nga Edon Qesari
Në hulumtimin historik punohet përmes hipotezash. Hipotezat, nga ana e tyre, janë parashtresa me vlerë relative, që nuk kanë sigurinë absolute të një pohimi të mirëfilltë shkencor dhe të cilat, për t’iu përmbajtur një figuracioni biblik, mbahen mbi këmbë argjile. Ato janë bartëse pikëpyetjesh konstante dhe kokëforta të cilat, në qoftë se nuk u merr koka erë – e nga pikëpyetje të vetëshndërrohen në vula – nuk do t’i japin kurrë historianit sigurinë e pakundërshtueshme të, bie llafi, biologut.
Hipotezat, në njëfarë mase, shërbejnë si një fener ndriçues në errësirë: drita që ai përcjell nuk është natyrore – përkundrazi është krejt artificiale – e nuk ka për ta ndriçuar kurrë gjithë ç’të rrethon; porse mund të shërbejë, edhe me ca doza fati, që të mos ecësh krejt kuturu në errësirë, makar të gjesh ndonjë shteg drejt daljes prej saj.
Përparimi në hulumtim përmes hipotezash, me pak fjalë, e ndih historianin në një sipërmarrje vërtet dëshpëruese; në një terren krejt të errët, në të cilin fare pak thela toke arrijnë të shquhen në tërë atë terr. Hipotezat, me ndriçimin e tyre artificial, gati të trilluar, do të duhej t’ia hapnin rrugën nga një thelë tek tjetra: hipotezat janë njëfarësoj skicimi në hartë që na ndihmon të organizojmë atë pak ç’dimë nga terri i madh që na rrethon.
Do të ishte hall vërtet i madh – hall i madh i joni! – nëse do t’i krijonim vetes bindjen se harta është terreni, e hipoteza është realiteti. Mund të jetë, por mund edhe të mos jetë! Lypet të bashkëjetosh me këtë luhatje, të biesh në paqe me ekzistencën e saj konstante. Lypet t’i mbijetosh tundimit për ta parë argjilën si gur.
E vërteta është se sa më shumë kthehemi pas në kohë, aq më pak dimë; aq më shumë shpeshtohet dhe terri dhe errësohen thelat e tokës që mund t’i zërë ndriçimi i hënës.
Sa më shumë pas kthehemi në kohë, sa më pak dashamirëse bëhet hëna, aq më pak ne dimë.
Sa më mbrapa në kohë lundrojmë, aq më shumë rrallohen të dhënat, dokumentet, dëshmitë, shkrimi, kultura materiale, jeta. Historia është si një pllakë gramafoni që me kohën nis të humbasë tingujt dhe gërvishtjet mbi trupin e saj thellohen, duke ia zhdukur, njëherë e përgjithmonë, muzikën e regjistruar.
Sa më mbrapa në kohë lundrojmë, aq më të rrallë bëhen zërat në shkretëtirë, e aq më i guximshëm, deri në marrëzi, do të ishte zelli për t’i dhënë një emër vendndodhjes. Dhe dihet se në shkretëtirë, ata që duken si oaze janë shpesh vegime.
Vegime mbi fakte, vegime mbi ndodhi, vegime mbi njerëz, mbi gjuhë, mbi institucione dhe struktura, ekonomi, shoqëri dhe mbi mendësi. Zoti na ruajt pastaj nga çasti kur vegimi i jep rëndësi vetes, i hipën në qejf ajo vete, e kthehet në siguri – në pretendim se “e kam parë me sytë e mi”.
Në mund të shtojmë hipotezat, mund t’i bëjmë kapicë – mund të stisim edhe sherrnaja midis tyre, secila e bindur se përfaqëson rrugën më ndriçuese, e thua të vetme, të njohjës së të vërtetës. Prapë hipoteza mbeten; e në mos u marrtë koka erë, siç u tha më lart, do të jenë gjithnjë të vetëdijshme të të qenit të tilla: të pashndërrueshme kurrë në të vërteta.
