Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

STATUSI I ARBËRISHTES

Sa më poshtë, do lexuar si një reagim imi ndaj shkrimit të Edmond Canes (Arbërishtja gjuhë e rrezikuar) që doli dje te Peizazhe të fjalës, për një temë rreth së cilës kam shkruar edhe më parë, siç kanë shkruar kolegë të tjerë (Eda Derhemi veçanërisht).

Vetë titulli i shkrimit të Canes, Arbërishtja gjuhë e rrezikuar, lë të kuptohet se arbërishtja është tashmë gjuhë më vete, jo variant dialektor i shqipes; pra, më shumë një degë e shqipes që tashmë është ndarë prej saj dhe nuk duhet trajtuar në një rrafsh me, të themi, toskërishten dhe gegnishten. Nëse e pranojmë këtë, atëherë edhe alarmi për “gjuhë të rrezikuar” ka më shumë peshë, në krahasim me alarmin për një “dialekt” të rrezikuar.

Nga ana tjetër, po të jetë arbërishtja gjuhë më vete, dhe jo dialekt i shqipes, atëherë interesimi me përparësi i institucioneve publike në Shqipëri (të cilat përdorin fonde të taksapaguesve të këtij vendi) ka nevojë të përligjet ndryshe. Në kuptimin që, sa kohë që arbërishtja është një gjuhë minoritare brenda territorit të një shteti tjetër si Italia, atëherë përgjegjësinë kryesore për rrezikimin dhe, përkatësisht, mbrojtjen e saj, do ta kishte shteti italian.

Çështja mund të formulohej edhe kështu: a është arbërishtja gjuhë e minoritetit shqiptar në Itali, siç është – ta zëmë – greqishtja gjuhë e minoritetit grek në Shqipëri? Unë vetë besoj se arbëreshët nuk janë minoritet shqiptar në Itali, por relikt i një situate gjuhësore të një lloji tjetër; për këtë mjafton të përmend argumentin sipërfaqësor, por të mjaftueshëm për kontekstin, se arbëreshët nuk e quajnë njëri-tjetrin shqiptar. Dhe nëse kjo pranohet, atëherë interesi i Shqipërisë për arbëreshët mund të krahasohet, sa për të sjellë një shembull, me interesin e Rumanisë për vllehët, të cilët flasin arumanishte, një gjuhë e afërt me rumanishten, por e ndryshme prej saj.

Ka arsye historike të forta, që përligjin angazhimin e shtetit shqiptar me arbërishten, që nga roli i arbëreshëve në përpunimin dhe avancimin e çështjes shqiptare në shekullin XIX. Por edhe me këto arsye është vështirë të shpjegohen dhe aq më pak të kultivohen marrëdhëniet e sotme të komuniteteve arbëreshe me Shqipërinë; sepse ideja e “dheut mëmë” në kulturën arbëreshe – folklorike dhe të kultivuar – ka qenë gjithnjë e imagjinuar dhe është përpunuar kryesisht brenda lëvizjes së vetë komuniteteve arbëreshe, veçanërisht elitave të tyre, për ringjallje.

Por nëse arbërishtja është apo jo gjuhë e mëvetësishme, kjo kërkon një zgjidhje edhe teorike; që nuk mund të shpërfillet, në emër të unitetit kombëtar.

Pështjellimin këtu e shton edhe fakti që, nëse në shqipe dhe në kulturën shqiptare dallojmë qartazi shqiptarin nga arbëreshi, italishtja – si gjuhë zyrtare e shtetit ku flitet arbërishtja – ka vetëm një term, albanese, të cilin sipas rastit e plotëson me formën italo-albanese. Këtë keqkuptim e kanë çuar më tutje ato universitete italiane, të cilat kanë katedra ku studiohet “lingua e letteratura albanese”.

Sipas një tradite gati shekullore, këto katedra janë fokusuar në studimet filologjike arbëreshe – dhe kanë krijuar kushtet për një lulëzim të këtyre studimeve në Itali, në një formë të tillë që në Shqipëri (dhe aq më pak në Kosovë) do të ishte e papërfytyrueshme. Një numër i madh studiuesish nga këto katedra – nga Gradilone te Fortino, nga Solano te Miracco, nga Altimari te Mandalà-ja e Belluscio, për të përmendur vetëm më të vonët, kanë spikatur me hulumtimet e tyre në lëmin e filologjisë dhe të dialektologjisë arbëreshe; në një kohë që interesimi i tyre për lingua e letteratura albanese të përtej detit ka qenë tradicionalisht më i zbehtë.

De facto, institucionet universitare në Itali e kanë trajtuar arbërishten si gjuhë tashmë të ndarë nga shqipja; dhe kulturën arbëreshe si kulturë të mëvetësishme nga ajo shqiptare. Mbetet për t’u parë sa i detyrohet ky rravgim iluzionit gjuhësor prej ambiguitetit të fjalës albanese, dhe sa i detyrohet faktit që shumica dërmuese e profesoratit në ato katedra kanë qenë arbëreshë kryesisht të interesuar në kulturën e komuniteteve të tyre. Unë do të shtoja edhe se kjo situatë, që njëfarësoj trashëgon zhbalancimin studimor të periudhës së Luftës së Ftohtë, i ka rrënjët te moskomunikimi mes dy brigjeve të Adriatikut, deri në fund të shekullit XX.

Kjo mbase ndihmon për të shpjeguar – të paktën pjesërisht – pse disa nga përfaqësuesit më të spikatur të studimeve arbëreshe në Itali kanë zgjedhur tani të mos bashkëpunojnë me nismat e QSPA-së dhe madje e kanë kundërshtuar premisën madhore të atyre nismave, pikërisht që arbërishtja është “gjuhë e rrezikuar.”

Për t’u shënuar edhe që angazhimit dhe investimit në Shqipëri ndaj kulturës arbëreshe, historisë arbëreshe dhe luminarëve të letrave arbëreshe, duke filluar nga De Rada, nuk më duket se i përgjigjet ndonjë angazhim dhe investim i ngjashëm nga ana e institucioneve të atjeshme, për kulturën shqiptare. Shqipëria e ka adoptuar De Radën si të vetin, madje e ka vënë në panteonin kulturor; por kjo nuk ka ndodhur, ta zëmë, me Naim Frashërin dhe Fishtën ndër arbëreshët dhe institucionet e tyre (përfshi katedrat universitare në Romë, në Napoli, në Kalabri dhe në Sicili).

Këtë nuk e sjell si kritikë dhe as si qortim, por si një të dhënë që kërkon reflektim. Elitat arbëreshe sot, veçanërisht ato me karakter thellësisht laik, duan të shkëputen nga parrokializmi tradicional i para-ardhësve të tyre, të lidhur ngushtë me dioqezat lokale dhe kremtues sistematikë të formave dialektore, dorëshkrimeve, folklorit dhe kultit romantik të “motit të madh”; dhe këtë shkëputje po e realizojnë edhe duke zgjeruar bashkëpunimin e tyre me institucionet akademike dhe universitare në Shqipëri, përtej vizitave protokollare dhe batutave të tipit “gjaku inë i shprishur”. Por edhe këto elita ende nuk duken të jenë gati t’i japin përgjigje eksplicite pyetjes nëse arbërishtja është shkëputur tashmë nga shqipja, si pasojë edhe e mungesës de facto të kontakteve reale mes komuniteteve arbëreshe dhe atyre shqiptare në Ballkan.

Njëlloj duhet vërejtur edhe se, ajo çfarë mbahet si kulturë “arbëreshe” ndër shqiptarët e këtej-Adriatikut, përtej gjesteve folklorike dhe festivaleve dhe manifestimeve të nostalgjisë dhe skënderbejadës, është gjithashtu e themeluar mbi një iluzion: letërsia arbëreshe, aq e admiruar dhe e shijuar, nga disa breza shqiptarësh, duke filluar nga “Milosaoja” i De Radës, i është dhënë publikut “e përkthyer” në shqipe (“e përshtatur”), sepse origjinalët nuk do të kuptoheshin – dyshoj fort se origjinalët tashmë kuptohen vetëm prej specialistëve dhe në Itali, por jo nga arbëreshët që nuk kanë formim filologjik.

Çfarë e ndërlikon përfundimisht përgjigjen e pyetjes që shtrova në krye të këtyre shënimeve, është se vetë “arbërishtja” vjen jo aq si formë gjuhësore me zhvillim diakronik të natyrshëm, por si një mozaik të folmesh, ndaj të cilave nuk zbatohen dot kriteret e gjeografisë gjuhësore, meqë shpërndarja (topologjia) e ngulimeve arbëreshe është rezultat i kontingjencës historike dhe të folmet e fshatrave rezultat përzierjesh dialektore tashmë të pagjurmueshme. Pa folur për dy shtresëzimet madhore – ajo e të ardhurve nga Arbëria gjatë shekullit XV, dhe ajo e të ardhurve nga Moreja (Peloponezi) një shekull më pas, gjurmët e të cilave mund t’i ndjekësh edhe sot. Aq të mëdha janë dallimet, mes të folmeve ndonjëherë edhe mes katundeve fqinjë, dhe aq të mëdha ngjashmëritë mes të folmeve ndonjëherë tepër të largëta mes tyre për të pasur kontakte të drejtpërdrejta, sa studiuesit i duhet deri edhe një teori e re linguistike, nëse dëshiron të flasë për arbërishten si të tillë, përtej qasjeve mirëfilli deskriptive dhe ekskursioneve historike-krahasuese (diakronike).

Pyetjet e shtruara në këtë shkrim – a është arbërishtja gjuhë apo dialekt, a është arbërishtja e rrezikuar, a janë arbëreshët shqiptarë, a mund të kenë arbëreshët statusin e minoritetit shqiptar në Itali – nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konsensuale, edhe pse nismat konkrete, në terren, për të “shpëtuar” këtë apo atë, nuk mund të kenë sukses pa një kuadër teorik të qartë, që t’i mbështesë e t’i përligjë: vetëm kombëtarizmi sentimental nuk mjafton. Në rrethanat kur QSPA-ja nuk ka siguruar dot bashkëpunimin aktiv të elitave akademike-universitare në rajonet ku jetojnë komunitetet arbëreshe dhe ku flitet arbërishtja, kam frikë se përpjekjet e tyre qëllim-mira kanë shumë pak shanse që të japin rezultat.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin