Titulli: Daullja prej llamarine
Autori: Gunter Grass
Përktheu në shqip: Anna Kove
Shtëpia botuese: Albas, 2023
Përzgjodhi: Rozi Hysuka
1.
Unë, Oskari dhe kujdestari im Brunoja, dua të them : ne të dy jemi heronj, heronj shumë të ndryshëm, ai pas vrimës vrojtuese e unë përballë saj: e kur ai hap derën, me gjithë miqësinë dhe vetminë tonë, ne ende jemi larg të qenit masa pa emër dhe pa heronj.
2.
Pasi vizitorët m`i kanë lënë dhuratat në komodinën e mbuluar me mushama të bardhë, poshtë një akuareli me lule anemone, pasi kanë dalë të më tregojnë përpjekjet e tashme a të ardhme për shpëtimin tim, duke më bindur për standardin e lartë të dashurisë së tyre, se s`do të lodhen kurrë për të më shpëtuar, e gjejnë sërish gëzimin në ekzistencën vetjake dhe më braktisin.
3.
Tymi i zjarrit që po shuhej ngadalë e mbështolli time gjyshe si një fund i pestë e po aq i gjerë, sa dhe ajo vetë, me katër fundet e saj, mes rënkimeve dhe emrat e të shenjtërve, u gjend njësoj si Kolajiceku nën fund. Vetëm kur uniformat nuk ishin gjë tjetër, veçse pika rrëshqitëse mes shtyllave telefonike që u mbytën ngadalë në muzg, gjyshja u ngrit me aq mundim, si të kishte hedhur rrënjë bashkë me dheun, duke shkulur rritjen e vet, e cila sapo kishte nisur.
4.
Gati duke u zvarritur në veshin tim, më pëshpëriti me sytë e stërlashtë: “Ata po vijnë! Ata do të pushtojnë sheshet e festave! Ata do të organizojnë procesione me pishtarë! Ata do të ndërtojnë tribuna, tribuna për turmat dhe nga tribuna do të predikojnë rrëzimin tonë. Shikoni me vëmendje, miku im i ri, çfarë ndodh në ato tribuna! Mundohuni të jeni gjithmonë mbi tribunë dhe të mos qëndroni kurrë para tribunës!”
5.
“ E pranoj se pllakat prej guri në kishat katolike, aroma e një kishe katolike, katolicizmi në tërësi, ende më magjepsin në mënyrë të pashpjegueshme, si një vajzë flokëkuqe – edhe pse do të doja t`ia ngjyros flokët e kuq – dhe se katolicizmi më shtyn drejt blasfemive që tradhëtojnë vazhdimisht pagëzimin tim të kotë…”
6.
…pastaj në fund tri herë ujë i bekuar, vajosja e kokës me mirosje, një rrobë e bardhë për t`u njollosur, qiriri për ditët e errëta, përmbushja – Macerati pagoi – dhe, ndërsa Jani më nxori jashtë dyerve të Kishës “Zemra e Jezusit”, ku në mot të kthjellët dhe pjesërisht me re po më priste taksia, e pyeta Satanain brenda meje : “ A e kapërceva çdo gjë në rregull?”. Satanai kërceu përpjetë dhe më pëshpëriti : “A i pe dritaret e kishës Oskar? Të gjitha janë prej qelqi, veçse prej qelqi!”
7.
Imazhi im ngrinte të dy krahët lart, i mblidhte duart grusht në atë mënyrë, sa dikush mund të ngulte lehtësisht diçka brenda tyre, për shembull shkopinjtë e daulles; e, nëse skulptori do ta kishte bërë këtë dhe të realizonte në allçi daullen time prej llamarine bardhë e kuq në kofshët e tij rozë, atëherë do të isha unë, Oskari i përsosur, i ulur atje mbi gjurin e virgjëreshës, tek grishja me daulle besimtarët. Ka gjera në këtë botë, që – sado të shenjta të jenë – nuk duhet të lihen ashtu siç janë.
8.
Oskarit iu desh të luftonte një dëshirë të egër: të ngjitej në arkivol. Dont të ulej sipër tij dhe t`i binte daulles. Oskari nuk donte t`u binte shkopinjve mbi llamarinë, por mbi kapakun e arkivolit. Ndërsa ata do ta mbanin duke e lëkundur, ai do të kalëronte. Ndërsa të tjerët pas tij do të ndiqnin lutjet e At Vinkes, Oskari do t`u printe duke i rënë arkivolit. Kur ta ulnin arkivolin në gropë me dhoga dhe litarë, ai donte të rehatohej mbi dërrasën e tij. Gjatë kohës së predikimit, këmbanave të altarit, temjanit dhe ujit të shenjtë, ai donte të trokiste mbi dru pa u ndalur, duke folur latinishten e tij, ndërsa ata do ta lëshonin poshtë me litarë, bashkë me arkivolin. Oskari donte të hynte në gropë bashkë me mamanë dhe me embrionin. Të qëndronte atje poshtë, ndërsa ata që kishin mbetur t`u hidhnin grushtet plot me dhe përsipër. Oskari nuk donte të ngrihej, donte të rrinte ulur në fundin konik, të kërciste shkopinjtë mbi dru, t`u binte edhe nën tokë po të mundej, derisa shkopinjtë në duart e tij, derisa arkivoli në shkopinj, derisa mamaja e tij për të, derisa ai për mamanë, derisa njëri të mos kalbej nga dashuria për tjetrin, duke ia dhënë mishin tokës dhe banorëve të saj: Oskari me kënaqësi do t`i kishte rënë dum-dumes qoftë edhe me eshtrat e tij të vogla për kërcen e butë të fetusit, nëse kjo do të ishte e mundur dhe e lejuar.
9.
Një popull i tërë naiv, që besonte te babagjyshi i Krishtlindjes. Por babagjyshi i Krishtlindjes ishte , në fakt, shpërndarës gazi. Unë mendoja se mbante erë arrash dhe bajamesh. Ndërsa ai mbante erë gazi. Së shpejti besoj se do të vijë ajo që quhet E diela e Parë e Ardhjes. Dhe e Diela e parë, e dytë e deri tek e katërta e Ardhjes u hapën, ashtu siç hapen rubinetet e gazit, që të bëhet e besueshme aroma e arrave dhe e bajameve, që të gjithë arrëthyesit të besonin të sigurtë: Ai po vjen! Ai po vjen! Kush erdhi, pra? Fëmija Krisht, Shpëtimtari? Apo ka ardhur gazshpërndarësi qiellor me matësin e gazit nën krah, që nuk e ndalte asnjëherë tiktakun? Dhe ai tha: Unë jam shpëtimtari kësaj bote, ju nuk mund të gatuani pa mua.
Shpërndau arra dhe bajame me lëvozhgë, të cilat u thyen menjëherë, dhe rrodhën shpirt e gaz….
10.
Fjalët kanë një kuptim, kasapët heshtin, unë pres feta sallami, ti shfleton libra, unë lexoj atë që pëlqen, ti nuk e di çfarë të pëlqen: dhe nuk do ta marrim vesh kurrë se kush duhej të heshtte, të mos pipëtinte, që të mbusheshin zorrët, të dëgjoheshin me zë librat, të mbushur, të ngjeshur, të shkruar shumë dendur, nuk e di, dyshoj: janë po ata kasapë që mbushin fjalorët dhe zorrët me gjuhë dhe salsice.
Na ishte njëherë një muzikant me emrin Majn, që mund ti binte mrekullisht trumbetës.
Na ishte njëherë një tregtar lodrash me emrin Makrus, i cili shiste daulle llamarine, të lyera me llak të kuq e të bardhë.
Na ishte njëherë një muzikant që quhej Majn, dhe na kishte katër mace, njëra prej të cilave quhej Bismark.
Na ishte njëherë një daullexhi llamarine, që quhej Oskar dhe që varej nga shitësi i lodrave.
1×10 është një seri që i prezantohet lexuesit të Peizazhe të Fjalës. Ideja është e thjeshtë: një libër në dhjetë copëza. Ky “cungim” i librit nuk vjen gjë nga parimi se mjafton një gotë për të marrë vesh ç’verë ka fuçia, por nga shpresa se oreksi për dijen dhe leximin vjen “duke pirë”.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.