Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

RUAJTJE DHE RISI

Duke ndjekur këto ditë një emision televiziv, ku ish ftuar një nga ekspertët më të shquar të historisë së kulturës shqipe, nuk munda të mos vë re se e gjithë biseda ishte kornizuar rreth adhurimit ose kultit të ruajtjes e të vjetërsisë. Një kornizë e tillë, e cila është më shumë ideologjike se diturore (shkencore) i imponon dijes historike një rrejshmëri të idhët – dhe pikërisht se identiteti kombëtar themelohet mbi ruajtjen (konservimin) e tipareve, dhe se synimi (për të mos thënë misioni) i kësaj dijeje është të evidentojë dhe të nxjerrë në pah, me çdo mënyrë, të vjetrën që ka mbijetuar.[1]

Korniza, e kotë ta shtoj, u rri ngushtë metodologjive të sotme të dijes, sepse i përket, nga natyra, mendësisë romantike; e cila sjell me vete gjithfarë nënshtresash dhe premisash, mes të cilave spikat ajo që gjuha dhe kultura kanë qenë origjinalisht perfekte dhe pastaj kanë ardhur duke u rrëgjuar dhe degraduar. Atyre pak dijetarëve të këtyre fushave që e marrin seriozisht kërkimin për të vërtetën, u duhet gjithnjë të përballen jo vetëm me këtë kontradiktë parimore, por edhe me vetëdijen se publikut nuk mund t’i flasin, veçse duke iu gjunjëzuar një dogme në thelb irracionale, sepse publiku ashtu pret që t’i flasin dhe vetëm ashtu i legjitimon.

Për fat të keq, shumë nga daljet publike të arkeologëve, historianëve, gjuhëtarëve, etnologëve e kështu me radhë përfundojnë në gara patetike se kush e kush të zbulojë dhe të evidentojë më të vjetrën, më të ruajturën, më të pandryshuarën, më të pastrën.

Ky farë gjakimi nuk është vetvetiu i gabuar; por kthehet në pengesë madhore që nga momenti kur vendoset në themel të kërkimit historik (diakronik); sepse ruajtja ka interes për hulumtuesin para së gjithash në raport me ndryshimin (risinë); dhe se nuk ka arsye diturore që t’i jepet njërës përparësi ndaj tjetrës, dhe aq më pak përparësi metodologjike.

Do të sjell një shembull nga gramatika historike e shqipes, me të cilin është abuzuar dhe abuzohet shumë, sidomos prej ideologëve, zelltarëve dhe amatorëve: paskajorja. Teza që dëgjon rëndom, në instanca publike dhe divulgative, është se “gegnishtja e ka ruajtur paskajoren, ndërsa toskërishtja e ka humbur”, duke iu referuar paskajores si kategori gramatikore (funksion të foljes) por edhe konkretisht formës me punue, e cila në gegnishten e sotme i ka shumë funksione që i ndesh te paskajorja (infinitivi) në gjuhë të tjera indoeuropiane.

Por edhe shprehja “gegnishtja e ka ruajtur paskajoren, ndërsa toskërishtja e ka humbur” e sjell me vete një gjykim vlere, të lidhur me premisën se ruajtja – në këtë rast e një kategorie gramatikore – është pozitive, ndërsa humbja e saj (bjerrja) negative; ruajtja i shërben autenticitetit dhe pasurisë, ndërsa humbja varfërimit dhe bjerrjes identitare. Jo të gjithë ata që shprehen kështu e bëjnë të vetin gjykimin e vlerës, çfarë vetëm sa konfirmon sa thellë është trupëzuar ideologjia në ligjërim, veçanërisht në ligjërimin dituror.

Dija, nga ana e vet, e ka hulumtuar aq sa ka mundur historinë e paskajores me punue, në kontekstin edhe të marrëdhënieve të saj me format e tjera të pashtjelluara të foljes shqipe, në të dy kryedialektet, përfshi këtu edhe paskajoren tjetër për të punuar, dhe forma të tjera si duke punuar, pa punuar, me të ardhur; ose përdorime të tipit mbarova së ngrëni, ku pjesa e dytë funksionon edhe ajo si paskajore, edhe pse me prejardhje nga një emër prejfoljor i paranyjëzuar i gjinisë asnjanëse.

Një formë si me punue duhet të jetë zhvilluar në shqipe relativisht vonë, nëpërmjet gramatikalizimit të një togfjalëshi të tipit parafjalë + emër prejfoljor; të paktën kështu mendon Shaban Demiraj, i cili e ka studiuar thellë dukurinë (te “Gramatika historike e gjuhës shqipe”, Tiranë 1986). Dhe këtu duhet dalluar mes formës specifike, dhe kategorisë gramatikore së paskajores; meqë nuk përjashtohet që edhe shqipja të ketë pasur dikur, të themi në lashtësi, një paskajore sintetike si ajo e latinishtes (dhe e gjuhëve romane cantare) ose e gjuhëve gjermanike (gehen), e cila më pas ka humbur ose ka marrë funksione të tjera.[2]

Prandaj le të vërejmë këtu rrejshmërinë: teza se “gegnishtja e ka ruajtur paskajoren, ndërsa toskërishtja e ka humbur” jo vetëm është shkencërisht e gabuar, por edhe mbulon (topit, përgjum) atë çfarë do të ishte një dukuri shkencërisht më tërheqëse, dhe më pjellore për hulumtimin: ajo e risive gramatikore që kanë ndodhur në shqipe – duke pasur këtu parasysh jo vetëm adoptimin e lidhores së shtjelluar, nga toskërishtja (pjesërisht edhe nga gegnishtja), në disa funksione që në gjuhë të tjera mbulohen nga paskajorja; por edhe shfaqjen dhe konsolidimin e formës me punue në gegnishte, e cila është edhe ajo risi e shqipes.

Nëse ideologët neo-romantikë, sot shpesh të zbritur në nivelin e zelltarëve kombëtaristë, i mëshojnë deri në mërzi vlerave dhe meritave të ruajtjes, dijetarët dhe hulumtuesit e kanë të qartë se, në studimin e proceseve historike (diakronike) ndryshimet dhe risitë janë më interesante se ruajtja; dhe kjo pavarësisht nga diskursi për progresin[3], i cili bën ndonjëherë po aq dëme epistemologjike sa kulti i “ruajtjes”. Qëmtimi i historisë së një forme të pashtjelluar si paskajorja me punue, e cila bashkon në vetvete persistencën e nevojës gjuhësore për një formë paskajore të foljes, me adoptimin (risinë) e një togfjalëshi në thelb emëror në atë funksion, lejon të zbulohen dhe të përshkruhen karakteristika thelbësore të historisë së gramatikës shqipe dhe të vetë gjuhës.

Një shembull nga leksiku: fjala motër. Etimologët e shohin këtë si fjalë të fondit indoeuropian të shqipes (fjalë të trashëguar), të krahasueshme me fjalë të ngjashme si proto-gjermanikishtja *mōdēr, latinishtja māter, irlandishtja e vjetër mathir, lituanishtja motė, sanskritishtja matar-, greqishtja mētēr, sllavishtja e vjetër kishtare mati, të gjitha këto nga PIE *mater– me kuptimin “nënë”. Një mënyrë për ta komentuar këtë përkim është se fjala është “e vjetër” dhe “e trashëguar” në shqipe, që nga lashtësia e hershme. Por më interesant, për historianin e leksikut të proto-shqipes, është ndryshimi në kuptimin e fjalës, nga “nënë” në “motër”, i cili dramatikisht e dallon shqipen nga gjuhët motra: si mund të ketë ndodhur ky ndryshim kaq esencial?

Korniza ideologjike e dijes historike, që i kërkon kësaj të fokusohet te ruajtja si themel i identitetit, i pengon studiuesit – qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme – që të përshkruajnë risitë dhe ndryshimet, paçka se këto të fundit janë të paktën po aq themelore, për të përshkruar dhe kuptuar dukuri me natyrë historike, si gjuha dhe kultura. Edhe etimologët, të cilët zakonisht tërhiqen më shumë nga sfida detyrimisht e vështirë e identifikimit dhe sqarimit të fjalëve “plaka” e të trashëguara në leksik, shpesh e gjejnë me vend të ndalen në evoluimin e fjalëve dhe të kuptimeve, duke mos u mjaftuar më me thjesht vendosjen e rrënjëve në tabelat përkatëse ose me verifikimin e bashkëpërkimeve. Po sjell një shembull nga një huazim i protoshqipes: dëgjoj, nga latinishtja intellegо̄; një takëm etimologësh do të mjaftoheshin me identifikimin e një latinizmi të radhës në shqipe, por një takëm tjetër do të interesoheshin për ndryshimin kuptimor që ka ndodhur brenda shqipes, meqë në latinishte fjala do të thotë “kuptoj”, madje ashtu lidhet edhe me intellectum. Çabej, me etimologjitë e veta, ka sjellë një kontribut të hatashëm në këtë lëmë, duke u përqendruar te evolumi specifik i fjalëve që analizon, në formë dhe në kuptim, brenda shqipes dhe në marrëdhënie me fjalë të tjera shqipe.

Në fund të fundit, edhe vetë shqipja, si gjuhë indoeuropiane, është përftuar (dhe vazhdon të përftohet si e tillë) nëpërmjet risive në sistemet fonetike, morfologjike, sintaksore dhe leksikore, të cilat e lejojnë të dallohet prej gjuhëve simotra; risi që nuk mund të shihen si katastrofa aksidentale ose dëmtime strukturore ose humbje; sepse janë, në thelb, po aq pjesë e identitetit në rrjedhë të kohës, sa edhe elementet e mbijetuara. Ai lloj ligjërimi – sot për fat të keq mbizotërues – që vajton huazimet e shqipes në rrjedhë të shekujve dhe i sheh këto si “mish i huaj”, që duhet “pastruar”, lë qëllimisht mënjanë faktin që shqipja, duke huazuar leksik nga gjuhët me të cilat ka dhënë e ka marrë historikisht, e ka bërë këtë leksik të vetin, duke e modifikuar sipas nevojave; dhe kjo qëndron edhe për huazime relativisht të vona, si ato nga turqishtja osmane. Edhe me këtë temë jam marrë gjerësisht, mbase ndonjë lexues do ta mbajë mend.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Kopertina: Photo by Darya Tryfanava on Unsplash


[1] Shih për këtë temë edhe esenë time E kanë ruajtur, të botuar në Peizazhe të fjalës.

[2] Për thjeshtësi, po i lë mënjanë llojet e ndryshme të paskajores në gjuhët indoeuropiane.

[3] Gjuhëtarëve nuk u pëlqen shumë të flasin për progres në gjuhë; prandaj edhe kufizohen të përshkruajnë dhe të kodifikojnë prirjet e ndryshimeve emergjente – për shembull thjeshtimin e sistemit rasor në gjuhët i.e., ose shfaqjen e nyjës shquese. Në fakt, ideja a premisa e progresit është po aq ideologjike sa ajo e regresit dhe e degradimit të gjuhës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin