Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim

GRAMATIKA E LEXUESIT

Çfarë kemi tamam parasysh me lexues, kur flasim për lexues?

Me përkufizim, lexues është “ai që lexon” – në gramatika, kjo kategori emrash të formuar zakonisht nga tema foljore njihet si “emër vepruesi” (lat. nomen agentis).

Por përkufizimi “ai që lexon” ka nevojë ai vetë për sqarim: ai që lexon tani, në këtë moment – në kuptimin që dikush është lexues vetëm dhe sa kohë që është duke lexuar; apo ai që do të lexojë, mund të lexojë, etj., ose që parashikohet të lexojë; dhe më në fund, lexuesi si kategori e semiotikës së leximit (lexuesi model, lexuesi implicit), të cilën e përmban teksti vetë dhe e përfton në momentin e leximit empirik (logjikisht, “ai që lexon” ka nevojë për objektin e veprimit që e përkufizon, tekstin; prandaj emri lexues është logjikisht “kalimtar”, siç mund të jetë folja “kalimtare” a transitive).

Për ta sqaruar më mirë: në thënien “folësi kërkoi që t’i jepej më shumë kohë”, kjo folësi, gjithnjë emër vepruesi nga folja flas, tregon dikë që mbetet i tillë sa kohë që po e kryen veprimin. Kur mbaroj së foluri, unë nuk jam më folës. Përkundrazi, nëse themi “mësuesi po e shijonte kafenë”, kjo mësuesi tregon dikë që e ka për profesion ose fundja edhe zakon që “të mësojë”, dhe nuk ka nevojë ta bëjë këtë në momentin që flasim (prandaj “mësuesi po flinte” ka kuptim të thuhet, ndërsa “folësi po flinte” jo).

Çfarë është pra lexuesi? Ai që përftohet si i tillë, si lexues, në aktin e leximit; apo ai tjetri, që e ka për zakon të lexojë, etj.? Edhe ashtu, edhe kështu, por një dallim për t’u mbajtur parasysh.

Nga ana tjetër, kur pyesim, për shembull, se çfarë të re i sjell ky libër lexuesit, kemi zakonisht parasysh një person abstrakt, edhe ai pothuajse kategori pragmatike – të cilin e kërkon libri dhe ndoshta e ka pasur në mendje autori kur ka shkruar.

Vini re: në të gjithë shembujt më lart, lexues është përdorur në njëjës: çfarë nuk është pa lidhje me atë që akti i leximit të një teksti është zakonisht (si rregull) individual. Leximi “kolektiv” nuk ekziston, në mënyrën siç ekziston dëgjimi “kolektiv” i një koncerti: ato situata, kur dikush i lexon me zë një publiku, mbase i ngjajnë më shumë teatrit.

Njëlloj problematike është përgjigjja ndaj pyetjes: si e ka pritur lexuesi… E cila nënkupton një lloj reagimi kolektiv, përndryshe të vështirë për t’u kapur dhe matur.

Çfarë janë atëherë lexuesit në shumës? Tërësia e lexuesve të një teksti (ose një grupi tekstesh), që kanë të përbashkët, në mos gjë tjetër, të paktën faktin që kanë lexuar? Të jetë vepra, si njësi unike, që e krijon bashkësinë e lexuesve të vet?

Në muhabete për librat, lexuesit shpesh ngatërrohen me blerësit e veprës, një kategori që mund të vlerësohet numerikisht. Fundja edhe bibliotekat mund t’i numërojnë ata që e tërheqin këtë apo atë titull. Mirëpo sa kohë që leximi është individual, atëherë ky shumës, lexuesit, mund të krijojë probleme, madje deri atje sa të zbrazet nga kuptimi.

Le të pranojmë, megjithatë, se leximi i një teksti i bën diçka lexuesit empirik – i mëson një gjë, i jep një eksperiencë, e bind, e mahnit, e trishton… dhe se ky efekt është, në thelb, produkt i bashkëpunimit mes tekstit (empirik) dhe lexuesit (empirik). Në këtë kuptim, të gjithë ata që e kanë lexuar Zylon e Agollit kanë diçka të përbashkët mes tyre, që i jep edhe kuptim shprehjes “lexuesit e romanit Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

Për Procesin e Kafkës është thënë se lexuesit e kësaj vepre, në vendet e bllokut socialist, e interpretonin si alegori të totalitarizmit që përjetonin edhe në realitet; paçka se Kafka këtë lloj totalitarizmi nuk e njihte, dhe shkruante për absurditetin e burokracisë. Në atë rast, lexuesit e Kafkës, të themi, në Bashkimin Sovjetik, ndanin mes tyre jo vetëm tekstin e romanit, por edhe një eksperiencë jashtëletrare.

Ka edhe një kontekst tjetër ku mund të flasim lirisht për lexues – kur duam të dallojmë ata që lexojnë, nga ata që nuk lexojnë; “frekuentuesit” e letërsisë nga të tjerët; publikun letrar nga publiku jo-letrar. E kështu me radhë. Këta lexues kanë të përbashkët një lloj kompetence leximi që shkon përtej alfabetizimit – të ngjashme me kompetencën profesionale.

Të kthehemi tani te argumenti fillestar i shkrimit: çfarë lloj emri vepruesi është lexuesi? Tundimi është i fortë, për ta përfshirë në një kategori me emra si folësi, që e quajnë dikë në bazë të çfarë ai po bën aktualisht. Një person zakonisht nuk mund të jetë lexues ashtu siç është mësues ose qendërmbrojtës. Për ta shprehur këtë ndryshe: lexuesi si kategori edhe semiotike, edhe empirike, përftohet në momentin e leximit të një teksti. Kjo, megjithatë, nënkupton që të gjithë të kenë potencialin për të qenë lexues, nëse dëshirojnë dhe nëse kanë një tekst përpara.

Por kjo nuk ndihmon për të sqaruar statusin e kujt e ka lexuar ose do ta lexojë një vepër. Le ta shpreh këtë ndryshe – sikur emri lexues të kish kategorinë gramatikore të kohës, a do të përdorej dot në të shkuarën dhe në të ardhmen?

Ka gjuhë që e përdorin këtë kategori gramatikore edhe me emrat – duke gramatikalizuar diçka të ngjashme me atë që bëjmë në shqipe, kur themi ish-ministri. Në gjuhë të tjera, si latinishtja, shumë emra vepruesi nuk janë veçse përcjellore të tashme, të tipit amans, amantis. Me pak imagjinatë, le të themi se në thënien Lexuesit francezë të romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, emri lexuesit është në të shkuarën, sa kohë që thënia i referohet suksesit që pati në Francë para gati gjysmë shekulli ai roman i përkthyer.

Kjo nuk e përjashton që i njëjti roman të lexohet në Francë edhe sot – me siguri lexohet; por lexuesit e romanit në kohën e tashme janë aq të ndryshëm nga lexuesit e 50 vjetëve më parë, sa shpërfillja e dallimit kohor mund dhe do të pështjellojë.

Çuditërisht, kjo kategori gramatikore imagjinare e kohës, që mund t’ia atribuojmë emrit të vepruesit lexues, e përligj edhe përdorimin e këtij emri në shumës – për të dalluar ata që e kanë lexuar veprën dikur, nga ata që po e lexojnë tani dhe ata që mbase do ta lexojnë pas 50 vjetësh të tjera.

Shumësi mbase nuk funksionon aq mirë, për të përcjellë kuptimin e “ndjekësve, dashamirësve, fansave” – p.sh. “lexuesit e Kadaresë nuk e pritën mirë intervistën e tij me Ben Blushin”; dhe kjo sepse fansat krijojnë me figurën mediatike, qoftë ky edhe shkrimtar, një raport që i tejkalon kufijtë e intimitetit të leximit – dhe vjen e i ngjan atij të një grupi me liderin e vet shpirtëror.

Si edhe në kontekste të tjera, shumësi vjen mirë ndoresh për të bullshit-ur: si në pyetjen “çfarë mesazhi keni për lexuesit tuaj?”, e cila i servir autorit një kategori fiktive, një grup njerëzish që rri dhe pret se çfarë do të nxjerrë ky nga maja e… penës. Këtë efekt të mbrapshtë e amplifikojnë tani edhe rrjetet sociale, ku përdoruesit e kanë shumë të lehtë që të reagojnë duke iu bashkuar “shumicës”. Edhe vetë shumësi përdoruesit, në fjalinë më part, e konfirmon këtë – sepse implikon që ata që japin e marrin, të themi në Facebook, Instagram ose Tik-Tok, kanë diçka të përbashkët, që ua përligj angazhimet “kolektive”.

E megjithatë, kësaj loje me njëjësin dhe shumësin nuk i duhet dhënë më shumë rëndësi se ç’ka mirëfilli: vetë njëjësi lexuesi, në thënie të tilla si “lexuesi ka nevojë për letërsi cilësore”, nuk është veçse një mënyrë elegante për të shmangur shumësin – nëpërmjet përdorimit përgjithësues të nyjës shquese (si në shembullin klasik: “luani është kafshë grabitqare”). Ka një teknikë elementare, për ta pikasur kurthin e mundshëm prapa këtyre përdorimeve të njëjësit: provoni ta zëvendësoni lexuesi me ky lexues, dhe shihni nëse thënia do ta ruajë apo jo kuptimin (në shembullin më lart kjo nuk ndodh).

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Annie Spratt on Unsplash (cropped).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin