(komedi me tre akte)
nga Arben Dedja
Vetat:
Akasti, mbreti i Jolkut, Tesali; i ati i Laodamisë dhe vjehrri i Protesilaut
Rremtari i parë
Rremtari i dytë
Kryeçambelani
Një skllav
Akti i parë
Natë. Heshtje e thellë. Pallati mbretëror i Jolkut. Akasti, i vetëm, baret nga një cep i odës së tij në tjetrin. Dy-tre pishtarë të ulët e me pak flakë e lënë, gjithsesi, mjedisin në mug.
Akasti
me vete: Ç’na gjeti! Edhe ai, Menelau! Loqe! Po, pse ore, lihet gruaja vetëm; në mes të miqve? E kush, pra, ajo ruspa (hm! ruspija): Helena. Dhe pastaj, e gjithë kjo gurgule, tani do të plaste? Luftë me Trojën? Hajt, të ngrihemi tani e të kapemi me ca popuj gjysmë të egër e aspak miqësorë. Pse? Se u kemi dhënë besën Atridëve. Ju dhjefshim besën! Kemi moshë për luftë ne tani? Kemi moshë për të gjuajtur peshk a për të lëçitur papiruse; atë po. Pauzë e shkurtër. Hm! Mos na thënçin Akast po mos e ndreqshim këtë mesele. Ishim ca të lëkundur, por ja që e mblodhëm fillin. Pauzë më e gjatë. Protesilau! Do ta bëjmë dhëndër: s’ka rrugë tjetër. Sa ka ky që i vardiset Laodamisë? Po si t’ia jepnim ne vajzën e vetme princit të një mbretërie rrëmbythje? Mbret i Filakut në Tesali! Aman, se na trembe! Mirëpo ja që renditja e yjeve në kupën qiellore ndryshoi. Tani zotëria do të përfaqësojë në armatën akeje jo vetëm Filakun, por edhe Jolkun. Do t’ia ngopim edhe anijet tona dhe… bac’ u kry! Del te dera dhe thërret Kryeçambelanin. Kur ky vjen: Përgatit lajmësit, se do të shpallim dasmën e Laodamisë me Protesilaun. Me vete: Vajza duhet të jetë e kënaqur: e dashuron! Shtriqet: Kështu si erdhën punët, mund të gjuajmë peshk e të lëçitim papiruse që nesër.
Akti i dytë
Zbarkimi i akejve përpara mureve të Trojës sapo ka përfunduar. Moment pauze pas betejës së përgjakshme që u ndez. Ushtarët kanë zbritur nga anijet e tyre kóilos (të lugëta) dhe orthòkranios (bridrejta). Pijnë ujë, mjekojnë plagët, bisedojnë me njëri-tjetrin. Dy rremtarë, të ulur në cep të skenës, i rrëfehen kokë më kokë sho-shokut.
Rremtari i parë
E pe?
Rremtari i dytë
Jo, çfarë?
Rremtari i parë
Ou! Tmerr! Punë e thellë, ama, e gjitha kjo.
Rremtari i dytë
Fol!
Rremtari i parë
A të kujtohet ç’tha orakulli?
Rremtari i dytë
Patjetër! Shpalli, sipas të gjitha ogureve, që luftëtari ake që do të vinte i pari këmbën në truallin trojan do të vritej.
Rremtari i parë
Pikërisht! Tani, kur janë kështu punët, kujt ia mban bytha të zbresë? Më thuaj, të lutem? E pra, unë e pashë gjithë skenën teksa po shtrëngoja me kulpra remin tim. Askujt nuk po ia mbante të shkelte në stere i pari. Normale. Atëbotë Akili, prijësi ynë, bëri drejt dhogës së pjerrët që të çonte në breg.
Rremtari i dytë
Epo, shembullin duhet ta japë i pari një kryeluftëtar, një hero, një gjysmëzot si Akili. Ka fare pak pika të dobëta, për të mos thënë që s’ka fare. Po?
Rremtari i dytë
vazhdon me zjarr rrëfimin: Vendi nga vozis më ndihmoi ta shoh bukur qartë skenën. Situata ishte e ndezur, të shtyrat pranë dhogës nuk mungonin; fatosë e trima të çartur plot, që ngurronin, ama, ta hidhnin hapin fatal. Rrinin ashtu në heshtje ose zbytheshin. Në ato çaste Akili, tmerrësisht i nxehur me të vetët, u afrua dhe dukej sikur po bëhej gati të zbriste i pari kur… prej qielli u shfaq befas një femër shtatlartë, ende e re, që shihte gjithë përgjërim nga Akili, saqë e njoha menjëherë që ishte najada Tetidë, e ëma. Përfitoi nga rrëmuja, por unë e pashë… I dridhet zëri: e pashë…
Rremtari i dytë
Po?
Rremtari i parë
I dha një të shtyrë të vendosur të parit luftëtar që iu gjet aty pranë, me shpinën kthyer nga ajo. Qëlloi që ky të ish Protesilau, nga Tesalia, djalë trim, dhëndër i ri, që thonë një natë vetëm fjeti a s’fjeti me të shoqen; ky s’e priste të shtyrën, këmbët iu ngatërruan e ra hundëzaj. Sakaq Tetida u zhduk andej nga erdhi, lart në qiell; por pështjellimi ishte aq i madh, sa pakkush, ndoshta asnjeri veç meje, nuk e vuri re. Kurse ç’ndodhi më pas e panë të gjithë.
Rremtari i dytë
Profecia u krye: Hektori e vrau sakaq rrezikziun. Akili…
Rremtari i parë
Iii, çun mamaje.
Akti i tretë
Natë. Pallati mbretëror. Pëshpërima nëpër korridor. Kryeçambelani, me një flakadan në grusht, tërheq me tjetrin një skllav për petkash. Ndalon përpara odës së Akastit dhe troket, në fillim me druajtje, më fort pastaj. Del Akasti, përgjumësh, me një këmishë nate të gjatë deri te kyçet e këmbëve.
Kryeçambelani
Me përulje të thellë! Falmë, madhëri…
Akasti
Diçka vërtet serioze të ka bërë të na zbrisni nga shtrati këtë orë të vonë të natës. Dhembje e strese plot na kanë rënë mbi krye kësodore. Atje në Trojë lufta po shkon lumë e det, vajza jonë e gjorë e ve kaq e re…
Kryeçambelani
Pikërisht për princeshën Laodamia e kisha…
Akasti
Zota t’Olimpit! Ç’i ka ndodhur?
Kryeçambelani
nxiton të sqarojë: Është mirë, është mirë, falë zotave. E pikëlluar si gjithnjë për humbjen e papritur të të shoqit. Por seç ka një sjellje që vë në dyshime. I drejtohet Skllavit: Fol ti! Rrëfe!
Skllavi
Rri kokëvarur dhe nuk flet.
Akasti
Po presim!
Skllavi
Mbulon fytyrën me duar dhe vazhdon të heshtë.
Kryeçambelani
I vjen pak zor, madhëri…
Akasti
Zor, jo zor; për atë Qiell, shprehu!
Skllavi
pasi Kryeçambelani e nguc për të satën herë, fillon të tregojë: Imzot, unë… unë i shpura princeshës një shportë me fruta, si çdo mbrëmje dhe, isha nisur për të ikur, kur dëgjova një si zhurmë të lehtë, të çuditshme që vinte nga dhoma martesore dhe… dhe… më zëntë… nga kërshëria fillova të përgjoj te plasa e derës…
Akasti
me padurim: Edhe?
Skllavi
Princesha puthte e përqafonte një shtatore dylli që m’u duk se i ngjante kimetliut…
Akasti
e ndërpret: Mjaft, skllav! E kuptuam. Mund të shkoni. Skllavi përgjunjet dhe largohet, i heshtur. Pret sa zhurma e hapave të çrregullta të Skllavit të tretet dhe i drejtohet Kryeçambelanit: Dy gjëra. E para: skllavin të ma hiqni qafe. E qartë?
Kryeçambelani
merr pozicion gatitu: Si urdhëroni, madhëri!
Akasti
E dyta: ndizni një zjarr bubulak mu në mes të sallonit, vijini përsipër një kazan të madh plot me vaj ulliri në zjarr dhe nxeheni fort. Erdha, ndërkohë. Nisuni! Kryeçambelani pohon me kokë, përgjunjet dhe largohet në heshtje. Kur zhurma e hapave të çrregullta të Kryeçambelanit tretet, flet me vete: Ne që nuk shkuam në luftë dhe patëm kohë boll të lëçitim papiruse konstatuam, eh medet! që ka kaq pak tekste të vlefshëm sot e gjithë ditën, sa shpejt na u desh të lëçitim edhe ca tjera që, për mediokritetin e tyre, ndryshe nuk do t’i kishim zënë kurrë me dorë; por ja që edhe prej tyre çoç mësuam, ndaj nuk jam pishman. Siç po më vjen ndër mend tani që më zunë sytë tek ajo si biçim komedie banale që titullohej… pa dale… titullohej: “Διάγνωσις”, po, po; e pra, thosh aty që ekziston një orientim i mendjes (ne nuk e ndyhejmë gojën tonë mbretërore), “orientim të mendjes” le ta quajmë, pra: agalmatofilia, nga, medet!, duket se vuajtka ajo e ëmbla ime.
(Perdja)
(c) 2023 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Kopertina: Laodamia by George William Joy (1844-1925)