krahu.Jane te mllefosur pasi po gdhihen ne nje bote tjeter ne te cilen ndihen krejt pa vlere.
E para, po e theksoj prape se presioni i imigranteve mbi pagat eshte thjesht marredhenie kerkese-oferte, pavaresisht se ca studime e nxjerrin korrelacionin me te dobet e ca me te forte. E dyta, fakti qe “fabrikat s’jane ato te baballareve” nuk shfajeson aspak vendimmarresit e transferimit te fabrikave ne Azi apo Am Latine te cilet s’u kujdesen per rikualifikimin e atyre qe humben punen (ate te viteve ‘50 e ke gabim kur vecon te bardhet sepse edhe te zinjte kishin asokohe papunesi shume me te ulet se sot, dhe, me e rendesishmja eshte se mes tyre familjet pa baballare ishin fare te pakta). E treta, kjo “bota tjeter” mos eshte ajo ku pakicave me ngjyre s’mund t’u besh asnje lloj kritike sepse akuzohesh sakaq si racist? E njejta per pakicat seksuale/gjinore sepse akuzohesh si homofob? Apo ajo ku kalamajte mund te zgjedhin lirisht se cfare te bejne me trupin e tyre dhe, nese prindi s’eshte dakord, autoriteti publik mban anen e kalamanit? Apo ajo ku policia druhet nga kriminelet ne vend qe te jete e kunderta? Nje bote, pra, ku common sense eshte kthyer kokeposhte dhe realiteti luftohet me cdo mjet? Nese po, atehere mllefi eshte me se i justifikuar.
“ate te viteve ‘50 e ke gabim kur vecon te bardhet sepse edhe te zinjte kishin asokohe papunesi shume me te ulet se sot, dhe, me e rendesishmja eshte se mes tyre familjet pa baballare ishin fare te pakta)”
Ne vitet 50te te zinjte as nuk lejoheshin te shkonin ne te njejtat shkolla me te bardhet ,te uleshin ne restorant apo ne autobuz ne te njejtin seksion me ta .JFK iu desh te dergonte garden per te shoqeruar studentet zezake ne te njejtin universitet me te bardhet .Kjo atehere konsiderohej woke.Te bardhet e varfer jane te mllefosur se nuk kane dike poshte vetes per tu ndjere mire .Prandaj dhe iu hedhin emigrantet si red meat.Si tha LBJ:””If you can convince the lowest white man he’s better than the best colored man, he won’t notice you’re picking his pocket. Hell, give him somebody to look down on, and he’ll empty his pockets for you.”
Si gjithnje Alba flet me llafe gazetash te llojit te vet. Shqiptaret ne emigrim e dine shume mire qe kane hyre ne tregun e punes fale rrogave me te uleta sesa vendasit dhe e kane pesuar nga uljet e pagave qe kane sjelle dyndjet e mepasshme , rumunet apo afroaziatiket.
Nuk ka asnje nevoje nje ekonomi me te papune, qe te marre emigrante, sepse nqs mungon krahu i punes ne nje sektor, atehere ngrihen pagat dhe plotesohet nga te papunet apo nga sektore te tjere.
Ne perendim shume sektore subvencionohen ne menyra te ndryshme; keshtu qe nuk ka as ndonje problem real, si ta zeme me ullirin ne greqi, qe subvencionohet 3 euro kilja, nese punetori paguhet 35 apo 45 euro dita, ne nje kohe qe vjel kuintale ulli ne dite. Shteti apo BE-ja paguan shumefish.
Nqs efendemi grek nuk e do grekun me 45 euro, shqiptarin me 40 euro por pakistanezin me 30-35 euro, kjo ska lidhje fare as me deshiren per pune krahu te grekut apo shqiptarit, as me kosto demtuese per efendemin grek, po me oreksin e efendemit te fitoje ca euro me shume ne dite prej punetorit,
E njejta gje vlen me ate ne ndertim, ku ato 5 apo 10 euro dita per punetor, nuk i ngrene as ulin gjesend kostove te projektit, thjesht rruajne nga ndonje lek me shume ata qe kane punen.
E me radhe, Tjeter gje pastaj nqs vendi ska te papune fare, atehere doemos do t’i gjesh nga jashte, apo te duhet fuqi punetore e kualifikuar, pa per pune cfaredo problemi nuk ekziston.
Alba, pergjigja qe ke dhene injoron thelbin e komentit tim dhe kapet pas nje detaji sekondar . Diskriminimin sigurisht qe e dijme dhe askush s’e mohon, mirepo une e kisha fjalen per punesimin, dhe per asgje tjeter. Se te jesh i diskriminuar kulturalisht s’do te thote ipso fakto qe je edhe i papune.
Sipas logjikes tende edhe nje argument se perse BMW eshte me cilesore se FIAT mund te kthehet sakaq ne diskutim rreth asaj se “kapitalistet gjermane ishin ku e ku me gjakpires te punetoreve se sa kapitalistet italiane!” dmth pa lidhje fare.
Sa per mllefin, me duket se ta dhashe pergjigjen, te cilen ke zgjedhur ta injorosh. Si perfundim shume e veshtire te vazhdosh nje bisede konstruktive nese bashkebiseduesi perdor metoden “hidhu dege me dege”.
Punesimi i zezakeve per ate muhabet ishte i larte edhe gjate skllaverise , ku ata mesuan mesuan zanate si tha ai zylyfi guvernator i Floridas. Ne vitet 50te , Europa e Japonia ishin te shkaterruara nga lufta , Kina dhe gjysma e botes ishin komuniste , ekonomia amerikane si i vetmi oaz i pashkaterruar nga lufta mbreteronte supreme,punetoria ne te cilen te bardhet kishin pozite te privilegjuar benin ligjin.teknologjia ishte e tille qe me pak apo aspak arsim siguroje nje pune te mire.Ato vite s’kthehen me sepse bota ka ndryshuar dhe rrota e historise nuk kthehet me prapa sado te qahen te bardhet per lavdine e motit te shkuar.
E pranoj plotesisht se forca e nje argumenti te tille me “zylyfe” eshte shkaterruese per vdeketare te zakonshem si une, prandaj ju pergezoj dhe terhiqem. Me debatues te nje niveli te tille, fitorja eshte e siguruar per cdo kauze qe ka nderin t’ju kete ne anen e saj. Mbetshi me te mira, kushdo e kudo qe te jeni.
Zoti Nasto, ju pergezoj qe me ne fund e kuptuat natyren konstruktive te parafoleses.