Megjithë pasionin dhe obsesionin përvëlues me të shkuarën dhe historinë, pop-kultura e sotme shqipe dhe shpesh edhe dija e kanë haptazi të mangët shqisën kronologjike dhe aftësinë për të perceptuar rrjedhën e kohës. Edhe kur në qendër të vëmendjes vjen prejardhja, lashtësia, origjina, shumë prej nesh operojnë në mënyrë statike, duke refuzuar të kuptojnë se distanca kohore përkthehet në ndryshim, mes të tjerash edhe të identitetit. Jo rrallë sheh që ilirët të trajtohen si banorët krenarë të fshatit përbri, ndërsa pretendimet për rishikim të rrëfenjave historike të çojnë në kacafytje edhe më serioze se ato për gabimet e një arbitri gjatë ndeshjes së futbollit. Pop-kultura ende nuk i ka hapur vend të bërit (becoming, divenire) në perceptimin e së shkuarës dhe as duket në gjendje t’i shquajë qartë objektet dhe konceptet në ndryshim e sipër, p.sh. gjuha, duke i kolapsuar në emrat e tyre, nëmos në personazhe përrallash.
I njëjti shqetësim, por në derivat të dytë, vlen edhe për dijen historike, përkatësisht albanologjinë[1]; të cilën pop-kultura e trajton si ndonjë magazinë armatimesh për betejat imagjinare me nacionalizmat e fqinjëve, kur nuk e trajton si palestër masazhi të identitetit. Duke shpërfillur faktin që edhe vetë dija ka shtrirjen dhe ecurinë e vet në kohë, çfarë në thelb e detyron të evoluojë. Për të njëjtën arsye, albanologjia e sotme dhe historia e albanologjisë janë dy anë vërtet të së njëjtës dije, por që nuk mund të ndërkëmbehen.
Vitet e fundit lexuesit shqip i janë dhënë dy tituj të përkthyer nga fondi albanologjik: Gjuha e shkipëtarve nga Joseph von Xylander (1835) dhe Historia dhe gjuha e shqiptarëve dhe vllehëve nga Johann Thunmann (1774), të dy të përkthyer nga Albert Gjoka dhe Frida Vokopola. Bëhet fjalë për vepra të njohura të fushës, të cilat kanë dhënë kontributin e tyre në dije dhe ashtu kanë zënë vend prej kohësh në historinë e albanologjisë.
Por të dyja këto vepra me natyrë historike i përkasin një periudhe të studimeve gjuhësore kur indo-europianistika nuk ishte konsoliduar ende; sikurse nuk ishte përpunuar metoda historike-krahasuese. Prandaj sot ato janë të dyja të kapërcyera dhe vlejnë sidomos për të kuptuar dhe ndjekur historinë e albanologjisë, në fazën e saj fillestare, por nuk mund të përdoren lirisht, nga ata që duan të mësojnë më shumë për historinë e shqipes dhe të shqiptarëve.
Për më tepër, shqipja në kohën kur u shkruan këto vepra njihej ende jo mjaftueshëm, dhe në masë të madhe nga burimet gjuhësore të ngulimeve (arbëreshe, arvanitase), çfarë i ka penguar objektivisht autorët që të njohin strukturën e saj gramatikore dhe leksikore. Edhe pse Thunmann dhe Xylanderi kanë qenë mendje të ndritura të kohës dhe kanë dhënë më të mirën e mundshme në përpjekjet e tyre, veprat që kanë lënë sot u vlejnë më shumë disa pak studiuesve të historisë së dijes; në një kohë që, me gjasë, lexuesin e paspecializuar vetëm do ta pështjellojnë.
Nuk jam në gjendje të them sa nevojë ka kultura e sotme shqip për përkthime veprash të kësaj natyre; por e kam të qartë se përkthyesit dhe botuesit përkatës kanë gjykuar se nevoja ekziston dhe duhet plotësuar. Njëlloj nuk jam në gjendje të them se cili lexues do të përfitonte diçka nga leximi i Thunmann-it a i Xylander-it, pa aparatin e duhur kritik. Deri nga mesi i shekullit XIX, gjuhësia historike ishte më shumë art se shkencë dhe hulumtuesit ia lejonin vetes gjithfarë fluturimesh në flatrat e imagjinatës – vetëm adoptimi rigoroz i metodës historike-krahasuese mundësoi shndërrimin e aventurave dhe improvizimeve në shkencë.
Dhe këtu do të kthehem sërish te shqetësimi që solla në hyrje të këtij shkrimi: kur një kulture i mungon aftësia për t’i perceptuar objektet e veta në perspektivën kohore dhe sidomos në ndryshim e sipër, atëherë ajo do të gabojë edhe në vlerësimin e dijes së trashëguar. Dhe ashtu veprat e Thunmann-it dhe të Xylander-it do të trajtohen njëlloj si ato të Meyer-it, Pedersen-it dhe Jokl-it, edhe pse këta të tre i përkasin një rrafshi tjetër kohor, kur përkatësia dhe vendi i shqipes në familjen indo-europiane ishin konfirmuar, kur metoda historike-krahasuese ishte përsosur dhe kur shqipja vetë po fillonte të njihej me gjithë pasurinë e saj.
Veçanërisht gjysma e dytë e shekullit XX dhe këto dy dekada të shekullit XXI kanë sjellë të dhëna të reja gjithfarësh, të cilat e ndihmojnë dijen t’i kuptojë më mirë problematikat e historisë së gjuhëve, veçanërisht të gjuhëve që janë shkruar vonë, si shqipja. Edhe në lëmin e historisë mirëfilli, janë zbuluar dokumente të reja dhe janë zhvilluar konceptime të reja të dinamikave historike në Ballkanin e lashtë dhe të Mesjetës së Hershme, të cilat nuk njiheshin fare, në kohën kur kryenin studimet e tyre Thunmann-i dhe Xylander-i. Vetëm specialisti do të ishte në gjendje t’i vendoste këta të dy në kontekstin bashkëkohor të ndryshuar dhe të ndërmjetësonte lexime të reja të teksteve.
E kuptoj edhe se futja e veprave të tilla në qarkullim, veçanërisht në momentin e tanishëm, synon edhe të dobësojë hegjemoninë albanologjike që ushtrojnë institucionet akademike në Shqipëri, nëpërmjet ofrimit tërthorazi të alternativave. Kjo hegjemoni, sa i përket dijes në Shqipëri, lidhet me autoritetin mbetës të Eqrem Çabejt në gjuhësi dhe deri-diku të Aleks Budës në histori; por i ka rrënjët në konceptet, metodat dhe rezultatet e shkollës gjermane dhe austriake. Po promovohet kështu një pikëpamje, sipas së cilës hegjemonia në fjalë ka natyrë më shumë ideologjike dhe i përket një paradigme tashmë në perëndim e sipër.
Janë tema që kërkojnë urgjentisht debat, paçka se publiku në Shqipëri dhe në Kosovë nuk është gati për këtë; sepse publiku duket i etur që të besojë, pikërisht kur do t’i duhej më shumë të menduarit kritik; dhe në kontekstin kur dija identitare – teoritë dhe hipotezat për prejardhjen dhe autoktoninë – është shkëputur tashmë nga kontrolli institucional dhe mass mediat ua kanë hapur dyert turbo-albanologëve dhe sharlatanëve. Duke qenë ky mjedisi kulturor, jam pesimist për të ardhmen e mbështetjes publike për albanologjinë serioze (shkencore) – njerëzit tani janë kushtëzuar që të kërkojnë gjëra të tjera, dhe kur ka kërkesa, do të gjenden gjithnjë ata që do t’i plotësojnë.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Image by annca from Pixabay
[1] Edhe vetë albanologjia, si fushë e dijes historike, është marrë tani së fundi në pyetje dhe është vënë në dyshim. Këtu po mjaftohem ta përdor, si term, për të shënjuar tërësinë e studimeve rreth historisë së gjuhës shqipe, popullit shqiptar dhe kulturës përkatëse, pa u pozicionuar më tutje.