Natalie Zemon Davis, në kryeveprën e vet The return of Martin Guerre (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1983) e peshon këtë brishtësi – na vjen të shtojmë: këtë brishtësi personaliteti – nga ana e historisë me raportin tejet të luhatshëm mes së “vërtetës” dhe “sajesës”. Që nuk do të thotë se historia regjet në një tretësirë ku shullëhen fakte dhe trille, të qenë dhe të paqena, shkencë dhe fantazi… Do të thotë se të njohurat dhe të panjohurat në të shkuarën, terri dhe spotlights – i pari që shpeshtohet dhe të dytat që rrallohen sa më shumë shkojmë mbrapa në kohë – e kanë të nevojshme të bashkëjetojnë, të ndërthuren. Për Zemon Davis, “e vërteta” dhe “sajesa” veprojnë si sinonime, përkatësisht, të “realitetit” dhe “mundësisë”.
Atje ku nuk kemi gjasë që ta shquajmë dritën e të parit, për shkak të brishtësisë së historisë, na duhet të sajojmë një fener me dritën artificiale të së dytës.
Arsye për të cilën, libri i saj – historia e një mashtrimi, i ndjekur nga një affaire gjyqësor, që bëri shumë bujë në shoqërinë rurale të Francës jugore të shek. XVI – por dhe në tërësi karriera e saj e lëvdueshme akademike, është e tejmbushur me “ndoshta”, “duket se”, “ka gjasa që”, “mund të themi se”, “me shumë mundësi”.
Siç kanë qenë të rrallë, tepër të rrallë, prerësit e diamanteve – të rrallë janë ata që shquajnë vijën e hollë, gati të padukshme, ndarëse midis verum dhe verisimilis.
Dhe ky është, ndofta, ngërçi kryesor e i mallkuar që e përndjek historianin – i cili, nëse kërkon t’i mbetet vërtet besnik Klios së vet të radhës dhe që i ka rënë për hise, nuk ka për t’u kthyer kurrë në biolog. Siç shkenca e tij (errata corrige: arti i tij, në kuptimin e parë që latinët i jepnin termit ars) nuk ka për të marrë kurrë shëmbëllesën e një shkence natyrore.
Është fati i lig i historisë të mos ketë në gatishmëri një laborator të llojit që ka kimia apo biologjia. Por ja që s’e ka: historiani nuk mund të ngrerë hipoteza për revoltë skllevërish në Romën e lashtë, të shkojë në laborator, ta inskenojë një revoltë të tillë – tale quale apo vetëm një pjesë të saj – ta vërë një herë, dy herë, tri herë… sa herë t’ia lypë nevoja, e pastaj të shohë se çfarë ndodh përherë, çfarë përsëritet pambarimisht në një revoltë skllevërish, e kësisoj të shpallë një të vërtetë të pamohueshme, motu proprio, duke u kurorëzuar në fund me një ligj. Një ligj të historisë.
Puna është se historia nuk ka ligje, nuk ka konstante. Një revoltë mund të shkojë mirë ose keq, në varësi të rrethanave, në varësi të njerëzve që e nxisin, në varësi të njerëzve që e shtypin, në varësi të njerëzve që e sodisin. Të gjithë këta, nuk janë kurrë të njëjtët, e secili prej tyre bën ligjin e vet. E kur ka shumë ligje, Ligji është vetëm një ide platonike që shërben për të eglendisur dogmatikët.
Puna është se sa më i thellë i hyjmë historisë, aq më shumë ndërgjegjësohemi për laboratorin që mungon. E vegimi i të qenit shkencë, nga ana e historisë – shkencë në kuptimin që zakonisht i japim diçkaje që është kështu siç është dhe “i ka vdek’ nona muhabetit” – kthehet, nga vegim që ishte, në pompozitet.
Në rastin më të mirë, historia që pretendon se jep përgjigje shkencore, historia që noterizon vdekjen e nënës së muhabetit, kthehet në interes: në interes kombëtar, për shembull: më i duartrokituri, më i adhuruari i interesave. Duket, gati-gati, se sa më shumë kombëtar të jetë ai interes, aq më pak interes është. Një interes që s’është aspak interesaxhi.
E theksoj këtë në valën verore që ka përfshirë një pjesë të erudicionit në shqip, pas botimi të një artikulli në revistën shkencore ndërkombëtare “Science”, ku, nga një ndërthurje sasiore të dhënash multi-disiplinore (linguistikë, studime gjenetike, arkeologji), është ngritur një hipotezë mbi proto-gjuhën indo-evropiane (PIE): kryesisht për sa i përket vatrës së saj zhvillimore, duke u nisur nga disa vëzhgime që kanë të bëjnë me degëzimet e mëvonshme të indo-evropianishtes dhe mbetjeve që kjo ka trashëguar në gjuhët e sotme të rrjedhura prej saj (artikulli, në modalitetin pay-per-read, mund të lexohet këtu; përndryshe, një përmbledhje e mirë e findings, mund të gjendet këtu).
Në tërësi, hulumtimi i ka lejuar autorët që të ngrenë disa hipoteza mbi “atdheun” e mundshëm të PIE-s – duke e çuar këtë diku në Kaukazin jugor, gjeografikisht të zhvendosura nga vatra të propozuara në të tjera hipoteza pararendëse, si në Anadoll, apo në jugun e Azisë Qendrore (Bactria–Margiana Archaeological Complex); por edhe mbi vjetërsinë e kësaj proto-gjuhe, e cila sipas hipotezës së autorëve kalon 8000 vjetët nga momenti kur ka nisur të shpërndahet dhe të shpërbëhet në gjuhët e sotme me prejardhje indo-evropiane.
Janë të gjitha hipoteza që, nisur nga pozitat e një akademizmi jo fodull, nuk pretendojnë kurrsesi të marrin vlerën apo jehonën e një të rëne të lapsit; aq më tepër që kundërshtitë, metodologjike dhe thelbësore, nga artikullit vijnë nga zëra dhe qendra studimore jo pak prestigjioze.
(Për vete, do të kisha rezerva të mjaftueshme për një studim që përpiqet të ngërthejë të dhëna gjenetike dhe të dhëna linguistike; shpesh, më shumë se shpesh, provat biologjike, siç janë mbetjet gjenetike, nuk përputhen me dëshmitë e natyrës kulturore, dhe ADN-ja e tërhequr nga një skelet vështirë se do të më rrëfejë gjëkafshë mbi gjuhën dhe zakonet që ka pasur skeleti. Mbi të tilla gërshetime disiplinore mund të ngrihen hipoteza të shumëllojshme, por në të shkuarën, kur eugjenetika pretendonte se gjaku përcakton kulturën, e madje gjykonte se cila kulturë sheh nga lart e cila nga poshtë – e pra, ato kohë nuk kanë qenë më të mirat e mundshme, as për shkencën e as për shoqërinë.)
Por kaq ka mjaftuar që në mediat (veçanërisht ato sociale, por jo më pak të etura kanë qenë edhe ato tradicionale) shqip studimi të popullarizohet për shkak të rolit kyç që në të, e veçanërisht në pemën e gjuhëve me prejardhje indo-evropiane që artikulli i “Science” ndërton, i jepet gjuhës shqipe – e vendosur kjo në pole position, së bashku me armenishten dhe greqishten, si evolucione të para, historikisht të shënuara, të PIE-s. Gjë që ka nxitur një patriot atje, një factotum këtu, një studiues alternativ andej, e një aktivist rrjetesh këndej, që të shpalosin flamurin e të vërtetës së madhe: se shqipja është nëna e nënave, se akademizmit zyrtar të Tiranës që mbase është i paguar nga sllavët dhe grekët, i është çjerrë maska më në fund, se shqiptarët marrin kësisoj vendin e tyre të merituar në historinë kozmike.
Është gjithnjë interesante të vëresh sesi kundërshti, të cilat në kushte normale do të ishin sinonim i një debati mes kolegësh me qasje të ndryshme studimore, në Shqipëri farmakosen me lloj-lloj sulmesh (më së shumti të ngarkuara me kategori morale dhe politike), të tilla që e shndërrojnë çfarëdolloj serioziteti në farsë televizive.
Mbi masën e madhe të materialit sensacionalist që prodhon ky komunitet i jashtëzakonshëm zejtarësh të albanosferës, e sesi media tradicionale arrin t’i shfrytëzojë (shpesh herë pa pasur nevojën e një shkëmbimi monetar) për të rritur audiencën e vet, është shkruar shpesh në këtë revistë. Ndaj s’do të ishte as e këshillueshme, e as e përtypshme që të këmbëngulej në këtë drejtim. Qoftë edhe as për të bërë gallatë.
Porse, do të më lejohet veç për një çast paragjykimi i të vënit në dyshim të leximit – të leximit të vërtet – të artikullit shkencor të përmendur më sipër nga ana e shumë prej këtyre lajmëtarëve të zbulimeve që bën bota. Përndryshe, është vështirë të kuptohet se ç’lidhje ka kozmogonia e shqipes (apo pellazgjishtes, nëse duam), interesat e shitura tek sllavo-greqizmi etj. me hipotezën bazë të shkrimit të “Science”!
Është vërtet e vështirë të mos konstatosh se cilës gozhdë i bien autorët e artikullit, e cilin patkua, për qejf të tyre, godasin zotërinjtë apo zonjat që janë kanë përveshur mëngët këto ditë në mediat shqip.
Një pjesë e madhe e pohimeve që në artikullin e shumë valëvitur bëhen, e që prekin gjuhën shqipe, vijnë nga hipoteza të shpalosura më herët. Prejardhja e shqipes nga ilirishtja për shembull, pavarësisht provave jashtëzakonisht të varfra materiale dhe dokumentare që disponohen mbi këtë gjuhë, si koine e gjithë të folmeve të mundshme ndër fiset ilire, nuk është risi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sa i përket ndërtimit të një gjenealogjie (ose të një peme me degëzime) të gjuhëve, ku vendi i shqipes në një trio me armenishten dhe greqishten qarkullon prej dekadash tashmë. Sërish, nihil sub sole novum.
Përpos, ajo çka të lë pa fjalë, në tërë këtë mesele, është zelli i komentuesëve shqiptarë për t’i vënë vulën – e për të shtuar vulat e tyre kozmo-kozmetike – disa hipotezave që këmbëngulin të jenë t’i mbeten besnike identitetit vetjak nga vetë autorët e artikullit dhe nga diskutimet që janë ndezur, për pasojë, në komunitetin shkencor ndërkombëtar. Sepse vetëm duke iu ruajtur çfarëdolloj epshi për të shprehur siguri absolute mbi një kohë, si ajo e zhvillimit dhe shpërndarjes së PIE-s, që i ngjan më shumë mitit se historisë, mund të arrihet t’i përmbahemi seriozitetit të hulumtimit. Atij serioziteti që merr përsipër dhe është i ndërgjegjshëm mbi pamundësinë e pasjes së një time machine, por edhe të ngushtësisë/kufizimit të burimeve që, në lidhje me historinë e epokave më të hershme, zotërojmë sot.
Në Shqipëri, dhe në albanosferë në përgjithësi, ka një dëshirë të zjarrtë për të kapërcyer çfarëdolloj ngurrimi për të bërë pohime absolute në lidhje me të shkuarën e hershme. Sidomos nëse kjo e fundit bart mundësinë e të vulosurit të një primati (populli më i moçëm, gjuha më e parë, origjinë nga zotat). Është tregues i qartë i faktit se në këtë ambient ka një etje, të pashuar kurrë, për ta justifikuar të tashmen e mjerë, të sotmen që kutërbon, me humbjen e një golden age të shkuar. Dhe në publikun e gjerë ka nevojë për ngushëllime të këtij lloji: sot jemi në këtë farë derexheje, por shekuj e shekuj më parë ishim atje lart, në krye të të gjithëve.
Romantizimi i një të shkuare aristokratike i shkon përshtat edhe një djepi kulturor, me tipare të përgjithshme “akademike-ballkanike”, që kërkon t’i gjejë rrënjë dhe përligjje historike sprovave të vështira politike që lyp aktualiteti. Të themelosh një shtet apo një komb nën altarin e një lavdie të shkuar perandorake – sado artificial dhe i stisur të jetë asocimi – duket se ka qenë, qysh në shek. XIX dhe me ç’duket vazhdon të jetë sot, mjeti më i mirë për të tërhequr apo masivizuar mbështetje në këtë kënd të Evropës.
