Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Feminizëm

NA MBYTI FEMINIZMI

nga Irma C.

Meqë sapo na kaloi 8 Marsi dhe majtas e djathtas gëluan urimet për festën[1]8 Marsi është dita ndërkombëtare e luftës për të drejtat e gruas, jo festë, dhe mbi të gjitha nuk është festa e nënës dhe jo e jo dita e duhur për të blerë garuzhde. e gruas, si edhe uljet e çmimeve të tenxhereve, po shtyp dy rreshta modestë për të kujtuar se ky feminizmi, për të cilin na ankohen disa (burrat kryesisht, por edhe jo pak gra, që tashmë paskëshin arritur barazinë), është ende i d o m o s d o s h ë m. Jo vetëm për vajzat dhe gratë, të cilat përgënjeshtrojnë veten me fun feminism, por edhe për djemtë dhe burrat, të cilët janë tejet të favorizuar nga patriarkati: po, po, edhe për ata na duhet feminizmi.

Në 1949, në Opus Magnum-in e saj «Seksi i dytë», në faqen e parë, Simone de Beauvoir shkruan «Për debatin mbi feminizmin është derdhur mjaft bojë. Tanimë ky debat është pothuajse i mbyllur: të mos flasim më për këtë çështje. Por ende flitet për këtë çështje […]». Në bazë të të dhënave të studimeve gjinore të OKB-së, na duhen ndoshta ende rreth 300 vjet që të arrihet barazia gjinore.

Ndërkohë që presim apo luftojmë që të arrihet barazia gjinore, po rreshtoj disa pika, që më duket mirë t’i mbajmë parasysh se pse na u dashkësh feminizmi:

1- E ashtuquajtura care work apo punë shtëpie, përkujdesje për familjarët, puna e riprodhimit: të gjitha këto janë ende sot e kësaj dite barrë e gruas dhe trashëgohen nga gruaja tek vajza e shtëpisë. Edhe kur të dy partnerët (në një marrëdhënie heteroseksuale) punojnë që të dy, gratë kryejnë 73% të punëve të shtëpisë dhe 79% të përkujdesjes së fëmijëve.

Gratë, pra, punojnë jashtë shtëpisë, kryejnë punët e shtëpisë, kujdesen për ushqimin, edukimin, argëtimin e fëmijëve, janë administruesja e familjes dhe mbartin pothuajse gjithmonë edhe barrën e punës emocionale, si dhe mental load-in në familje. Mental load do të thotë se kur një grua vë një lavatriçe, ajo kujdeset edhe t’i nderë rrobat mbas larjes, duke mos i lënë gjatë në lavatriçe. Nëse tharësja ku ndejmë rrobat është e zënë, ajo i palos rrobat e thara dhe më tej i shpërndan nëpër vendet e caktuara. Gjithashtu, rrugës për tek lavatriçja, kontrollon a ka mbaruar lavastovilja, në mënyrë që ta përgatisë për të nxjerrë enët dhe nëse ka lodra fëmijësh shpërndarë nëpër dysheme, i mbledh dhe i vë në vendin e tyre. Ky ishte një shembull i thjeshtë i përditshmërisë së një gruaje. Në të kundërt, pjesa dërrmuese e burrave nuk e shohin veten si pjesëtarin e familjes i cili duhet, edhe ky, të vërë rregull dhe të ndajë mental load-in në mënyrë të barabartë me partneren. Një burrë që i duhet të vërë lavatriçen, nuk do të kujdeset për çdo gjë tjetër rreth e rrotull, gjëra të cilat sapo i zumë me gojë më sipër. Kështu, jo vetëm që gruaja ka ngarkesë të disafishtë, por edhe kur punon më pak, apo nuk punon fare jashtë shtëpisë, arsyeja është gjithmonë patriarkale dhe këtu vijmë dhe tek numri i dytë i pikave tona. Për ta mbyllur çështjen në fjalë, citoj Silvia Federici-n, e cila thotë «They call it love, we call it unpaid work[2]Silvia Federici: Ata e quajnë dashuri, ne e quajmë punë të papaguar.» – mjaft më me punë të papaguar nga «dashuria»: Shteti duhet të paguajë gratë për krahun e punës, të cilin kjo ia rrit si shtetit, si kapitalistit, g r a t i s.

