Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
1x10

1X10 VDEKJA E ENVER HOXHËS

Titulli: Vdekja e Enver Hoxhës.
Autori: Pëllumb Kulla
Shtëpia Botuese: Toena
Përzgjodhi: D. Kokonozi

 

1. 

Aty ishte vetëm një kufomë e boshatisur, një objekt pune. Pjesë të organeve të tij ishin hequr tej. Njerëz, para meje, patën punuar mbi të dhe vazhdonin të punonin, që ai të merrte edhe një herë, për herë të fundit, formën dhe pamjen e rëndë madhore, atë që jetonte në përfytyrimin e milionave vetëve. Pra, Komandanti dukej se qe i çmontuar, i shpërbërë, i hapërdarë, ca nën çarçaf, ca në ato pjesët që kirurgët dhe ai njeriu me sytë e lidhur i ndanë nga trupi, ca në zyrën e Kryesisë, ca në ambientet e familjes, ku duhet të kish pikëllim gjithsesi.

2.

Njeriu ishte vërtet atje, në dhomën time. E kishin sjellë dhe ai po na priste. Ne e gjetëm në këmbë, ngaqë, si dukej, ai qe ngritur sapo dëgjoi zhurmën që bëri çelësi im, tek hapja portën. Nuk na përshëndeti dhe as ne nuk e përshëndetëm. Rrinte si më gjemba, mjaft i trembur duke pritur një urdhër a një qortim nga Teloja, të cilit, me sa vura re, i trembej shumë.

Kishte shtatin e atij, për të cilin qe zgjedhur ta dublonte. Dhe sidomos i ngjante shumë, jashtëzakonisht shumë. Dukej e gjitha si një situatë sureale. Dhe sureale e bënte më shumë fakti, që shëmbëlltyra e atij njeriu që kisha përpara ndodhej i vdekur disa metra më tej, në dhomën përbri.

Dhe ne, te ky, e shihnim përsëri të gjallë.

3. 

Aty ra një heshtje, nga ato të rrallat fare. Ai i qe afruar thelbit.

“E hidhur është sa nuk bëhet, po, a keni menduar ndonjëherë, se Komandanti një ditë do të na lerë? Si po përgatitemi ne?”

Heshtje po heshtje, kjo e dyta! Heshtja e parë ishte lule, para kësaj!

Ish nga ato që bëjnë të të buçasin veshët nga shurdhëria. Si arriti t’ia thotë goja atë gjëmë!

“Hë mo, po ju pies: e keni menduar, që shoku Komandant një ditë do të na ikë?”
Kush t’i përgjigjej kësaj pyetjeje?! Le që ajo nuk ish pyetje. Ish bubullimë!

Të ftuarve ua hoqi litarin Nora, që erdh’ e solli kafetë. I ndau ajo dhe kushedi sa do jetë habitur që ata, shtatë burra aty, nuk lëshonin asnjë pipëtimë! Tamam sikur burrat të paskëshin prerë në mes një muhabet femrash. Veç, tek tuk, dëgjohej ndonjë përplasje luge, pas filxhanëve të kafesë. Nora mbaroi punë dhe i la. Kjo kohë qe mjaft për Namikun, drejtorin e Pallatit të Kulturës, për t’ia gjetur një përgjigje të parit të partisë. E ndjente drejtori i Pallatit të Kulturës, se atij i binte barra, si më i vjetri nga të tjerët. Kështu, që kur Aziz Dejazi e bëri pyetjen për të tretën herë, drejtori nuk priti që i zoti i zyrës, t’i vinte pikë pyetjes.

“Vetëm ai nuk vdes!” i a ktheu Namiku me zë shpelle.

“Nuk ka vdekje për Komandantin, shoku Aziz!” kish menduar një

përgjigje dhe e dha, edhe poeti, Moisi Dhëmblani. “Për ne, po. Për të, jo!”

Sekretari i Parë pa të dytin.

4. 

E gjetën shtëpinë e Vitorisë. Ajo banonte në një lagje të qetë, ku sokakët nuk e njihnin asfaltin, teksa kalldrëmin e kishin të punuar nga ustallarë të vjetër.

I trokitën në portën e oborrit. E gjetën në shtëpi. Ajo i priti njerëzit e Pallatit të Kulturës tok me burrin dhe i futi ata në dhomën më të mirë, aty ku prisnin miqtë. Ulviu u tregoi arsyen e ardhjes së tyre. U kërkoi ndjesë që po ua zinin shtëpinë ditën e djelë. Pastaj e vërtiti muhabetin edhe më mirë se ç’e kishin bërë sekretarët me ta. Burrë e grua dëgjuan se çfarë kërkonin ata nga Vitoria dhe nuk nxorën asnjë fjalë, sikur patën përpirë gjuhët. Zonja e shtëpisë, pa dhënë përgjigje fare, doli të merrte diçka që të qeraste mysafirët, kurse burri kyçi gojën dhe nuk dinte ku t’i shpinte sytë. Pas pak vajti dhe ai, bashkoi të shoqen dhe, nuk kishin kaluar as pesë minuta, kur burrë e grua u shfaqën të dy. Nuk sollën as liko e as kafe, por katër sy që lëshonin flakë.

“Qërrohuni që këtej!” i u shkreh gruaja që ata e kishin caktuar të udhëhiqte ison e vajit. “Zhdukuni nga shtëpia ime dhe të mos u a shoh bojën! Zuzarë! I merrni të keqen Komandantit, ju!”

Të dërguarit e Pallatit u ngritën në këmbë edhe deshën t’i sqaronin edhe më mirë, por aty hyri në valle burri. Ata bërtit – e ai ulërit! Buçiste odaja e miqve e nuk merrte vesh qeni të zonë.

“Mbathjani sa s’kam rrëmbyer çiften!” tha më në fund burri i Vitorisë, “se po e mora, do t’jua mbush zorrët me saçme!”

“More, dale,” u tha Fatosi. “Se na nuk jemi as të marrë dhe as armiq.

Kemi një porosi partie. Porosinë e kemi nga vetë shokët e ngushtë të Komandantit!”

“Ia kemi parë shokët e ngushtë atij, na! Dyzet vjet që përpiqen  t’i bëjnë varrin!” nuk mbahej burri.

E tërë mëhalla do të qe ngritur në këmbë.

Dy të dërguarit deshën të iknin nga sytë këmbët, por nuk arritën. Duket se Vitoria u paskësh bërë zë edhe djemve të saj. Ata hynë që të tre me tërsëllëmë dhe e iu bënë krah babait. I shtynë vizitorët në oborr drejt portës, pastaj zunë t’i godisnin me këmbë dhe me duar, me grushte e me shkelma. Të rrahur, po të rrahur! I hodhën jashtë shtëpisë, e i plasën mbi kalldrëm, po për fat asnjeri nuk i pa. Aty mbi gurët e sokakut, instruktorët e Kulturës nuk po i ndjenin shembjet, se ishin akoma të nxehtë. Ulviut i dukej një e çarë në ballë dhe ata u morën gjatë me të deri sa e ndalën gjakun që rridhte.

Vendosën të mos ankoheshin gjëkundi.

5.

Sekretari i Parë i nxiti që të fillonim pa vonesë përgatitjet e tha se të nesërmen ai do të vinte vetë, që të shihte se çfarë do të ishte bërë.

Dhe të nesërmen në mbrëmje Aziz Dejazi erdhi me një grup të madh njerëzish, që mbushën gjysmën e sallës së teatrit. Në këto dy ditë radhazi qe bërë vërtet një punë e madhe. Kur i panë bashkë në skenë gjithë elementët e veçantë të nderimit dhe vajtimit të të vdekurit të shquar, u vu re se angazhimi i njerëzve që punonin në Pallatin e Kulturës, paskësh qenë më i gjerë, se sa vetëm harmonizimi i gjashtë grave, që qajnë me bot duke shoqëruar të parën e tyre që thotë vargjet. U duk mirë kjo në atë rreshtim të njëpasnjëshëm të klithmave të dhimbjes, që atë mbrëmje iu paraqit Sekretarit të Parë dhe tërë atyre njerëzve të heshtur, që e ndjenin veten të nderuar që mundën të hyjnë në këtë shfaqje të çuditshme, të një lloji të paparë ndonjëherë.

Ishte vërtet atmosfera e provave te përgjithshme, njësoj si ajo kur bënte teatri, estrada dhe ansambli muzikor i qytetit. Njësoj u hap perdja, njësoj lëviznin aktorët nëpër hapësirën e skenës, njësoj në sallë instruktorët e komitetit të partisë merrnin shënime të shfaqnin opinionet dhe propozimet e tyre. Veçse morti, që ishte thelbi i subjektit, ua kish kyçur gojët të gjithëve. Muzika që kish zgjedhur Ulviu të mpinte. Pallati i Kulturës, një herë të vetme në dyzet e ca vjet, shëmbëllente me një katedrale.

6.

Para se të fillonte paraqitja, Moisiu erdhi dhe solli një lajm të tmerrshëm, por shumë, shumë, shumë të rezervuar! Iu ul afër shokut më të ngushtë që diç po shkruante aty në radhën shtatë, vuri dorën mbi gojë dhe tha me pëshpërimë:

“Fatos… Ai paska vdekur vërtet!”

“Kush ka vdekur vërtet?” e pyeti me pëshpërimë edhe Fatosi.

“Ai. Komandanti.”

Fatosi u bë kallkan.

Atëherë Moisiu me fytyrën e qeshur, sikur bënte shaka, si me tallje, e goditi në sup dhe me një alarm të fshehur në zërin që i dridhej, e urdhëroi: “Mos bëj asnjë lëvizje e asnjë koment! Se do të na marrësh në qafë të dyve! Është lajm i tmerrshëm! Sapo ma thanë. Nuk e tregoj se kush ma tha, sikur të ma presin mishin thela-thela.”

Me ato lloj pëshpërima të egra që dilnin nga një gojë e qeshur, që bëhej ashtu për sytë e të tjerëve, poeti të kallte tmerrin.

“Më mirë të mos ma kishe thënë!”

“Nuk e mbaja dot.”

“Këta të mëdhenjtë e partisë këtu, e dinë?”

“Më duket se jo,” ia ktheu Moisiu. “Vdekja ka ndodhur, por kushedi se kur e shpall kryeqyteti tani. Këta kanë pamjen dhe humorin e zakonshëm. Do të jenë artistë të mëdhenj, në qoftë se e dinë dhe bëjnë sikur nuk e kanë marrë vesh!”

7.

“Të kishin parë duke qarë,” tha Operativi ndërsa ndizte cigaren e tij.

“Kush?”

“Roja. Nga penxherka e fshehtë e portës. Ai kish thirrur pastaj edhe dy shokë të tjerë dhe fshehurazi të kishin vëzhguar ty, që të tre.“

Kujtimi ia nguli sytë duarve të tij të palidhura dhe nuk nxori zë. Operativi vazhdoi të thithte cigaren dhe të bashkonte heshtjen e tij me atë të Kujtimit.

Ishte po oficeri që e prishi.

“Është qarë e derdhur shumë lotë në të gjithë vendin. Nga Tirana kanë ardhur udhëzime që të mblidhen tërë vajet, tërë vjershat, tërë letrat e ngushëllimit, tërë ngjarjet prekëse, të jashtëzakonshme që lidhen me këtë vdekje të madhe.”

Kujtimi nuk dinte se ç’të thosh për këto gjëra që i tregonte Operativi me atë zë të butë. Ai nuk e kuptonte dot, përse ia thoshin këto. Dhe, në fund të fundit, po i vinte inat që nuk po e nuhaste përse e kishin thirrur.

“Dhe lotët e tu, aty, ku nuk të shihte njeri, ishin një gjë e bukur, e jashtëzakonshme, që ne kemi vendosur ta raportojmë. Dje dhe sot kanë qarë disa nga të burgosurit, por ajo u ka ardhur nga një dëshirë për t’u dukur, për t’i parë ne. Logjika thotë, që ata duhet të gëzoheshin.”

Tjetri e dëgjonte oficerin me vëmendje dhe e besonte në ato që thosh. Por ende kish dëshirë të zbulonte shkakun, se përse po ia tregonin. “Kurse vajtimi yt në vetmi,” vazhdoi Operativi, “ish i mbyllur, pa përpjekje për t’u parë, se nuk kish kush të ta shihte, mes katër mureve. Ish një vajtim, që, siç më thanë, kish vazhduar me orë. Ish tjetër gjë, ai, i yti! Unë, sinqerisht, vetëm tani e besoj, se ëndrra për të cilën të futa në birucë, paska qenë e sinqertë, pa pikë urrejtjeje. Përkundrazi. Ne do t’ia raportojmë qendrës lotët e tu të ngrohtë për shokun Komandant. Gjëja më e rrallë në tërë burgjet tona! Nuk e kam në dorë unë, por ama, jam i sigurtë, që falja e dënimit tënd duhet të jetë punë ditësh.”

Kujtim Gjyzari e urreu veten, që e kish kuptuar aq vonë oficerin.

“Shikoni, zoti Operativ… Hm, nuk di a keni dëgjuar historinë time me birucat, se si e nisa burgun dhe përse më ndëshkonin. Shumë vetë e dinë atë histori. Unë nuk kam ndryshuar shumë, që atëherë.”

“Nuk po të kuptoj,” tha Operativi.

Kujtimi mori frymë thellë.

“Nuk qava për Komandantin!” Dhe duke përfituar nga hutimi i oficerit, shtoi: “Dhe për ëndrrën, mua më vjen turp që e pashë ashtu. Dhe që e tregova.”

Ulurima e operativit u dëgjua në tërë burgun:

“Në birucë! Egërsirë! Gëzohuni, por mos mendoni se jeta juaj do të bëhet më e bukur pas vdekjes së tij! Do ta shikoni! Në birucë! Menjëherë! Roooojeeee!”

Kujtim Gjyzarin e plasën përsëri në birucë.

Pas pak, dikush hapi saraçineskën dhe dalëngadalë uji arriti në nivelin e kërcijve të të burgosurit.

Kujtimi vetë nuk i shtoi më asnjë pikë nga lotët e tij.

Radioja vazhdonte të jepte muzikë funebre.

8.

“Melis, sapo më treguan një barceletë fantastike, që do të të pëlqejë pa masë edhe ty. Njëri e zuri gruan…”

Këta artistët janë leshko, për nder. “Nuk e kam mendjen tek barceletat sot?” i thashë prerë me qortim.

“Ti nuk e ke marrë vesh?!!”

Ai u bë menjëherë serioz dhe i vëmendshëm.

“Çfarë?!” më pyeti shumë i shqetësuar. “Mos e ke fjalën për atë, që na ka vdekur ai, i madhi? “

“Po,” i a bëra. “Pak të duket?!!!”

Ai u qetësua, që unë nuk kisha për t’i thënë ndonjë gjëmë tjetër më të  madhe akoma.

“Atë e dimë, or babaxhan.Por akoma nuk na e kanë bërë të njohur. Ky është lajm i sjellë me pëshpëshe. Me pëshpëshe, nuk do të merremi ne!”

“Po është i sigurt, ama!” ngula këmbë unë.

“Mijë për qind i sigurt!” nguli dhe ai. “Por do presim orën. Na thanë se pikëllimi do fillojë më dymbëdhjetë. Gjëmë e madhe do jetë, për nder!”

Më leshko se ky djalë, nuk kisha parë gjer atë ditë e nuk kam parë as gjer sot.

“Po mirë, ore,” i thashë i nxehur. “Të duket me vend, që edhe e di lajmin, edhe m’i bie kitarës, më dëgjon barceleta dhe qesh e zbardh dhëmbët, në një ditë si kjo?!”

Ai, mëndjepyka, m’u zemërua.

“T’ëmën, po si, bre, të mos qesh! Edhe ay që na e tregoi barceletën, e dinte që shoku Komandant na ka lënë. Po pse, si thua ti, o mëndjelli, të rri turivarur-a?! Po sikur të vijë ndonjë…  nga ata…  nga ata-de! E ai të më thotë: pa hajde këtu ti shok: kush të ka thënë të vrerosesh? Kush ta dha lejën të fillosh pikëllimin i pari? Nga e ke marrë vesh? Ato belá nuk i dua, unë.”

9.

Ne iu trembëm grave, por gratë nuk e prekën të vdekurin. Ato e qanë me oi-oi të zgjatura. Njëra përdorte në qarjen e saj ca vargje mjaft prekës që edhe në transmetimin televiziv bënë një efekt të madh emocional. Nuk i mbaj mend të gjitha strofat që u kënduan dhe u përsëritën pas solistes nga vajtojcat e tjera, por njëra prej tyre më goditi me figurat burrërore që kish në tekst.

Qysh duron e qëndron shtrirë
gjëmëmadhi prej stërralli!
Vetëm vdekjes sate, bir,
qysh s’ia hodhe dot litarin?!
O biro e o baba! Oi, oi!

Edhe strofat e tjera ishin mjaft të goditura. (Dikush më tha që ato vargje i kish shkruar Moisi Dhëmblani, por Moisiu ma mohoi kategorikisht këtë. “Gratë e qytetit tim”, tha ai, “janë poetesha të lindura”).

Gratë e mira u larguan qetësisht dhe ne u larguam pas tyre duke humbur syçeltësinë.

Por aty papritur ndodhi hataja. Në harkun e vizitorëve kishin zënë vend tre Heronj të Punës Socialiste. Njëri prej tyre lëshoi një klithmë që drithëroi tërë lampadarët e rëndë të Presidencës.

“O Komandant, vdiqe ti e rroj unë! Ke thënë që perëndi nuk ka, dhe është e vërtetë! Se, ndryshe, qysh kjo vdekje e zezë, të mori ty dhe më le mua?!!! Rroj unë, o që më fshiftë mortja sapo të dal prej këtej! Ooooo, oh!”

Unë isha te dera që më nxirrte në korridor dhe ndala këmbët të dëgjoja atë që po mallkonte Zotin për vdekjen e udhëheqësit. As unë dhe asnjeri nuk priste, që ai, befas, t’i vërsulej trupit e të hidhej mëndjehumbur nga dhimbja, përmbi të.

Të gjithë ulëritëm:

“Moooos!”

10.

Vetëm në vitin e tretë dasmat, në të gjithë vendin, morën atë gaz dhe atë haré që kishin pasur para vdekjes së madhe që nxirosi peizazhet shqiptare.

Mbeti, ama, një qytet…

Ishte ky një qytet, që e kish pikëllimin më të thellë nga të gjithë të tjerët, ku zia mbeti më e zgjatur dhe kjo zi, me kalimin e muajve dhe viteve, u bë krenaria e qytetit, një veçori që e vuri qytetin në bashin e Televizionit dhe gazetave.

Po hyej në vitin e pestë e në qytet nuk shënohej asnjë dasmë me orkestër, me këngë e me valle! More, as edhe një dajre nuk ishte parë dhe dëgjuar në tërë martesat që ishin bërë pas vdekjes së Komandantit.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin