nga Bujar Meholli
Dita-ditës shpërfaqet gjithnjë e më qartë se shoqëria bashkëkohore lëngon nga problemet e vjetra – anipse çdoherë në tentativë për t’i mbuluar me tisin e modernizmit, apo le të themi “ecjes me kohën”. Të jetuarit jashtë kësaj “ecjeje” konceptohet si njëfarë gjallimi kuturu mes ndjenjave hipokondrike. Që ta shmangësh ankthin, duhet të ecësh me kohën se s’bën. Substrati i brendshëm na vë përpara një problemi të vjetër, të njohur tashmë nga duzinë librash, nga intelektualë disidentë që dhanë jetët për idealet e tyre progresiste, pra, – absolutizmin. Ai përfshin një spektër të gjerë nëpër gjithë fushat shoqërore dhe në instancat e larta shtetërore e dimë që shekullin e kaluar mëtohej të shtrihej nga diktatorë e sisteme autokratike. Por në çfarë sensi mund t’i qasemi problemit në epokën tonë, kur kemi të bëjmë me absolutizëm të moderuar? Romani i mirënjohur i Milan Kunderës “Shakaja” është produkti letrar prototip i një sistemi represiv, që mbështillet nga aura e autokracisë; secili mendim i lirë ndrydhet, bartet tutje-tëhu, derisa dergjet në vorbullën e tij duke u shpallur si armik apo kozmopolit. Kështu nuk mund të depërtojë dot të menduarit lirshëm (me këtë natyrisht nënkuptoj të menduarit nën një konditë që i projekton kufijtë dhe jo lirinë e pafre, ku të thuash gjithçka pa dhënë llogari!) dhe të arrihet diversiteti, rrjedhimisht progresi social e pranimi i tjetrit. Derisa Ludviku, heroi i Kunderës, çapitej kazermave andej-këndej duke pritur me ëndje orën e lirimit për të dalë dhe për të dashuruar… për të jetuar (!) në kuptimin sartrian të fjalës, mëkati i tij ishte fatal, kishte guxuar të shkruajë letër që mbruset me “sulm” ndaj idealeve komuniste, kishte bërë shaka me optimizmin socialist dhe haptas qe rreshtuar trockist. Nga këta rreshta hokatarë, fillon odiseja e tij, për t’i rënë shkurt: i ndryshon diametralisht rrjedha e jetës. Shokët e djeshëm e përjashtojnë nga partia, e dashura e lë, ngelet i vetëm, i dëbuar, i parë me sy tjetër nga ç’shihej si shpresë e potencial dje. Tëhuajsimi apo përjashtimi nga konditat e shoqërisë bashkëkohore nuk bëhet njashtu siç ndodh te “Shakaja” e Kunderës – mjetet dhe mënyrat janë sofistikuar. Nuk ka kazerma e dënime me punë angari. Anarkinë sociale sot e çon përpara makineria e fuqishme dhe efikase e duzinës së rrjeteve sociale dhe konsumit publik. Aty dashurohet, aty bëhet gjakimi intelektual e artistik, aty gjykohet e dënohet, krijohen kuadro, potenciale, përafrohet tjetri apo hidhet tej si i pavlerë, i diskutueshëm, i frikshëm… dhe gjithë kjo nën aparaturën famoze të “like”-ve që ka ndërtuar Facebook-u. Dhe në Facebook, nën njëfarë pseudo-paradigme të “Vdekjes së autorit e autoritetit”, bëhet barazia e gjithë njerëzve pa marrë parasysh kontributin, peshën intelektuale të mendimit etj. Pra, nuk është qenësore nëse je profesor, shkrimtar, njeri i librave, lexues i thekur, gazetar me përvojë apo tuhaf, idiot, njeri që gjerb kafe e çaj tërë ditën qoshes së trotuarit a llafosesh duke kthyer ndonjë gotë në mejhane, aty e ke hisen tënde, je dikush, në kuptimin që mund ta japësh kontributin në absolutizmin e aksh fenomenit kulturor, ngjarjes, artistit a ndonjë çështjeje delikate që mëton të debatohet. Zëri yt do të dëgjohet dosido. Mjaft që t’i japësh, të shfaqesh, të flasësh, të thuash diçka që i shkon përshtat masës. Po mora mundin, ta zëmë, të publikoj në profilin tim një shkrim për Django Reinhardt-in, interesimi nuk do të jetë i madh, mezi do t’i arrijë 4-5 “like” (të gjitha nga njerëz që ia kanë dëgjuar emrin apo kanë sosur t’ia dëgjojnë ndonjë interpretim), ngase pjesa tjetër veç e ka absolutizuar një çështje të tillë, është sosur kjo punë, se Django s’paraqet as farë interesimi, është instinktivisht pasazh facebook-ian (nga qindra e mijëra të tillë) që duhen tejkaluar, përtypur në çast dhe, natyrisht, në heshtje, duke mos denjuar t’i jepet një “like”, sepse po e bëre në njëfarë mënyre i bie se je “përlyer” në këtë mesele. Mania e “like”-ve shtrin itinerarin gjerë e gjatë dhe s’do mend që shërben si mjet efikas i absolutizmit, deri edhe i mendimit, i reagimit për diçka. Fjala vjen, çfarëdo reagimi, shkrimi (qoftë artistik apo jo), analize politike a çkado tjetër, po pati performancën e ulët të “like”-ve, s’denjon vëmendje, sepse s’e tejkalon dot kuadrin e peshës së rëndësisë dhe nxitjes. Me këtë logjikë s’është i njëjtë mendimi i dikujt që “vlen” 900-1k “like” me dikë që mezi “tubon” 20-40 sosh. Edhe ato “like” bëhen nga kortezia, apo të themi simpatia, që ka aksh personi për ne, por jo nga interesimi i shfaqur.
Ardian Vehbiu shkruan: “Nga përvoja, edhe si autor që poston tekstet e veta në rrjetet sociale, jam i sigurt se një pjesë e madhe e “likes”-ve nuk duan të thonë se personi në fjalë e ka lexuar tekstin – por thjesht shprehin simpati. Ka shumë lexues të mi që tashmë “e dinë” jo vetëm se çfarë kam shkruar në të kaluarën, por edhe se çfarë do të shkruaj: ngaqë më njohin, më kanë adoptuar si personazh në fantazitë e tyre prediktive. Ka të tjerë që nuk kanë ndërmend ose kohë të më lexojnë, por besojnë se duhet ta vënë një “like”, për arsye të ndryshme.”[1] Facebook-u, në masë të madhe, siç mund të konkludojmë është një projeksion i madh, që ia bën më së miri apoteozën ngutisë, shpejtësisë, kaosit, mosdurimit, artificialitetit, shterpësisë së mendimit e opinionit, që ndryshe përkthehet në kontribut direkt e real në absolutizmin bashkëkohor, që ngjizet me instinktin e ndjekjes së turmës, verbërisht. Përkitazi me këtë, njeriu i sotëm është njëdimensional dhe po e paguan haraçin duke u shndërruar në mokër të konsumit që bluhet pamëshirshëm.
Herbert Marcuse, te vepra e tij madhore “Njeriu njëdimensional” shkruan: “Në sajë të mënyrës se si e ka organizuar bazën e saj teknologjike, shoqëria bashkëkohore industriale priret që të jetë totalitare. Sepse “totalitar” nuk është vetëm një bashkërreshtim terrorist politik i shoqërisë, por gjithashtu dhe një bashkërreshtim joterrorist ekonomiko-teknik, i cili operon me anë të manipulimit të nevojave nëpërmjet interesave vetjakë. Ai pengon kështu shfaqjen e një opozite efektive kundër së tërës. Jo vetëm një formë specifike qeverisjeje apo e sundimit partiak shkakton totalitarizmin, por gjithashtu edhe një sistem specifik prodhimi dhe shpërndarjeje, i cili mund të pajtohet fare mirë me “pluralizmin” e partive, të gazetave, “të pushteteve të ekuilibruara”.[2] Mbi cilat vlera humane e demokratike konsiston “pluralizmi” i sotëm? Ku varion ai pluralizëm, ajo liri dhe trajtimi adekuat i mendimit ndryshe? Apo gjithë këto stisje plot lajlelule në fakt degradojnë drejt inercisë dhe krijimit të një sistemi social inert, ku mendimi dhe paraqitja vlejnë aq sa “like” dhe sa vëmendje ke? Marcuse vazhdon: “Në periodën bashkëkohore kontrollet teknologjike shfaqen si mishërimi i vetë Arsyes në dobi të të gjitha grupeve e interesave shoqërore – në një shkallë të tillë saqë çdo kundërshtim duket irracional dhe çdo kundërveprim i pamundur.”
Njëri nga problemet e mëdha të aktualitetit tonë kulturor e politik është shndërrimi i njeriut në numër, rrjedhimisht në turmën që varion procesionit të absolutizmit të moderuar. Kredibiliteti dergjet. Individualizmi shndrit si fanar i dobët i një ëndrre utopike. Që t’i arrish qëllimet, duhet t’i përveshësh mëngët, t’i nënshtrohesh turmës dhe të mendosh me kokën e tjetrit, gjersa i sakrifikon idetë autentike, mendimet e perceptimet e tua për t’u shndërruar në ulok, i gatshëm për t’u dirigjuar nga turma dhe trendi. Ta ndjekësh trendin, kjo ka shumë rëndësi, sensacionet, artistët e momentit apo personalitetet e ditës – çdoherë vigjilent dhe me kujdes të shtuar për t’u ikur gjërave që shoqëria ua ka vendosur damkën “old” (në kuptimin e vjetër, e tejshkuar, që s’bën e s’vlen më) apo “bajate/monotone” (në kuptimin e diçkaje që kërkon mund e kohë për t’u rrekur me të, pra, s’është qenësore për të humbur kohë me të tilla gjëra gjersa teknologjia përparon dhe tjetër çka është in, dhe këtu mund të përfshihet ndonjë libër që s’i flet gjë lexuesit meskin të sotëm, ndaj dhe e përçmon si bajat apo të vjetër). Po denjove haptas ta pranosh se s’rrekesh të merresh me paçavure të tilla si reality show apo emisione demode me qeshje të shtirura, spektakle false, monotone deri në kulm – duhet ta bartësh me vete rrezikun e, le të themi, desocializimit, të shpallesh oldschool, i prapambetur, hipokrit (në kuptimin që kur je vetëm në shtëpi, nuk lë TV e reality show pa shikuar me ëndje), e të tilla damkosje të cilat mund të përkthehen mandej me humbje totale të interesit për ty dhe për atë që përfaqëson, “like”-t veniten fare, të shohin vëngër, me ngërdheshje e nënqeshje tallëse, derisa përfundimisht të shtrijnë në absolutizim, duke të shpallur jo interesant! Në kuadrin e këtij absolutizmi veçse është vendosur skema e asaj që është kulturore dhe jokulturore, artistike dhe joartistike. Marcuse konstaton: “Ajo që ka ndryshuar në periodën bashkëkohore është diferenca midis dy rendeve dhe të vërtetave të tyre. Fuqia absorbuese e shoqërisë po e gërryen dimensionin artistik, duke përthithur përmbajtjet e tij antagoniste. Në mbretërinë e kulturës, totalitarizmi i ri po manifestohet pikërisht tek një pluralizëm harmonizues, ku veprat dhe të vërtetat më kontradiktore bashkekzistojnë paqësisht në mospërfillje të njëra-tjetrës.”
Në epokën tonë është ndërtuar kulti i masmedias që mbërthen shoqërinë duke e nënshtruar dhe mandej kontrolluar – është shndërruar në një farë dibbuku hebraik, që cyt qeniet njerëzore me lapërdhitë e panumërta që i kamuflon si normë e kod komunikimi. Paraqitje, shfaqje, tha ky e tha ai, ky është qëndrimi i tij e i saj, debate të panumërta për temat e njëjta, reality show krejtësisht grotesk – krijojnë konglomeratin e thashethemnajës gazetareske alla Mario Vargas Llosa, që portretizohet përmes Rolando Garros-it (personazh i romanit “Pesë qoshet”, gazetar snob, i prirur drejt sensacioneve, skandaleve, jetës intime të personave publikë dhe përgjithësisht lajmeve rozë), i cili amplifikohet në pjesën më të madhe të kulturës e gazetarisë që mjerisht në bazament e ka sensacionin dhe jo përmbajtjen, kuantitetin dhe jo kualitetin. Njashtu TV-ja, njashtu gazeta, rrjetet sociale. Shoqëria jonë bie e zgjohet me lajmet rozë. Është shoqëri e dhënë pas sensacionit. Brenda këtij absolutizmi, njerëzit lënë leshtë e kokës për sensacion, për primat, për vëmendje, përmbajtja është krejt periferike dhe e padenjë për t’u zënë në gojë. “Tash s’kemi më intelektualë publikë; kemi idiotë publikë. Kushdo që ka ndonjë histori për të rrëfyer apo ndonjë ide “game-changing” mund të dalë në televizion, me kusht që ose të tërheqë vëmendjen tutje prej thanaticizmit, ose më mirë ta justifikojë atë. E gjithsesi, edhe idiotët më të mirë publikë të kësaj epoke ngjajnë si shitës makinash të përdorura. Nuk është një epokë e mirë për artin e retorikës. Universiteti duhet të shkatërrohet. Në vend të tij do të festohen të gjitha llojet e mosdijes. Disiplina tërësisht të reja po lindin, të tilla si inhumanitetet dhe shkencat antisociale. Objekti i tyre nuk është problemi i njerëzores apo i shoqërores. Kjo është epoka kur sundon thanaticizmi: mënyra e prodhimit të mosjetës. Më zgjoni kur të ketë përfunduar.”,[3] shkruan McKenzie Wark. Por a do të përfundojë ndonjëherë? A do ta ketë të gjatë ky prodhim i mosjetës, kjo zallamahi kulturore e sociale që e shpërfytyron njeriun, ia mohon individualitetin e mendimin kritik, e nënshtron për ta përdorur siç (kur) i duhet dhe e shndërron në mish për top për ta bluar (porsi në videoklipin e këngës Another Brick in the Wall) në makinerinë e madhe të mediokritetit? Në kryeveprën e tij “Ferdydurke”, Witold Gombrowicz-i do të shkruante: “Qenia njerëzore nuk shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në përputhje me natyrën e saj, por gjithnjë në një formë të caktuar, dhe se pikërisht kjo formë, ky stil, kjo mënyrë jetese, nuk buron vetëm prej nesh, por na është diktuar nga jashtë, dhe pikërisht për këtë arsye, njeriu mund të na shfaqet i mençur apo i mangët, gjakësor apo engjëllor, i pjekur apo i papjekur, në varësi të stilit që i ka rënë për hise apo kushtëzimit nga njerëzit e tjerë. Kur udhëtojmë me tramvaj, kur hamë, kur dëfrehemi apo çlodhemi, kur kujdesemi për biznesin, gjithnjë jemi në kërkim të formës dhe këndellemi prej saj, apo vuajmë prej saj, i përshtatemi asaj, apo e përdhunojmë dhe e copëtojmë atë, e lejojmë të na krijojë, amen.”[4]
Sot këtë formë njeriut bashkëkohor ia ravijëzon virtualiteti që e portretizon si njeri-turmë, të pashkëputur nga e tëra, gjithëpërfshirja, duke e minimizuar secilin akt individual të thirrjes së ndërgjegjes për t’i shfaqur dhe vënë në funksion parimet imanente. “Shakaja” e Kunderës është transformuar tashmë. Për të mos rënë në grackën e përçudshme të përqeshjes kolektive, dhe më së fundi harresës së pamëshirshme e shpalljes trockist bashkëkohor, duhet shmangur formulime të tilla si: “Injoranca është opium për shoqërinë! Mediokriteti kutërbon budallallëk! Rrofshin parimet e vërteta!”.
(c) 2023 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1]Ardian Vehbiu, Pa vlerë, por i llogaritshëm, botuar në Peizazhe të Fjalës, linku: https://peizazhe.com/2021/04/21/pa-vlere-por-i-llogaritshem/
[2] Herbert Marcuse, Njeriu njëdimensional, botuar nga Plejad, përktheu: Gaqo Karakashi.
[3] McKenzie Wark, Lindja e thanaticizmit, përkthyer nga Arbër Zaimi.
[4] Witold Gombrowicz, Ferdydurke, botuar nga Pika pa sipërfaqe, përktheu: Edlira Lloha.
Meholli pyet, “Mbi cilat vlera humane e demokratike konsiston “pluralizmi” i sotëm?”. Unë pyes, pse pluralizmi u dashka bazuar mbi vlerat humane e demokratike? Avokat i djallit, po, por përse një narrativë binare sot/dje? Kritika të vazhdueshme ndaj idiotit të sotëm para ekranit, i cili as nuk e ka zgjedhur të jetë i tillë, dhe as ka pse të detyrohet, nga ndonjë vlerë madhore a minore, të jetë ndryshe nga ç’është. Mund të ketë vend mjaftueshëm, ama, për kritikë ndaj përfituesit prej përtacisë njerëzore, nga komodifikimi teknologjik i konsumit të thjeshtë, por nuk besoj se thuhet gjëkundi që njerëzit nuk mund të shijojnë disa perversitete të padëmshme dhe që në vend të tyre duhet të lexojnë Spengler-in dhe të dëgjojnë Schönberg-un. Nga ana tjetër ka disa paqartësi, më tepër simbolike se sa kuptimore në përdorimin dhe natyrën e termave të diskursit të përditshëm, kësisoj “pluralja” paraqitet si ndonjë rezultat apo mos-rezultat i humanes dhe demokratikes. Formulime të tilla duken sikur duan t’i thonë të gjitha me shumë pak fjalë. Autori përmend Kunderën, por besoj se Kundera nuk do të ngurronte të pranonte se ashtu si marshimi i madh vëllazëror çek, fjala “demokraci” ende, siç me gjasa përjetësisht, nuk ka dalë nga kornizat e kitch-it, me të cilin justifikohet paradigma e politikës së sotme. Demokracia, herë si mjet referent e herë si qëllim, është e tillë ndoshta, që të lejojë armiqtë e saj të ekzistojnë. Për mua, kurrësesi ndonjë sistem apo ideal politik, por vetëm një skenë horizontale, sipër majës së një piramide, që e çon sa majtas e djathtas, në varësi të lëvizjes së idiotëve meskin. “Aksioni intelektual revolucionar” mendoj se konsiston ekzaktësisht tek lëvizja e trupave mbi skenë, jo tek lëvizja e pikës së mbështetjes. Aksion do të thotë lëvizje, veprim, ku nuk duket se ka vend as për justifikim, as për gjyq, as për mllef, as për gëzim; as për shpresë, as për frikë, vetëm për armë të reja.