MENDIME TË PAKREHURA (LXXXIV)

(nga Stanislaw Lec*)

Njeriu, kurorë – me gjemba – e Krijimit.

Reflekset e kushtëzuara mos janë gjë më njerëzore se gjestet?

Engjëjt? Shpesëri për kanibalët.

Ai çifton centaurë femra me minotaurë. Mendon se ashtu herët a vonë do të dalë njeriu.

Shtigjet e të drejtëve janë ideale për krijuesit e formave të shkurtra, sepse nuk vazhdojnë gjatë.

Nëse nuk arrin t’i gjesh fjalët për të shprehur indinjatën, mos i zëvendëso me komplimente.

Shpesh përgjegjësinë e varrosin mes varrit të vrasësit dhe atij të viktimës.

Botoi një libër me titullin Kujtime, duke mbledhur deklaratat e atyre që kish marrë në pyetje.

Maska më e ndershme është ajo e banditit. Nuk imiton ndonjë fytyrë.

Kam shumë frikë se Muzat nuk konsumojnë art.

Një kryevepër nuk ia lëpin dorën krijuesit të vet.

Pasuria e mendimit rrallëherë kërcënohet nga shtetëzimi.

Të jenë heronj? As nuk e ndien që i trodhën.

Muzat e mashtruara i dështojnë fëmijët.

Edhe pasqyrës i duhet të shihet në fytyrat, për të kontrolluar mos ka ndonjë të metë.

Mos i kërkoni gabimit se nga doli.

Do të gjendet vallë një Pavlov që të zbulojë, një ditë, ekzistencën e reflekseve të kushtëzuara të rebelimit?

Marksi dhe Engelsi të paktën mund t’i fshehin buzëqeshjet e tyre ironike pas mjekrave leshtore.

Censori është bashkë-krijuesi i botës.

Shtypi shtyp.

Ka fjalë të mëdha që janë kaq bosh, sa të burgosësh brenda tyre kombe të tëra.

I zbehtë, si një popull nën hijen e diktaturës.

Qenit besnik ia vënë turizën të zbukuruar.

Kur njeriu nuk i gjen dot fjalët, ia siguron menjëherë shteti.

 

FUND


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht)

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin