Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shkencë

TA FLASËSH MIRË DIJEN

Kohët e fundit më qëllon shpesh të ndesh me një kundërargument, me të cilin mbrohen ithtarët e dijes alternative, konspiracistët dhe dekonstruktorët e shkencës zyrtare – dhe pikërisht se përparimet dramatike në shkencë dhe, më në përgjithësi, në dije, u detyrohen pikërisht atyre mendjeve që kanë guxuar, në të kaluarën, të rebelohen kundër establishmentit.

Ashtu, në mbështetje të vëmendjes që meriton vepra e një dijetari alternativ si Petro Zheji, sillen emrat e Giordano Bruno-s, Galileo-s dhe martirëve të tjerë të periudhës së Rilindjes – bashkë me arsyetimin se institucionet zyrtare të dijes vetvetiu do të kundërshtojnë dhe madje suprimojnë çdo përpjekje që vë në rrezik themelet dhe vetë ekzistencën e tyre; dhe se është pjesë e funksionit dhe misionit të këtyre institucioneve, që të pengojnë e të frenojnë të renë.

Këtë reaksion flakjeje (rejection), nga ana e organizmave që administrojnë dijen, e kanë quajtur edhe Refleksi Semmelweis, sipas një mjeku vjenez që, dikur në mesin e shekullit XIX, rekomandoi që mjekët e një klinike obstetrike të lanin duart, para se të kalonin nga një autopsi te një ekzaminim i një pacienteje. Semmelweis-in e përqeshën dhe e tallën kolegët e tij dhe e detyruan të largohej nga spitali dhe deri edhe nga Vjena, për të vdekur pak kohë më pas në një spital psikiatrik në Hungari, i rrahur prej rojeve.

Timothy Leary e pat cilësuar refleksin Semmelweis kështu: “një lloj sjelljeje e turmës që ndeshet mes majmunëve primatë dhe hominidëve në planetë të pazhvilluar, ku zbulimi i një fakti shkencor të rëndësishëm ndëshkohet.”

Nuk do të habitesha, pra, që këtë efekt – flakjen e një hipoteze ose teorie të re, që vë në dyshim themelet e dijes së etabluar – ta dëgjoja si argument edhe nga proponentët më të marrë të teorive të Covid-it; aq më tepër në kontekstin kur, dita-ditës, marrim vesh se shpjegimet dhe politikat zyrtare gjatë periudhës së epidemisë paskan qenë frymëzuar nga motive jo dhe aq fisnike.

Kë të besojë njeriu? Zyrtarin e balsamosur dhe të mbushur me kashtë, që del në ekranin kombëtar, me bekimin dhe autoritetin institucional, për të mbrojtur interesa që jo gjithnjë përkojnë me ato të publikut? Konspirativistin e ndërkryer dhe sharlatanin makut, që ngutet të shpjegojë se Covid-in po e përdorin elitat reptile të planetit, për të reduktuar popullsinë dhe për t’u kufizuar lirinë qytetarëve? Apo të tretët, që mbase kanë më shumë të drejtë, por nuk arrijnë që të dëgjohen?

Dija – e fortifikuar në universitete dhe akademi – kapet jo rrallë peng i këtyre institucioneve që luftojnë fort për t’u riprodhuar dhe për të ruajtur pushtetin që u është dhënë; por është edhe mision i çdo shkencëtari a dijetari, që beson në atë që bën, që ta mbrojë dijen ndaj sulmeve që i vijnë prej sharlatanëve dhe përfituesve gjithfarësh.

Shembujt që të sjellin guerrilasit e dijes nga historia vuajnë nga ajo që njihet si anshmëria e përzgjedhjes (selection bias): për çdo Einstein, që ia ka dalë me teorinë e vet të përmbysë krejt paradigmën shkencore të fushës së vet, ka pasur me qindra, në mos me mijëra ambiciozë që kanë dështuar, sepse teoritë dhe propozimet e tyre nuk i kanë qëndruar kritikës deri edhe elementare. Ne mbajmë mend dhe rrëfejmë heroizmin e Einstein-it, përballë establishmentit të fizikës teorike të kohës – por kemi harruar të gjithë ata që historia në fakt i ka dënuar me harresë, pavarësisht nga virtytet morale që mund të kenë pasur.

Disa institucioneve, për shembull shëndetësisë publike ose sistemit bankar, njeriu është njëfarësoj i detyruar t’u besojë – sepse janë fare të paktë ata që mund të marrin vendime të pavarura të mbështetura mirë, në situata epidemish ose krizash të tjera që rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien e gjithkujt. Megjithatë, në rrethanat kur publikut i është dobësuar besimi në institucionet që e përfaqësojnë, ka gjithnjë hapësirë për të tretët – që mund edhe të jenë heronj dhe të flijohen si të tillë, por që me shumë gjasë do të jenë sharlatanë dhe përfitues.

Semmelweis-i, që e përmenda më lart, e kish kuptuar sado me intuitë marrëdhënien mes larjes së duarve nga mjekët dhe rënies dramatike të rasteve të infeksioneve në klinikë, që pa u formuluar e ashtuquajtura germ theory; por fati i tij nuk i jep gjë seriozitet hipotezës – që u pat përhapur në muajt e Covid-it në Bergamo – për një marrënie mes epidemisë dhe natyrës aluvionale të dherave të atyre viseve.

Edhe kur dija institucionale e fortifikuar gabon (me qëllim ose nga paaftësia), kjo nuk u jep vetvetiu të drejtë atyre që i kundërvihen, me teoritë e tyre, përfshi këtu edhe të drejtën për t’iu kundërvënë. Për shembull, protokollet e kimioterapisë nuk janë gjithnjë aq të suksesshme sa ç’janë sfilitëse për pacientin – por kjo nuk i përligj përpjekjet e cave që duan ta kurojnë kancerin me laetril (vitaminë B17), një lëndë të ngjashme me amigdalinën, e cila gjendet në farat e bajameve dhe farave të tjera.

Në shumë fusha, hipotezat – përfshi këtu edhe protokollet e mjekimit – mund të testohen dhe ka teknika që lejojnë verifikim të kënaqshëm (double blind, randomized controlled trials). Në fusha të tjera, si gjuhësia, teste të tilla shpesh nuk bëhen dot. Megjithatë, gjuhësia historike-krahasuese ka arritur tashmë një fazë ku disa prej hipotezave të saj mirëfilli abduktive janë vërtetuar nga gjetjet e mëvonshme në terren: për shembull, teoria e laringaleve e formuluar nga Saussure-i si shpjegim për disa parregullsi në vokalizmin e rrënjëve indoeuropiane nuk verifikohej dot, derisa dolën në dritë mbishkrimet hitite shumë vjet më vonë, që ato laringale i përmbanin. Teoria e laringaleve i ngjan, deri diku, parashikimeve të Mendelejevit për elemente të reja, në bazë të strukturës së tabelës së tij; elemente që pastaj u gjendën në natyrë.

Folk-linguistika sot mes shqiptarëve po përjeton një periudhë lulëzimi, që ka përfituar edhe nga kriza e besimit ndaj institucioneve publike në përgjithësi, dhe dijes akademike në veçanti. Studiues të mbetur relativisht mënjanë, si Petro Zheji, po sillen dhe propozohen me entuziazëm si viktima të parrokializmit akademik dhe të tradicionalizmit albanologjik.

Teoritë e Zhejit, në vetvete, nuk kanë gjë të përbashkët me gjuhësinë historike dhe krahasuese; lexuesi nuk gjen dot lidhje mes elaborateve komplekse të atij autori dhe traditës së etabluar në gjuhësi. Dija e Zhejit, nëse mund ta quash kështu, “dije”, nuk mbështetet në shpatulla gjuhëtarësh të tjerë, qofshin këta albanologë, komparativistë ose indoeuropeistë. Marrëdhëniet i ka me misticizmin, simbolizmin mistik dhe ndonjë filozofi alternative. Zheji pretendon të zbulojë prejardhje dhe origjina, më shpesh të fjalëve të gjuhëve të tjera nëpërmjet shqipes, por nuk duket se e njeh dhe e vlerëson konceptin e rregullsisë (pattern) në gjuhë. Prandaj edhe vepra e tij e ka të pamundur të integrohet në diskursin linguistik, me të cilin përcillet zakonisht dija për gjuhën.

Edhe pa hyrë në meritat e hipotezave dhe trajtesave të Zhejit në hollësi, vepra e tij vështirë se mund të luajë rol në historinë e gjuhës shqipe (dhe të gjuhëve të tjera, që ai pretendon t’i shpjegojë nëpërmjet shqipes), sepse ajo vepër vendoset jashtë diskursit linguistik – mënyrës si flet sot dija për gjuhën. Einstein-i, që revolucionarizoi fizikën teorike, e bëri këtë pa dalë jashtë caqeve të diskursit fizik dhe matematik që përdornin kolegët e tij; Watson dhe Crick, që zbuluan strukturën prej helike të dyfishtë (double helix) të ADN-së, e bënë dhe ia prezantuan botës këtë zbulim me gjuhën e biokimisë, kimisë fizike, gjenetikës bakteriale e kështu me radhë, madje duke u mbështetur në rezultatet e punës eksperimentale të kolegëve.

Hidhini tani një sy, po të doni, bibliografisë së veprës Shqipja dhe sanskritishtja (I dhe II), për ta kuptuar më mirë se për çfarë e kam fjalën.

Sikurse shumë kolegë të tjerë shqiptarë, edhe unë e kam studiuar historinë e gjuhës shqipe në kontekstin e dijes albanologjike dhe duke ndjekur shtigjet e çelura nga mësues si Eqrem Çabej dhe Shaban Demiraj, edhe njëri edhe tjetri të traditës komparatiste. Kjo ngrehinë solide e albanologjisë nuk mund të rrijë megjithatë në këmbë, pa mirëmbajtje sistematike, çfarë parakupton edhe mbrojtjen e saj ndaj albanologëve alternativë dhe amatorë.

Jo rrallë i bëj pyetje vetes mos kjo vendosmëri që tregoj, kur është rasti, për të mbrojtur dijen albanologjike përballë sulmeve të tilla nuk është veçse efekt anësor i identifikimit tim me institucionin dhe i prirjes së natyrshme të njeriut për ta refuzuar çfarë që ia vë siguritë në dyshim, përfshi edhe siguritë intelektuale. Tek e fundit, pjesë e shkollimit akademik është edhe përvetësimi i diskursit përkatës, ose i një teknike të sofistikuar për të folur rreth objektit të dijes, e cila teknikë ka ndikim jo të paktë në qasjen ndaj së panjohurës. Duke qenë albanologjia dije e etabluar dhe e përsosur dekadë pas dekada, nga studiues të huaj dhe shqiptarë, ajo sjell me vete edhe një farë imunizimi, për mirë a për keq, ndaj ideve subversive të fushave përkatëse, duke garantuar kështu konsistencën shkencore.

Më ka qëlluar të refuzoj me vete hipoteza albanologjike mjaft të elaboruara, për prejardhjen e shqipes dhe të shqiptarëve, si ajo e Gottfried Schramm-it, por pa e shoqëruar këtë refuzim me ndjesinë se kam pasur përpara një vepër të huaj për dijen; dhe kjo sepse Schramm-i i sfidon tezat themelore të etnogjenezës shqipe brenda kufijve të diskursit albanologjik. Përkundrazi, me vepra të gjuhësisë dhe të historisë alternative, si ato të Zacharia Mayani-t, Petro Zhejit, Nermin Vlorës dhe autorëve të ngjashëm, kam pasur një reagim tjetër – që mbase varet nga perceptimi se këto vepra i përkasin një paradigme tjetër, jo-shkencore, nëmos antishkencore.

Njëlloj do të reagonte, besoj, një mjek konvencional, po të lexonte një traktat të mjekësisë tradicionale kineze, e cila mbështetet mbi një teori të trupit të njeriut dhe të sëmundjes që nuk ka pika takimi me biologjinë, ashtu si kjo lëvrohet në Perëndim. Reagimi i tij i parë, do të ishte refuzimi i traktatit, si një lloj përçartjeje magjistari. Reagimi i dytë mbase do të ishte më relativist, dhe do të shoqërohej me tolerimin e idesë se mjekësia është edhe art, dhe ndoshta mjekësia tradicionale kineze arrin rezultate (p.sh. me akupunkturë) me rrugë përndryshe të pashpjegueshme. Reagimi i tretë, nëse do të vinte, do të implikonte nevojën që teknikat e mjekësisë tradicionale kineze të testoheshin në praktikë… duke identifikuar histologjikisht, për shembull, entitetin misterioz të njohur si djegësi i trefishtë.

A është e gabuar mjekësia tradicionale kineze? Shumë mjekë dhe biologë në Perëndim mund të gjykojnë kështu – dhe mbase me të drejtë. Për mua, që mjek nuk jam, dhe veçanërisht në kontekstin e këtij shkrimi, kjo lloj mjekësie ka përpunuar një diskurs të vetin dhe ka ndërtuar një model të objektit të vet, që sot për sot nuk pajtohet gjëkundi, me diskursin dhe modelin e mjekësisë perëndimore, pavarësisht nga rezultatet që mund të arrijë në praktikë.

Që të funksionojë si duhet shkenca, dhe më në përgjithësi dija, ka nevojë sa për një pluralitet teorish, hipotezash dhe metodash, aq edhe për një themel të përbashkët diskursiv, mbi të cilin këto teori, hipoteza dhe metoda të ngrihen dhe të mund të komunikojnë mes tyre. Një shkollë e programuar dhe e menaxhuar mirë, përveçse të formon brenda një paradigme shkencore ose diturore të caktuar, të mëson edhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur këtë “bashkësi” diskursive, aq më tepër sot, kur arritjet shkencore janë gjithnjë e më shpesh fryt përpjekjesh kolektive (vëreni numrin e autorëve pas artikujve në revistat shkencore të mëdha).

Disa nga teoritë alternative, që i shërbehen publikut së bashku me rrëfenjat morale për disidentë të shpërfillur dhe të përndjekur nga establishmenti, dështojnë pikërisht nga paaftësia për t’u integruar në diskursin dituror – me fjalë të tjera, ngaqë parashtrohen përmes tekstesh që “shkencërishten” nuk e flasin, por e shumta e belbëzojnë. Ndonjëherë kjo mund të jetë zgjedhje e vetëdijshme e autorëve, ndonjëherë tjetër mund të jetë pasojë e amatorizmit të tyre ose aftësive intelektuale të pamjaftueshme, të cilat shpesh janë në përpjesëtim të zhdrejtë me vetëbesimin, në mos paranojën e të njëjtëve.

Por që t’i dallojë këto mangësi madhore dhe të orientohet drejt në rrebeshin e informacionit që i derdhin në kokë mass mediat, publikut i duhet edhe shkollimi bazë i shëndoshë, edhe të menduarit kritik – virtyte mendore që sot më shumë nuk i ka (ose i ka humbur), se i ka (ose dëshiron t’i ketë). Rrjetet sociale janë laboratori ku matet shkalla e degradimit të mendimit kolektiv, nëpërmjet artikulimit të përditshëm të raportit mes racionales dhe irracionales – por ky lloj laboratori është i tillë, që edhe i shumëfishon pa dashur eksponatet e veta toksike dhe i përhap anembanë. Të paktën të fillojmë të kuptojmë, që gjërat janë kështu.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Pieter Bruegel the Younger, The Alchemist (ca. 1600).

2 Komente

  1. Përballja midis establishmentit dhe te ashtuquajturës shkencë alternative ka shenjuar te gjithë historinë e mendimit dhe dijes. Nja dy gjëra qe do të doja të vija në dukje. Së pari, jo gjithmonë ajo që ka qënë konsideruar si shkenca zyrtare, ka qene shkencore ne thelb, herë ka qënë ideologji e servirur si shkencë, herë pseudoshkencë e prodhuar nga qefllinj me autoritet. Vetvetiu në këto raste do të vinte dita që keto “shkenca” zyrtare do ta humbnin përballjen me alternativën shkencore të subjektit, që në fakt nuk ishte shkencë alternative por shkenca e vërtetë. Se dyti, shpesh herë shembujt që sillen si fitore te shkencës alternative mbi atë zyrtare jane ato raste kur natyrshëm ka pasur zhvillime të atilla që nuk e kanë permbysur si të gabuar establishmentin, ato thjesht e kane zhvilluar e zgjeruar me tej egzistuesen (si shembujt që sillen ne artikull). Në shkencat natyrore është më e thjeshtë gjetja e balanceës dhe adoptimi I së resë duke sakrifikuar apo zhbërë të vjetrën. Në rastin e Petro Zhejit situata duket mjaft më e komplikuar, por sipas mendimit tim për shkak faktorësh tërësisht jashtëshkencorë.
    Faktorët që përpiqen të imponojnë teorinë (më falni se nuk po gjej dot term më të përshtatshëm duke dashur të mbetem i sjellshëm) e Zotit Zheji janë kryesisht emocionalë. Unë supozoj qe bullgari Petri Zhejov do të mund të sajonte të njejtën teori për bullgarishten, greku Petris Zhejanis për greqishten, rusi Pjotr Zhejin për rusishten e kështu me rradhë. E kam fjalën që nuk shoh se si principet shkencore (nëse ka të tillë) ne bazën e teorisë Zhejiane nuk mund të zbatohen për cilën do gjuhë të gjallë, a të vdekur duke e bërë cilëndo prej tyre gjuhë kozmike.
    Mendoj se “vjetërsia” e shqipes nuk është argument për supremaci. Shqipja e sotme nuk është ajo që ka qënë para satëdoni mijë vjetësh. Puna është se ne edhe nënën e gjuhës së sotme shqipe e quajme pa te drejtë “shqipe”. Eshtë një lloj si Italianët të mburren për vjetërsinë e italishtes duke bërë sikur latinishtja, prej së cilës buron italishtja është “italisht”.

  2. te lutem “tallava” linguistika se folk ka diçka qe ka te beje me folklore etj

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin