Po shkruaj dy fjalë për kafenë – vend i qytetit, por edhe institucion i jetës urbane, duke u kufizuar me karakteristikat e saj në Tiranë. Nuk më duket se është folur e shkruar sa duhet tek ne, edhe pse kafeja – si e tillë, por edhe si kafene, bar, káfe dhe thjesht lokal – e mbizotëron të përditshmen në qytet, veçanërisht në rrafshin e ndërveprimit informal. Qoftë edhe thjesht duke krijuar, mirëmbajtur dhe riprodhuar komunitete fluide, që ende po gjejnë mënyra t’i kundërvihen hegjemonisë së komuniteteve surrogato të rrjeteve sociale online.
Përndryshe, për kafenë në Perëndim ka literaturë të bollshme. Vendosa t’u përmbahem studimeve tashmë klasike të Ray Oldenburg, veçanërisht The Great Good Place, por edhe përmbledhjes Café Society (edited by Aksel Tjora and Graham Scamble), të cilat japin një ide të mirë për sociologjinë e kafesë në kontekstin urban, veçanërisht në Perëndim. Synimi im nuk është të përshkruaj a të parashtroj ndonjë teori të kafesë në kulturën e sotme në Shqipëri, por vetëm të saktësoj disa pak premisa, që mendoj se janë të domosdoshme për çdo lloj diskutimi të mëtejshëm rreth temës.
Ray Oldenburg e ka cilësuar kafenë si Vendin e Tretë (The Third Place), në marrëdhënie me dy vende të tjera bazë: Shtëpinë (Home) dhe Punën (Work) –alternativë ndaj edhe njërës edhe tjetrës, por edhe strumbullar rreth të cilit organizohet e përditshmja e qytetit. Përndryshe, nuk është aq e lehtë ta përkufizosh kafenë, në bazë të çfarë bëjnë njerëzit që shkojnë dhe, veçanërisht, rrinë atje: për t’u parë me miqtë e tyre, për të bërë miq të rinj, për të takuar dikë, për t’u çlodhur pas një dite të vështirë, për ngushëllim gjatë një krize shpirtërore, thjesht për të nisur ditën, për të punuar (tradicionalisht ose në laptop), për të shfletuar Facebook-un, qoftë edhe thjesht për të marrë një dozë kafeinë. Dikush shkon në kafe për t’u fshehur, dikush tjetër për t’u parë nga të tjerët, një i tretë edhe për t’u parë që ka shkuar për t’u fshehur. Tipar specifik i kafesë është se nuk shkojmë atje për hir të çfarë konsumojmë (siç mund të ishte restoranti, ku shkojmë për të ngrënë), por që konsumojmë diçka kryesisht për të ndenjur atje më gjatë. Që këtej edhe ideja e vendit, me gjithë konotacionet heideggeriane që i bashkëlidhen.
Shto pastaj se një vend të ngjashëm si restoranti nuk e shkëput dot nga rituali i të ngrënit, me të tjerë ose vetëm – dhe nuk e kam fjalën vetëm për konsumin; në restorant zakonisht nuk mund të hysh dhe të dalësh sipas dëshirës, as të ndërrosh tavolinën ose të bisedosh lirisht nga një tavolinë në tjetrën; fokusi është te ushqimi jo te ndërveprimi social dhe komuniteti – edhe atje ku ekziston si në ndonjë restorant të vogël lagjeje – nuk ka ndonjë përparësi, ndaj ushqimit, edhe ushqimit si eksperiencë e vendit ku ushqimi ofrohet. Nga ana tjetër, në një klub profesional ose të atashuar pranë një institucioni, me akses pak a shumë të kontrolluar ose të mbyllur, ku mirëmbajtja e komunitetit është gjithnjë arsye e dorës së parë, mungon liria për të hyrë me vendim të çastit, si ajo e një të panjohuri nga rruga, i cili përndryshe e sheh kafenë si ndalesën e tij të parë, në një qytet ku sapo ka mbërritur. Kafeja e mban derën edhe më të hapur se restoranti – madje mu te kjo karakteristikë e të qenit strehë edhe e përkohshme edhe universale, e themelon identitetin e vet si institucion urban.
Tradicionalisht, edhe shqiptarët i kanë pasur kafetë e tyre, si vende që ofrojnë një alternativë ndaj shtëpisë dhe punës, por edhe strehë ndaj rrugës. I kanë quajtur tradicionalisht kafené, por sipas rastit edhe mejhane e pijetore (shpesh rolin e kafesë e luante pastiçeria ose ëmbëltorja, që shërbente kafe dhe alkool dhe i lejonte klientët të konsumonin në këmbë, në tryeza të larta); disi më bashkëkohore janë emërtime si klub, bar dhe pub. Në disa nga këto lokale është konsumuar alkool më fort se në disa të tjera; dhe vendet ku konsumohej alkooli kanë pasur reputacion më të keq se ato ku konsumohej kafe ose çaj (çajtoret). Në vija të trasha, kafeja është një vend ku shkohet për t’u relaksuar dhe zakonisht për të biseduar; biseda dhe kontakti informal me të tjerët kanë qenë dhe mbeten më të rëndësishme se lloji i konsumit, edhe pse alkooli mund të vijë në vështrim, në atë masë që ndihmon bisedën, duke i zbutur barrierat mes njerëzve.
Kafetë në Shqipëri i mbijetuan edhe trysnisë totalitare për regjimentimin e kohës së lirë – dhe disiplinimin e orarit të punës; duke i ruajtur disa karakteristika nga e shkuara. Për disa, ishin vende ku mblidheshin pensionistët, për të vrarë kohën; për disa të tjerë, vende që tërhiqnin të ngeshmit dhe parazitët, duke ua legjitimuar të ndenjurit “kot”. Por Tirana i kish disa kafe të rëndësishme, me prestigj gati institucional, edhe në vitet më të errëta: si kafe Flora, kafe Tirana, bar Sahati, dhe ndonjë tjetër. Ndikimi italian solli espresso-n dhe kulturën e të pirit të kafesë në këmbë, rrugës për punë[1]; ndikimit sovjetik i detyrohet klubi profesional, që i bashkëlidhej institucionit përkatës. Përballë kafe Florës, kafe Tiranës, bar Sahatit, “Pezës” dhe të tjerave si këto, kishe klubin e Lidhjes (së Shkrimtarëve), klubin e gazetarëve, madje edhe hijerëndin klub të Ministrisë së Brendshme. Të gjitha këto ishin vende ku rrihej dhe bisedohej, në një atmosferë të mbytur në tym duhani, nën përgjimin intensiv të policisë sekrete. Ishin vende burrash – edhe pse frekuentimi prej vajzave dhe grave erdhi në rritje, edhe si dëshmi dhe shenjë e emancipimit.
Oldenburg i ka përshkruar mirë funksionet “terapeutike” të kafesë në indin urban, si nxitëse të jetës komunitare dhe të vetëdijes lokale, por edhe si vende ku individi mund të distancohet nga strukturat shtypëse të shtëpisë dhe të punës, duke u çliruar – sado përkohësisht – nga përgjegjësitë e zakonshme. Për t’i realizuar këto funksione kaq themelore, kafesë në Tiranë i është dashur të luftojë me stigmën tradicionale si vend “për të papunët”, dhe “për të vrarë kohën”, por edhe me stigmën tjetër të ushqyer nga regjimi totalitar, të kafesë si vend kryesisht “parazitësh”, os të paktën që inkurajon parazitizmin, thashethemet dhe përtacinë. Si çdo regjim tjetër autoritar, edhe ai i Hoxhës në Shqipëri u druhej kafeve, si vende ku mund të ngjizej diskursi subversiv, kritika e regjimit dhe të kultivohej liria e fjalës, edhe më fort e më mirë se në shtëpi, dhe gjithsesi jashtë kontrollit social vertikal; në të njëjtën mënyrë, në kafe krijoheshin solidaritete pa lidhje me ato të kolektivit, në kuptimin socialist të fjalës.
Pas 1990-ës kafeja si lokal përjetoi një triumf të merituar, duke u shndërruar në institucionin më spontan dhe ndoshta kryesor të shoqërisë civile në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë. Për këtë ndihmoi edhe lehtësia financiare dhe profesionale me të cilën mund të hapësh dhe të mbash një lokal të tillë në qytet (dhe kostoja e paktë për akses të rregullt nga publiku). Kafetë sot dallojnë fort mes tyre, edhe nga klientela, edhe nga raportet që kanë me mëhallët dhe rrugën. Si vende të kohës së lirë, ato mbeten në konkurrencë me median tashmë tradicionale të televizionit, veçanërisht televizionit komercial, i cili i dëshiron njerëzit në shtëpi; ndërkohë, u duhet t’i bëjnë llogaritë me Internetin dhe rrjetet sociale. Të qëllon rëndom të shkosh në një kafe dhe të shohësh dikë të ulur vetëm, në tavolinë, me një gotë çaj përpara, duke shfletuar Facebook-un ose duke bërë chat; ndonjëherë këtë e sheh edhe kur janë disa vetë të ulur bashkë. Komunitetet e kafeve, që janë vetvetiu të brishta dhe kalimtare, rrezikohen edhe më nga hija e komuniteteve virtuale.
Kur flet njeriu për kafetë, në mjedisin urban, herët a vonë do të sjellë ndërmend imazhe të Parisit a të Vjenës, ku lokale të tilla – herë me emër, herë anonime dhe të improvizuara – shërbejnë si skenë dhe platformë për jetën e gjallë urbane dhe shumëçka tjetër që i bën këto qytete kaq tërheqëse, në mos mahnitëse, për botën mbarë. Veçanërisht kafeja e vazhduar në trotuar, në kombinim me zonat pedonale, i josh të gjithë me premtimin për një përditshmëri të relaksuar, në bisedë me miq të mirë, por edhe në një kontekst njerëzor që ofron siguri të vetvetishme. Edhe në Tiranë, ku kjo kulturë për fat të mirë ka zënë rrënjë dhe ende mbahet e shëndetshme, kafetë përftojnë përmasën informale të përditshmërisë, teksa shërbejnë, mes të tjerash, edhe si vend transaksionesh të panumërta, në mirëbesim.
Si kryeqytet, Tirana u përket sa vendësve, aq edhe vizitorëve – të parët me gjasë preferojnë lokalet e lagjeve, të pabujshme, ndonjëherë thjesht vrima në mur; të dytët tërhiqen nga glamour i lokaleve më luksoze ose qendrore. Gjithsesi, vende të tilla tërheqin edhe turistët, dhe pastaj vetvetiu modulohen sipas klientelës së re. Kafetë, gjithnjë në kuptimin e gjerë të fjalës (duke përfshirë aty edhe baret si Heminguej), rrezikohen nga shumë anë: sa nga spekulimi urban, që i dëmton në mos i shkatërron konfigurimet ekzistuese të qytetit, aq edhe nga televizioni dhe Interneti; paçka se sot shumë kafe mbijetojnë edhe falë atyre që shkojnë të kalojnë kohë atje, për të përdorur Wi-Fi-në falas. Për ca vjet, kultura e basteve rrezikoi t’i degradonte si institucion; sot mbetet e fortë trysnia për t’i nxitur klientët të konsumojnë shumë më tepër se një kafe, një çaj ose një pije energjizuese.
Ray Oldenburg dhe të tjerë që bashkëndajnë vizionin me të janë qortuar ndonjëherë për qasjen tepër “pozitive” a “të sanitizuar” ndaj kulturës së kafesë; edhe unë, që e vlerësoj Tiranën e sotme kryesisht ngaqë ende lejon lulëzimin e një institucioni të tillë, e kuptoj që shumë njerëz shkojnë në kafe për të vrarë kohën, dhe ashtu e çojnë dëm të paktën një pjesë të potencialit krijues; dhe se kompensimi që marrin, nëpërmjet ndërveprimit me komunitetin në kafe, nuk është i mjaftueshëm për të përligjur atë mënyrë jetese. Në shumë mëhallë të Tiranës, dhe me siguri edhe të qyteteve të tjera, kafeja është e vetmja alternativë ndaj shtëpisë; dhe njerëzit shkojnë atje për ta ndërruar një mërzi me një tjetër, për një break a shenjë pikësimi, dhe për ta kaluar ditën në një monotoni njëlloj jo-produktive. Ka kafe anës rrugës që, të para nga jashtë, duken shumë më të gëzueshme dhe të gjalla se ç’janë për ata që i frekuentojnë përditë.
Edhe COVID-i i dha një goditje të fortë – edhe për keq edhe për mirë – institucionit të kafesë; në krye, ngaqë i prishi komunitetet, sa kohë që lokalet u mbyllën ose i ndryshuan oraret; por pastaj, ngaqë shumë njerëz filluan të punojnë “nga shtëpia”, dhe për ca prej tyre, kjo “nga shtëpia” u përkthye si “nga kaf(e)ja”. Këtë shndërrim e ndesh rëndom edhe në metropole si New York-u, ku jo vetëm vende komerciale si Starbucks, por edhe kafetë e vogla të lagjeve, mbushen me vetmitarë, të kërrusur mbi laptop, duke fituar bukën e gojës. Në këtë kontekst, COVID-i i pështjelloi marrëdhëniet mes skajeve të triadës HOME-WORK-THIRD PLACE, të ravijëzuar prej Oldenburg-ut, të paktën për një kategori punonjësish dhe studentësh.
I solla këto shënime më tepër për të ofruar një kornizë ligjërimi për kafenë – si vend në qytet, pa synuar ndonjë vështrim kritik të literaturës dhe as ndonjë analizë mirëfilli sociologjike a antropologjike të institucionit. Unë i frekuentoj kafetë kryesisht në Tiranë dhe kur më ndodh të jem duke shëtitur në Europë, jo në New York; por i kam kuptuar edhe më mirë, kur kam shkruar, gjatë këtyre viteve, tre vëllimet e Zotit Shyti, të cilat e përdorin kafenë si skenë të rrëfimit. Ndërkohë, dua ta pasoj këtë hyrje me një shkrim më analitik, kushtuar një qasjeje tradicionale ndaj kafesë, brenda etikës së kohës së lirë dhe punës (otium et negotium). Madje e pata bërë gati këtë shkrim të dytin, kur vendosa që t’i paraprij me diçka më të përgjithshme, që t’i shërbente si kontekst a uverturë. Esenë e dytë do ta nxjerr fill pas kësaj – me sugjerimin për t’i lexuar të dyja bashkë.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
kopertina: Photo by Dustin Bowdige on Unsplash
[1] Gjatë viteve që kam qenë në Napoli, shkoja pothuajse përditë në kafe, madje më shumë se një herë; por gjithnjë për ta pirë një espresso në këmbë, te banaku, në një bar ngjitur me universitetin. Zakonisht me kolegët në katedër ose ndonjë mysafir që vinte atje. Bari ishte fare i vogël, nuk kish vend për të ndenjur ulur. Ofronte një shërbim, edhe social, por pa lidhje me atë të kafesë për të cilën flas në këtë shkrim. Ishte më tepër një dyqan (i vogël) ku mund të blije një espresso, ta pije aty dhe pastaj të vazhdoje ditën gjetiu.
Pershkrim brilant i një rituali ku kafeja shijohet me mire pasi ta kemi lexuar kete ese… Madje gjatë kohës sa e lexoja, me ngjallej deshira te shkoj fluturimthi ne ndonjeren prej kafeneve te Tiranës, aty ku kafe- pirja ka tradite dhe stil…
Te lumtë Ardian!
Emin Azemi
Shkup
Të falënderoj, i dashur mik! Mbase e pimë një kafe bashkë këtë fund pranvere në Tiranë…