Është ky ndoshta thelbi i kërkesës për ta vënë historinë (por edhe arkeologjinë, gjuhësinë, antropologjinë etj.) në shërbim të interesit kombëtar, siç dëgjohet sot nga shumë anë. Sepse ekziston besimi (i çalë sipas meje) se një e shkuar e fisme na është rrëmbyer, e rimarrja e saj, përmes historisë, arkeologjisë etj., do të na rregullonte shumë gjëra. Së paku sedrën dhe nderin e humbur.
Kategori, këto të fundit, që nuk para e ngacmojnë frymën e hulumtimeve serioze, e cila, siç duket bashkëjeton dhe mbijeton fare mirë me hipoteza/hamendje, pa dashur t’i këmbejë këto me zor në “fakte” dhe “prova”; duke mos pasur një të sotme të mjerë, e duke mos e parë të shkuarën si një ilaç apo opium të të tashmes.
Postil, në të tilla raste, mund të ishte kritika që Gibbon-i, një ndër etërit e historiografisë moderne, s’ia kurseu vetes ndërkaq që i zbërthente lexuesit burimet e përdorura për hartimin e veprës së vet, andej nga fundi i shekullit XVIII: “E ndiej si detyrë ndaj vetes dhe të vërtetës historike që të shpall se disa rrethana të përshkruara në këtë paragraf janë të mbështetura vetëm mbi hamendje dhe analogji. Rreptësia e gjuhës sonë më ka shtrënguar ndonjëherë që t’i shmangem kushtores duke përdorur dëftoren”[1]
[1] [“I owe it to myself, and to historic truth, to declare, that some circumstances in this paragraph are founded only on conjecture and analogy. The stubbornness of our language has sometimes forced me to deviate from the conditional into the indicative mood.”] nga History of the Decline and Fall of the Roman Empire, vëllimi i tretë kapitulli XXXI.
© 2023 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Nje autore e huaj e pershkruante si :”sindrom i malokeve ballkanas ,te cilet ne mungese te arritjeve bashkekohore e mbajne gjalle vete respektin e tyre kombetar me histori mbi trimerine e fisikerine e te pareve te tyre .” Kombet e pasura mbahen te lidhura bashke ne baze te krenarise per prosperitetin dhe arritjet e tyre bashkekohore .Kombet e varfera mbahen lidhur ne baze te miteve mbi lavdine e motit te shkuar .Hiqu shqiptareve mitin e Skenderbeut apo ate te origjines se lashte ilire ,cfare mbetet?Sidomos ne kohen kur pas renies se komunizmit u krijua nje vacuum ideologjik e moral ,nacionalizmi sado anakronik e qesharak te pakten eshte dicka persa kohe qe vendi nuk asnje lloj tjeter arritje bashkekohore me te cilat te krenohet .Duhet te vazhdojme te genjejme veten edhe per nje fare kohe so to speak .
Unë, në fakt, nuk njoh ndonjë komb – dhe këtu i referohem më tepër se vetëm sinisë së Ballkanit -, që s’e ka mbytur veten me absurditete dhe mite. Sepse kombi është pasojë e nacionalizmit, nacionalizmi është pasojë e kapitalizmit, por njëkohësisht kapitalizmi e shfrytëzon atë për të përbashkuar dhe rregulluar marrëdhëniet e agjentëve, që nënshtron.
Faleminderit!
Më në fund, nga nje studiues i historisë, ajo që duhet për të paktën koleget e mi gazetarë, që të kuptojnë se rezultatet e studimeve shkencore ne pergjithedi, dhe ato ne fushë të historisë te gjuhes shqipe në veçsnti, nuk mund të komentohen si ndeshje futbolli.
Faleminderit edhe per angazhimin tuaj, në këto çaste histerie te injorantëve që ushqehne dhe ushqehjne njeri tjetrin, me të rreme të sajuara, nxitur nga nje lajm sugjerues mbi kerkimin e saktesimit te vendformimit te gjuheve indoeuropiane, ne te cilin grup qe nga koha e F Bopit, konsiderohet edhe gjuha shqipe (se bashku me pemen e fameshme shpjeguese).
Sinqerish
Ilir Mati
Nuk kuptova ndonje gje te madhe, se ngjyresat artistike me kerkuan me shume neurone se c’mund t’i kushtoja leximir, po kjo kenga vajtonjese pas cdo studimi qe ve shqipen ne krye te tryezes, po fillon te trashegohet sikur te kete ndonje dinjitet kohor, ne vend qe te jete si puna e kokoshkave ne kinema, si i ka hije.
Ajo qe do te thote autori eshte se kur flitet per teori mbi histori te origjines se shqipes dhe te shqiptareve duhet vene perpara togfjaleshi “mendohet se” sepse shume pika jane te erreta .Ne kete teme flasin me siguri te plote jane ata qe dine pak apo aspak ,ndersa te diturit jane te rezervuar ne dhenien e opinioneve te prera sepse sa me shume hulumtojne aq me shume pikepyetje dalin.Nuk jemi populli i vetem qe e perdor historine si bicim hashashi shpirteror per tu ndjere mire per veten e jo per te mesuar te verteten por a duhet te drogohemi shpirterisht meqenese keshtu ben gjithe dynjaja?
“Mendohet se” duhet te kesh te qarte se nuk mund te thuhet vetem per prejardhjen e shqipes dhe te shqiptareve!!! “mendohet se” normalisht thuhet per te gjitha gjuhet dhe popujt e tjere, gjithashtu! Mirepo kete “mendohet se” sic po thuhet me lart do duhet ta kene parasysh vetem shqiptaret (ndoshta edhe armenet). Po neogreket jo. Per ta nuk ka “mendohet se”.Qe te jemi te hapur dhe te qarte, duke qene se sllavet nuk i ve kush ne refene per ceshtje lashtesie (pra sllavet jane te humbur paraprakisht), ketu i gjithe perdorimi i ketyre hipotezave historike perdoret kunder neogrekeve. Aq me teper qe armenet jane larg dhe problemet i kane me turqit. Pra idea eshte, a funksionon kjo “mendohet se” per prejardhjen e greqishtes se re dhe grekeve te rinj!? Qe te jemi te sinqerte, ketu behet gjithe “konkurenca” me keto hipotezat, midis shqiptareve dhe neogrekeve. Kush nuk ka informacion, do ishte mire te merrte informacion. Per neogreket nuk ekziston fare kjo “mendohet se”, as nga rrethet brenda Greqise e as nga rrethet filohelene ne bote. Nuk ka “mendohet se”, fare, po fare fare. Ndersa per shqiptaret duhet patjeter te kete “mendohet se”. Dikush mund te thote se helenet kane dokumente te pafund te shkruara, qe paraardhesit e shqiptareve nuk i kane. E cfare pastaj. E para neogreket e sotem “mendohet se” nuk kane lidhje me helenet. E dyta “mendohet se” neogreket e sotem jane popullsi te ndryshme ballkanike (dhe jo ballkanike) qe jane amalguar vetem pasi eshte krijuar shteti neogrek, me hir apo pahir. Keto jane te gjitha “mendohet se”, se ato qe “nuk mendohet se” jane padiskutim se negreket jane pasardhet “te paster” te heleneve, bashke me gjuhen dhe kulturen. Madje as qe “mendohet se” gjuha e makedonasve te lashte, e epiroteve te lashte, e thrakasve te lashte ishte dicka tjeter pervec nje “dialekti” te helenishtes (tashme se fundi edhe gjuha e dardaneve dhe ilireve pa u “menduar se” ishte po ashtu). Pikerisht mbi bazen e hipotezave gjuhesore-historike, qe nuk ka persiper shprehjen “mendohet se”, sot gjysma e Makedonise, gjysma e Epirit, gjysma e Thrakes jane pjese e Greqise se re. E kur i kane aneksuar, aty nuk ekzistonin “greket”, per sot ato zona jane plot me neogreke.Por ju vazhdoni te deduktoni “mendohet se”. Aaaa ne shqiptaret duhet te tregohemi te drejte, te ndershem, te llogjikshem, luajale, te kuptueshem, te tolerueshem, zemermire, te embel, bujare madje madje duhet te jemi kritike interesante ndaj hipotezave dhe duhet te kemi gjithmone parasysh “mendohet se”. Keshtu ne behemi perseri “siperore”, por kete rradhe nga nje drejtim tjeter, jo si te tjeret. Ne jemi te ndryshem pra, s’jemi si te tjeret, sepse keto hipotezat nuk i perdorim dhe nuk duhet ti perdorim, sepse ato jane “mendohet se”, ne jemi siperore praaaa, por ama me gishtin ne goje …
Si e ve ne dukje dhe dulja : A duhet te genjejme dhe ne meqe genjen gjithe dynjaja apo duhet te ndjekim faktet pavaresisht se ku na cojne ?Pastaj c’eshte ky obsesim me lashtesine , te lutem shume?O duhet te dalim me te lashte se te tjeret o rashe e vdiqa.Ja edhe dolem me te vjeterit e dynjase e pastaj? Aborigjinalet e Australise jane populli ndoshta me autokton ne bote , 45000 vjet ne te njejtat troje qekurse homo habilis zbriti sefte nga pemet e iku nga Afrika e s’kane pare ndonje hair te madh nga lashtesia e tyre.
Shume mire qe na i the keto gjera. Por une kam mendim tjeter. Cdo vend ka historine e tij, gjuhen, kulturen, traditat me te cilat identifikohet dhe njihet nga te tjeret. Ashtu sic do njeri ka emrin e tij, familjen e tij dhe qe kerkon te njihet dhe te respektohet nga te tjeret. Ndryshe ai vend dhe ai popull asimilohet harrohet dhe fshihet nga memoria.
Ne kushtet kur popilli shqiptar apo shqipfoles ka mbijetuar ne kushte te veshtira deri ne asgjesim me shekuj, eshte e qarte qe mund te kete edhe mbi vleresim te gjuhes apo te dhenave te historise, por kjo duhet kuptuar si nje reagim per tu mbrojtur nga asgjesimi, nga mohimi apo persekutimi. Shiko sesi e bene historine Greqia, Serbia apo edhe vet Itali mbi Perandorine Romake, sa shume e ngrejne lart dhe e mbrojne ate,madje duke thene qe shqiptaret i ka sjelle Sulltani nga anadolli kur ka pushtuar Ballkanin. Jane mbushur te gjithe biblotekat e Evropes me historine e rreme qe shqiptaret jane turqit e sjelle nga anadolli per te zene tokat e serbeve dhe grekeve. Madje me kete historiri te rreme ata preteteondojne se kane te drejten e shfarosejes dhe asimilimit te shqiptareve ne Greqi apo ne Serbi, apo te ngrene pretendime per rimarrje territori.
Sa per shpjegimin tend per hipotezen dhe pamundesine e gjetjes se te vertetes absolute mbi ngjarjet historike, si mendon qe kete qasje ta ndjekin edhe historiane te tjere ne Greqi, Serbi apo ne Evrope si do te ishte historia e Evropes.
Shume drejt Gento, sa me shume te rrejne kundeshtaret e tu aq me shume duhet te rrejsh edhe ti. Me kete llogjike fitimtari mbetet rrenacaku me i madh. Jo keq!
Ju jeni Rrena vet.Ju jeni ata te njejtit qe vrat me duart tuaja bartesin e shkronjave.Por tani ne kohen e internetit jeni te humbur krejtesisht.Sa qe del nje coftine akademise e shqiperise mohon studimin internacional dhe thot se serbishtja eshte para shqipes.Nje gjuhe sllave me 50 turcizma kjo eshte idiotsi e pafalshme e nje kreteni te diplomuare.
Këtë koment e kalova, që të krijoni një ide se çfarë mizash na kanë hyrë në shtëpi. Kish edhe të tjera të këtij kallëpi, madje më të egra, mbase nga i njëjti person, që më duket shumë i shqetësuar. “I gjithë populli ushtar” thuhej në kohën e Enverit. Tani do të na duhet të themi: “I gjithë populli gjuhëtar”.
Shpate, ik e prifu e pastrohu se paske zone nryshk.