Po ndiqja një ditë një bisedë televizive, ku ishin ftuar një specialist filolog i shqipes dhe një përkthyes i një vepre albanologjike të traditës, të cilët hynë në debat mes tyre.
Përkthyesi dukej qartë që nuk merrte vesh shumë nga fusha, së cilës i përkiste libri prej tij i përkthyer – nuk njihte gjuhësinë historike, as historinë e shqipes, as historinë e librit shqip, as historinë e albanologjisë; ishte ushqyer në burime “alternative” dhe, për më tepër, dukej i bindur se “Akademia” zyrtare[1] nuk po e linte mendimin alternativ që të ngrinte kokë, madje po ia zinte frymën, duke imponuar një lloj hegjemonie ex cathedra në mendimin albanologjik. Edhe vendimi që ky përkthyes kish marrë për të përkthyer veprën në fjalë (një vepër përndryshe e tejkaluar) i detyrohej vullnetit të tij për ta kundërshtuar hegjemoninë dhe për t’i treguar publikut “të vërtetën” që “Akademia” ia mbante fshehur.
Specialisti filolog, nga ana e vet, i kish gjërat shumë të qarta, por njëkohësisht edhe shqetësohej nga nevoja për të hyrë në debat, si i barabartë, me një amator çfarëdo; argumentet e tij, aq bindëse sa të tingëllonin triviale, e humbnin peshën përballë injorancës së ndërfolësit. Ky i fundit, sa herë që e hapte gojën, tregonte se pikëpamjet e veta ia detyronte atij deliri pseudo-historik, ku megalomania për lashtësinë e shqiptarëve dhe të shqipes ecën krah për krah me paranojën ndaj atyre që “e pengojnë dijen të dalë në dritë”. Ashtu edhe debati më kujtoi fabulën ezopiane të dhelprës dhe të lejlekut, që shkonin për darkë në shtëpitë e njëri-tjetrit. Në kuptimin që këto dy lagje – filologët dhe gjuhëtarët e formuar me dijen albanologjike nga njëra anë, zelltarët që i mëshojnë persekutimin prej “establishmentit” akademik nga tjetra – nuk mund të komunikojnë mes tyre.
Talk shows në televizionet shqiptare gjithnjë e më shpesh po u lëshojnë kryet e oxhakut turbo-albanologëve, pavarësisht nga statusi i kredencialeve të tyre. Me gjasë, këta pseudo-dijetarë dhe ligjërimi i tyre e tërheqin madje e zbavitin publikun televiziv. Më rrallë ndodh që i njëjti emision të vërë përballë dijetarët me pseudo-dijetarët, dhe t’u kërkojë të parëve që t’u kundërvihen të dytëve me argumente. Prandaj më ngacmoi emisioni në fjalë, dhe u interesova të marr vesh pozicionin e drejtuesit të emisionit, në raport me të ftuarit.
Edhe pse nuk m’u duk i entuziazmuar me tezat “radikale” të përkthyesit të ftuar, drejtuesi i emisionit ngulte këmbë për të ruajtur baraspeshën mes dy palëve në debat, duke e parë veten si arbitër dhe duke u dhënë palëve, për shembull, kohë të njëjtë për të parashtruar pikëpamjet e tyre, dhe sipas rastit kritikat, objeksionet dhe hipotezat. Meqë unë i kam disa njohuri për fushën ku zhvillohej debati, isha në gjendje të dalloj se përkthyesi thoshte përgjithësisht gjëra pa kuptim, të cilat pjesërisht i kish dëgjuar gjetiu dhe pjesërisht i kish deduktuar vetë, për shkak të formimit të mangët (joprofesional). Specialisti, nga ana e vet, ish zënë aq ngushtë nga nevoja për t’iu përgjigjur absurditeteve, sa ndonjëherë harronte se duhej t’i fliste publikut, jo atij që i kishin vënë përballë. Vështirë ta bësh me faj: përfytyroni një matematicien, përballë një profani çfarëdo, i cili pretendon, pa iu dridhur qerpiku, se trekëndëshi mund të ketë edhe katër brinjë.
Nuk jam në gjendje të them nëse drejtuesi i debatit, gazetar televiziv i njohur dhe me përvojë, e kuptonte asimetrinë mes palëve dhe pamundësinë që këto të mund të merreshin vesh mes tyre; ose edhe faktin tjetër, për mua evident, që njëra nga palët, përkthyesi, ishte në keqbesim dhe kërkonte simpatinë e publikut duke u hequr si viktimë e tjetrit, përfaqësues të “establishmentit”. Këmbëngulja e drejtuesit për të ruajtur “balancën” dhe “barazinë”, një PAR CONDITIO dukshëm e huazuar nga debatet politike, dukej gati e shkëputur nga përmbajtja e debatit konkret dhe argumentet e palëve; misioni i tij ishte ta çonte emisionin deri në fund, pavarësisht nga asimetria e shkëmbimeve dhe dialogu keqazi i deformuar.
Por edhe nuk mund ta përfytyroj drejtuesin e emisionit që ta shndërronte debatin në gjyq, ose “qortim”, të argumenteve që parashtronte përkthyesi i ftuar; ngaqë këtë të fundit e mbronte vetë statusi prej të ftuari në emision. Vija re ndërkohë dëshpërimin e specialistit, të cilit i dukeshin kaq të qarta ato që thoshte, dhe kaq absurde kundërshtimet e përkthyesit, sa herë pas here e shihte drejtuesin e emisionit me pikëllim, si për t’i thënë: “mirë ky, por as ti Brut nuk e merr vesh këtë që po them?” Edhe ky, bëri ç’bëri dhe e pa të udhës që të paraqitej në fund si viktimë (qu’allais-je faire dans cette galère, dija si viktimë e padijes).
Kjo ishte një nga ato situata ku informacionin për publikun e prodhon moskomunikimi – në kuptimin që palët përforcuan pozicionet e tyre me lagjet përkatëse të publikut, por nuk gjetën dot gjuhë të përbashkët mes tyre. Dhe nëse ndodhi kështu, atëherë mund të pyetet nëse debate të tilla në televizion shërbejnë për ndonjë gjë, përtej rritjes së audiencës dhe shumëfishimit të “viktimave” të certifikuara. Kam dëgjuar se shumë njerëz që duan ta përdorin albanologjinë dhe historinë e shqipes dhe të shqiptarëve për nevoja praktike (p.sh. identitare), mendojnë se në emisione të tilla del lakuriq pafuqia e “Akademisë” për t’i argumentuar ato pozicione që deri më sot i paska imponuar me pushtet dhe sipas principit të autoritetit. Sikurse kam dëgjuar njerëz të ditur, të kalibrit të specialistit tonë në emision, që të shpjegojnë se alternativëve nuk u duhet kushtuar vëmendje, dhe se çdo konfrontim i hapur me ta i shërben legjitimimit të një dijeje pseudo, të mbajtur gjallë nga sharlatanë, amatorë dhe populistë.
Nga ana tjetër, televizioni nuk është platformë e përshtatshme për të mbrojtur albanologjinë dhe “Akademinë” nga akuzat e kundërshtarëve; është praktikisht e pamundur t’i përgjigjesh, për pesë minuta dhe live, një pyetjeje të tipit: “më thuaj pse Kolec Topalli i ka nxjerrë 93% të fjalëve shqipe si të huazuara” ose “pse ia ka ndaluar Akademia veprën Petro Zhejit?”, aq më tepër në rrethanat kur premisat e arsyetimeve që sillen nga alternativët janë o të gënjeshtërta o të gabuara.
Debati që ndoqa i la palët njëlloj të pakënaqura, madje të frustruara: specialisti me siguri do të ketë marrë vendimin që të mos shkojë më në emisione ku t’i duhet të përballet me injorancën dhe keqdashjen; përkthyesi do të jetë bindur, nga ana e vet, se vepra që ka përkthyer dhe që po promovon nuk do të receptohet dhe vlerësohet kurrë nga “Akademia”, ngaqë do të këqyret si kërcënuese për pushtetin e saj ndaj dijes. Nuk mund të them gjë për reagimin e publikut, por nëse bëhet fjalë për një publik, i cili ushqehet me emisione si ato ku janë ftuar të ligjërojnë gjithfarë amatorësh, sharlatanësh dhe halucinantësh, atëherë ky publik do t’i gjejë më bindëse pseudo-argumentet e përkthyesit dhe tonet e tij viktimiste; duke u distancuar prej indinjatës së specialistit dhe pozicionimit të tij vetvetiu elitist.
Edhe vetë kriteri kinse i paqortueshëm, i arbitrimit asnjanës (par conditio) – që kish përqafuar drejtuesi i emisionit – ka përgjegjësinë e vet, kur vjen puna për impaktin e emisionit dhe të debatit ndaj publikut; sepse në raport me dijen, pozicionet e palëve nuk ishin të baraslarguara, dhe as mund të bëheshin të barabarta thjesht duke u blatuar të njëjtin minutazh. Për mua, rezultati nuk mund të ishte veçse një spektakël i trishtuar, ku synohej ekuivokimi madje rrëzimi i autoritetit shkencor – po e quaj kështu – për ta zëvendësuar me një autoritet tjetër (statistikor), atë të padijes.
(c) 2022 Peizazhe të fjalës™ dhe Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Pieter Bruegel the Elder – The Alchemist
[1] Me “Akademi” këtu dhe gjetiu në shkrim kam parasysh establishmentin e dijes, përfshi Akademinë e Shkencave, institutet e saj, Akademinë e Shkencave Albanologjike dhe universitetet publike.