Lexuesit kanë kuriozitet të njihen me librat e rinj të sapodalë nga shtypshkronja dhe shtëpitë botuese duan të reklamojnë të renë që kanë sjellë këtë vit – dhe kjo pritet të ndodhë, për një Panair të Librit si ky i Tiranës. Por libri në Shqipëri nuk qarkullon aq mirë, sa të përligjet fokusi ekskluziv te libri i ri, si nga shtëpitë botuese ashtu edhe nga mediat dhe pastaj nga lexuesi i interesuar. Libri dhe leximi sot nuk vuajnë ngaqë nuk ka produkte të reja, por ngaqë produktet ekzistuese nuk arrijnë të imponohen për vlerat që kanë.
Pjesa më e madhe e autorëve e dinë se libri që sapo kanë botuar nuk është dhe nuk mund të jetë më i miri i tyre; sikurse do të donin që ndonjë libër i tyre më i hershëm të vinte sërish në vëmendje, sepse do ta meritonte. Dhe një Panair si ky yni do të ishte edhe rast i mirë, për lexuesin, që të qëmtojë dhe të marrë tituj të cilët më parë i kishin shpëtuar, por që – në sens absolut – kanë cilësi më të lartë se produktet më të reja. Natyrisht, për këtë do të duhej informacion më i mirë për librin në vijueshmëri, dhe jo vetëm për librin e ri, siç shihet fatkeqësisht të ndodhë. Edhe vetë libri i ri do të përfitonte, në pritje kritike dhe në lexim, po të vendosej në kontekstin e librave që i kanë paraprirë, nga i njëjti autor ose brenda të njëjtit zhanër, ose në çfarëdo konteksti tjetër që mund ta krijojë një promovim ose media e vëmendshme dhe kulturorisht e përgjegjshme.
Ideja që ndeshet jo rrallë në diskutime të cekëta për letërsinë është ajo e lexuesit “sovran”, që e vendos vetë fatin e librit; por ky lexues – krijesë mitike – edhe sikur të ekzistonte, do të varej nga informacioni që ka, për titujt e botuar. Dhe nëse ka një ankim për Panairin, që ua dëgjon të gjithëve, është ai që ka të bëjë me informacionin – deri atje sa ka autorë që nuk dinë as se ku i kanë librat e vet. Edhe kur del ndonjë të flasë për veçoritë e Panairit të tanishëm, do të ndalet në atë çfarë ka të re aktiviteti, edhe pse vetë nocioni i së resë është relativ dhe parakupton krahasimin me diçka tjetër, më pak të re, në mos të vjetër – të cilën, megjithatë, askush nuk e di çfarë është se ku gjendet. Kjo edhe i bën librat e rinj të shfaqen si numrat e ruletës – me të vetmin rol që të jenë të famshëm për 15 minuta. Për mua, një libër sidomos fiction nuk përfiton gjë, nga të qenët “libër i ri”; përveçse kur ky informacion i mbërrin dikujt që e ka ndjekur autorin hap pas hapi dhe mezi ç’pret që ky të nxjerrë diçka të re nga dora. Përndryshe, lexuesi zakonisht do ta shmangë “të renë”, sepse nuk mund t’ia lejojë vetes të rrezikojë shumë; aq më tepër duke u nisur edhe nga çmimet ekzistuese, dhe do të zgjedhë një autor ose një zhanër ku ndihet mirë, sepse e ka një eksperiencë të shkuar. Tek “e reja” që promovohet, në ekrane në TV, ka gjithnjë diçka jetërsuese; dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për autorë të rinj, në të dy kuptimet e mbiemrit; madje edhe po të marrë njeriu parasysh që shtëpitë botuese janë gjithnjë në kërkim të një suksesi fenomenal.
Që letërsia shqipe bashkëkohore edhe nxjerr vepra të mira, edhe nuk arrin të funksionojë, kjo do të shpjegohet – mendoj unë – me një pengim të përgjithshëm të qarkullimit letrar, ku komercializmi nuk arrin dot të bashkëpunojë me dashurinë për librin e mirë, dhe as autori të bashkëpunojë me lexuesit. Dhe sërish për këtë arsye, produksioni letrar lulëzon në bashkëkohësi ose sinkroni – siç e vërtetojnë edhe prurjet e Panairit vetë – por nuk arrin dot të gjejë jetë në përmasën kohore, ose në diakroni; pa çka se letërsia, në vetvete, është para së gjithash intertekstualitet, ose prani e teksteve më të hershme në tekstet aktuale (dhe viceversa). Edhe veprat e më të shquarit autor të letërsisë shqipe – Kadaresë – i paraqiten lexuesit si të ishin letra bixhozi të shtruara për një solitaire madhështor, ose jashtë përmasës diakronike (më shumë se 60-vjeçare), kohës kur janë shkruar, dhe lidhjeve që kanë vendosur mes tyre në kohë.
Ky keqtrajtim i pafalshëm i kohësisë së tekstit letrar e bën produksionin e tanishëm dy-përmasor, të sheshtë, madje edhe atë vetë jashtë kohe; në kuptimin që edhe vetë atributi i të qenit i ri e humb kuptimin, meqë “i ri”, në një botë ku mungon artikulimi në kohë, nuk është veçse imazhi i një numri çfarëdo, në dritaren e një rulete a të një slot machine. Nga kjo pikëpamje, Panairi i Librit dhe krejt sistemi i librit shqip shfaqin të njëjtat simptoma të një lëngate prej së cilës vuan sot krejt kultura në Shqipëri: paaftësia për t’i përvetësuar produktet kulturore historikisht, ose në marrëdhënie kohore mes tyre nga njëra anë, mes tyre e lexuesit nga ana tjetër.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Freestocks.