nga Adela Radovani
Në një sondazh të kryer nga Barometri i Euronews Albania, rezultoi që më tepër se 70% e të anketuarve nuk kishte blerë asnjë libër gjatë vitit 2022. Lajmi e mbajti të mbërthyer rrjetin për plot dy ditë, ku i madh e i vogël gjeti rast të komentojë, aludojë, parashikojë, përflasë dhe përjetojë këtë rezultat. Sigurisht, ndryshe nga shumica e statistikave që merren me shitjet e kopjeve, me vlera të ardhurash për libraritë dhe shtëpitë botuese, një sondazh i tillë, i cili e kap individin në formë personale, intrigon më tepër dhe nxit debatin; kjo sepse na prek ne, dhe jo struktura të panjohura dhe shifra në milionë që nuk arrijmë dot as t’i imagjinojmë. Ngjashëm, pyetja nëse kishin dhuruar ose a u qenë dhuruar libra, me një vlerë të përafërt përgjigjesh negative tregon se për këtë pjesë të popullatës, libri ose është shndërruar në objekt të panjohur, të pakapshëm, ose më keq akoma, të parëndësishëm. I kryer një javë para çeljes së panairit të librit në Tiranë, sondazhi ka vlerën e parashikimit dhe gjasat janë të një tjetër viti me shitje të vakëta. Pavarësisht idesë se panairi duhet të ketë një vlerë më tepër drejt promovimit e njohjes së autorëve dhe përkthimeve të reja, në thelb, ata që presin panairin për të blerë libra, e bëjnë për shkak të uljeve të mundshme dhe kanë lista të përgatitura gjatë gjithë vitit. Shtëpitë botuese, duke e njohur këtë sjellje të blerësit, pavarësisht botimeve që kanë gjatë vitit, shtyjnë shumë prej tyre enkas për panair, për të krijuar më tepër bujë dhe për të rritur shitjet.
Si lexuese, unë nuk shoh asnjë problem në mënyrën si panairi trajtohet nga të dyja palët. Ideja se libri nuk mund të trajtohet si mall, paraqet një utopi e cila nuk mund t’i mbijetojë kohës që flasim, pavarësisht dëshirës së kujtdo për t’u dukur më intelektual a më dashamirës ndaj të lexuarit dhe të shkruarit. Libri, ashtu si disa produkte të tjera jetike, nuk mund të zhvishet nga vlera e tij monetare dhe as të jepet falas, por ashtu si p.sh., medikamentet, duhet të përfshihet në buxhetet shtetërore për subvencionim, sepse është pjesë e atyre produkteve të domosdoshme për mbijetesë të individit pjesë të një shoqërie. Ky diskutim i subvencionimit të librit me para publike ka vite që diskutohet, parashtrohet dhe nxitet drejt institucioneve si ide, por ka rënë deri tani në vesh të shurdhët. Aktivitetet që financohen me fonde publike janë vazhdimisht nën sulmin e studiuesve, shkrimtarëve dhe botuesve si të pamjaftueshme ose që nuk godasin në shenjë. Në këtë shkrim të tetorit të 2021, A. Vehbiu diskuton rëndësinë kombëtare të mbështetjes së librit shqip, dhe besoj që nuk do jetë as shkrimi i tij i vetëm mbi temën.
Sido që të jetë, aktualisht, pjesa më e madhe e lexuesve dhe projekteve për të nxitur leximin përfshijnë moshat shkollore, deri në arsimin parauniversitar, pikë pas të cilës individi në Shqipëri mbetet i varur nga reklamat, buja, nxitja nga rrethi social dhe dalëngadalë humbet kontaktin me librin e mirë. Shumë është diskutuar për cilësinë e përkthimeve, të librave që botohen nga autorë shqiptarë, të mungesës së një kritike shkencore të drejtë e më pas të kritikës bazike, për ata që mund të kenë interes të lexojnë, por nuk dinë ku të drejtohen. Pas mbarimit të shkollës së mesme, një student që vazhdon cilëndo degë që nuk lidhet drejtpërdrejt me librin, krijon një distancë të detyruar me librin artistik dhe që nuk i lidhet në formë direkte me degën e zgjedhur. Me mbarimin e shkollës dhe nisjes së angazhimit në punë, ky individ konfuzohet nga kopertinat me ngjyra dhe lodhja, strapacimi intelektual dhe fizik e largojnë krejtësisht nga libri. A është e dëmshme kjo? Sipas të gjitha studimeve, largimi nga krijimtaria artistike, sidomos nga gjuha e lartë, është e dëmshme për trurin, në nivel personal. Në nivel kombëtar, humbja e fjalorit personal çon në varfërimin kulturor të vendit, duke i bërë njerëzit më të paaftë për veten e tyre, për të kuptuar veten dhe për ta bërë veten të kuptuar te të tjerët.
Problemi tjetër është ai i analfabetizmit funksional, i personave me paaftësi të caktuara që nuk janë ndjekur kurrë nga shkolla (disleksi, ngadalësi për të mësuar etj), i varfërisë ekstreme që zë peshë diku te 30% i gjithë popullatës së vendit sipas Bankës Botërore, i atyre personave që libri mund t’u duket nga gogol dhe i pakuptueshëm e deri në objekt luksi.
Në Shqipëri, veç strukturave të tjera nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit, ekziston dhe një qendër për leximin, e cila në faqen e saj të web, paraqet disa aktivitete të cilat për cilindo grup që unë përmenda, do dukeshin të huaja, të parëndësishme dhe krejt larg përditshmërisë së tyre. Në misionin e saj, QKLL deklaron se,
Misioni i QKLL-së është ndjekja dhe zbatimi i projekteve në fushën e librit, sipas programit qeverisës të ministrisë përgjegjëse për librin, duke synuar përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe atë botëror.
Vështirë është të pretendojmë se një qendër leximi do mund të nxisë leximin në ata që vuajnë nga varfëria ekstreme, ose nga analfabetizmi funksional. Nga ana tjetër, qartësisht funksioni për të cilin është ngritur, nuk mund të plotësohet me aktivitetet e organizuara nga individë kokë e këmbë të zhytur në fushën e studimit letrar, ose nga shkrimtarë, gazetarë e persona të tjerë që ‘hanë bukë’ me librin. Nëse qendra ka si misionin të saj të nxisë leximin dhe krijimtarinë, nxitja nuk mund të bëhet tek ata të cilët janë të vetënxitur nga profesioni i tyre. QKLL nuk mund të rrijë pa adresuar problemin e kapjes në kohë të fëmijëve me disleksi, me vështirësi në të nxënë, në qindra mikroproblemet që nisin nga shkolla fillore. Më keq akoma, QKLL nuk mund të mos ketë një projekt të drejtimit të atyre që do donin të lexonin sërish, por nuk dinë nga t’ia nisin. Në listën e aktiviteteve të shpallura në Panairin e Librit, QKLL organizon një takim me titull ‘A lexohen autorët shqiptarë?’, e cila ngjan si pyetje retorike, me përgjigjen e njohur, ‘absolutisht jo’. Ky është aktiviteti i vetëm që zhvillon për Panair qendra, si për të kryer një detyrë ndër vite të munguar, që nuk mund të plotësohet kurrsesi me një takim në salla ku nuk do marrë pjesë askush veç palëve të interesuara për t’u fotografuar aty.
Për të nxitur shkrimin dhe leximin në Shqipëri, një varg donatorësh ndër vite kanë sjellë projekte për organizata dhe shtëpi botuese, të cilat kanë aplikuar dhe kanë realizuar projekte me rezultate të papërfillshme. Tirana Gate 2022, i financuar me fonde të përziera të bashkisë dhe ato të Regional Network for Diversity, organizoi në tetor një festival a konkurs letrar për gjimnazistë, ku kërkohej prej tyre të dërgonin një copë letrare me një temë të caktuar. Nga një shfletim i faqes përkatëse në Facebook, mund të shohësh se pjesëmarrësit në aktivitete janë të pakët në numër, shpërndarja dhe efekti tek moshat shkollore janë në limite të tilla që vështirë se mund të ketë angazhuar më tepër sesa përqindja e caktuar e atyre shkollave elitare që duhen për të plotësuar numrat. Edhe aktivitetet përmbyllëse, nëse analizon fotot, vihet re se pjesëmarrës kanë vetëm persona të angazhuar në projekt, shkurt, fonde të vajtura dëm ose që kanë shkuar për botim, por pa arritur rezultatin e kërkuar prej donatorit. Nëse ka ndihmuar qoftë dhe një autor, botues a shkrimtar të ri të vetëm, patjetër që vlen- por nuk po flasim këtu për efekt që do ndryshojë diçka për shumicën e lexuesve, edhe sikur ai fond të jepej çdo vit. Nëse flasim për mundësi financiare, nuk mendoj që një konkurs i atij niveli ka nevojë për fonde të mëdha, por kjo është një çështje që nuk lidhet aspak me problemin e lexuesit të lënë në dorë të fatit, me shpresën se ndoshta do gjejë këtë vit një libër të mirë në panair, nën ndikimin e aktiviteteve që organizohen.
Sigurisht që nuk është rasti për të deklaruar se vetëm 20% e popullatës lexojnë. Jemi të vetëdijshëm se numri i bibliotekave në Shqipëri është rritur gradualisht, paçka se janë ende të pakta para nevojës së madhe që kanë sidomos studentët dhe leximit online në gjuhën angleze, italiane etj (formati e-book në shqip nuk është praktikuar nga shtëpitë botuese). Të lexuarit në gjuhë të huaj, për mua, nuk kontribuon dot në mbajtjen gjallë të kulturës së kombit. Nevoja për libra në shqip, për libra të përkthyer në gjuhë të pasur ose nga autorë vendas, është një vijë paralele me leximin në gjuhë të huaj, që i takon një aspekti të rëndësishëm, por krejt tjetër intelektual. Sado më të larta qofshin shifrat reale të leximit, nuk është pak që një libër të kushtojë sa 3% e rrogës minimale aktuale në Shqipëri. A mund të pretendojmë se një punëtor me rrogë minimale, që me një libër nuk plotëson asnjë nevojë natyrale që ai percepton si të nevojshme për mbijetesë, të blejë një të tillë, me idenë që do ta lexojë më pas? Mendoj se do të ishte një pretendim i tepërt, qesharak dhe absurd. Do ishte absurde edhe në një shoqëri ku dija vlerësohet, për më tepër në një situatë ku gjithnjë e më tepër po ngarkohet si vlerë shpejtësia me të cilën dikush bën para, famë ose ngrihet në status socio-ekonomik, pavarësisht nëse i zbaton rregullat e lojës të vëna nga ligji dhe kodet e tjera të pashkruara.
Patjetër, gjendemi në një situatë e cila dikë do duhej të alarmonte. Deri tani, reagimi i vetëm kanë qenë deklarata pompoze në rrjete sociale. Të rrudhësh buzët dhe të tundësh kokën, ‘kështu e ka rinia e sotme’, pa reagimin e strukturave përkatëse, qoftë të QKLL-së, Ministrisë së Arsimit, drejtorive rajonale arsimore, qendrave të tjera të ngritura për rininë dhe kulturën, është të lejosh situatën të përkeqësohet. Këmbana të alarmit kanë rënë shumë herë në këto vite dhe përballë të dhënave më të fundit, të bësh një vesh shurdh e një sy qorr tregon ose paaftësi ose dëshirë dashakeqe për uljen e nivelit kulturor të shqiptarëve. Fundja, një popull injorant është një popull që lehtësisht nënshtrohet.
© 2022 Adela Radovani. Të gjitha të drejtat janë të autores.
Kopertina: Photo by Alex Blăjan on Unsplash