2- Gender Pay Gap, apo diferenca e pagës midis gjinive. Nëpër universitete ka më shumë vajza dhe gra sesa djem dhe burra që studiojnë, por ata që vazhdojnë rrugën universitare, apo janë në krye të korporatave, janë pothuajse gjithmonë burra. Kjo për arsye se patriarkati ka mësuar burrat të mbështesin burrat, kështu po edhe gratë të mbështesin burrat – duke mos harruar «efektin e Matildës», parim sipas të cilit burrat marrin të gjithë meritën për studimet dhe sukseset e grave, duke i lënë këto të fundit me gisht në gojë, na mëson filozofi K. D. Eichler.

Dimë që për të njëjtin vend pune, me të njëjtin arsim, vajzat dhe gratë marrin shumë më pak pagesë se burrat. Kjo për arsyen se djemtë i kemi rritur duke u thënë se mund të guxojnë ç’të dëshirojnë në jetë dhe vajzat duke u thënë të mbyllin këmbët e t’u vijë turp, duke krijuar tek të fundit një kompleks që për psikologjinë është tipik femëror: impostor syndrome – sindroma e mashtruesit/es, sipas së cilës dikush mundohet të jetë në lartësinë e një detyre, arrin edhe të ketë sukses në këtë detyrë, por nuk e beson ta meritojë suksesin, pasi i duket se po mashtron të tjerët dhe nuk është në lartësinë e duhur. Çudi, apo jo, që janë të goditura veçanërisht vajzat dhe gratë? Vetëm në vitet e fundit, studim pas studimi, ndoshta po fillojmë të besojmë sa rrënjësor është në formimin e personit socializimi– si na formon sistemi patriarkal në këtë rast dhe jo se është natyra e vajzave dhe e grave e tillë. Në këtë mënyrë, duke i ndrydhur vajzat gjatë fëmijërisë, gratë janë më pak të vendosura kur bisedojnë për pagesën, burrat në të kundërt guxojnë më shumë. Por kini kujdes punëdhënës/e, pasi në shkurt të këtij viti Gjykata e Punës (Arbeitsgericht) në Gjermani i dha të drejtë një gruaje, e cila kish hedhur në gjyq punëdhënësin, pasi kolegu i saj, burrë, merrte për të njëjtën punë, pagesë më të lartë se kjo. Gjykata vendosi një dëmshpërblim për paditësen dhe lëshoi një urdhër i cili thoshte që në të ardhmen, nëse një burrë arrin të kryejë biseda për një rrogë të lartë në një vend pune, atëherë duhet të përfitojnë nga kjo gjë edhe koleget gra në të njëjtën ndërmarrje.

Të mos harrojmë që kur gratë punojnë part-time, apo nuk punojnë fare jashtë shtëpie, arsyeja është, pra, shpesh se partneri fiton më shumë para – dhe të kemi kujdes të mos gjykojmë këtu individët e veçantë të cilët e marrin këtë vendim, por sistemin patriarkal, që mundëson të tillë gender pay gap.

Të hidhemi tek pika e tretë:

3- Shteti kontrollon trupin e gruas, por jo të burrit! Pothuajse në pjesën më të madhe të Europës vajzat dhe gratë mbas konsultash dhe peripecish, po të gjejnë një gjinekolog/e, e/i cila/i merr përsipër abortin, mund të abortojnë deri në javën e 12-të të shtatzënisë – në javët e mëtejshme është e lejuar vetëm kur është në rrezik jeta e nënës to be, apo kur embrioni paraqet një sëmundje të rëndë. 12 javë, e dimë për çfarë po flasim, 12 javë? Shumica e vajzave dhe grave as nuk arrijnë ta kuptojnë a janë shtatzënë deri në këtë periudhë, pasi jo të gjitha personat me mitër kanë cikël të rregullt. Për çfarë arsyeje shteti e kontrollon trupin e gruas në këtë mënyrë, por jo atë të burrit, i cili as nuk është i detyruar (nëse vajza apo gruaja nuk aborton dot dhe i ka kështu këmbët e lidhura) të marrë ndonjë përgjegjësi për fëmijën që do të lindë? Unë i bashkëngjitem Silvia Federici-t dhe them se kështu sigurohet krah pune i lirë. Kjo «traditë» e shtetit që kontrollon trupin e gruas, është disa qindravjeçare.

Gjithsesi, le t’i kursejmë komentet mbi mbrojtjen gjatë aktit seksual, pasi 1. jo gjithmonë antikontraceptivët funksionojnë dhe 2. edukimi për t’u mbrojtur gjatë aktit seksual është privilegj vetëm i disave.

Kjo e drejtë e cunguar që kemi për abort në Europë, të mos harrojmë sa në rrezik është! Kujtoj këtu rënien e ligjit pro abortit Roe vs. Wade në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vjet. Ndoshta disa lexuan mediat anglo-amerikane, ku në verën e 2022-ës shkruhej për një vajzë të mitur 10-vjeçare, që u përdhunua në Ohio dhe mbeti shtatzënë. Mjekët, të cilët nuk e besuan (!) përdhunimin, i mohuan abortin. Quo vadis America!? Një fëmije 10-vjeçare i mohohet kjo e drejtë? Familjes iu desh ta shoqërojë në një shtet tjetër për të mundësuar ndërprerjen e shtatzënisë. Më vonë përdhunuesi do të mund të arrestohej, fakt që na shpie tek pika vijuese:

4- Dhuna kundër vajzave dhe grave është në rend të ditës dhe ligji mbron burrat dhe djemtë në vend të së kundërtës. Kamzën e zuri zia terr në këtë mars: femicid i disafishtë, tri gra u vranë, tri u plagosën nga i njëjti burrë që duhej të kish qenë pas prangave, por shteti e kishte nxjerrë nga burgu: vrasje të paralajmëruara, që shteti i injoroi! Në vijim citoj aktivisten për të Drejtat e Gruas Liri Kuçi «Nuk mjaftojnë as 8 marset dhe as 365 ditë në vit të artikulimit aktivist për të adresuar pasigurinë, dhunën dhe vrasjen sistemike të vajzave e grave. Është domosdoshmëri shpallja e emergjencës kombëtare për mbrojtjen e jetës së gjysmës së shoqërisë në Shqipëri – duhet mobilizim i menjëhershëm strukturor. S’pushon revolta jonë pa marrë fund femicidi! […] Çfarë është sistemi patriarkal, o popull? Kur burrat na i dhunojnë, përdhunojnë e vrasin gratë, o popull. Kur shoqëria e normalizon krimin dhe fajësojmë viktimat, o popull. Kur zinxhiri i organeve të drejtësisë bëhet palë dhe krimi nuk dënohet, por falet e relativizohet, o popull. Kur gratë na i dhunojnë nën hundën tonë përditë – në shtëpi, në rrugë, në shkollë, në punë, në media – por ne nuk reagojmë pa na ardhur në derë dhe shpesh gajasemi e çuçurisim kur i ndodh tjetrës, o popull. Kur shteti nuk u siguron jetën njerëzve gra, o popull! Po i vrasin votueset tuaja, o shtet! Kur janë në listë si viktimat e radhës fëmijët, shoqet, motrat, nënat, fqinjat, të njohura e të panjohura – gjysma e popullit, o popull.

Po na vrasin, o gra!»

Shkrimtarja Margaret Atwood tha në një intervistë që, në fakt, burrat kanë frikë se mos gratë tallen me ta, por gratë kanë frikë se mos burrat i vrasin.

Dhe kur nuk na shuajnë fizikisht, na shuajnë psikologjikisht: e kush nuk e njeh victim blaming apo fajësimin e viktimës? Kur një vajzë, grua ngacmohet apo dhunohet, jo njerëzia rreth e rrotull, por edhe policia (!) i shtron të paktën pyetjen se «Çfarë kishte veshur?». Sepse na qenkësh faji i minifundit që një burrë t’i lejojë vetes një sjellje prej dhunuesi? Mirë, le të supozojmë se është kështu: si qenka e mundur atëherë që nuk dëgjojmë për vajza e gra lesbike që përdorin dhunë seksuale përkundrejt vajzave dhe grave të tjera, meqë treguakan shumë lëkurë? Sepse fajtori është dhunuesi dhe vetëm dhunuesi! Jo barku në dukje, jo këmbët e zbuluara.

Mbas pikës së katërt, më duket se çdo gjë tjetër që do të vazhdoj të numëroj do të duket banale, por nuk është aspak, sepse luftërat psikologjike dhe dhuna morale e shoqërisë na rraskapitin dhe na bëjnë dëm tej mase. Pra vazhdojmë:

5- Çdo vajzë dhe grua e bërë nënë ka të drejtë të mos ndihet e tillë: instinkti i nënës nuk ekziston, ky është një konstrukt social për të nënshtruar gruan në shtëpi. Psikoanalistja Catherine Moser e shumë të tjerë e mohojnë ekzistencën e instinktit të nënës. Dashuria e nënës mund të zhvillohet dhe, po ashtu, ajo e babait përkundrejt fëmijës nëse si njëri, si tjetri, i rrinë mjaftueshëm afër dhe kështu kjo dashuri mund të kthehet në diçka të tillë si instinktive karshi këtij fëmije – por, gjithashtu, duhet të dimë se edhe mund të mos zhvillohet.

Çdo vajzë dhe çdo grua është e kompletuar pa fëmijë! Mjaft dëgjuam poshtë e përpjetë që duhet të bëhemi nëna: nuk jemi të detyruara të riprodhohemi! Simone de Beauvoir pyeste Albert Camus-në «Përse duhet të jemi ne ato që bëjnë fëmijët?». Por, nga ana tjetër, dhe na kanë gënjyer duke na thënë që, duke u nisur nga të dyzetat, gruaja pothuajse nuk mund të bëjë më fëmijë. Na kanë gënjyer, pasi burrat zgurdullonin kështu më mirë sytë për nga vajzat e reja. Studimet më të fundit thonë që një burrë rreth të dyzetave ka po aq (pak) mundësi për t’u riprodhuar sa edhe gruaja rreth të dyzetave. Apo më mirë, një grua mbi të dyzetat, e cila dëshiron të bëhet nënë, ka më shumë mundësi t’i plotësohet kjo dëshirë me një partner djaloshar, tek të njëzetat, sesa me një bashkëmoshatar. Take this, men!

6- Të mos harrojmë standardet e dyfishta! Sepse burrat bëhen «kinga» kur plaken, alla George Clooney, kurse gratë… i harrojmë kur plaken: bëhen të padukshme si gra dhe qenie seksuale, ekzistojnë vetëm si nëna dhe shtëpiake. Burrave u lejohet të plaken, jo se plaken më mirë, ndërsa grave nuk u lejohet të plaken: gratë nuk ekzistojnë pas të pesëdhjetave. Pastaj habitemi që vajzat e gratë u drejtohen ndërhyrjeve kirurgjikale.

Sa filma njihni me protagoniste gra mbi të 50-at? Në Oskarin e sapofituar nga Michelle Yeoh thithim erën e një rruge ku ka depërtuar feminizmi – madje duke u nisur që nga prodhimi i këtij filmi. Të mos harrojmë se kur shohim një burrë madhor në moshë me një vajzë shumë të re, shumica do të mendojë se ky na qenkërka ende «i zoti». E kundërta ndodh kur shohim një grua madhore në moshë me një djalosh, reagimet do të jenë përbuzëse. Apo, si e quajmë një burrë me shumë partnere? Casanova, eh? Një grua me shumë partnerë? Të përdalë. Por unë them që është si puna e dhelprës që nuk e kap dot rrushin dhe thotë se është i pabërë.

7- Të mos harrojmë mbiemrin e fëmijës: edhe pse është nëna që shkon nëpër një shtatzëni, e cila nuk është lojë, linja e gjakut, pra, ruhet dhe merret nga babai – me ndonjë përjashtim të rrallë i vihet mbiemri i nënës dhe përveç rastit kur kjo është prindi i vetëm.

8- Ju pyes, a keni dëgjuar për orgasm-gap? Deri në shtrat, dhe mbi të gjitha në shtrat, na është futur patriarkati. Marrëdhënia seksuale është e orientuar sipas mashkullit cis heteroseksual. Nga një studim i International Academy of Sex i vitit 2017, rezulton se 95% e burrave ka një orgazëm gjatë raportit hetero, në të kundërt vetëm 65% e vajzave dhe grave. Shumica e burrave ende nuk e dinë ku ta gjejnë klitorisin dhe mendojnë se orgazma arrihet kryesisht thjesht nga penetracioni, pa stimulime të tjera. Po kështu, vajzat dhe gratë në një marrëdhënie heteroseksuale mendojnë se duhetjapin diçka. Por kur masturbojnë, pothuajse 98% e vajzave dhe grave arrijnë të kenë një orgazëm brenda 4 minutave: pra, nuk na qenka tek gratë problemi, por tek burrat që frymëzohen seksualisht nga Rocco Siffredi – teknikat seksuale të të cilit gratë e marra në pyetje i refuzojnë të jenë të rëndësishme për kënaqësinë e tyre seksuale.

9- Por edhe pse sistemi patriarkal ka favorizuar burrat, edhe këta vuajnë (asnjëherë sa gratë!) nën patriarkat. Duke u hapur përkundrejt feminizmit, djemtë dhe burrat munden të mësojnë se është e lejuar të kenë ndjenja, se burrat e «vërtetë» edhe qajnë e mbyten në lot, se është më mirë të shkojnë në terapi sesa t’ia fusin murit me grusht apo të ushtrojnë lloje të tjera të dhunës.

10- Së fundmi, të mos harrojmë se feminizmi na duhet radikal [3]Kush është kurioz/e, mund të lexojë më shumë mbi këtë temë në këtë artikull tek revista Shota.që nga rrënjët dhe jo për fun e të na përfshijë të gjithave ndërkombëtarisht, nga Irani (ku po ndodh një revolucion i vërtetë prej muajsh) e tërë Azinë, deri në Afrikë, Europë, Amerikat e gjithkund në rruzull.

Të mos harrojmë se deri para pak dhjetëra vitesh në Europë, grave nuk u lejohej të kishin llogari bankare personale apo pa lejen e burrit/babait. Të mos harrojmë edhe se deri para pak dhjetëra vitesh, përdhunimi në martesë nuk ishte i dënueshëm përballë ligjit. Të mos harrojmë se deri para 100-200 vitesh, grave nuk u lejohej të studionin (me pak përjashtime), apo të huazonin libra në bibliotekë – andaj të mos habitemi pse shumica e personaliteteve të njohura janë burra. Por problemi qëndron natyrisht dhe diku tjetër, çfarë e kam përmendur më lart, se p.sh. burrat vetëm kanë favorizuar njëri-tjetrin. Të mos harrojmë që në letërsi p.sh. burrat vunë si standard këndvështrimin e… burrit – surprizë! Dhe këndvështrimet e grave shkrimtare u trajtuan si «bajate». Dëshiroj të përmend Ada Lovelace (të bijën e Lord Byron), lindur më 1815, e cila mbahet si programuesja e parë në historinë e informatikës – asaj nuk i lejohej përdorimi i bibliotekës kombëtare: por në rastin e saj ajo pati «fat», pasi bashkëshorti e mbështeste në rrugëtimin e vet dhe huazonte prej bibliotekës librat që i nevojiteshin Lovelace. Ndoshta pa këto lexime nuk do të kishim patur programuesen e parë.

Të mendojmë se pa gratë e protestave në fillim të shekullit XX, nuk do të kishim të drejtën e votës, andaj për të gjitha këto arsye, e shumë e shumë të tjera që nuk u përmendën këtu, të bëjmë tonën bashkërisht kundër këtij sistemi mbytës, të padrejtë e arkaik, e dashur lexuese, i dashur lexues! Gutta cavat lapidem[4]Latinisht: Pika e ujit shpon shkëmbin. Ngjashëm në shqip kemi “Gur, gur bëhet mur.”.

© 2023 Irma C. Të gjitha të drejtat janë të autores.

References

References
1 8 Marsi është dita ndërkombëtare e luftës për të drejtat e gruas, jo festë, dhe mbi të gjitha nuk është festa e nënës dhe jo e jo dita e duhur për të blerë garuzhde.
2 Silvia Federici: Ata e quajnë dashuri, ne e quajmë punë të papaguar.
3 Kush është kurioz/e, mund të lexojë më shumë mbi këtë temë në këtë artikull tek revista Shota.
4 Latinisht: Pika e ujit shpon shkëmbin. Ngjashëm në shqip kemi “Gur, gur bëhet mur.”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin