Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Libri Shqip

NË NDIHMË TË LEXUESIT

Më thoshte një kolege nga Tirana se kish parë plot libra anglisht në seksionin ndërkombëtar të librarisë Adrion, që kushtonin më lirë se librat shqip. Kjo do të thotë, mes të tjerash, se ai lexues i ri që është i familjarizuar me anglishten – si shumë e shumë të rinj në Shqipëri – mund të preferojë t’i blejë librat anglisht, duke ia lënë shqipen parlamentit dhe televizionit. Prej kohësh kam ngritur zërin, sa herë që kam mundur madje aq sa jam bërë i mërzitshëm, për çmimet e larta të librave që botohen sot; kam sugjeruar, në publik por edhe në komunikim me funksionarë të lartë që merren me librin, që ky të subvencionohet nga shteti në momentin e shitjes, në kuptimin që shteti të lehtësojë një pjesë të kostos për lexuesin, sidomos për letërsinë shqipe dhe tekstet shkollore e universitare. Nuk kam shpresuar se këto sugjerime do të m’i merrnin parasysh. Edhe tani, nuk ngurroj ta them haptazi, se çmimet e larta të librave po dëmtojnë lexuesit, aq më tepër që lexuesit më të etshëm, më të uritur, dhe më të synuarit nga autorët, janë edhe ata që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. Prandaj edhe mendoj se, duke qenë ndërhyrja për ta lehtësuar çmimin e librit ndërhyrje për të mbajtur gjallë kulturën shqipe, ata që janë të vetëdijshëm se çmimet e librave janë të larta por nuk bëjnë përpjekje për t’i ulur, edhe pse mund t’i bënin dhe ua mundëson funksioni publik që t’i bënin, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për rrëgjimin e leximit shqip.

Shteti i Shqipërisë shpenzon shuma të mëdha, ndonjëherë marramendëse, për veprimtari kulturore që as mund të krahasohen, për nga impakti social, me leximin; që nga gjithfarë qokash, festivalesh, konferencash e panairesh, te mbajtja në këmbë e infrastrukturave për produksionin dhe përhapjen e librave shqip në diasporë; shteti i Shqipërisë mbështet drejtpërdrejt hartimin, shtypjen dhe shpërndarjen anembanë botës të abetareve të shqipes për fëmijët në diasporë, por nga ana tjetër nuk lëviz gishtin për t’ua lehtësuar kontaktin me librin fëmijëve, bijve e bijave të qytetarëve të vet, dhe të rriturve përkatës.

Për ironi, kur kam ngritur çështjen e subvencionimit të librit, më kanë kundërshtuar me argumentin se shteti nuk duhet të ndërhyjë në treg; por libri shqip, që kushtëzohet si mall nga numri objektivisht i kufizuar i lexuesve, mund do të mbijetojë në qoftë se qarkullimi i tij lihet në mëshirë të ligjeve të tregut dhe të kërkesë-ofertës; dhe se tregu, si i tillë, nuk ka asnjë arsye dhe as përfitim, që kultura jonë kombëtare të zhvillohet normalisht; madje për tregun do të ishte mbase më mirë, sikur libri shqip të zhdukej krejt, ose të kthehej në një produkt luksi, për t’u konsumuar si simbol statusi.

Edhe shtëpitë botuese, të cilat e vendosin çmimin e librit në rrethanat kur u duhet të mbijetojnë si operatorë ekonomikë në treg dhe në raport edhe me kostot materiale të produksionit (shtypshkronja, etj.), nuk do të mbijetonin dot, megjithatë, vetëm me letërsi; në fakt, ato në masë të madhe përfitojnë nga fondet e vëna në dispozicion nga palë të treta, përfshi këtu edhe shtetin; OJQ-të vendëse dhe të huaja; fondacionet gjithfarësh; nisma të Bashkimit Europian dhe të organizatave të tjera kulturore; dhe ambasadat e shumë vendeve, që mbështetin financiarisht përkthimet dhe botimet e shkrimtarëve të tyre në shqip.

Të vetmit që dalin si rruar-qethur në këtë proces janë lexuesit, që e blejnë librin shtrenjtë, në raport me të ardhurat e tyre; përkthyesit, që paguhen pak dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shqipes që nxjerrin nga dora; dhe autorët origjinalë, që në rastin më të mirë, paguhen fare pak, sipas formulash që varen nga numri i librave që u shiten, ose numri i kopjeve të shtypura; pa folur këtu për ata që i paguajnë vetë librat e tyre dhe ata të tjerët që gjejnë formula ndërmjetësimi me shtëpitë botuese përkatëse (të tipit unë të përkthej një best-seller dhe ti në vend të honorarit më boton librin tim). Që në Shqipëri nuk ka asnjë shkrimtar që të jetojë vetëm me të ardhurat nga librat e vet, kjo nuk habit kënd; janë kohë të vështira, për të mbijetuar me penë dhe jo vetëm në vende të vogla (ka ikur koha kur shkrimtarët “kryesorë” ishin rrogëtarë në shtet dhe ndihmës të PPSH-së në edukimin komunist të masave punonjëse). Por libra vazhdojnë të shkruhen dhe të botohen, sipas mekanizmash tregu që ndonjëherë nuk kuptohen mirë; aq sa ndonjëherë të duket sikur shtëpitë botuese nuk e vrasin shumë mendjen, për t’i shpërndarë dhe shitur librat që botojnë, sepse i sigurojnë të ardhurat që u duhen me mjete të tjera. Dhe kështu ndodh që botimi i një libri të ri, nga një autor shqip, të shënjojë jo pikënisjen, por pikëmbërritjen e një investimi material dhe kulturor.

Blerja e çdo libri të ri, aq më tepër në rrethanat kur ky kushton jo pak, i rëndon lexuesit disafish: jo vetëm sepse, ngaqë nuk ka një ekosistem informacioni për librat e rinj, lexuesi nuk di se çfarë po merr në dorë; por edhe se, sa kohë që buxheti për libra është i kufizuar, ky lexues me shumë gjasë do të lërë pa blerë një libër që mbase do t’u përshtatej më mirë shijeve të tij. Edhe eventet e librit, që zakonisht u paraprijnë festivaleve ose panaireve, fokusohen në librat që sapo janë botuar ose janë duke u botuar; çfarë nënkupton se një vepër e botuar më herët se një vit më parë nuk ka asnjë shans, që të përmendet gjëkundi në publik. Ashtu edhe vlera kulturore e një libri të ri reduktohet – në mënyrë absurde – te momenti i botimit të tij, shto këtu edhe një moment të dytë, nëse libri nominohet për ndonjë çmim ose e fiton atë, dhe një moment të tretë, nëse libri qëllon që përkthehet gjëkundi; por vepra, në vetvete, është jetime, njëlloj si të vegjlit e gjallesave të ulëta, prej të cilëve pritet të veprojnë në autonomi të plotë, fill pasi dalin nga veza. Dhe nëse për botimin dhe prezantimin e një libri kujdeset gjithsesi shtëpia botuese, për ecurinë e tij të mëtejshme nuk kujdeset më askush, paçka se ndërkohë mund të jetë vënë re se ajo vepër do të meritonte shumë tepër vëmendje se ç’iu dha në fillim.

Kultura jonë e librit është e lobotomizuar – kemi nga njëra anë një bashkëhohësi ku titujt e rinj ndërrohen me një shpejtësi të tillë që i barazon të gjithë mes tyre; nga ana tjetër, një traditë me monumente të ngrira në qelibar, të cilat ribotohen dhe adhurohen ritualisht. Ashtu edhe te rezulton më e lehtë të flasësh për një vepër qoftë kjo minore, të viteve 1930, se për një vepër, shumë më të vlefshme dhe cilësore, të viteve 1990, e cila është zhdukur ndërkohë nga raftet e librarive (kur nuk është shkërmoqur, për faj të cilësisë së keqe të printimit). Pas gjithë këtyre parantezave, dua sërish të theksoj se subvencionimi i çmimit të librit do të ishte një hap i parë drejt normalizimit edhe të tregut, por sidomos në mbështetje të lexuesit; dhe ata që mund ta realizojnë, nuk mund të thonë më se nuk u kish shkuar mendja.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin