Kur pata filluar punën në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në 1982, më tërhiqte shumë biblioteka e pasur që kishin atje dhe mundësia që më jepej për t’u njohur me linguistikën e shekullit XX, veçanërisht zhvillimet pas Luftës II Botërore. Në atë kohë, gjenerativizmi i Chomsky-t ishte shumë “hot”, madje flitej rëndom edhe për semantikë gjenerative; pata marrë në bibliotekë “Syntactic Structures”, një libërth i vogël, por tmerrësisht i rëndësishëm sidomos për çfarë erdhi më pas, dhe po luftoja për ta kuptuar se ç’thuhej aty. Rëndom flisja për Chomsky-n edhe me kolegët – derisa njëri prej tyre, gjuhëtar i respektuar dhe jo pa arritje në fushën e vet, më shpjegoi se Chomsky ishte tashmë “i kapërcyer”, prandaj nuk ia vlente që të merreshe me të, në kuptimin që të harxhoje kohë me të. Më la gojëhapur ky arsyetim – sepse sillte me vete një pretekst të shkëlqyer, për t’u qëndruar larg të gjitha arritjeve të linguistikës moderne, sa kohë që këto ndërkohë ishin “zëvendësuar” nga diçka tjetër. Flitej ato vite edhe për gjuhësinë komputacionale, madje për disa në Institut teoritë e Chomsky-t nuk ishin veçse përpjekje për t’i dhënë një bazë teorike përpunimit të gjuhëve, në kontekstin e zhvillimit të programeve komputerike të analizës së teksteve – edhe pse Chomsky vetë e kish mohuar këtë. Në të vërtetë, gjenerativizmi vinte me pretendime teorike shumë ambicioze, me dhe me synimin – sado abstrakt dhe asimptotik – për të krijuar një gramatikë universale, të së gjitha gjuhëve, diçka si ringjallje, këtë herë me baza më të shëndosha, të gramatikës universale të Port Royal-it; Chomsky pat shkruar edhe një libër më vete për këtë punë. Për një gjuhëtar të ri, si puna ime, të etur për t’u thelluar në teori, gramatika gjenerative vinte si sfidë, jo si ftesë për t’i kthyer kurrizin. Një ditë guxova dhe ia hapa këtë muhabet drejtorit të Institutit, Androkli Kostallarit, që ishte edhe shefi i sektorit tim të leksikologjisë dhe të leksikografisë, për ta pyetur se pse i rrinim aq larg Chomsky-t, në një kohë që tregoheshim mendjehapur ndaj Saussure-it, Hjelmslev-it, shkollës së Pragës, e deri edhe funksionalizmit të André Martinet-së; më tha se Chomsky, në disa shkrime të vetat, “ka folur kundër Stalinit”, dhe këtu edhe u mbyll muhabeti. Në fakt, kjo e anti-stalinizmit të Chomsky-t, një gjë fare irrelevante – sa kohë që gjithë bota atëherë me përjashtim të Enver Hoxhës s’kish ndonjë gjë të mirë të thoshte për Stalinin – ishte njëlloj një zgjidhje me shunt (by-pass), sepse u kursente tanëve mundimin për t’u thelluar në teorinë e gramatikës gjenerative: një gjuhëtar që flet keq për Stalinin nuk na duhet… Dhe aq më mirë kur është edhe i kapërcyer, siç kujtonte ai qyqari tjetër. Nga ana tjetër, për Chomsky-n nuk kishim as edhe një kritikë të përpunuar, si ajo që ofrohej për rryma të tjera të linguistikës së shekullit XX, duke filluar nga strukturalizmi (i mirëfilltë, ai i Hjelmslev-it); me sa duket, ata që përpunonin ideologjinë e linguistikës në Shqipëri nuk e kishin tretur akoma kritikën anti-gjenerativiste të revistave të gjuhësisë sovjetike (duke filluar nga Voprosy Jazykoznanija, kopje të së cilës i mbanin nën sqetull të gjithë të mëdhenjtë e sektorëve në Institut). Argumenti se me Chomsky-n nuk ia vlen të harxhosh kohë, meqë është kapërcyer tashmë (se nga çfarë, këtë nuk ta thoshte kush) ishte tejet efektiv dhe praktik; dhe një mënyrë shqiptarçe për t’iu shmangur sfidave të studimit. Kam frikë se këtu luante rol edhe ajo që Chomsky i përkiste gjuhësisë amerikane dhe veprat e tij ishin anglisht, ose edhe kur vinin të përkthyera, i kishin shembujt anglisht; dhe anglisht linguistika në Shqipëri nuk dinte. Ca kohë qarkulloi në Institut, jo pa kënaqësi keqdashëse, thashethemi se Chomsky “nuk dinte latinisht”, çfarë edhe mund të ketë qenë e vërtetë; por, që të kuptohet hilariteti i kësaj, po mjaftohem të shtoj se shumë nga ata që gëzonin, për këtë mangësi të “amerikanit”, nuk dinin latinisht as vetë, siç nuk dinin ndonjë gjuhë tjetër, përveç rusishtes (që ishte edhe latinishtja e kishës totalitare në Shqipëri). Dhe përtej këtij gëzimi, për korrupsionin epistemologjik të gjuhësisë gjenerative, sikur dalloja edhe një gëzim tjetër, për faktin që vetë zhvillimi i shpejtë i dijes dhe “vjetrimi” i teorive dhe hipotezave ekzistuese, do të na e lehtësonte punën ne të tjerëve këtej, duke na i kursyer studime që deri atëherë i kujtonim si me detyrim. Kjo mbase shpjegon edhe frikën e madhe nga e reja, që qarkullonte në korridoret e Institutit dhe mbase të gjithë Akademisë: jo sepse kjo e re mund të binte ndesh me botëkuptimin tonë të shëndoshë stalinist dhe qasjen marksiste ndaj gjuhës, por sepse të mëdhenjtë e dijes akademike, ata që na kishin në dorë, nuk do të arrinin dot të njiheshin me zhvillimet e fundit dhe do të mbeteshin mbrapa, çfarë edhe mund të përdorej pastaj kundër tyre, për t’i rrëzuar. Mbase për të njëjtën arsye, specialistët e gjuhësisë historike vinin dhe ulnin zërin, sa herë që shqiptonin fjalën “laringale” – për patriarkët e fushës teoria e laringaleve ishte tashmë e papërtypshme; mbase më mirë të prisnim derisa të kapërcehej edhe ajo. Dhe ironikisht, kjo frikë nga teoritë dhe hipotezat bashkëkohore – në gjuhësi, por njëlloj do të ketë qenë edhe gjetiu – e mbante dijen në Shqipëri në post-avangardë, sepse në parim ne ishim gjithnjë në pritje të çfarë do të vinte më pas: pse të studjonim laringalet, kur mund të prisnim çfarë do t’i zëvendësonte; pse të harxhonim kohë me Chomsky-n, kur ky ishte duke u kapërcyer; pse të vrisnim mendjen me historinë aq komplekse të gjuhës shqipe… por nuk po vazhdoj më tutje.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.